Turpi dhe frika për të vajtur tek mjeku po detyron shumë gra që të përballen me forma të rënduara të infeksioneve seksualisht të transmetueshme, të cilat më parë janë tentuar të vetëmjekohen. Raportimet e bëra nga autoritetet shëndetësore të spitaleve vënë në dukje faktin se në shumë raste këto infeksione vetëmjekohen. Praktikë kjo e gabuar, çka ka bërë që infeksioni të mos zhduket por të qëndrojë i fshehur duke rrezikuar kalimin e infeksionit edhe tek partneri. Shtimi i këtyre rasteve vjen edhe nga fakti se shpesh femrat në mënyrë të gabuar ndërpresin trajtimet, pasi shohin përmirësimet e para. Mjekja specialiste në Institutin e Shëndetit Publik, Lumturi Mërkuri, thekson se disa infeksione janë rezistente ndaj mjekimit dhe nuk shërohen plotësisht. “Infeksioni mund të rrijë i fshehur duke u përsëritur herë pas here, duke dhënë komplikacione të tjera. Ndaj në çdo rast trajtimet duhen marrë pas vizitës së zhvilluar tek mjeku. Ndiqni gjithmonë këshillat e mjekut dhe çoje mjekimin deri në fund edhe pse filloni të ndiheni mirë dhe nuk keni shenja të dukshme të infeksionit. Duhet të shkoni për një rikontroll tek mjeku mbas mbarimit të mjekimit. Një analizë tjetër është e nevojshme për t’u siguruar që jeni shëruar plotësisht. Ju mund të mos keni shenja të dukshme, si dhe mund të mendoni që jeni shëruar, por vetëm kryerja e një analize specifike ju ndihmon të kuptoni nëse infeksioni është shëruar plotësisht”, thekson Mërkuri. Sipas saj, nëse analiza tregon që ju nuk jeni shëruar, atëherë është e nevojshme që të merret përsëri mjekim. Për të shmangur kalimin e infeksionit, duhet gjithashtu që t’i tregoni partnerit tuaj seksual, që edhe ai të kontrollohet dhe nëse është i infektuar të marrë mjekimin përkatës. “Nëse nuk mjekohet edhe partneri seksual, ju mund të riinfektoheni shumë lehtë. Nëse mendon se ke një infeksion të kësaj natyre, shmangni seksin deri në 3 ditë mbas përfundimit të mjekimit, ose përdor prezervativ. Këto lloje infeksionesh kanë mënyra të ndryshme parandalimi. Por, parandalimi më i mirë për të gjitha infeksionet e transmetuara në rrugë seksuale ka të bëjë me përdorimin e masave mbrojtëse gjatë kontaktit seksual”, shton Mërkuri, duke theksuar më tej se nëse kapen herët shumë mund të mjekohen shumë lehtë dhe të mos shoqërohen me ndërlikime. Në të kundërt, ngurrimi për të shkuar tek mjeku do të bëjë që sëmundja të avancojë dhe të shkaktoj probleme serioze në shëndet. Kështu, nëse bëni një analizë për infeksionet, mund të ndihmoni zbulimin dhe trajtimin në kohë të një infeksioni seksualisht i transmetueshëm që ka qëndruar për një kohë të gjatë i fshehur dhe pa shenja dalluese.
Mostrajtimi, dëmet që shfaqen tek meshkujt dhe femrat
Mërkuri thekson se pasojat e një infeksioni të pamjekuar mund të jenë mjaft serioze për shëndetin e burrave dhe të grave. Tek meshkujt prania e këtyre infeksioneve shkakton më tej infeksion të fshikës urinare, të testikujve, të prostatës deri në qelbëzim. Ndërlikimet më të shumta shfaqen edhe tek gratë. Neglizhenca në trajtim tek gratë bën që të shfaqen infeksione të tjera të fshikës urinare, inflamacione të uterusit dhe të tubave fallopiane, së bashku me pasojat e tyre. “Mund të shkaktojnë kancer të qafës së mitrës, barrë jashtë mitre, etj. Pamundësia për të lindur fëmijë, shpesh është pasojë e një infeksioni seksualisht të transmetueshëm që nuk është mjekuar në kohë. Një grua shtatzënë e infektuar mund t’ia kalojë infeksionin fëmijës së saj gjatë shtatzënisë apo lindjes. Infeksioni mund të përhapet në organet e tjera duke dhënë qelbëzim të organeve të legenit”, shprehet Mërkuri. Shifrat e raportuara nga strukturat e shëndetit publik vënë në dukje se këto lloje infeksionesh radhiten ndër sëmundjet më të përhapura, jo vetëm në vendin tonë, por në të gjithë botën. Ndonëse nuk ka shifra të mirëfillta, edhe në vendin tonë raportohet një rritje e shpejtë e infeksioneve seksualisht të transmetueshme. Sifilizi, gonorrja, trikomonasi, myku, hepatiti B, herpesi gjenital, si dhe sëmundja e shekullit Hiv-Aids janë ndër infeksionet më të shpeshta të evidentuara. Përdorimi i prezervativit gjatë seksit vaginal, anal e oral do t’ju mbrojë nga infektimi.
Rezultatet e mjekimit
“Infeksionet seksualisht të transmetueshme mund të mjekohen, por jo të gjitha janë të shërueshme. Ato të shkaktuara nga bakteriet si klamidia, gonorrea, dhe sifilizi mund të kurohen, të tjera të shkaktuara nga viruset si herpesi, hepatiti B, Hiv, etj, janë të pashërueshme. Nëse ke një infeksion të kësaj natyre, mjeku do të përcaktojë mjekimin, dhe ju duhet të ndiqni me kujdes këshillat e tij”, vijon Mërkuri.
