Gjyqi i Kadri Hazbiut. Seanca 22
“Xhevdet Mustafa qe kriminel: Sapo zbritëm në Divjakë, ekzekutoi 3 ushtarakë dhe një tjetër e mori peng. Në zyrat e policisë në Rrogozhinë, më takoi Kadri Hazbiu”
(Vijon nga numri i kaluar)
Në dëshminë e tij në seancën e 22-të të gjyqit të Kadri Hazbiut, Halit Bajrami, i mbijetuari i bandës së Xhevdet Mustafës, rrëfen aventurën e zbarkimit në Shqipëri, ekzekutimet e tre ushtarakëve nga Xhevdet Mustafa në bregdetin e Divjakës dhe fatin e bandës terroriste që kishte për mision ‘dhënien e ndihmës Kadri Hazbiut në puçin ushtarak dhe asgjësimin me armë të Enver Hoxhës’. Ai thotë se nga agjentura kishte disa porosi për Kadri Hazbiun, por takimi me të u bë në momentin që Bajrami ishte vënë në pranga…
Seanca e 22-të
Halit Barjami: -Varka ishte gati për nisje. E kishim lënë fjalën që në orën nëntë (21:00 e darkës) të vinte Sabaudini aty në Sanofka nga do niseshim. Unë erdha aty në 8:30. Ai, Sabaudini, erdhi pas 9-tës. Erdhi, hipëm në varkë dhe shkuam në Torodorlosë. Aty ngarkuam plaçkat. Dhe ky tjetri, ky Fadil Kaceli nuk erdhi, se tha, më ka dalë shpina. Ai ecte shtrembër dhe unë e besova për një moment. Se në Zelandën e Re i ka pas dalë ndonjëherë dhe shkonte tek doktori. Dhe e fuste në vend. Po e bënte me qëllim apo pa qëllim, këtë nuk e di. Po, pra nuk erdhi. Dhe ne hipëm në barkë dhe u nisëm. Ishte para mesnate. Para se të mbërrinim ne në Shqipëri, mua m’u duk sikur na ndoqën dy varka se ishin dritat që na vijshin pas. Ndoshta kanë qenë ashtu, varka italiane apo greke që gjuajnë peshk. Po ne u ikëm atyre me shpejtësi dhe morëm drejtim tjetër. Kur pashë se ne po mbërrinim, po afroheshim në breg, pashë se aty na u prish busulla. Ishte prishur busulla e barkës, e ne nuk kishim drejtim, nuk kishim si orientoheshim.
Drejtimin e barkës e mbanim vetëm nëpërmjet yjeve. I thosha Xhevdetit se jemi midis Vlorës e Durrësit. Nuk mund ta mat me saktësi, i thashë, po diku me Durrësit e Vlorës jemi. I thashë se nuk jemi në Greqi, por jemi në tokën shqiptare. Thashë se busulla e barkës na ishte prishur. Në bregun e detit ishte një breg rane, e ne qemë duke u përplasur se barka ishte me shpejtësi 30-40 kilometra në orë. Dhe e ktheu ai varkën. Unë isha sipër bidonave, e rashë poshtë. Nejse. Ndaluam e zbritëm ne. I thashë italianit që të ikte e ta çonte barkën në bazë, në Sampokë, në Itali.
