Dëshmitë e oficerëve të shërbimit: Çfarë ndodhi natën që Nako Spiro u vetëvra me një plumb pistolete

redaktor

Xhevdet Kamberi e Pandi Dimashi: Pas krismës, Koçi Xoxe, i alarmuar na tha të mbyllnim derën dhe të dilnim në rrugë, e nëse Nako do tentonte të vinte drejt tij, ne ta kapnim dhe ta neutralizonim!

(Vijon nga numri i kaluar)

Në seancën e datës 16 maj 1949 të gjyqit kundër Koçi Xoxes e bashkëpunëtorëve të tij, ish-oficerët e Sigurimit Xhevdet Kamberi e Pandi Dimashi, me shërbim pranë të pandehurit Xoxe, ish Ministër i Brendshëm, dëshmojnë për natën e vetëvrasjes së Nako Spiros.

“Erdhi tek ne i alarmuar Koçi Xoxe. Ashtu i tensionuar, Xoxe na tha të mbyllnim derën dhe të dilnim në rrugë, e nëse Nako do tentonte të vinte drejt tij, ne ta kapnim dhe ta neutralizonim!” – dëshmuan mes të tjerave në këtë seancë oficerët Kamberi e Dimashi…

Prokurori(Bedri Spahiu): -A i kujtohet të pandehurit Koçi Xoxe një i ashtuquajturi Lari Posti(Llazar Papapostoli)?

Koçi Xoxe: -Jo, nuk më kujtohet.

Prokurori: -Shokë gjyqtarë! Lari Postit i është kërkuar material për shokun Enver, për Nakon, Mehmet Shehun, e Bedri Spahiun. Gjithashtu kërkonte material nga të burgosur si Ihsan Qereshniku për Mehmet Shehun, nga Mirash Ivanaj e të tjerë për shokun Komandant. Kërkohet pikërisht material për ata që janë goditur në Plenumin e 8-të. Interesante është se Koçi Xoxe kërkon material kompromentues kundër udhëheqësve dhe nga njerëz të dënuar me vdekje. Kur bëhet pretenca dhe kërkohet dënim me vdekje për Hasan Reçin, ky kërkon menjëherë të merren deklarata kompromentuese për shokun Tuk Jakova.

Prokurori: -Të pyetet i pandehuri Vango Mitrojorgji mbi këto!

Vango Mitrojorgji: -Kur erdha nga Bashkimi Sovjetik, Vaska më tha se duhen dënuar me vdekje Anthim Konomi dhe Andrea Xega. Dhe pasi këta u dënuan me vdekje, unë propozova që të merreshin edhe një herë në pyetje se mos thoshin gjë për Nakon, sidomos Xega, i cili e kishte njohur në Ministrinë e Ekonomisë si Ministër. Për të pyetur Xegën dhe Anthimin ngarkova Paskal Andonin. Dhe me sa më kujtohet, Anthimi ka deklaruar për Gaqo Tashkon, për Spiro Kolekën, mundet që edhe për Medar Shtyllën. Këto deklarata, ai mund t’i ketë bërë me sugjerim.

Prokurori: -Të na thotë i pandehuri Koçi Xoxe, Enver Zazani i kishte bërë ndonjë letër Komandantit?

Koçi Xoxe: -Nuk më kujtohet gjë për Zazanin dhe nuk e di nëse ka qenë në burg.

Prokurori: -Shokë gjyqtarë! Meqë i kemi sjellë, kërkoj që të pyeten dy të pandehurit që kanë qenë roje në shtëpinë e të pandehurit.

Xhevdet Kamberi(Dëshmitar nga Ramica e Vlorës, lindur më 1918, Nëntoger i Ushtrisë Kombëtare, i atashuar me shërbim pranë Koçi Xoxes): -Ne ishim në dhomë kur dëgjuam zbrazjen e një arme. Këtë e kishte dëgjuar Koçi Xoxe dhe i kishte rënë ziles sonë. Na vjen i alarmuar dhe na tha që të mbyllem derën e të zinim rrugët. Dhe nëse vinte Nako Spiro, t’i hidhemi në grykë dhe mos e linim të hynte brenda.

Prokurori: -Keni gjë për të thënë për këtë i pandehuri Koçi Xoxe?

Koçi Xoxe: -Nuk kam gjë për të thënë.

Pandi Dimashi (Dëshmitar nga Senica, 26 vjeç): –Në atë mbrëmje që vrau veten shoku Nako ishim në trupin e rojës në shtëpinë e Koçi Xoxes. Ky kishte dëgjuar zbrazjen e armës dhe i alarmuar erdhi tek ne dhe na urdhëroi të bllokonim rrugët dhe të mbyllnim dyert. Dhe në rast se vinte Nako, ta kapnim. Aty ne ishim me Xhevdet Kamberin dhe me shoferin aspirant Kliu Ballka.

Prokurori: -I pandehuri Xoxe, keni gjë për të thënë?

Koçi Xoxe: -Nuk kam gjë për të thënë.

