Botërori Brazilian është futur tashmë në fazën më të nxehtë të tij dhe sot do të jetë radha e Francës së Deshampit për të treguar vlerat. Të kujtojmë që gjelat janë të vendosur në Grupin E. Në orën 21:00 më të Europës, në Porto Alegre, skuadra “blues” do të sfidojë modestët e Hondurasit, dy skuadra që kanë një traditë krejt të kundërt futbollistike, por që megjithatë sot do të kenë një objektiv të përbashkët: fitoren. Francezët do të duan që të marrin revansh për ecurinë zhgënjyese në Afrikën e Jugut 2010 dhe kandidohen si kryesuesit e grupit. Ndërsa, skuadra e drejtuar nga Suarez duhet të provojë të heqë etiketën si ekip “dyshek”, duke befasuar.
Deshamp do të duhet që të ridizenjojë formacionin duke parë mungesën e Riberisë, që është kthyer në atdhe pas lombalgjisë së vazhdueshme dhe të pakurueshme në një kohë të shkurtër. Kundër Hondurasit, me shumë mundësi, do t’i besojë formacionit tip sulmues 4-3-3 me Benzemanë që është edhe terminali ofensiv i mbështetur nga dyshja shpërthyese Grizman dhe Valbuena, ndërsa kolegu Suarez do të provojë klasiken 4-4-2, me eksperiencën europiane të Figueroa, Izagirre dhe Palasios.
Është e kotë të thotë, Franca në aspektin teknik është një tjetër planet në krahasim me Kombëtaren e Amerikës Qendrore. Deshamp mund t’i besojë talenteve si Benzema me shokë. Pikërisht sulmuesi i Realit ka fituar balotazhin e tij me Zhirud, ndërsa pritet shumë edhe nga Pogba. Tek Hondurasi, shpresat janë të gjitha te Xherri Bengtson, që luan me Nju England Revolution dhe që udhëhoqi këtë Kombëtare deri në Kupën e Botës.
Ndërkaq, në konferencën për shtyp, Didier Deshamp është shprehur entuaziast dhe i emocionuar për debutimin botëror, ndaj Hondurasit, por sipas “L’Equipe”, edhe i rezervuar, duke vendosur formulën bazë për të arritur tek suksesi: realistë, racionalë dhe pragmatistë. Fillimi i mbarë, gjysma e punës. Kështu që nuk duhet të mendojmë për atë që do të ndodhë, por për ndeshjen e parë”.
