Arbër Çekaj, pronari i kompanisë “Abi Gardën” që kishte porositur bananet ku një vit me parë u kapën 613 kg kokainë ka mohuar lidhjen me këtë ngjarje dhe akuzat për trafik ndërkombëtar droge.
Është zbardhur dëshmia e tij në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ku sot u zhvillua pretenca dhe Prokuroria kërkoi 21 vjet burg për të.
Çekaj thotë se nuk kishte asnjë dijeni për lëndën narkotike dhe se kontenierët ku u gjet droga nuk janë në pronësinë e tij dhe nuk mban përgjegjësi për ta.
“Nëse unë do të kisha dijeni për drogën e gjetur në kontenierin e CMA-CGM-së, mbasi mora vesh për inspektimin në Itali që ishte konttroll fizik e skanim, e të dy ngarkesave e gjithkush e di që skaneri tregon çdo gjë, por do ta kisha kuptuar që droga u gjet në Itali dhe kisha të gjitha mundësitë të merrja vetëm frutat që në Itali me pretekstin që nuk do të paguaja faturat e të lija kontenierin në port. Akoma më thjesht do abandonoja frutat që në Itali me pretekstin që nuk do të paguaja faturën e çmendur të inspektimit.
Pra duke e ditur se frutat kontrollohen çdo rradhë në nisje, duke ditur që firma Barccota është shumë serioze, duke mos patur asnjë herë më parë problem nga Kolumbia duke ditur se unë nuk merrem me grafik drogë, nuk kisha pse të kisha frikë apo dyshime për asgje sepse kjo ngarkesë ishte si çdo ngarkesë tjetër për mua.
Ndryshimi i vetëm ishte tarifa e çmendur e inspektimit. Dua të theksoj se edhe në këtë rast si gjithmonë unë kam porositur banane e më kanë ardhur banane. Kontenierët nuk janë pronë e imja, në kushte normale e në vende normale nuk ka pse të më interesojë fare se çfarë gjendet apo çfarë bëhet me pronën e huaj, kontenierët. Pra porosita banane, erdhën banane, nuk kishte asnjë gramë drogë në banane se kilogram jo e jo, e unë prap jam në burg”, tha Çekaj.
Ai i ka bërë dhe disa akuza Prokurorisë.
“Më datë 04 Maj 2018 u arrestova nga Policia gjermane me qëllim ekstradimin në Shqipëri. Erdhën prokurorët shqiptarë në Gjermani dhe unë nuk dhashë asnjë deklaratë sepse nuk kisha e nuk kam fare respekt e besim tek ky institucion. Në këtë kohë të qëndrimit tim në burg në Gjermani padrejtësisht, Prokuroria Shqiptare në bashkëpunim me mediat pranë saj ka bërë qindra sajesa që unë gjoja kam folur për grupe apo persona kriminal, duke rrezikuar jetën e familjarëve të mi të cilët jetonin e jetojnë në Shqipëri.
Në këto 16 muaj, paraburgim në Gjermani, hetuesit gjermanë bënë hetime për llogari të Gjermanisë e Shqipërisë e nuk u rezultoi asnjë fakt, provë apo indicie që më implikon në trafiqet e drogës. Pra, bie poshtë edhe hipoteza e hedhur nga Prokuroria Shqiptare që unë kam pasur ndonjëherë probleme me ligjin në Europë.
Kjo Prokurori e ky prokuror kanë bërë një komplot ndaj meje për të gënjyer italianët që operacioni nuk dështoi; për të fshehur trafikantët e vërtetë; për të gënjyer ambasadat e partnerëve të Shqipërisë që gjoja prokuroria po punon e pavarur nga krimi e politika; për të bërë show në mënyrë që të kalonte vettingun”, deklaroi ai.
j.l./ dita
