Ymer Dishnica: Shpreha keqardhjen për vetëvrasjen e Nako Spiros, më akuzuan me materialet e dosjes dhe më ndëshkuan si trockist dhe njeri që mbroja “armiqtë e pushtetit, popullit dhe Partisë!”
(Vijon nga numri i kaluar)
Përballë Koçi Xoxes, në seancën e V-të të gjyqit ndaj tij e bashkëpunëtorëve, zhvilluar më 16 maj 1949, janë thirrur të dëshmojnë Dr. Omer Nishani dhe Ymer Dishnica. Ata konfirmojnë se janë survejuar sistematikisht me urdhër të Koçi Xoxes, jo vetëm në funksionet e tyre shtetërore që kanë kryer, por dhe në familje e në çdo hap që hidhnin.
Gjithashtu, dëshmitarët konfirmojnë dhe vërtetësinë e disa shkresave të ardhur në adresë të tyre, por të falsifikuara dhe ruajtur si dëshmi shantazhi në dosje nga Xoxe e bashkëpunëtorët e tij…
Në seancën e datës 16
SEANCA E V E GJYQIT
-Sot më datë 16.V.1949, ora 14:30 pas dreke, fillon seanca e pestë e procesit kundër grupit trockist dhe armiq të popullit të kryesuar nga i pandehuri Koçi Xoxe, etj…
-Trupi gjykues në formimin e mëparshëm.
-Gjithashtu edhe akuza publike.
-Gati të gjithë të pandehurit duke pasur pranë mbrojtësit e tyre.
-Vazhdon pyetja e të pandehurit Koçi Xoxe.
(Procesverbali i gjyqit kundër Koçi Xoxes e bashkëpunëtorëve, fq. 61)
Prokurori(Bedri Spahiu): -Para se të vazhdojmë me pyetjet e të pandehurit Koçi Xoxe, kërkojmë nga trupi gjykues të thirren e të pyeten këta dëshmitarë: Nesti Kerenxhi, Shpend Dega, Foni Qirko, Ymer Dishnica, Dr. Omer Nishani, Andon Dhimitri. Me pesë të parët do të provojmë se si censurohej korrespondenca dhe si dërgoheshin letrat kompromentuese. Me Andon Dhimitrin do të provojmë se si viheshin në survejim udhëheqësit. Kërkojmë gjithashtu të thirren si ekspertë: Llaqi (Mihallaq) Ziçishti, Angji Fabri, Andon Deçka, Edip Çuçi. Me ekspertët do të vërtetojmë çështjet e dosjeve, megjithëse kjo këtu doli e qartë, por pasi i pandehuri Vaskë Koleci hodhi një shigjetë për ta ndërlikuar çështjen… Me dëshmitarin Nesti Kerenxhi do të vërtetojmë se ato që ai(Koçi) ka thënë në deklaratat e tij që u kënduan pardje, domethënë që i pandehuri Koçi e ka ngarkuar të shkojë në burg tek Hasan Reçi dhe të marrë deklarata kompromentimi për shokë udhëheqës si Tuk Jakova, etj… Përveç këtyre, kemi për të dëgjuar edhe dëshmitarë të tjerë të cilët do të dëshmojnë në vazhdim të zbulimit të këtij plani kriminal të të pandehurit. Dhe sipas nevojës, do të kërkojmë të thirren edhe dëshmitarë të tjerë.
Vazhdojmë me dëshmitarin Dr. Omer Dishnica.
Dr. Omer Nishani(Dëshmitar): -(Vjeç 61, nga Gjirokastra, banues në Tiranë, President i Presidiumit të Kuvendit Popullor).
(I lexohet një letër e adresuar atij dhe që është gjetur në dosjen e hapur për të, u pyet nëse e ka marr këtë letër. Dëshmitari, pasi e lexoi përmbajtjen e letrës, deklaroi se para kësaj letre ka marrë një tjetër me përmbajtje pa kuptim nga e cila nuk dilte asnjë gjë. Ai pohoi se e ka grisur këtë dhe e ka hedhur në shportë)
Pas nja gjashtë muajsh, unë Omer Dishnica, mora një letër tjetër e cila më pyeste mbi disa pika në lidhje me Kombet e Bashkuara, mbi çështjet se si një shtet mund t’i hapë luftë një tjetri dhe të tjera gjëra që mua nuk më interesonin. Një ditë në Presidium, këtë letër ja tregova Komandantit dhe të pandehurit Koçi Xoxe. Dhe Koçi më tha “ma jep ta shohim”. Unë ja dhashë dhe pas nja dy javëve ma ktheu duke më thënë se s’ka gjë. Atë letër, pastaj, unë e grisa dhe e hodha në shportë. Letra që më tregohet tani, nuk më ka rënë në dorë, por ajo tjetra që ishte e njëllojtë me këtë, të cilën ja tregova Koçi Xoxes dhe që ma ktheu pas nja dy javëve dhe pasi më tha nuk ka gjë, unë e hodha në shportë. Për sa i përket letrës, kopja e të cilës gjendet e ngjitur me letrën që më tregoni dhe që flet për një artikull të gazetës turke “Vatan” nuk më ka rënë në dorë.
Kam gjetur dy letra që i kishin ardhur gruas në dorë me disa shënime, këto, një ditë ja tregova Komandantit dhe pastaj ja dhashë Koçit. Më vonë, Koçi më tha se këtë gjë e paskësh bërë një kapter dhe se do ta pyeste si është kjo punë. Por ndonjë përgjigje nuk më ka dhënë…
Prokurori: -Mos ishte ky një provokacion?
Koçi Xoxe: -Kjo është një letër që më ka dhënë doktori por siç duket, nuk e mban mend. Këtë ma dhe unë ja ktheva përgjigjen me gojë se nuk kishte gjë ajo letër…
Kryetari(Frederik Nosi): -Po në letër ka një shënim që të dërgohet në kontroll, si është kjo?
Koçi Xoxe: -Unë letrën ja dhashë Nestit me shënimin që të bënte kontroll për sa thoshte Doktori dhe nuk e di se si gjendet në dosjen e dëshmitarit.
Prokurori(Bedri Spahiu): -Shihni ju lutem, shokë gjyqtarë! Këto dy letra me po atë përmbajtje dhe të impostuar po atij personi nga drejtime të ndryshme, të cilat përpos radhëve të zakonshme me makinë shkrimi, kanë shkruar radhë të tjera me bojë simpatike dhe me dorë. Domethënë, me dubël kopje e dubël shkrim të drejtuar Dr. Nishanit, njëra nga Gjeneva dhe tjetra nga Parisi. Të ketë parasysh trupi gjykues se ky është një sistem provokacioni dhe po kjo, ndodh me letrat e Dr. Dishnicës.
Ymer Dishnica(Dëshmitar): -(Vjeç 37, lindur në Dishnicë të Korçës, banues në Tiranë, me profesion mjek). Unë Ymer Dishnica, më duket se nga muaji maj i vitit 1947 kam marrë një letër nga një person që nuk e njihja. Pashë se ajo letër nuk kishte asnjë kuptim dhe në përmbajtjen e saj të hapur fliste për çështje dashurie dhe se më kishte vonuar dërgimin e disa librave. Këto gjëra për mua ishin krejt të pakuptueshme se atë person unë nuk e njihja dhe as që më binte ndër mend. Në këtë letër vura re se kishte dhe shenja, që kishte shkrime dhe me bojë simpatike. Me sa dija që nga koha e legalitetit se si deshifroheshin këto shkrime munda të lexoja në të se përmendeshin parulla të ndryshme si për shembull: “dallëndyshet po vijnë”, “kurajo”, “gjethet po çelin”, etj… Dhe ndërmjet këtyre radhëve, përmendeshin tre emra: Omer Nishani, Koço Tashko, Sejfulla Malëshova. Nga kjo kuptova se është ndonjë provokacion i jashtëm, se nga këtu brenda, në atë kohë nuk më shkonte ndër mend. Dhe menjëherë, këtë letër vajta dhe ja çova në zyrë Pandi Kristos i cili e mbajti e tha se do ja jepte Koçi Xoxes dhe se pastaj do të më jepte përgjigje si është kjo punë. Pas nja dy ditësh më thirri prapë Pandi e më tha se të kërkon Koçi në shtëpi. Vajta në shtëpinë e Koçit, i cili më priti në sallonin e tij. Kishte një si dhomë pune e më tha “të kam thirrur si shok e jo si Ministër i Brendshëm”. Më pyeti se çfarë mendoja unë për atë letër. Unë u thashë se do të jetë ndonjë provokacion nga anglo-amerikanët. Dhe ai më tha se “kështu mund të jetë por mos e bëj çështje dhe atyre të treve mos u thuaj gjë”. Më tha se do ta hetonte dhe do të më njoftonte përfundimin. Por ndonjë përfundim, asnjëherë nuk mora.
Prokurori(Bedri Spahiu): -(Duke i treguar dëshmitarit 2 letra të njëllojta). A i ke marrë të dyja këto?
Ymer Dishnica: -Po çuditem se si qenkan këto dy letra të njëllojshme, kurse unë kam marrë vetëm njërën, atë që ka në mes një pullë të djegur të cilën e mbaj mend kur e kishte në dorë Koçi Xoxe.
Prokurori: -Si qëndron kjo puna e dy letrave, i pandehur Koçi Xoxe dhe pse i drejtoheshin dëshmitarit Ymer Dishnica këto letra?
Koçi Xoxe: -Unë di për njërën dhe për tjetrën jo. Çështja qëndron siç thotë dëshmitari. Dëshmitari, atëherë nuk qe përjashtuar nga Partia, por qe goditur nga Partia.
Prokurori: -A kishit dyshim mbi dëshmitarin Ymer Dishnica në atë kohë dhe mos është provokacion puna e këtyre dy letrave?
Koçi Xoxe: -Dyshime kishim mbi dëshmitarin, por jo kaq të mëdha. Pasi ishte një provokacion i thamë dëshmitarit të mos e përhapte tek ata që përmendeshin në letër.
Prokurori: -A e survejoje ti i pandehur dëshmitarin në atë kohë?
Koçi Xoxe: -Nuk ka qenë nën survejim në atë kohë.
Ymer Dishnica: -Fakti që unë survejohesha nuk ka asnjë dyshim. Pa pasur asnjë ofiq, më kishin lënë pas një partizan roje që të mblidhte informata kush hynte e kush dilte, se kë takoja unë. Kjo gjë vërtetohet edhe prej faktit se pas vetëvrasjes së Nako Spiros, kur unë i kisha shfaqur një shoku keqardhjen më të madhe duke thënë se Nako është pothuaj i pazëvendësueshëm. Dhe kjo gjë kishte rënë në vesh të Pandit. Dhe kur më përjashtuan nga Partia dhe kërkoja shpjegime, Pandi Kristo ndër të tjera më ka thënë se unë kisha deklaruar për Nakon se ‘është i pazëvendësueshëm’.
Prokurori: (Paraqiti një fletë me shënime të të pandehurit në Byro në lidhje me mendimin e tij për udhëheqësit e Partisë).
Koçi Xoxe: -(I revoltuar)…Këto shënime i keni gjetur në dosjen e Byrosë ku unë kam diskutuar dhe nuk kanë qenë në dosjet e Sigurimit, por ky është një bllof i madh. Dhe kam pesë muaj që s’kam bërë veçse ashtu siç më kanë thënë këta në hetuesi… Të gjitha janë falsitete, më kanë provokuar, më kanë bërë presione morale, më kanë lënë 50 ditë lidhur, më kanë bërë presione në familje. Ky është turp dhe bllof i madh.
Kryetari(Frederik Nosi): -I pandehur të ftoj të mbash gjakftohtësinë dhe të kesh respekt për trupin gjykues sepse për çdo gjë që do të dalë këtu, do të të jepet e drejta të mbrohesh.
Prokurori(Bedri Spahiu): -Shihni shokë gjyqtarë se çfarë do të thotë trockizëm! Është pikërisht faza për të cilën kam folur dhe paralajmëruar trupin gjykues, që i pandehuri, mund edhe të mos flasë fare. Por kjo nuk do të ketë asnjë rëndësi sepse plani i tij i poshtër dhe kriminal është i dokumentuar me prova dhe argumente të gjalla. Ky po të ishte torturuar, ashtu siç e ka pasur zakon të bënte vetë me të tjerët, nuk do të vinte këtu e të mbante një qëndrim të tillë, që nganjëherë është dhe kërcënues, por do të tregonte si bilbil gjithë ato që kishte bërë duke menduar se do të rikthehej përsëri në burg ku do ta prisnin ato që ai ka zbatuar në kurriz të të tjerëve. Ky s’është prekur as me borzilok, por duke parë se plani i tij kriminal po zbulohet, përpiqet të revoltohet. Le të pyetet përgjegjësi i Degës së Punëve të Brendshme Halim Xhelo, se si është trajtuar ky në burg.
Halim Xhelo(Dëshmitar): -(Halim Xhelo, lindur në Vlorë në vitin 1923, përgjegjës i Degës së Punëve të Brendshme të Tiranës). Të pandehurin Koçi Xoxe e kam marrë në dorëzim nga fundi i dhjetorit të vitit 1948. Kam marrë urdhër nga Ministri i Brendshëm, gjeneral Mehmet Shehu që të trajtohet shumë mirë. Jo vetëm e kemi trajtuar mirë, por pasi vuante nga mëlçia e zezë, i kemi dhënë ushqime speciale të cilat i paguanim nga fondi i policisë. I janë dhënë shtresa dhe çdo gjë që ka pasur nevojë. Është lejuar që të marrë edhe ushqime nga familja. Në kundërshtim me rregulloren e burgut i janë lënë të gjitha shtresat e nevojshme dhe vetëm pasi tentoi vetëvrasjen ja hoqëm çarçafët dhe ju lidhën duart se deri atëherë, ka qenë fare i zgjidhur. Ky ka pasur trajtim të veçantë, si asnjë i burgosur tjetër. Asnjë presion apo provokacion nuk i është bërë. Vetëm një herë, një nga policët i kishte thënë se do të dalësh në gjyq si trockist dhe ky jo vetëm që nuk ka qenë provokacion, por menjëherë me urdhër të Ministrisë së Brendshme këtë polic e kemi transferuar që andej.
Koçi Xoxe: -Ushqimet i kam pasur në rregull, por tortura morale kam pasur dhe nga ky shkak, janë ndërruar shpesh policët që më ruanin.
Halim Xhelo(Dëshmitar):- Policët ne i ndërrojmë për t’u dhënë mundësi të gjithëve të përfitojnë nga studimi dhe puna edukative dhe mos mbeten e të myken gjithmonë po në ato burgje siç ishte sistemi që kishte përdorur i pandehuri Koçi Xoxe.
(Vijon nesër)
NESËR DO TË LEXONI:
-Dëshminë e të pandehurit Vaskë Koleci: Kontrollonim dhe administronin gjithë korrespondencën e Enver Hoxhës me urdhër të Koçi Xoxes dhe raportonim e merrnim udhëzime nga Koçi.
-Pohimet e dëshmitarit Spend Dega, misionar ushtarak në Beograd: Letrat për Enverin kontrolloheshin nga UDB-ja jugosllave, unë i merrja të hapura.
-Dëshmia e Nesti Kerenxhit: -Si survejohej me urdhër të Koçi Xoxes, Tuk Jakova, Mehmet Shehu dhe Spiro Moisiu.
Kur esht mare nje vendim per pushkatim,njeriut i jepen cfare deshiron ai vete,e jo keta kelyshet e Mehmetit gjoja ja paskan plotesuar ushqimin,nje te vdekuri qe akoma mbante shpresa, se Islamiku do te behej nje dit Dele!
A ishte Mehmeti nga Mallakastra?
Ja kish len ne dore Korcarin Halim Xhelos,Labit se tek Korcaret Skishte besim!
Shqiperia ka qen dhe vazhdon te jete akoma Lokaliste,e pretendojm ne te bejm Shtet!
Sot Saliu ka sjell gjith Tropojen ne Tirane,polic,oficer,gardiste qe per mendimin tim ja ka kaluar qe te gjithve me lokalizmin krahinor!
Me mir Nenshtetas i huaj ne dere te nje shteti tjeter,dhe i barabarte ndaj te tjerve, se sa nenshtetas Shqiptar ne dor te kriminelve e lokalizmit krahinor te futur nga dallkauke islamike,qe luftojn jo per nje shtet me emer Shqiperi,por per ego e dinasti!
duke marre shkas nga nje koment desha te di ne se tropojanet jane shqiptare dhe ai kalon numuri i tyre 700000 banore