Dëshmitari Qirko: Koçi Xoxe urdhëroi planin e goditjes për imoralitet të kreut të Komitetit Mysliman

anazapta

Ekskluzive/Gjyqi kundër Koçi Xoxes. Dëshmitë e vartësve të ish-Ministrit të Brendshëm mbi urdhrat e dhëna nga Xoxe për skenarin e implikimit të kreut të Komunitetit Mysliman në çështje imoraliteti dhe si përzgjidheshin njerëzit që ekzekutoheshin pa gjyq.

 

Foni Qirko: Bashkë me Naun Bezhanin, Shefin e Sigurimit të Tiranës, përgatitëm një femër agjente që të flirtonte me Haxhi Ali Musajn.

Në momentin që ata do të putheshin, ne të bënim një fotografi në vlerën e provës për akuzë!

 

Prokurori, të pandehurit e arrestuar si bashkëpunëtorë dhe ish-vartësit e tij, në seancën e radhës, e akuzojnë Koçi Xoxen jo vetëm për vënien e Sigurimit mbi Partinë, ekzekutimet pa gjyq, hapjen e dosjeve për drejtues të lartë, por dhe për shantazh ndaj drejtues të Komuniteteve fetare në vend.“Koçi Xoxe urdhëroi planin e goditjes për imoralitet të kreut të Komitetit Mysliman. Bashkë me Naun Bezhanin, Shefin e Sigurimit të Tiranës, përgatitëm një femër agjente që të flirtonte me Haxhi Ali Musajn. Në momentin që ata do të putheshin, ne do bënim një fotografi në vlerën e provës për akuzë”-pohon në këtë seancë dëshmitari Foni Qirko…

 

(Vijon nga numri i kaluar)

Prokurori(Bedri Spahiu):- Vazhdojmë seancën…. Janë bërë shokë gjyqtarë me urdhër të Koçi Xoxes vrasje pa gjyq. Lista e njerëzve të vdekur e të gjallë, me pretekst që të ndalohet arratisja, janë viktima. Është dhënë urdhër që të ekzekutohen njerëz. Kjo metodë sillte në terrorizimin e popullsisë dhe shkaktonte pikërisht për këtë, arratisjen e njerëzve të pafajshëm….

Të na thotë i pandehuri Vaskë Koleci çfarë di për këto?

 

Vaskë Koleci(I pandehur):- Është bërë një mbledhje në Ministrinë e Brendshme me urdhrin e Koçit, dhe Nestit, me rastin e kësaj, shtroi se duhej të vrisnim pa gjyq njerëz të cilëve do u gjenim armë nëpër shtëpi. Kjo ka qenë në operacionin e çarmatimit në vitin 1946.

 

Prokurori:- Me një veprimtari të tillë kriminale, antipushtet e antiparti, Koçi Xoxe ka përgatitur terrenin, i udhëzuar e në kombinim me Rankoviçin, për të provokuar arratisjen në masë të popullsisë  përtej kufirit që të binin në prehrin e Rankoviçit…

(Prokurori lexon një shkresë të Prokurorisë së Elbasanit që i denoncon Prokurorisë Publike një vendim arbitrar kundër disa fshatarëve të pafajshëm dhe që i ka qenë sjellë në dijeni Ministrisë së Brendshme, por që Koçi Xoxe nuk përgjigjej fare këtyre kërkesave. I lexohet të pandehurit dhe një raport të Komitetit të Partisë të Peshkopisë për disa shqetësime, të cilave Koçi nuk u kishte kthyer përgjigje).

…Kur Komandanti(Enver Hoxha) i përmend të pandehurit Koçi Xoxe çështjen e Fushë-Bardhës, Koçi thotë se janë marrë masat, por në realitet, masat u morën për atë kohë që ai kishte bërë tortura. Ndërsa shefi i Seksionit që kishte dhënë urdhra, gradohej dhe dërgohej Sekretar Politik në Shkodër. U vu në litar një oficer në Malësinë e Veriut pse i kishte vënë dinamit nën vete një gruaje, dënim i merituar ky, por për rrugën që kishte ndjekur i pandehuri, ishte ai vetë që duhej ekzekutuar në litar… Në Byro qe vendosur të ndaloheshin torturat, dhe këtë e pranonte vetë i pandehuri, por vetëm me gojë.

Të na thotë i pandehuri Vaskë Koleci a janë ndaluar ndonjëherë torturat?

 

Vaskë Koleci:- Me shkresë ndaloheshin torturat, por me gojë jepeshin urdhra që të zbatohen.

 

Prokurori:-… Prokuroria e Përgjithshme dhe organet e Prokurorisë poshtë, bëjnë luftë me Ministrinë e Brendshme. Të pyetet Vaskë Koleci se çfarë di mbi këtë?

 

Vaskë Koleci:- Koçi Xoxe më ka thënë se ata të Prokurorisë të rrinë urtë se do i heqim që andej po bënë fjalë.

 

Prokurori:- Gjatë procesit del se i pandehuri Koçi Xoxe, një hap nuk është shkëputur nga nacionalistët e Beogradit. Si agjent i ndyrë është vënë në shërbim të Rankoviçit dhe ka burgosur njerëz me urdhër të Ozna-s(Para ardhëse e UDB). Me urdhër të Ozna-s ka burgosur shtetas shqiptar. Një rast i veçantë…. Rankoviçi bënte provokacion duke thënë se ekzistonte një organizatë e tërë që shtrihej prej Kosove në Kukës dhe prej Kukësi në gjithë Shqipërinë dhe kërkonte arrestime të shumta. Por lumturisht, doli rezolucioni i Inform-Byrosë ku ngjarjet precipituan. Dhe kjo dëshirë e Rankoviçit nuk u realizua. Agjentura e Ozna-s punonte lirisht në vendin tonë. Rezultoi nga pohimet e të pandehurit Koçi Xoxe se agjenti i qeverisë jugosllave Safer Filipoviç i ka thënë se qeveria e tij nuk do të ngrinte rrjet spiunazhi në vendin tonë. Pse ndodh kjo? Kjo ndodh pasi kishin kaluar kaq vjet dhe Koçi Xoxe kishte mjaft fuqi dhe kishte forcuar pozitat e tij dhe ishte koha kur jugosllavët përgatisnin sjelljen e akuzave. Këtë gjë, Filipoviç, ja ka thënë të pandehurit Koçi Xoxe zyrtarisht aty nga mezi i vitit 1947. Në këtë kohë, Ozna, arrestonte lirisht edhe shtetas shqiptar dhe i dërgonte përtej kufirit. Më kot protestonin dhe ngrinin zërin organet tona, por banditi Koçi Xoxe u kishte dhënë liri të plotë veprimi atyre. Në jug u lihej fushë e lirë agjentëve të Oznas për të organizuar rrjetën e agjenturës në radhët e Partisë Komuniste Greke  dhe këta njerëz të Oznas, me përkrahjen e Koçi Xoxes, kalonin lirisht kufirin shqiptaro-grek.

(U këndua një deklaratë e Stratio Papajt, në të cilën ai përmend se agjentëve të Ozna-s, për të kaluar në kufirin grek u ishin lëshuar leje të shtypura  dhe të firmuara dhe mbetej vetëm për t’i vënë emrin e atij agjenti që donte të kalonte. Kështu, porositeshin organet tona  të Sigurimit që t’i ndihmonin e t’u jepnin gjithë ndihmën e duhur këtyre agjentëve. Këto kalime kufiri bëheshin për të rekrutuar agjentët e Ozna-s në radhët e Partisë Greke. Dhe kjo gjë ishte e dëmshme jo vetëm për vendin tonë, por edhe për luftën e popullit grek).

Kërkoj të thirret dëshmitar Foni Qirko.

 

Foni Qirko(Dëshmitar. Vjeç 41, nga Zagoria, banues në Tiranë):- Aty nga shkurti 1945 u nisa me punë në Gjirokastër. Më thirri Koçi dhe më porositi se duhet të veproja atje në vija të përgjithshme, ndërsa hollësirat do m’i tregonte Nesti Kerenxhi. Koçi më tha se atje në Gjirokastër do të takohesha me Dizdareviçin. Nesti më dha shpjegime më të hollësishme në lidhje me punën që do të bëja në lidhje me Dizdareviçin. Vajta në Gjirokastër dhe takova Dizdareviçin, i cili kishte zënë një shtëpi të veçantë, të izoluar dhe gati misterioze dhe kishte në dispozicion 2-3 automobila. Dizdareviçit i shpjegova qëllimin e ardhjes sime dhe mora kontakt me ‘të.  Në këtë kohë, Dizdareviçi bënte të gjitha përpjekjet për të rekrutuar agjentë në radhët e Partisë Komuniste Greke. Dizdareviçi u përpoq me insistim të bindte një shoqe greke, e cila, siç mora vesh, kishte përgjegjësi në qarkorin e një krahine të Korfuzit dhe kërkonte nga kjo që të formonte rrjetin e agjentëve dhe këtë të mos ja tregonte udhëheqësve të saj.  Ajo nuk mund ta kuptonte se si mund të vepronte kështu pa dijeninë e udhëheqësve të saj dhe nuk pranoi. Aty kam parë se si një kapiten i rrjetit informativ jugosllav përpiqej me të gjitha mundësitë që të rekrutonte njerëz në Partinë Greke, për të punuar nën direktivat e tij dhe fshehurazi Partisë Komuniste Greke.

 

Prokurori:- A di dëshmitari në lidhje me një special provokacioni që bënte i pandehuri Koçi Xoxe?

 

Foni Qirko:- Po. Në lidhje me këtë di se një ditë, i pandehuri Koçi Xoxe më thirri në zyrë dhe më tha se duhet të kemi kujdes për sa i përket Klerit Mysliman, Haxhi Ali Musajt. I pandehuri më tha të gjendet një grua dhe ti dërgohet atij. Dhe në çastin kur ai do ta puthë, ti merret një fotografi. Për këtë gjë më porositi të merresha vesh me shefin e Sigurimit të Tiranës, Naun Bezhanin. Unë bisedova me Naun Bezhanin për këtë gjë, por pasi u largova nga Sigurimi, nuk e di se si përfundoi kjo. Koçi me këtë donte të kishte një pozë(fotografi) kompromentuese për Kryetarin e Komunitetit Mysliman…

 

Prokurori:- Tjetër, çfarë keni?

 

Foni Qirko:- Dua të theksoj, pasi ndodhem këtu, edhe një çështje në lidhje me procesin e Islam Radovickës, për të cilin, pasi nuk kishte material të mjaftueshëm, me rastin që ishte vetëvrarë Babai i Teqes së Krujës, i cili kishte qenë gjithashtu i arrestuar, kishte nxjerrë materiale dhe kërkonin informim në procesin e sekretarit të Degës, megjithëse ishte mbaruar ky proces, për të implikuar Islam Radovickën. Tërë kjo punë ishte një falsitet.

 

Prokurori:- … Në shtator-tetor të vitit 1947, njerëzit të Sigurimit nga Kuçova i vinin në dukje të pandehurit Koçi Xoxe me anë raportesh, sabotimet që bënin atje jugosllavët. Por këto raporte, i pandehuri Xoxe, jo vetëm që nuk i merrte parasysh, por edhe u theksonte me qortim se “të mos shikohen gjërat me gjyzlykët e shovinizmit”. Kur organet e Sigurimit kapnin në flagrancë sabotatorët sovjetikë, banditi Koçi Xoxe, me urdhër të qeverisë jugosllave ua dorëzonte këto atyre, e pastaj ata i lironin. Rinia në hekurudhë bërtiste për sabotimet e vazhdueshme të jugosllavëve dhe ju e dini, shokë gjyqtarë, se si tamam, ata njerëz që bërtisnin e protestonin, ata njerëz u goditën si fraksionistë, si të influencuar dhe të sëmurë në Partinë tonë. Trockistët kanë të njëjtat fjalë, të njëjtat parulla. Këta, në krime janë internacionalistë.

Të pyetet i pandehuri Vango Mitrojorgji, a u dërgohej çdo informacion jugosllavëve?

 

Vango Mitrojorgji:- Po, është e vërtetë se në vitin 1947, kur kam qenë unë në informatë, ua jepnim jugosllavëve të përkthyer në gjuhën e tyre.

 

Koçi Xoxe:- Nuk janë të vërteta të gjitha këto!