Dhe ne dolëm në tokën shqiptare. Aty shikuam përqark. U duk një pyll ndonjë 100 metra larg, e ku kishte një kanal uji. Nuk mund ta kalojshim, se ishte thellë. Ata e provuan disa herë, po s’kalohej dhe e lamë të rrijshim atë ditë aty. Dhe natën të delnim, të lidheshim me litar e të kalonim me çdo mënyrë. Aty, Xhevdeti bëri një gropë të madhe. Vumë një mushama dhe vumë plaçkat aty e ndejtëm. Zbardhi dita. Unë qeshë zgjuar dhe po shikojsha. Ata i kishte zënë gjumi. Pashë 5 barka të vogla me motorra që kaluan afër nesh një kilometër apo pak më tepër larg. Unë ndenja deri afër drekës ashtu duke shikuar. I thashë Sabaudinit që më mirë bëni ju pak roje, se mua më vjen gjumë. Dhe isha i tronditur nga era e gazit se ndenja gjatë rrugës sipër atyre fuçive të benzinës. Mirë, më tha Sabaudini. Mbulova kokën se vijshin ashtu arza, miza dhe ashtu rashë. Më kishte zënë gjumi menjëherë. Pas pak dëgjoj zhurmë për-për-për. Dhe ishin ashtu, të shtime automatiku dhe unë u zgjova. Kur shikoj Xhevdetin ashtu që po rrinte para dy njerëzve të vrarë. Ishin oficerë të Sigurimit, më duket. ‘Po ç’ke bërë Xhevdet” – i thashë. “Po unë u thashë të dorëzohen se zbritën nga një barkë aty poshtë dhe po vijshin drejt tek gropa jonë. Nuk e di, po ishin drejtuar nga ne. Ata shkojshin në ndonjë shërbim tjetër. Nuk u dorëzuan dhe unë i vrava” – më tha Xhevdeti. “Ti e di se çfarë qëllimi kemi ne. Ne kemi ardhur për një punë shumë të madhe, me shkue në Tiranë” – i thashë Xhevdetit. Kur pas gjysëm ore erdhi afër nesh një varkë me nja dy njerëz. U afrua kjo varka dhe Xhevdeti ua bëri me dorë.
Dhe zbritën këta njerëzit nga varka. Njëri ishte veshur me uniformë, ndërsa tjetri ishte vetëm civil, vetëm në brekë të shkurtra, pa këmishë. Ata zbritën, kur ky Xhevdeti u vuri automatikun e u tha të dorëzohen. I tha atij oficerit, se ai ishte i veshur. Ai nuk u dorëzua. Dhe ky Xhevdeti, në muhabet e sipër, se po i thoshte të dorëzohej e ai nuk dorëzohej, i ra atij dhe e vrau atë. Dhe i tha Xhevdeti këtij civilit: ’Tani ç’do të bësh ti. Të të vras edhe ty, apo do të na qitësh në anën tjetër, tej bregut me këtë varkën e vogël” – Ju qis – tha ai. Dhe hipëm ne në varkë. I lamë të gjitha plaçkat. Vetëm morëm armatimin, çdo gjë tjetër luftarake, me radio e fishekë, e thashë, i lamë të gjitha plaçkat e tjera në gropë. Pra, morëm vetëm armatimin që kishim me vete, automatikë e revole dhe hipëm në barkë. Dolëm në anën tjetër.
E lamë barkën në bregdet dhe çantën që kishim brenda mitralozët, ja vuri Xhevdeti këtij udhëheqësit. Ai ishte peshkatar nga ai fshati aty afër. E ngarkuam atë, i thamë të eci pak para e të na qiste në një rrugë asfalti, rrugë automobilash. –Po -tha ai dhe ecëm. Ecëm duke u afruar, e ai na tha se këtu jo larg është rrugë. Kur ndaluam ne aty, Xhevdeti iku vetëm përpara me pa ku ishte rruga. Në atë kohë që ne ishim aty, po kalonte një me biçikletë dhe na pa neve, se ne ishim fshehur prapa drurëve, mbas disa pishave të mëdha. Edhe neve dëgjuam nja dy-tre të shtime. O bu, bu -thashë, do të ketë shtirë Xhevdeti, thashë, e mos ka vrarë atë fshatarin me biçikletë. Ai erdhi aty, pra mbrapa, e na tha se ‘u hap rruga’. Aty desh me vra këtë udhëheqësin që ishte me ne, atë peshkatarin. Dhe unë i thirra anglisht, i thashë: ’Hajde këtu të bisedojmë”. Erdhi ky Xhevdeti, erdhi dhe ky Sabaudini. Dhe i thashë unë me të fortë: ”Nëse ti vret këtë fshatarin, unë ndahem nga grupi e nuk vij në Tiranë me juve. Se ne, çdo njeri që gjejmë rrugës do e vrasim, a!?”. Ai mu përgjigj: ”Baba me ardhë, të dalë nga vorri e të më dalë përpara, unë e vras. Unë jam stërvitur për këtë punë, me vra”. “Me vra, me vra, po ai nuk po bën gjë. Ai nuk po bën gjë. Ne kemi nevojë për atë se ne jemi hala në pyll. Se pasi të dalim nga rruga kryesore, ne nuk dimë ku jemi” – i thashë. Dhe ai pranoi, nuk e vrau. Ai udhëheqësi(fshatari) më shikoi mua e më tha: Do të më vrisni? Unë i thashë: ”Jo nuk do të të vrasim ty, por ki kujdes mos u mundo me ik. Mundohu të rrish me ne. Kur të mbërrijmë në Tiranë, ne do të lëshojmë dhe ti të jesh i lirë pastaj. Por derisa të shkojmë në Tiranë, ti do të rrish me ne”.
