Ekskluzive / Gjyqi ndaj Koçi Xoxes e bashkëpunëtorëve. Dëshmitë e të pandehurve për skenarin jugosllav për goditjen e Nako Spiros, Enver Hoxhës, Mehmet Shehut, etj, si kundërshtar të planit për kthimin e Shqipërisë në Republikë të 7-të të Jugosllavisë.
Akuza: Koçi Xoxe hapi dhe kishte dosje në Sigurim dhe për Enver Hoxhën, Tuk Jakovën, Bedri Spahiun, Liri Belishovën, Pilo Peristerin, Koço Çashkon, Miha Lako, Sotir Vullkanin, si dhe udhëheqës e kuadro drejtues.
(Vijon nga numri i kaluar)
Në vazhdim të seancës së datës 13.05.1949 të gjykimit të Koçi Xoxes
e bashkëpunëtorëve të tjerë të akuzuar për “Veprimtari armiqësore kundër Partisë e Pushtetit”, me synim aneksimin e Shqipërisë nga Jugosllavia, Prokurori akuzon dhe kërkon shpjegime nga Xoxe lidhur me këtë veprimtari, si dhe luftën që bëhej nëpërmjet survejimeve e hapjeve të dosjeve ndaj kundërshtarëve të kësaj teze. “Koçi Xoxe hapi dhe kishte dosje në Sigurim dhe për Enver Hoxhën, Tuk Jakovën, Bedri Spahiun, Liri Belishovën, Pilo Peristerin, Koço Çashkon, Miha Lako, Sotir Vullkanin, si dhe udhëheqës e kuadro drejtues”, -deklaron në këtë seancë Prokurori. Në mbështetje të kësaj akuze janë dhe disa dëshmi të vetë të pandehurve…
Kryetari(Frederik Nosi) -Vazhdojmë seancën me dëshmitë e të pandehurit Koçi Xoxe… Çfarë pyetjesh ka për të?
Prokurori(Bedri Spahiu): -Të na thotë i pandehuri Koçi Xoxe, a është dakord me rezolucionin e Plenumit të XI-të dhe Kongresit?
Koçi Xoxe: -Për rezolucionin e XI-të unë kam observacionet e mia për sa i përket prapaskenës së Beratit, se nuk ka pasur prapaskenë dhe këtë e kam pranuar në Plenum por jo i bindur në veten time.
Prokurori: -Por ti i pandehur e ke pranuar vetë edhe në procesin hetimor të cilin e ke firmosur lirisht.
Koçi Xoxe: -Siç është në procesin hetimor, është formuluar prej Mehmet Shehut që merrte pjesë në hetuesi.
Prokurori: -Ke bërë politikë lokaliste ti i pandehur?
Koçi Xoxe: -Jo, politikë lokaliste nuk kam bërë, por kam rënë në pozita lokaliste për shkak njohje…
Prokurori: -Po si i njihje ti këta shokë?
Koçi Xoxe: -I njihja nga Korça… Unë për shkak njohje, rashë në pozita lokaliste…
Prokurori:- Si e akuzoje ti Liri Gegën për qëndrime lokaliste?
Koçi Xoxe: -E kam sulmuar Liri Gegën në Berat për shkak se ajo mblidhte rreth vetes shokë të njohur dhe çuçulisej me ta dhe e bënte me qëllim këtë. Kurse unë e bëja për punë…
Prokurori: -Po si ndodh që të gjenden në Ministrinë e Brendshme të gjithë nënministrat dhe shefat nga Korça? Pse u vendosën ata të gjithë në sektorët më delikatë të Sigurimit dhe si ndodh që në Komisionin e Planit të ndodhen 6 korçarë, në Drejtorinë Politike të Ushtrisë të jenë 5 korçarë?
Koçi Xoxe: -Në Ministrinë e Brendshme ishte Nesti(Kerenxhi) të cilin e njihja dhe më njihte… Të tjerët…
Prokurori: -Josif Pashko, kur erdhi në Prokurorinë e Përgjithshme?
Koçi Xoxe: -Josif Pashko erdhi si kuadër i Sigurimit në Prokurorinë e Përgjithshme, por nuk e mbaj mend në ç’kohë…
Prokurori: -Pas Plenumit të Beratit, a është dëmtuar vija e Partisë kështu?
Koçi Xoxe: -Kërcënim ka pasur në lidhje me jugosllavët dhe Partia jonë u vu në rrezik të degjeneronte në sistem policesk… Unë kam konstatuar se vazhdimisht Nako Spiro nuk i shikonte mirë marrëdhëniet tona me Jugosllavinë.
Prokurori: -Nako ka qenë mbështetur dhe nga shokë të tjerë. Po këtu kemi një pjesë të udhëheqjes që mendon ndryshe, e një pjesë tjetër ndryshe… A nuk janë dy vija të ndryshme?
Koçi Xoxe: -Në Plenumin e VIII-të, pasi jugosllavët kishin sjellë akuzat, doli se disa mendonin ndryshe dhe u kritikua Nako, i cili përkrahej edhe nga shokë të tjerë si Mehmeti, Liria, Fadili…
Prokurori: -A kishte një vijë Nako? Në këtë vijë, a ke thënë ti se ishte dhe Enveri? Pse u lëshove ti me kaq furi kundër kësaj vije?
Koçi Xoxe: -Dhe Enveri si gjithë të tjerët u vërsul kundër Nakos dhe të tjerëve që e përkrahnin.
Prokurori: Shokët që ishin marrë në sektorin e Sigurimit a punuan në vijën e Partisë?
Koçi Xoxe: -Sigurimi ka pasur organizim të gabuar dhe nuk ka punuar në vijën e Partisë…
Prokurori: -Kush është përgjegjës për këtë organizim në Ministrinë e Brendshme?
Koçi Xoxe: -Për këtë, jam unë përgjegjës, por kjo rridhte nga lidhjet që kemi pasur me jugosllavët…
Prokurori: -Të pyetet i pandehuri Vaskë Koleci çfarë di në lidhje me organizimin që impononin jugosllavët në Ministrinë e Brendshme.
Vaskë Koleci: -Ka qenë një rast kur sovjetikët thoshin të mos bëhej bashkimi i dy seksioneve në sektorin e Sigurimit në Ministrinë e Brendshme. Safet Filipoviçi insistonte që të bëhej bashkimi i këtyre seksioneve. I pandehuri Koçi Xoxe pranoi tezën e Filipoviçit duke mos marrë parasysh atë që thoshin sovjetikët…
Prokurori: -Ti, i pandehur, në një deklaratë tënden ke thënë se ke rënë në batakun e trockizmit dhe ti e di mirë se trockistët luftojnë për qëllimet e tyre nën flamurin e Partisë. Po të ishte që të urdhëroje ti për çdo gjë, mjerë ne ku do të ishim. Do të ishte bërë Federata, do të kishin ardhur Divizionet nga jugosllavia dhe Shqipëria do të ishte bërë koloni e Jugosllavisë… I pandehur Xoxe! Kur e ke mbajtur fjalimin në Shkollën e Partisë dhe çfarë ke thënë atje?
Koçi Xoxe: -Fjalimin në shkollën e Partisë e kam mbajtur më 2 dhjetor të vitit 1947. Ka qenë para kësaj mbledhje dhe atje kam thënë për një embrion fraksioni.
Prokurori: -Të pyetet i pandehuri Pandi Kristo se kur e ka cilësuar Koçi Xoxe fraksionin në kokën e Partisë?
Pandi Kristo: -Çështjen e fraksionit, i pandehuri Koçi Xoxe e ngriti në Byro…
Prokurori: -Të na thotë i pandehuri nëse ka biseduar me jugosllavët përpara se të formulonte atë fjalim që mbajti në Shkollën e Partisë…
Koçi Xoxe: -Unë nuk kam biseduar me jugosllavët para se ta formuloja atë fjalim…
Prokurori: -Ka ndonjë rast, analogji pune të tillë që shokë të udhëheqjes të kenë biseduar me jugosllavët dhe t’i kenë paraqitur pastaj si mendime të tyre?
Koçi Xoxe: -Ka një rast kur Shulja(Kristo Themelko) kishte biseduar me jugosllavët për çështjet e Federatës dhe se ata i kishin thënë se pretendimi për këtë gjë duhet të vinte nga shqiptarët. Dhe këtë gjë, pastaj, Shulja ja kishte thënë Sekretarit të Përgjithshëm (Enver Hoxhës) duke ja shpjeguar se unifikimi i ushtrisë nuk mund të arrihej po qe se më parë nuk bëhej bashkimi i dy shteteve në Federatë.
Prokurori: -Po kur kishin respekt për Komandantin (Enver Hoxhën) pse donin ta godisnin?
Koçi Xoxe: -Unë di që Savo ka pasur respekt për Enver Hoxhën dhe nga jugosllavët e tjerë nuk kam dëgjuar ndonjë fjalë për Komandantin.
Prokurori: -Të na thotë i pandehuri Pandi Kristo se a kanë pasur respekt jugosllavët për Komandantin?
Pandi Kristo: -E gjithë puna e tregoi se jugosllavët nuk kanë pasur respekt për Komandantin…
Prokurori: -Ç’do të thotë kjo i pandehur Koçi, që Tito të la ty në vendin e parë kur shkuat në Jugosllavi?
Koçi Xoxe: -Tito më la në vendin e parë mua dhe unë ja lashë Komandantit. Dhe këtë unë e shpjegova me faktin se ata ishin të dy sekretarë dhe unë të qëndroja në mes.
Prokurori: -I pandehur! Ç’të kanë thënë jugosllavët me rastin e dekorimit të komandantit nga ana e qeverisë sovjetike me urdhrin “Suvorov”?
Koçi Xoxe: -Ata më thanë përse u dekorua vetëm Komandanti e jo edhe udhëheqës të tjerë siç kishin bërë me jugosllavët. Unë u thashë jugosllavëve se kur u dekorua Komandanti, nëpërmjet atij është dekoruar i gjithë populli shqiptar…
Prokurori: -Nuk dua të zgjatem shokë gjyqtarë, por po të shohim se që nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Enver Hoxha, Tuk Jakova, Bedri Spahiu, Liri Belishova, Mehmet Shehu dhe poshtë, gjithë shokët e vjetër të luftës, më të mirët, kanë dosje në Sigurim. Shumica e anëtarëve të Komitetit Central kanë dosje dhe kanë qenë konsideruar si armiq. Edhe shokë të vjetër të Korçës si Pilo Peristeri, Koço Tashko, Miha Lako, Sotir Vullkani e të tjerë, dhe në çdo vend si në Shkodër, Vlorë e kudo, janë me dosje në Sigurim.
Koçi Xoxe:- Nuk ka pasur dosje për udhëheqës dhe nuk janë persekutuar shokët e vjetër. Vetëm për Mehmet Shehun, me vendim të Byrosë Politike, ka pasur, është vënë në survejim. Gjer në vitin 1946 shokët e vjetër nuk kanë qenë në qendër, por pastaj, me zhvillimin e sektorit ekonomik u morën në qendër. Pilo Peristerin nuk e kam goditur, përkundrazi këtë e kam dashur dhe kam pasur simpati, bile ka qenë edhe kryetar i Komitetit Ekzekutiv në Korçë… Miha Lakon e kam këshilluar disa herë sepse atë e akuzonin se nuk shkonte në mbledhjet e celulës dhe e kam kthyer disa herë propozimin për përjashtimin e tij nga Partia… Më në fund u përjashtua me vendim të Komitetit Central sepse nuk shkonte në mbledhje.
Prokurori: -Të thotë i pandehuri nga i merrte Komiteti Central informatat për kuadrot.
Koçi Xoxe: -Komiteti Central, informatat për kuadrot i merrte në Partia dhe unë i shpija në Byro. Dhe informatat e organeve të Sigurimit i shpija në Byro.
Prokurori: -A mund të vinte një anëtar i Byrosë të kontrollonte informatat në Sigurim?
Koçi Xoxe: -Anëtari i Byrosë, po të ngarkohej nga Byroja, mund të vinte.
Prokurori: -Të pyetet Vaskë Koleci ç’di mbi këtë?
Vaskë Koleci(I pandehur): -Unë di që Koçi Xoxe i ka dhënë urdhër Nestit që: Asnjë njeri të mos lejohej të vinte në Sigurim. Dhe një ditë i ka thënë shokut Nako në shkallë se “ç’kërkon ti këtu, se të thyej këmbët”. Nako erdhi se kërkoi të merrte disa informata.
Koçi Xoxe: -Nako Spiro kishte kërkuar një raport që nuk duhej ta dinte njeri përveç sekretarëve të Partisë…
Prokurori: -A e ke pasur ti i pandehur Koçi konceptin e indipendencës së Partisë dhe të Republikës?
Koçi Xoxe: -Po, konceptin e indipedencës së Partisë dhe të Republikës e kam pasur.
(Mbi këtë u lexua një letër frëngjisht të drejtuar nga i pandehuri Koçi Xoxe, personalisht Rankoviçit).
Kryetari(Frederik Nosi): -I pandehur Koçi Xoxe, përse ke vepruar kështu?
Koçi Xoxe: -Për këtë letër unë kam qenë i ngarkuar nga Sekretari i Përgjithshëm. Partia jonë pasi nuk kishte lidhje me Partinë Bullgare, me anën e jugosllavëve e bënim.
Prokurori: -Po pse të ngarkoi Sekretari i Përgjithshëm ta bëje ti atë letër kur ai vetë ishte Ministër i Punëve të Jashtme. Si ndodhi që ti t’ia dërgoje Rankoviçit e jo Komitetit Central të Partisë Bullgare?
Koçi Xoxe: -Kështu i kemi pasur ne lidhjet me Partinë Bullgare, nuk kemi pasur lidhje direkt.
(Vijon nesër)
Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi
NESËR DO TË LEXONI:
-Dëshminë e Koçi Xoxes: Si u përgatit kundërshtimi i relacionit të përgatitur nga Mehmet Shehu dhe si nisi lufta ndaj Mehmetit.
-Akuzat e prokurorit dhe të pandehurve: Si bashkëpunonte Koçi Xoxe me jugosllavët dhe skenari i përgatitu për kundërvënien e Nakos me Enver Hoxhën.
-Dëshmia e Xoxes: E luftuam Nako Spiron, duke e akuzuar si armik se doli haptas kundër planit të jugosllavëve për Shqipërinë.
Pse nuke thuhen emrat e gjith atyre
Dosje ???te hampsara
Qe nga v.44-45-46??????????????????????.likujdimprapasken????.Nako Spiro eshte elimmnuare padrejtesisht.
Te pyetet filozoffe politikane, Ms.Liri Belishova,per oficeret si:
Mustafa gjinushi,veli nimani.dal i, etj.
gazettes diteten e pare te nje prandvère te munguare,ripertri 20pd.
Shume mire Mr.Kujtim Boric!
Por duhet zbardhen te gjitha
Se ndryeshe eshte vrasja,e ndryshe
Eshte eliminate ????? Arberidr.