 

Prokurori:- Dhe agjenti Koçi Xoxe s’ka (nuk ka lënë) asnjë personalitet pa u konsultua me Rankoviçin. Të na thotë i pandehuri Vaskë Koleci, a ka qenë i pandehuri Koçi Xoxe në krye të punës?

 

Vaskë Koleci:- Po. Për çdo gjë ka qenë në krye të punës i pandehuri Koçi Xoxe.

 

Prokurori:- Vazhdojmë me të pandehurin. (Lexon një letër personale të të pandehurit Koçi Xoxe drejtuar Rankoviçit në lidhje me oficerët e Mbrojtjes së Popullit, nëse këta do të qëndronin përsa i përket pajtimit dhe trajtimit ekonomik të lidhur me Komandën e Përgjithshme dhe përsa i përket shërbimit në vartësi të Ozna-s dhe i kërkon Rankoviçit “ti përgjigjej sa më parë” mbi këtë. Domethënë, kërkonte përgjigje personale nga ai).

… Edhe kur banditi Koçi Xoxe nuk ndodhej këtu, ai informohej dhe vihej në korrent për çdo gjë, edhe për gjërat më të vogla.

(U këndua një letër që i pandehuri Nesti Kerenxhi i drejtonte Koçi Xoxes kur ky ndodhej në Bashkimin Sovjetik, në të cilën i shpjegonte se kishte ardhur këtu një ish-kolonel jugosllav, i çalë, që tani qe graduar gjeneral, të cilin Koçi e  njihte që më parë dhe që kishte ardhur të interesohej për punët tona. Koçi i përgjigjet Nestit se do të kthehet dhe se dëshiron të takohet me mikun).

 

Koçi Xoxe:- Nuk kam gjë….

 

Prokurori:- I tërë ky aktivitet kriminal i të pandehurit Koçi Xoxe dhe grupit të tij, është një vepër anti-nacionale dhe prej vetë këtij fakti, është një vepër anti-sovjetike. Sepse ai që tradhton Atdheun e tij, është armik edhe i Atdheut të Socializmit, për faktin se Bashkimi Sovjetik është vendi i lirisë së vërtetë dhe garanci e madhe e indipedencës së popujve të tjerë, të mëdhenj edhe të vegjël. Kush është kundër indipedencës së popullit të tij, është edhe kundër Bashkimit Sovjetik. Kush është kundër Demokracive Popullore, është kundër kampit unik të socializmit, është kundër Bashkimit Sovjetik. Kush i vë kazmën Partisë, ashtu siç ia vë banditi Koçi Xoxe Partisë tonë, është edhe kundër Partisë Bolshevike të Bashkimit Sovjetik, për faktin se Demokracitë Popullore janë ndihmuar dhe forcuar në sajë të eksperiencës së madhe të Partisë Bolshevike. Kush godit Demokracitë Popullore, çon ujë në mullirin e imperialistëve. Prej këtij fakti, banditi Koçi Xoxe, në krye të këtij grupi është anti-sovjetik për të gjithë veprimtarinë e tij.

 

(Vijon nesër)

 

Përgatiti: Kujtim Boriçi

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Dëshminë e të pandehurit Vango Mitrojorgji: Pse refuzoi Koçi Xoxe dërgimin për kualifikim të 23 kursantëve të Sigurimit në Bashkimin Sovjetik dhe urdhri për përgatitjen e tyre në Beograd.

-Prokurori: Si u tejfry administrata shtetërore nga Koçi Xoxe sipas listë organikave të firmosura nga Tito dhe Rankoviçi.

-Dëshminë e të pandehurit Vaskë Koleci: Si survejonim me porosi të jugosllavëve dhe urdhër të Koçi Xoxes të gjithë specialistët sovjetik që punonin në objektet ushtarake të Kuçovës.

Share This Article
2 Comments
  • Sa qe ne krye Enveri perdori metodat e Kocit edhe pasi zhduku Kocin.Nje tragjikomedi tipike shqiptare….

  • Bravo prokurori. “Kush i ve kazmen Partise eshte edhe kunder Partise Bolshevike te BS”. Te kish futur brenda, pa mund t’ja kendoje Enverit me 1961 kete akuze. Jam dakort me ty Mali, qe Enveri e denonte Xoxen per krime te njejta me ato qe kish bere dhe vazhdoi te bente vete.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *