Dosja sekrete e gjyqit të Kadri Hazbiut
“ Agjentët e CIA-s dhanë një radio zbuluese të sofistikuar për kryetarin e grupit Mehmet Shehu. Unë dhe Llambi Ziçishti e sollëm të maskuar si pliko me avion në Tiranë!”
(Vijon nga numri i kaluar)
Pas dëshmisë së Mihallaq Ziçishtit, ish-zëvendësministër i Punëve të Brendshme kundër ‘bashkpuntorit në veprimtari armiqësore’ Kadri Hazbiu, është radha e deponimeve të ish-funksionarit të lartë në këtë ministri, Gani Kodra, që e ‘fundos’ më tej Hazbiun. “Mua më ka kanë rekrutuar si agjent të shërbimeve të huaja Llambi Peçini e Kadri Hazbiu, pasi më falën, nuk morën masë, pas arratisjes së portierit të njohur të ekipit të ‘Dinamos’ e ekipit kombëtar, Qemal Voglit, në kohën që unë e shoqëroja këtë ekip jashtë vendit. Më pas, shumë nga aktivitetet agjenturore, brenda e jashtë vendit, i kam kryer me porosi të kryetarit të grupit, Mehmet Shehut. Kështu, në kohën që shoqëroja së bashku me Mihallaqin Mehmetin në klinikën ‘Pasi’ të Parisit, Mehmeti është takuar atje me agjentë të CIA-s. Agjentët e CIA-s dhanë një radio zbuluese të sofistikuar për Mehmet Shehun, të cilën unë dhe Llambi Peçini, e sollëm të maskuar si pliko më avion në Tiranë. Po ashtu, detyra konkrete agjenturore nga Mehmet Shehu, kam marr për të ndihmuar dhe djalin e tij Skënderin që ishte në Suedi”- deponoi mes të tjerave Gani Kadria në seancën gjyqësore të 23 gushtit 1983….
Vazhdon debati i Kadri Hazbiut me Mihallaq Ziçishtin.
Kadriu:– Pyetja tjetër, në qoftë se u manipulua edhe ju tha se drejtimin e sovjetikëve, jo vetëm s’duhet ta nxjerrë por duhet t’u shërbejë sovjetikëve, pse e nxori Teme Sejko kur u arrestua, pse e nxori…..
Kryetari:– Çfarë nxori…
Kadriu:– Panajot Plakun dhe lidhjen e sovjetikëve, si e shpjegon Mihallaqi…..
Kadriu:– Nxori kupton, që kish marrë në lidhje Panajot Plakun, nxori edhe atë që Panajot Plaku herën e dytë ka vajtur në një apartament ku banonte këshilltari i flotës sovjetike, edhe ne kemi arritur konkluzionin që sovjetikët….
Mihallaqi:- Çfarë të mbetet ty për të sqaruar?
Kadriu:– Për të sqaruar mua më mbetet kjo, në qoftë se ishte instruktor, pyetja që bëj unë: Përse Temja e nxori këtë version në hetuesi, përse?
Mihallaqi?– Cilin version?
Kadriu:– Version për një drejtim tjetër kupton, për drejtimin e Panajot Plakut edhe të sovjetikëve…
Mihallaqi:– Ai foli për drejtimin e amerikanëve……
Kadriu:- Po të sovjetikëve nuk foli?
Mihallaqi:– Jo…
Kadri:– Po gjyqi i tij, nuk u bë kundër sovjetikëve…?
Mihallaqi:– Jo…
Kryetari:– Gjyqi është, ekziston ai proces…
Kadriu:– Ekziston…
Kryetari:– Nuk e di unë, duhet ta dish ti po, kundër sovjetikëve është bërë gjë me procesin gjyqësor….?
Kadriu:– Jo, është thënë që kupton që, është lënë të nënkuptohet që sovjetikët po e braktisin….
Kryetari:– Vetëm në pretencën e prokurorit por procesi nuk ka gjë….
Kadriu:- Mirë, u gjykua që të mos thuhet ashtu. Tani ky thotë në deponimet e tija për Laripostin. Drejt e pyeti prokurori më duket, për të dhënë shpjegime në një drejtim të rëndësishëm, të dokumenteve që disponon drejtësia e kësaj agjenture të poshtër e të vjetër. Kush ishte ‘Mjekra’?
Kryetari:– Si…
Kadriu:– Kush ishte Mjekra, di gjë të thotë Mihallaqi.
Kryetari:– E shpjegoi mor..