Pastaj ne dolëm në rrugën kryesore. Kaluam rrugën dhe u fshehëm në pyll, pse ishte hala herët. Aty ishte një urë që shkonte për në Divjakë, në një kamp të Divjakës. Ne ndenjëm aty nja dy orë gati. Para mesnate, u nisëm me udhëheqësin(fshatarin) e hymë në Divjakë. Nuk hymë në fshat brenda, u kthyem në krahun e majtë. Dhe ecëm përsëri në tokë të punueme. Pastaj dolëm përsëri në rrugën kryesore. Ecëm nja 3-4 orë dhe e pyetëm atë udhëheqësin se ku ishim. Ai tha se jemi afër urës së Shkumbinit. Dhe ne gjetëm një kodër atje, ndenjëm dhe u çlodhëm pak. Edhe udhëheqësi ishte me ne së bashku.
Të nesërmen kur leu dielli, u ngritëm. I zbërthyem automatikët se ishin të zbërthyeshëm, i futëm në çantë dhe e lidhëm çantën. Dhe dolëm në xhade të veshur civilë. Tue ecë xhades, takojmë njerëz. Disa nga ata na nderojshin, disa nuk na flisnin… Dhe unë i thashë Xhevdetit edhe Sabaudinit: ”Po të doni ju, unë kam një drejtim që për 3-4 orë të futemi në Tiranë. U thashë se futemi nga ana e Elbasanit ose nga ana e Bishqemit, nga ato vende që unë i njoh mirë që kur kam qenë partizan në Pezë. Ju fus natën, ecim natën nga 3-4 orë dhe ditën rrimë e vetëm shikojmë. Të mos bëjmë asnjë lëvizje ditën, se po u pamë, mbaroi puna”. Ndërhyri Sabaudini: ’Jo, ne duhet të jemi në Tiranë sot, duhet të ishim që mbrëmë!’. “Si do të ishim mbrëmë, ne dje u nisëm!?” – thashë unë. Ai tha: ’Nuk ka mundësi që ne të rrimë 3-4 net rrugëve. Ne do të shkojmë në Tiranë sot, pa tjetër, gjallë apo vdekur. Se ne atje shokët na presin e janë në rrezik të madh. E ne do të jemi atje patjetër’. “Mirë. Po të doni ju kështu, kështu bëjmë po është shumë e rrezikshme se do të shkojmë tani brenda në Rrogozhinë. Po me bë me u diktu ne, i gjithë misioni mbaron” – u thashë. “Ne do të shkojmë brenda, o me kamion, o me tren, o me çdo mënyrë ne duhet të jemi në Tiranë. Pa tjetër se është e nevojshme” – thanë ata. Mirë, u thashë. Dhe hymë, kaluam aty, kaluam postbllokun. Ishin disa oficerë e ushtarë, po nuk na tha njeri gjë. Shkuam afër stacionit të trenit dhe u ulëm. Xhevdeti u ul me atë udhëheqësin. Ishin disa ashtu çimentoje, blloqe çimentoje. Dhe unë shkova pyeta për biletat. Dhe ata më thanë se treni i parë për Tiranë iku, e se tjetri është pas dreke. E na thanë se biletat i shesin gjysmë ore para se të niset treni, e se nuk i shesin që tani. Dhe unë shkova e ndenja me ata. I bëmë një xhiro qytetit dhe ndenja afër atyre vazhdimisht. Një gjysmë ore para se të vinte treni, bleva biletat. Dhe Xhevdet Mustafa së bashku me këtë udhëheqësin, prunë çantën tek unë. Çantën me armatim e sollën brenda në sallë ku rrinin njerëzit ulur. Aty dhe unë isha ulur me Sabaudinin. Ata e sollën aty çantën, na e futën nën këmbë dhe ikën. Ata dolën përjashta. Ne ndenjëm me Sabaudinin aty pa folur kurrgjë.
Dhe vjen një civil dhe i tha Sabaudinit: ”Ju lutem. Ka mundësi të vini në dhomën tjetër?”. Më shkoi mendja mua, se tani, sigurisht do të kemi ndërlidhje, e do të bisedonte me shokët. Kur dola, në dhomën tjetër unë shoh dy oficerë, policë me uniformë, të dy në këmbë. Ata e pyetën Sabaudinin menjëherë ku e ke dokumentin, letër njoftimin, çfarë është ajo. Dhe ai, Sabaudini u tha: ’E kam në çantë përjashta!’. “Po ti” -më thanë mua. Unë u thashë jam filani, i tregova emrin e vërtetë. Jam prej Durrësi, Halit Bajrami dhe dokumentet i kam lënë në shtëpi. U thashë, se kam harruar ta marr me vete. Në këtë kohë, sa Sabaudini doli tek dera, brenda sekondash, vendosa që është momenti kritik dhe s’mund të ikim prej këtej, misioni jonë mbaroi, s’ka mundësi të kryhet, është e kotë që ne të zgjatemi. Më muarën revolen nga brezi, dhe unë i thashë: ”Çfarë dokumenti do. Ne jemi diversantë dhe jemi vrasës. Ju lutem çomëni në polici”. Dhe ai më lidhi duart, e më vonë erdhi makina. Dhe Sabaudini iku me këtë tjetrin, ranë në përpjekje më duket.
Nuk e di se ç’ngjau se nuk i pashë më pastaj. Mua më çuan në polici. Kur shkova në polici më ulën në një dhomë. Aty kishte plot karrige. U ula në një karrige, veçan afër dritares. Më lidhën dhe këmbët e po rrija aty. Dhe ishte roja tek porta, tek korridori. Kur vjen një njeri me një dorë në xhep e teksa ecte përpara, filloi me më sha. Unë ngrita kokën, kur shikoj Kadri Hazbiun me një dorë në xhep. Mua më hyri frika. Thashë tani, se ne kishim për ta takuar këtë njeri, por po e takoj në një vend që s’duhet. Thashë mos më vrasë, e kisha shumë frikë. Por nuk lujsha nga vendi, se isha i lidhur e nuk mund të lujsha. Se, pra, isha i lidhur këmbë e duar. Pasi më shau nja dy-tre minuta, iku. Ai roja, vazhdimisht rrinte tek dera. Dhe pas nja 10 minutash erdhi ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai. Ai erdhi dhe më pyeti për identitetin. Dhe më mori në makinë dhe më solli këtu në burgun e Tiranës ku jam edhe sot. Dje, bëhen 11 muaj që kam ardhur. Kështu mbaroi misioni që ne na dhanë jugosllavët për Kadri Hazbiun…
Prokurori(Rrapi Mino): -Cili ishte ky mision, ky mesazhi që do ta jepte Sabaudini?
Haliti: -Para se u nisëm ne, kur ikëm, që na telefonoi prej atij qytetit, Leçes, për me shkue, Sabaudini më tha mua është mesazhi i jugosllavëve, që më kanë dhënë jugosllavët me ia trasmetu ti Kadri Hazbiut gojarisht, se ai është njëshi tani. Ai tha: ”Ti kur të takohesh me Kadri Hazbiun t’i shpjegosh Kadriut përbërjen e grupit dhe sidomos t’i flasësh sa më tepër për Xhevdet Mustafën që është njeri i vendosur, i stërvitur prej CIA-s dhe ky është njeriu që do të futet në një mënyrë ose në një tjetër që të vrasë Enver Hoxhën gjatë gjurulldisë që do të ndodhë. Pas vrasjes, Kadri Hazbiu do të marrë pushtetin, gjithmonë në emër të Partisë. Pra që të bëjë grusht shteti, domethënë, me anë të puçit ushtarak. Të marrë shtetin në dorë dhe të spastrojë elementët e tjerë që janë të pafuqishëm…”
Pika e dytë ishte, që Kadri Hazbiu do të organizonte koordinimin e veprimit të bandës me puçin ushtarak.
Pika e tretë, -tha -është që Kadriu do të caktojë ekzaktësisht vendin, kohën, ditën, mënyrën se si Xhevdet Mustafa, agjent atentator, do të vrasë Enver Hoxhën.
Pika e katërt, më duket, ishte ndërlidhja midis meje dhe Kadri Hazbiut, mes grupit dhe Kadri Hazbiut. Këtë ndërlidhje do ta mbaja vetëm unë. Dhe asnjeri tjetër. Pra, jo Xhevdet Mustafa.
Dhe pika tjetër ishte që sapo të merrte pushtetin në gjurulldi e sipër, pra frenat e shtetit Kadri Hazbiu, do të binte në kontakt me jugosllavët, ambasadën jugosllave në Tiranë dhe e dinte vetë ai pastaj…
Dhe një pikë tjetër ishte aty, që të merrej pushteti me çdo kusht pa marrë parasysh vdekjen e gjëra të tjera.
Petër Paviç na tha, se nëse ju nuk do të keni asnjë mundësi me marrë kontakt me Kadri Hazbinë, mos bëni asnjë veprim në Shqipëri, po merrni informata dhe dilni në Jugosllavi. Në qoftë se keni problem atje, telefononi menjëherë babës(babai i Paviç) dhe ai menjëherë u merr në kufi. Kështu, na tha ai, mos bëni veprime në Shqipëri, mos vrisni njeri, se nuk duam gjakderdhje, por duam të shohim Shqipërinë një republikë socialiste, moderne siç e kemi ne(jugosllavët). Këto ishin katër-pesë problemet kryesore që më dha Sabaudini mua me ja trasmetuar Kadri Hazbiut… (Vijon nesër)
Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi
SOM 1
“Drejtimin e barkës e mbanim vetëm nëpërmjet yjeve. I thosha Xhevdet Mustafës se jemi midis Vlorës e Durrësit. Nuk mund ta mat me saktësi, i thashë, po diku me Durrësit e Vlorës jemi. I thashë se nuk jemi në Greqi, por jemi në tokën shqiptare. Busulla e barkës na ishte prishur. Në bregun e detit ishte një breg rëre, e ne qemë duke u përplasur se barka ishte me shpejtësi 30-40 kilometra në orë. Dhe e ktheu ai varkën. Unë isha sipër bidonave, e rashë poshtë. Nejse. Ndaluam e zbritëm ne. I thashë italianit që të ikte e ta çonte barkën në bazë, në Sampokë, në Itali. Arritëm në Shqipëri. Ishim në mision të rëndësishëm e para enigmash të pa menduara që na prisnin”
SOM 2
“Më çuan në polici. Ngrita kokën, kur shikoj Kadri Hazbiun me një dorë në xhep. Mua më hyri frika. Thashë tani, se ne kishim për ta takuar këtë njeri, por po e takoj në një vend që s’duhet. Thashë mos më vrasë, e kisha shumë frikë. Por nuk lujsha nga vendi, se isha i lidhur këmbë e duar e nuk mund të lujsha. Pasi më shau nja dy-tre minuta, iku. Ai roja, vazhdimisht rrinte tek dera. Dhe pas nja 10 minutash erdhi ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai. Ai erdhi dhe më pyeti për identitetin. Dhe më mori në makinë dhe më solli këtu në burgun e Tiranës ku jam edhe sot. Dje, bëhen 11 muaj që kam ardhur. Kështu mbaroi misioni që ne na dhanë jugosllavët për Kadri Hazbiun”
NESËR DO TË LEXONI:
-Përballja e Kadri Hazbiut në gjyq me Halit Bajramin, oficerin e sigurimit shqiptar të infiltruar në bandën e Xhevdet Mustafës
-Si u njoftua Sigurimi i Shtetit nga Halit Bajrami për përgatitjen dhe nisjen e bandës së Xhevdet Mustafës në Shqipëri dhe misionin e saj.
-Debatet e Aranit Çelës dhe prokurorit Rrapi Mino me Kadri Hazbiun lidhur me kundërshtimet e këtij të fundit për rolin dhe dijeninë e Hazbiut lidhur me përdorimin e bandës në ndihmë të ‘puçit’ ushtarak, eliminimin e Enver Hoxhës dhe marrjen e drejtimit të vendit nga Kadriu.