Dërrmohet Kukësi, i hiqen tri pikë dhe fushë neutrale

anazapta

Komisioni i Disiplinës ka goditur mjaft rëndë Kukësin për incidentin e ndodhur në përfundim të ndeshjes kundër Skënderbeut. Bazuar në tre nene të ndryshëm të Kodit të Disiplinës Sportive, skuadrës kuksiane i janë hequr tri pikë dhe do të luajë në fushë asnjanëse në katër ndeshjet e ardhshme ku është pritëse. Veç këtyre masave, rëndë është dënuar edhe trajneri Naxhi Shensoji, i pezulluar 12 ndeshje për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Dënimi i trajnerit është i rëndë edhe për shkak se konsiderohet përsëritës. Heqja e pikëve dhe dënimi i fushës së Kukësit ka ardhur “për dështim në përmbushjen e përgjegjësive për sigurinë e zyrtarëve të klubit kundërshtar, diskriminim të zyrtarëve të ndeshjes dhe ekipit kundërshtar si dhe përgjegjësi për sjelljen e spektatorëve”.

Nisur nga motivacioni i Komisionit të Disiplinës, ndonëse është e drejtë akuza për sigurinë e pamjaftueshme, duke parë goditjen e trajnerit Mirel Josa dhe sulmin kundrejt gjyqtarit Enea Jorgji, të vjen keq që ndëshkohen tifozët për sjelljen e tyre, në një kohë që nga tribunat nuk ka pasur probleme. Agresorët e gjyqtarit ishin funksionarë të Bashkisë së Kukësit, të identifikuar e të shoqëruar në polici, por për sjelljen e tyre tani do të paguajë skuadra, e cila shikon se si synimet për titullin kampion marrin një tjetër goditje të rëndë.

Ndërsa është e drejtë që të merren masa të forta për t’u siguruar që ngjarjet e shëmtuara nuk do të ndodhin më, dënimi i tifozëve kur nuk kanë bërë asgjë është vërtet i tepruar. Dënimet e herëpashershme të agresorëve në fushë i kanë minimizuar por nuk i kanë zhdukur përsëritjet e gjestit, por FSHF gjatë gjithë këtyre viteve është marrë vetëm me ndëshkime dhe jo me marrje masash parandaluese, duke mos kërkuar asnjëherë nga instancat ligjvënëse në vend për përpilimin e një legjislacioni që ndalon kategorikisht hyrjen brenda kuadratit të fushës, duke e cilësuar atë si vepër penale. Për sa kohë që nuk ka ndëshkim real për atë që kryen agresionin, ngjarje të tilla do të përsëriten, pasi do të ketë gjithmonë njerëz që duan vetëm të shfryjnë shtazërinë e tyre, pa menduar për asnjë sekondë për fatet e skuadrës, të cilën e dëmtojnë rëndë.

Ndërkaq, me një ndeshje pa tifozë është dënuar Bylis, për hedhje të mjeteve ndezës në fushë dhe ofendime në takimin me Partizanin.

 

Kukësi zbret në vendin e gjashtë

Me tri pikët e hequra, Kukësi ka zbritur nga vendi i tretë në të gjashtin, duke pasur tani 19 pikë. Duhet pritur ende apelimi i dënimit, që mund t’i rikthejë pikët skuadrës, megjithatë aktualisht Kukësi e sheh shumë larg arritjen e objektivit kryesor, që është titulli kampion. Diferenca me Skënderbeun është tetë pikë, ndërsa me Laçin, që mban vendin e tretë, tri pikë.

 

 

Renditja e re

N  Skuadra      P    Gol  F    B    H

1  Skënderbeu   27   21:11 8    3    3

2  Partizani    23   13:11 7    2    5

3  Laçi         22   14:13 7    1    6

4  Flamurtari*  20   19:16 7    2    5

5  Teuta        20   18:19 5    5    4

6  Kukësi*      19   15:14 6    4    4

7  Bylis        18   17:14 4    6    4

8  Vllaznia     18   19:17 5    3    6

9  Besa         18   12:11 5    3    5

10 Lushnja      18   14:17 5    3    6

11 Kastrioti    15   10:16 5    0    9

12 Tirana       11   6:16 3    2    9

* Flamurtari e Kukësi -3 pikë

 

 

 

Share This Article
5 Comments
  • Skuadra e Kukesit eshte skuader e mire, dinitoze si jashte dhe brenda fushes, por disa drejtues e tifoz te semure e police te bashkise ja prishin kete imazh te mire, atyre ju duket stadiumi si mitingjet e Saliut, sulmojne e godasin te derguarit e federates per gjykim sikur te ishin kafshe dhe jo njerez, nuk eshte rasti i pare qe kryejne veprime te tilla.Ne nje vend te Bashkimit Europian ku duam te integrohemi nje incident i till mund ti kushtonte kesaj skuadre edhe daljen ne nje kategori tjeter, nuk mund te vazhdohet me me keto metoda , sporti eshte argetim, kulture dhe masivizim per te miren e te gjitheve.

  • Fajin e ka shteti. personat qe goditen dhe kanosen per shkak te detyres ne diten me diell nuk u arestuan as u denuan ata merritojne minimalisht 15 vite burg pastaj te dalin e te bejne cubin.

  • Populli i Kukesit eshte futbolldashes dhe nuk meriton te denohet qe ekipi i zemres se tij te mos luaje ne Kukes. Po drejtuesit e sportit ne Kukes dhe veçanerisht ata qe jane caktuar me rregullin dhe rendin duhet te parandalojne ngjarje te tilla te shemtuara dhe skandaloze. Per mua ekipi i futbollit te Kukesit duhet denuar me ashper, te paralajmerohet per tu perjashtuar nga te gjitha kategorite e futbollit. Kjo te vleje edhe per ekipet e tjera, se nuk jane me te mire nga Kukesi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *