Ekskluzive / Gjyqi i Koçi Xoxes dhe bashkëpunëtorëve, dokumente dhe dëshmi. Lista e udhëheqësve të Partisë dhe të shtetit që kishin dosje, survejoheshin dhe u bëheshin shantazhe nga Sigurimi me urdhër të Xoxes
Koçi Xoxe: Një pjesë i ndiqnim me oficerë të posaçëm Sigurimi, të tjerët nëpërmjet efektivave të grupeve të shoqërimit dhe shërbimit. Në listën kryesore të udhëheqësve e kuadrove të lartë, 137 vetë!
(Vijon nga numri i kaluar)
Në seancën gjyqësore kundër Koçi Xoxes, nëpërmjet leximit të dëshmive të dhëna nga të akuzuarit në hetuesi, dokumenteve, përgjigjeve të Koçi Xoxes dhe katër të pandehurve të tjerë, evidentohet një fenomen tepër i rëndë e me pasoja në Shqipërinë e pas luftës, survejimi dhe hapja e dosjeve të shantazhit për udhëheqësit dhe kuadrot kryesorë të vendit. Gjithçka bëhej me urdhër të Koçi Xoxes. Në listën e survejimit ishte Nako Spiro, Enver Hoxha, Myslym Peza, Ymer Dishnica, Mehmet Shehu e dhjetëra kuadro të tjerë kryesorë. “Një pjesë i ndiqnim me oficerë të posaçëm Sigurimi, të tjerët nëpërmjet efektivave të grupeve të shoqërimit dhe shërbimit. Disa survejoheshin dhe me urdhër të Komitetit Qendror. Në listën kryesore të udhëheqësve e kuadrove të lartë, ishin 137 vetë!” -dëshmon mes të tjerave Koçi Xoxe në këtë seancë.
Prokurori(Bedri Spahiu): -Vazhdojmë seancën me pyetjen e të pandehurit Koçi Xoxe. Na fol pak i pandehur Koçi Xoxe në lidhur me planin e arrestimeve të udhëheqësve “në një kohë të përshtatshme”?
Koçi Xoxe: -Plan për arrestimin e udhëheqësve kurrë nuk ka pasur dhe këtë e them me bindje të plotë. Përkundrazi, në periudha të ndryshme janë mbrojtur udhëheqësit, si për shembull në procesin e deputetëve në vitin 1947.
Prokurori: -Të pyetet i pandehuri me cilësinë e tij si ish-Ministër i Punëve të Brendshme se kur ka filluar të vendosë nën survejim udhëheqës të Partisë dhe të Pushtetit, përfaqësues të Kuvendit Popullor, e të tjerë?
Koçi Xoxe: -Janë vënë nën survejim, Ymer Dishnica që në vitin 1945, por data ekzakte nuk më kujtohet si dhe Myslym Peza në vitin 1947 me grupin e deputetëve.
Kryetari(Frederik Nosi): -Ju i pandehuri Vango Mitrojorgji, çfarë do thoni në këtë drejtim? Kur është vënë nën survejim Myslym Peza?
Vango Mitrojorgji(I pandehur): -Duhet të jetë shumë përpara sepse kur kam ardhur unë në vitin 1946 në Seksionin e Sigurimit, më pat thënë Nesti për atë gruan që i dërguam Myslymit…
Prokurori: -Të na thotë i pandehuri Koçi Xoxe për të tjerë udhëheqës që janë vënë në survejim…
Koçi Xoxe: -Nuk e di, por kur erdha nga Moska, Nesti Kerenxhi më tha se ishin vënë në survejim edhe ca të tjerë që kishin dalë në procesin e deputetëve si për shembull Sami Baholli që ishte Sekretar i Presidiumit, i cili më duket se është vënë përpara për shkak se vinte tek Ymer Dishnica. Janë vënë dhe Qamil Çela e Qirjako Harita, që i gjeta të vënë nën survejim. Qirjako është anëtar i Presidiumit të Kuvendit popullor. Bedri Spahiu është kontrolluar në prill-maj të vitit 1947. I është thënë Gogos dhe Nestit ta shikojnë Bedriun se si shkon dhe çfarë qëndrimi mban. Përsa i përket qëndrimit të tij jashtë, Bedriu nuk është vënë nën survejim. Nga anëtarët e Qeverisë nuk kam kënduar ndonjë informatë dhe nuk di se cili është survejuar.
Prokurori: -Të pyetet i pandehuri Vaskë Koleci se çfarë di mbi këto survejime dhe a u ka dhënë urdhër i pandehuri Koçi Xoxe?
Vaskë Koleci: -Ata të Presidiumit janë vënë nën përgjim në prill të vitit 1947 kur përpunohej grupi i deputetëve. Domethënë ata u bënë objekt survejimi. Dhe këtë Koçi na e ka thënë në shtëpinë e tij dhe ka thënë për Hasan Pulon, Sami Bahollin, Qirjako Hariton. Bedri Spahiu ka qenë nën survejim që në pranverë të vitit 1947 dhe për këtë di që Koçi kishte thirrur Kapiten Thoma Vangjelin të kontrollonte se kush hynte dhe dilte në shtëpinë e tij duke qëndruar roje gjithë natën para shtëpisë së Bedri Spahiut. Për anëtarët e Qeverisë, Nesti e ka shtruar që në vitin 1946 që të shikoheshin nëpërmjet policëve që u ishin dërguar si roje. Me këtë rast u ngrit Sektori i Sigurimit të udhëheqësve dhe u vunë nën survejim Spiro Koleka, Manol Konomi, Medar Shtylla. Domethënë, që në vitin 1946, Omer Nishani ishte vënë nga Koçi Xoxe më parë. Dhe për të gjithë këta që ishin nën survejim, informatat vinin në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Koçi Xoxe: -Unë nuk e dija, por kur erdha nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1947, ata i gjeta të vënë nën survejim dhe pastaj u hoqën. Më vonë, në mars ose në prill të vitit 1948, u vu nën survejim me vendim të Byrosë, Mehmet Shehu. Për sa i përket Lirisë dhe Fadilit ka qenë vendosur që këta të shikoheshin (survejoheshin) me anë të Komitetit të Partisë se si punojnë e çfarë thonë. Por jo direkt nga ana e Sigurimit.
Vaskë Koleci: -Lirija dhe Fadili kanë qenë vënë për t’u survejuar nga Organizata e Partisë se e kishte organizuar Koçi me anën e Drejtorisë së Kuadrit, e cila qe kthyer në Drejtori Policie. Ka qenë dhënë urdhër nga Koçi Xoxe të shikoheshin të gjithë ata që ishin kundër rezolutës të Plenumit të VIII-të.
Prokurori: -Të thotë i pandehuri Koçi Xoxe se cilët nga anëtarët e Kuvendit Popullor që janë vënë në survejim?
Koçi Xoxe: -Nga deputetët kanë qenë nën survejim ata që dolën nga organizata që u quajt ‘Grupi i Qeribashit’, në muajin maj e muajin qershor 1947. Nga deputetët kanë qenë nën survejim gjithashtu të gjithë ata që u arrestuan nga grupi i deputetëve, të cilët dolën nga gjyqi i përbashkët me atë tekniko-intelektual dhe Balli Kombëtar. Dhe të gjithë ata që u survejuan, u arrestuan. Ka pasur më parë dhe më pas këtij procesi deputetë në survejim si Dali Ndreu që nga mars-prilli i vitit 1946, në kohën kur u arratis Cen Elezi. Ka qenë i survejuar Kadri Hoxha kur erdhi nga Italia deri në momentin e arrestimit, ka qenë survejuar që në mars-prill të vitit 1946 Refat Spahiu, ka qenë survejuar Spiro Moisiu. Po dhe Koço Tashko, nga disa informata që kishte Partia, u dha urdhri të survejohej disa kohë. Është vënë nën survejim Liri Gega, gjithashtu Mehmet Shehu, Sejfulla Malëshova, etj. Për Shefqet Peçin, nga mars-prilli i vitit 1947 kam dhënë urdhër të shikohet se çfarë bën në lidhje me Bedri Spahiun, është vënë nën survejim Ymer Dishnica…
Prokurori: -Cilët të tjerë nga kuadrot e lartë të Partisë dhe të pushtetit, oficerë të lartë të ushtrisë ke vënë nën survejim?
Koçi Xoxe: -Nuk më kujtohen të tjerët e vënë nën survejim…
Prokurori: -Për të mos e zgjatur shokë gjyqtarë sepse ky është një kapitull i tërë, unë po ju lexoj një listë të gjatë duke treguar se cilët ka survejuar i pandehuri Koçi Xoxe dhe do të shikoni se si ky ka vënë nën survejim për të goditur kuadrot e larta dhe me vlera, shokë të vjetër të luftës dhe me stazh në radhët e Partisë. Ai u ka hapur këtyre dosje me materiale kompromentuese të grumbulluara. Dhe ja si qëndron kjo në vite: 21 vetë në vitin 1941, 28 vetë në vitin 1942, 48 vetë në vitin 1943, 38 vetë në vitin 1944 dhe dy vetë pas çlirimit. Kjo, i pandehur Koçi Xoxe, është politika jote e kuadrit dhe këta janë kuadrot për të cilët kundërshtonte Nako dhe jo vetëm Nako, por gjithë Partia me në krye Sekretarin e Përgjithshëm… Të pyeten të pandehurit Vaskë Koleci e Vango Mitrojorgji, a kanë kontrolluar organet e Sigurimit Partinë?
Vaskë Koleci(I pandehur): -Organizimi i punës ishte i tillë që Partia ishte vënë nën kontrollin e Sigurimit dhe për këtë ka dhe qarkore…
Vango Mitrojorgji: -Po, ka edhe qarkore, të cilat ndonëse janë hartuar në formë të maskuar, qëllimi ka qenë të kontrolloheshin anëtarët e Partisë nga Organet e Sigurimit. Për këto qarkore më ka thirrur Vaska dhe më ka dhënë pikat kryesore. Dhe kur unë i kam bërë objeksionin se me anën e kësaj qarkoreje vihej nën kontroll Partia, ai më tha se duhet t’i vijmë në ndihmë anëtarëve të Partisë për gjendjen e tyre ekonomike.
Vaskë Koleci: -Pas Plenumit të VIII-të, Koçi Xoxe më tha që të shihen ata elementë që ishin kundër rezolucionit të këtij Plenumi.
Prokurori: -Çfarë ka për të thënë i pandehuri Koçi në lidhje me këto?
Koçi Xoxe: -Na kishin ardhur informata nga ushtria se kuadrot poshtë vuanin ekonomikisht, si për çështje ushqimi dhe për këtë qëllim ishin dërguar poshtë dy kuadro, Manush Myftiu dhe Bajram Sinoymeri… Dhe në lidhje me këtë i thashë Vaskës t’u shkruante organeve të Sigurimit që t’u vinin në ndihmë këtyre kuadrove.
Prokurori: -Për ushtarakët flisnin ato qarkore, i pandehur?
Koçi Xoxe: -Për ushtarakët dhe gjithë anëtarët e Partisë të cilëve t’u sigurohej veshmbathje dhe banesa se ishin në vuajtje.
Prokurori: -Për çfarë arsyeje do t’u vihej në ndihmë më parë anëtarëve të Partisë dhe a ka për detyrë Pushteti t’i shikojë edhe punët e të tjerëve?
Koçi Xoxe: -Ata vuanin më shumë dhe këtu e kisha fjalën për kuadrot. Unë kërkoj të këndohen këto qarkore…
(Vijon nesër)
Përgatiti: Kujtim Boriçi
NESËR DO TË LEXONI
-Dëshmia në vazhdim e Koçi Xoxes: Unë kisha dyshim se Liri Gega dhe Mehmet Shehu ishin të dyshimtë, tradhtarë të Shqipërisë.
-Dëshmitë e të pandehurit Xoxe: Si e survejonim Nako Spiron jo vetëm gjatë ditës, por dhe gjatë natës me roje tek dera e shtëpisë, me urdhër të Koçi Xoxes.
-Dëshmitë e të pandehurve: Si administroheshin dosjet dhe u bëhej shantazh e goditeshin kuadrot e lartë që ishin kundër vijës pro-jugosllave të Xoxes e bashkëpunëtorëve të tij.
Drejtues kryesorë që Koçi u hapi dosje në Sigurim
-Omer Nishani
-Nako Spiro
-Enver Hoxha
-Myslym Peza
-Haxhi Lleshi
-Ymer Dishnica
-Bilbil Klosi
-Sami Baholli
-Shefqet Musaraj
-Qamil Çela
-Qiriako Harito
-Mehmet Shehu
-Bedri Spahiu
-Sejfulla Malëshova
-Koço Tashko
-Pilo Peristeri
-Gogo Nushi
-Hasan Pulo
-Spiro Koleka
-Shyqyri Këllezi
-Manol Konomi
-Gani Islami
-Medar Shtylla
-Liri Gega
-Irakli Bozo
-Fadil Paçrami
-Dali Ndreu
-Kadri Hoxha
-Spiro Moisiu
-Refat Spahiu, etj…
A nuk dolen armiq te gjithe ata qe survejoheshin nga K. Xoxe, perfshi ketu edhe M. Shehun dhe B.Spahiun. K. Xoxe bente punen qe duhej te bente sigurimi i shtetit. Te survejonte armiqte, qe te mos dilte me vone E. Hoxha dhe te thosh se tere armiqte i zbuloi Partia, jo sigurimi i shtetit. Apo jo? Sic duket ata na i paske zbuluar me kohe K. Xoxja .
Per te vene duart ne koke qe monstra kaq keqdashes te cilet sot kerkohet qe te reabilitohen nga Titanet dhe nga vete ish prokurori i procesit Bedri spahiu.
Shqiperi tavolinash…
Pse nuk thuhet me emrin e vertete. Koçi Xoxe ishte nje tradhetar i kulluar. Si agjent i jugosllaveve ky (me aneksimin e Shqiperise nga Jugosllavia)do te behej nje udheheqes i republikes se 7-te jugosllave…
Kush ta ka mesuar kete agjent i jugosllaveve,Joteme mbase ka qen dashnore e Enver Hoxhes se ai per pushtet i thuri nje seri shpifjesh Koci Xoxes si me i zoti ne politike nga rivali i tij Krimeneli Enver e Mehmet Shehu per tu bere ai minister i brendshem!
E ka marrë ndonjë nga emrat e përmendur më sipër statusin e të përndjekurit? Mbas emrit të fundit , Refat Spahiu, lista mbyllet me etj. Këta etj. i ka pjellë lopa apo nëna?