Kadriu:– Të paktën unë nuk e dëgjova…
Kryetari:– ‘Mjekra’ ishte Mehmet Shehu, dhe i biri pretendon që ‘Mjekra’ thotë, domethënë, në një kohë ka mbajtur mjekër ky në Spanjë, këtë e dinte dhe familja, ‘Mjekra’, ja u ka treguar dhe dokumenti, thotë ‘Mjekra’ është Mehmet Shehu…
Kadriu:– Po ky e dinte që ishte Mehmet Shehu ‘Mjekra’…?
Mihallaqi:– Jo nuk e dija….
Kadriu:- Nuk e dije, fatkeqësisht që nuk e dije….
Kryetari:- 20 minuta pushim…
(Pas pushimit 20 minuta, nis deponimet i akuzuari Gani Kodra)
Kryetari:– I pandehur Gani Kodra. Jep shpjegime rreth akuzës……
Ganiu:– Unë dua të them që në fillim se prej kohësh jam anëtar i kësaj organizate kundërrevolucionare që drejtohej nga poli agjenti Mehmet Shehu dhe kam detyra e porosi agjenturore që më ka ngarkuar, si kryetar i saj Mehmet Shehu, ashtu dhe disa pjesëtarë të kësaj organizate të cilët unë do t’i shpjegoj. Dua t’i shpjegoj trupit gjykues një herë fillimisht se si hyra në këtë rrugë. Mua në këtë rrugë armiqësore fillimisht më ka futur Llambi Peçini qysh në vitin 1956, i cili shfrytëzoi tek unë besimin dhe respektin që kisha unë ndaj Llambit. Se unë Llambin e quaja njeri besnik të Partisë, dhe e dyta, ai shfrytëzoi tek unë edhe disa vese të karakterit tim, siç ishte dhe servilizmi, karrierizmi edhe dhënia pas qejfeve. Unë Llambin e kam njohur që në vitin 1948 në Sigurimin e Ushtrisë por ndonjë shoqëri nuk kishim. Ai ishte drejtues kryesor dhe unë isha referent. Shoqërinë me Llambin ne e krijuam në Francë, kur ai ishte zbulues në Paris edhe unë shkoja si korrier diplomatik atje. Llambi atje më priste, më merrte për dreka për darka, filloi të më çonte nëpër restorante, filloi të me fuste dhe në klube që ulnin figurën tonë morale. Bile unë i pata thënë Llambit: Ore Llambi, mos na fut në këto se mos na thonë gjë se dhe personeli i ambasadës flet për ty, që ju nuk bëni një jetë të rregullt. Vini natën vonë, bridhni andej-këndej e ku ta di unë. Llambi më përgjigjej: Shiko tha, ne të dy jemi zbulues, zbuluesi ka të drejtë të hyjë kudo. Pastaj tha sa për atë që flasin bota tha, unë nuk pyes tha, deri sa të kem Mehmet Shehun e Kadri Hazbiun. Këtu kuptova që Llambi kishte kredi te këta dy armiq. Kështu, filloi ai. Unë për të gjitha veprimet e Llambit që shikoja, heshtja për arsye se filluan të më pëlqenin edhe mua vetë. Bile, në këtë kohë Llambi mua edhe me ka ndihmuar, siç ishte rasti që unë kur isha në Gjermani më skuadrën e futbollit, u arratis Qemal Vogli. Kur erdha në Tiranë nuk u shqyrtua se ika me shpejtësi për të dërguar një postë në Itali, në Francë. Në Paris i qaj hallin Llambit dhe i them që ka ikur Qemali edhe kam përgjegjësi, me siguri që ndonjë masë do të marrin. Më tha, mos u bëj merak tha se unë do t’i shkruaj edhe Mehmetit edhe Kadriut. Ne fakt, kur u ktheva, as ma përmendën më ketë gjë. Se kujt i kish shkruar Llambi, sigurisht që u kish shkruar këtyre të dyve. Kështu që shoqëria me Llambin vazhdoi. Më 1958, Llambi kthehet nga Franca në Shqipëri. U nda dhe me gruan. Një ditë e pyeta, i thashë a u caktove. Jo mor tha, nuk bëhem merak për caktimin, deri sa të kem Mehmetin dhe Kadriun. Edhe në fakt nuk vonoi shumë, Llambi u emërua shef i Sekretariatit të ministrit dhe pas pak shkoi përsëri në zbulim, kryetar i degës në një nga degët më të rëndësishme. Më 1961 unë transferohem nga zbulimi në sektorin e udhëheqjes. Në këtë kohë i them Llambit që, more i thashë, pse më çon andej se e kam të vështirë dhe nuk e njoh ketë sektor. Me tha që të shkosh atje tha, për arsye se kam folur dhe unë, ti tha e bën këtë punë. Nuk vonoi shumë, pas disa muajsh u krijua Drejtoria e Dytë ku erdhi dhe vetë Llambi në vitin 1962, në mos gaboj, në postin e zëvendësdrejtorit dhe kryetarit të degës. Këtu shoqëria jonë filloi më shumë. Llambi filloi të më fusë tek poli agjenti Mehmet Shehu. Megjithëse unë e shikoja Llambin që ai hynte e dilte në shtëpinë e Mehmet Shehut, si në shtëpinë e tij, e shikoja që ishte njeri me kredi tek ai dhe filloi të më merrte dhe mua, me shërbime kur ai, Mehmeti lëvizte nëpër rrethe. Po ashtu dhe jashtë shtetit. Dua të them që gjatë kësaj kohe Llambi me ka folur dhe për figurën e Mehmet Shehut, duke e ngritur atë si udhëheqës të madh, shpëtimtar të Partisë që vuri në vijë organet e Sigurimit edhe të tjera elozhe. Unë në fillim as e njihja Mehmetin por nga këto biseda fillova dhe unë të krijoj simpati në drejtim të tij. Sidomos me afrimin që më bëri kur erdhi Llambi në drejtori dhe me shoqërimin që fillova të bëj, se Llambi nuk më la asnjë herë pa më marrë, qoftë brenda shtetit po ashtu dhe jashtë shtetit e krijova dhe unë atë simpatinë. Bile, Llambi në këtë kohë në këto biseda, sidomos në vitet 67 — 68, avancoi më shumë duke më folur për figurën e tradhtarit Mehmet Shehu. Sa që një herë më tha gjatë bisedës. Shiko tha vetëm ky na do neve të Sigurimit, ai nuk merret me cingërima, ai është njeri që na mbron edhe na do, prandaj këtij ne duhet t’i shërbejmë. Unë këto në fillim i merrja që t’i shërbejmë si udhëheqës, kurse në fakt bisedat e Llambit nuk kishin këtë qëllim. Biseda e Llambit kish qëllimin tjetër. Që t’i shërbenim Mehmetit për qëllimet armiqësore që kishte ai kundër Partisë. Edhe këtë unë e pashë mirë në vitin 1972 ku kreva detyrën e parë agjenturore në favor të kësaj organizate kundër revolucionare. Detyrë të cilën ma ngarkoi vetë Llambi Peçini. Në vitin 1972 unë u caktova me shërbim në grupin e shoqërimit për të shkuar në Francë, ku do të shkonte tradhtari Mehmet Shehu dhe që u shtrua në klinikën ‘Pasi’ të Parisit. Përgjegjësi i grupit ishte Llambi Peçini. Gjatë shërbimit, gjatë atyre diteve vura re se aty Mehmet Shehu, Llambi Peçini dhe Llambi Ziçishti, kryen një veprim agjenturor. Një ditë, kur unë isha roj e aty, me Llambi Ziçishtin të shoqëruar nga një person i huaj. Personi i cili mbante një pako në dorë, pako a çantë nuk më kujtohet mirë. Unë këtë person nuk e kisha parë ndonjëherë, mjekët e tjerë i njihja domethënë se kush vinte. Pasi erdhi Llambi më pyeti ka njeri brenda tek Mehmeti? I thashë jo nuk ka. Hyri brenda vetëm ai, doli dhe mori të huajin, personin e huaj dhe u futën të dy brenda, kurse Llambi Ziçishti qëndroi në paradhomë. Kur hyri Llambi porositi: Shiko tha, mos lerë asnjeri që të futet brenda. Pas ca dolën. Kur dolën vura re atë pakon që mbante kur hyri i huaji në dorë e mbante Llambi Peçini. Mbasi e përcollën Llambi u kthye edhe më tha:Shiko, pe çfarë pe këtu ti tha mbylle gojën. Hyri kush hyri, doli kush doli këtu ti tha mbylle gojën, nuk ka ç’të duhet ty që te flasësh me njeri. Kjo tha është dhe porosia e Mehmetit. Këtë pako Llambi ma dorëzoi mua në aeroportin e Parisit kur po ktheheshim në Tiranë dhe më porositi. Këtë tha ta mbash në dorë në avion dhe ta ruash me kujdes se po të humbi kjo, jo vetëm që të humb koka ty dhe mua, por në radhë të parë i humb Mehmetit. Bile mua më kujtohet gjatë rrugës, për një çast unë e kisha lënë tek këmbët në avion. Si duket Llambi më pa, ngrihet nga vendi dhe me nervozizëm vjen më thotë: Unë të thashë një herë tha, shiko tha se i ikën koka Mehmetit në radhë të parë tha po t’i humbë kjo, prandaj tha ta mbash në dorë. E mora dhe e mbajta në dorë. Këtë pako ma mori në Rinas. Se çfarë ishte kjo pako dhe se çfarë kishte brenda, këtë nuk ma tha. Por në ballafaqimin në hetuesi, tani që u arrestova, mora vesh që kjo pako ishte radio transmetuese që personi i agjenturës amerikane ia dorëzoi Mehmet Shehut në klinikën ‘Pasi’. Këtë e tha Llambi vetë…
Kryetari:- Domethënë, këtë e more vesh në hetuesi, më parë nuk e dije?
Ganiu:- Përpara jo. Biles, tha Llambi e provuam dhe brenda po unë tha nuk merrja vesh. Unë e pashë që ky ishte një veprim agjenturor dhe të them të drejtën kur erdha këtu ja fsheha Partisë. Puna e Llambit, këto joshjet dhe afrimi me Mehmetin e kishin bërë punën e vet. Kështu, që unë këtë nuk ja thashë Partisë. Por të them të drejtën mendova edhe frikën. Tani nuk e them për t’u shfajësuar, por thashë në radhë të parë është ajo që unë kisha filluar të hyjë, domethënë kisha hyrë në këto ujëra, pastaj vjen kjo. Nuk vonoi shumë, asnjë muaj, unë implikohem në një proces të disa të arrestuarve për ca valuta që kisha marrë. Të them të drejtën prisja jo masë partie por të dënohesha penalisht. Kurse në fakt nuk ndodhi kështu. Mua më thirri Kadri Hazbiu në zyrë dhe më thotë që je implikuar në një proces se ke marrë valutë. Kësaj radhe më tha nuk po marrim masë për arsye tha se ti je njeri i mirë, ke shërbyer edhe je njeri fjalë pak, domethënë ke bëre punën dhe porositë që të kemi caktuar. Kjo si të thuash nuk ishte se ata më mbrojtën për sytë e mijë të bukur, por ata më mbrojtën se unë kisha heshtur për këtë veprim që kisha parë edhe e dyta ata ishin të bindur që unë do t’i shërbeja më shumë. Edhe në fakt kështu ndodhi, domethënë, litari u shtrëngua më shumë dhe hyra aq thellë në rrugën e tradhtisë dhe fillova të zbatoj me ndërgjegje detyrat dhe porositë agjenturore që më dha armiku Mehmet Shehu dhe disa pjesëtarë të tjerë të cilët do t’ì shpjegoj……. Në muajin gusht të vitit 1979 mua më thirri në vilën e tij në Durrës poli agjenti Mehmet Shehu dhe më thotë: Ne së bashku me Kadri Hazbiun kemi vendosur që ti Gani të shkosh në Suedi për të shoqëruar Skënder Shehun. Tek ti tha Mehmeti unë kanë besim se dhe herë të tjera i ke plotësuar detyrat dhe porositë që të kam dhënë unë. Vajtja e Skënderi në Suedi, vazhdoi armiku Mehmet Shehu duke më thënë, për mua ka shumë rëndësi. Jo vetëm për shkollën që ai do kryejë por atij unë i kam ngarkuar edhe disa detyra për të takuar disa miq të mijë të vjetër. Se cilët janë këta miq më tha Mehmeti dhe se çfarë detyrash i kam ngarkuar unë Skënderit tani për tani tha, ti nuk duhet t’i dish. Por, kur të shohim të arsyeshme, qoftë unë qoftë Skënderi neve do të t’i themi. Skënderit tha me të shkuar do t’i blini një kasafortë sekrete për arsye se atij do t’i duhet, tha, për të mbajtur ato letra dhe ato gjëra që do t’i dërgoj unë për ata miqtë e mi, po ashtu dhe ato që do marrë prej tyre e do mi dërgojë mua. Unë nga kjo bisedë kuptova qartë që Skënder Shehu në Suedi do të kryente veprime agjenturore. Në fund të bisedës Mehmet Shehu me tha: T’i thashë këto në mënyrë që ti, Skënderin ta lejosh të lirë, të mos e pengosh, ai mund të largohet edhe vetë prandaj të them. Kur të vijë koha neve do të të themi edhe ato detyra që i kam ngarkuar Skënderit. Thashë që në këtë bisedë kuptova që Skënderi do të kryente detyra agjenturore në Suedi të cilat më vonë i faktova dhe vetë ku dhashë dhe ndihmën time siç do ta shpjegoj. Mbas dy ditësh që më kishte thirrur Mehmet Shehu më thirri në zyrë Kadri Hazbiu, i cili pasi më priti më përzemërsi më tha që biseduam me Mehmetin që ti të shkosh në Suedi për të shoqëruar Skënder Shehun. Ti tha e takove vetë Mehmetin edhe bisedove vetë me të. Detyrat e porositë t’i tha, i ke marrë prej tij. Nga ana ime po ato detyra e porosi, nuk kam ç’të them, vetëm se të them tha që t’i zbatosh ashtu siç të ka thënë ai. Këtu kuptova që Mehmeti e Kadriu e kishin biseduar që përpara këtë punë dhe më kishin zgjedhur mua tamam si njeri të tyre që unë u kisha shërbyer me besnikëri gjatë kësaj kohe. (Vijon nesër)
Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi
SOM 1
“Kur isha në Gjermani me skuadrën e futbollit, u arratis Qemal Vogli. Kur erdha në Tiranë nuk u shqyrtua se ika me shpejtësi për të dërguar një postë në Itali e në Francë. Në Paris i qaj hallin Llambit dhe i them që ka ikur Qemali dhe kam përgjegjësi, me siguri që ndonjë masë do të marrin. Gani më tha, mos u bëj merak se unë do t’i shkruaj edhe Mehmetit dhe Kadriut. Ai kishte kontaktuar me ‘ta e unë nuk u ngacmova. Kështu që shoqëria me Llambin vazhdoi. Por pas pak kohësh, unë do përfundoja në rrjetin agjenturor”
SOM 2
“Aparatin radio zbulues që agjentët e CIA-s ja dhanë Mehmet Shehut, unë Gani Kadria dhe Llambi, me përgjegjësi për kokën tonë, e sollëm me avion në Shqipëri. Unë e pashë që ky ishte një veprim agjenturor dhe të them të drejtën, kur erdha këtu, ja fsheha Partisë. Puna e Llambit, këto joshjet dhe afrimi me Mehmetin e kishin bërë punën e vet. Por të them të drejtën mendova edhe frikën. Tani nuk e them për t’u shfajësuar, por thashë në radhë të parë është ajo që unë kisha filluar të hyjë, domethënë kisha hyrë në këto ujëra…”
SOM 3
Në muajin gusht të vitit 1979 mua më thirri në vilën e tij në Durrës poli agjenti Mehmet Shehu dhe më thotë: Ne së bashku me Kadri Hazbiun kemi vendosur që ti Gani të shkosh në Suedi për të shoqëruar Skënder Shehun. Tek ti tha Mehmeti unë kam besim. Vajtja e Skënderi në Suedi, vazhdoi armiku Mehmet Shehu, për mua ka shumë rëndësi. Jo vetëm për shkollën që ai do kryejë por atij unë i kam ngarkuar edhe disa detyra për të takuar disa miq të mijë të vjetër. Se cilët janë këta miq më tha Mehmeti dhe se çfarë detyrash i kam ngarkuar unë Skënderit tani për tani tha, ti nuk duhet t’i dish. Por, kur të shohim të arsyeshme, qoftë unë qoftë Skënderi, do të t’i themi.
NESËR DO TË LEXONI:
-Dëshmia e Gani Kodrës: Si u përgatit vizita ‘mjekësore’ e Fiqret Shehut në Francë, takimi me zbulues të huaj dhe detyrat që mori për grupin tonë në Shqipëri.
-Kodra: Si punoja me fëmijët e Mehmet Shehut që jetonin në Suedi e Paris, për detyrat që jepte Mehmeti.
-Debati i Ganiut me Fiqret Shehun për fejesën e Skënderit dhe kërcënimi i saj: Djali do fejohet me Silva Turdiun, le të jenë të deklasuar. Ti hiq dorë nga rekomandimi për atë vajzën e birësuar!
Mire qe po i nxirni keto procesverbale gjyqesore, por a ka ndonje njeri qe eshte ende gjall dhe, pa frike nga njeri, te thote a jane te verteta te gjitha keto, apo jo? Si eshte e mundur qe e gjithe udheheqja e atehershme e ministrise se brendshme ishte armike e Enver Hoxhes dhe asnjeri nuk u be burre t’i hidhte pak cianur ne kafene qe pinin bashke pothuajse perdite? Pa nje pergjigje shteruese per kete pyetje ekziston dyshimi i madh se te gjitha keto deklarata jane perpiluar nga vete sigurimi i shtetit.