Është i ri, i uritur dhe kërcënues portash. Këto tre epitete mjaftojnë për ta përshkruar mirë Armando Sadikun. Pasi shënoi gola pa pushim në Challenge League për tre vjet, tani dëshiron ta bëjë me skuadrën e re, FC Zyrih. I intervistuar nga një gazetë zvicerane, sulmuesi kuqezi tregon personalitetin e tij, golat dhe modelin që dëshiron të ndjekë.
Para se të vinte për të luajtur futboll në Zvicër, Sadiku ka luajtur në vendin e tij, ku dha prova se sa gjakftohtë mund të jetë në zonën e rreptësisë. Por shpërthimi i vërtetë erdhi pas transferimit në Challenge League. Megjithatë, fillimi nuk ishte i lehtë për të, pasi futbolli shqiptar nuk krahasohet me atë zviceran. “Në Shqipëri i mëshohet më tepër shpirtit luftarak, ndërsa këtu në Zvicër përparësi ka taktika. Bëhet më tepër stërvitje”, përmbledh me pak fjalë 23-vjeëari. Ai ka shënuar edhe me kombëtaren shqiptare dhe nga eliminatoret e para ruan kujtime të bukura: “Ishte një përvojë e paharruar dhe për më tepër arrita të shënoj edhe golin tim të parë me kombëtaren, çka e bëri edhe më të veçantë”, thotë Sadiku.
Si gjithë sulmuesit e rinj, sigurisht që edhe Sadiku e ka një model që dëshiron të ndjekë. “Modeli im është Zlatan Ibrahimoviç, pa asnjë diskutim”, thotë sulmuesi shqiptar. Ashtu si Ibra, edhe Sadiku dëshiron të luajë në një nga klubet e mëdhenj evropianë, megjithatë në një kampionat ku Zlatan nuk ka qenë: “Dua të luaj në Premier League. Klubi im favorit është Chelsea, por sigurisht që do të luajë me çdo skuadër tjetër atje”.
Vajtja në Angli i përket planeve të së ardhmes, ndërsa e tashmja është e lidhur me Zyrihun. Edhe me këtë Sadiku ka planet e tij. “Dua të fitoj sa më shumë tituj të jetë e mundur me Zyrihun”, thotë. I pakënaqur me pak, shton se “dua të jem golashënuesi më i mirë i kampionatit”.