Prokurori: -Po vazhdoj të shpjegoj planin kriminal të të pandehurit Koçi Xoxe për eliminimin e udhëheqësve. Përveç kësaj, do vazhdoj edhe për një lidhje të Koçi Xoxes dhe klikës Tito-Rankoviç, me anën e të cilës sillte materiale kompromentuese për udhëheqësit me agjentë të ndryshëm të Europës. Nga grupi i spiunëve, siç është rasti i Lari Postit, kërkohet material kompromentues për Sekretarin e Përgjithshëm, për Mehmet Shehun, për Lirinë, për Bedriun, Nakon, Koço Tashkon. Nga Anthim Konomi, Beqir Çela, Riza Alizoti të grupit të intelektualëve, të dënuar me vdekje dhe para se të ekzekutoheshin, na dalin Spiro Pano, Shinasi Dragoti, Sali Angoni, Lefter Konomi, të gjithë ata që punojnë në Ministrinë e Botores, ata që janë teknikë, e kjo nuk është pa ndonjë qëllim. Shohim se nxirret në opinionin publik sulmi drejt intelektualëve, teknikëve dhe e kemi dëgjuar atë parullën “Luftë kundër intelektualëve”. Brenda në Parti e dini mirë dhe keni parasysh fjalimin e tij të mbajtur në Shkollën e Partisë ku jep goditje me “intelektualë të sëmurë”. Ndërsa jashtë filloi gjyqi i sabotatorëve të Maliqit dhe atakohet Ministri i Botores, Spiro Koleka. Simptomatikë është se në këtë kohë, në shtypin tonë del një skicë satirike në “Hosteni” me mister Fultzin nga njëra anë, të pandehurin e akuzuar në anën tjetër, në një anë publike që drejtonte gishtin nga një ndërtesë ku shkruhej “Ministria Botore”. Kjo skicë ishte pa shpjegim poshtë, por në thelb ishte kuptimplotë. Spiro Koleka, me të drejtë proteston. Vete tek Niko Opari i cili i thotë se “këto i di Partia”.

Llazar Papapostoli(Lari Posti). Dëshmitar, lindur në vitin 1915 në Ziçisht, ish-student): -Në shtator të vitit 1946 më kanë sjellë me urgjencë nga Juba. Më bën disa pyetje me aluzione Kapiten Thoma Karamelo. Më shoshnin se me cilin isha takuar, me cilin kisha biseduar në Berat dhe nëse kisha biseduar me Komandantin(Enver Hoxhën). Më pas më ka pyetur Nesti më me hollësi. Më pas më sollën në Seksion dhe më kanë pyetur për Bedri Spahiun se çfarë qëndrimi mbante ai kur bisedonte me aleatët në Itali dhe nëse kishte marrë tesha në Bari nga aleatët.

…Po, ju them se Bedri Spahiu kishte marrë disa tesha në dyqanin e oficerëve amerikanë në Bari ku punoja edhe unë. Dhe ai, Bedriu kërkoi t’i paguante këto tesha. Por unë i thashë se nuk do të paguash, pasi ato jepen gratis. Këto tesha nuk ishin gjë e madhe. Ishin një këmishë, një xhaketë dhe një palë këpucë. Pastaj më pyeti Nesti dhe më tha se duhet të tregoja, se përndryshe do ma bënin mishin copa-copa. Më pyesnin se çfarë kisha biseduar me Sejfulla Malëshovën, Medar Shtyllën, Nako Spiron, Ymer Dishnicën, etj… Pyetjet i bënin të tërthorta por linin të kuptohej se donin të merrnin vesh qëndrimin e  tyre. Ata m’i bënin këto pyetje me insistim dhe kohë pas kohe. Pas 4 prillit 1947 filluan të më pyesnin përsëri. Edhe nga shtatori i vitit 1947 më ka thirrur përsëri Nesti në zyrat e Sigurimit duke qenë aty edhe Naun Bezhani dhe më ka kërkuar se duhej të tregoja për Kadri Hoxhën, për Dali Ndreun, Spiro Moisiun, Myslym Pezën. Pastaj më vonë më pyetën nëse ishte takuar Liri Belishova me Fultzin në Itali, për Mehmet Shehun nëse takohej me Fultzin. Prap më pyesnin për Bedriun, për Myslym Pezën, për Spiro Moisiun. Më kanë pyetur edhe për Frederik Nosin. Ata që më pyesnin, mbanin shënime me dorë dhe pastaj, deklaratat, pasi i shtypnin në makinë, i sillnin për t’i firmosur. Kur më pyetën për Mehmet Shehun më dhanë 24 orë afat që të mendohesha. Por në krye të 6 orëve, erdhi Thoma Karamelo dhe filloi avazin e zakonshëm duke kërkuar me insistim që të deklaroja. Unë habitesha se çfarë ndryshimi kanë këta tek njëri-tjetri dhe nuk dija gjë se pse ndodhesha prej tre viteve në burg. Nuk e dija gjendjen jashtë. Më kanë pyetur dhe për Dr. Omer Nishanin.

Prokurori: -I pandehuri Xoxe, keni gjë?

Koçi Xoxe: -Nuk kam asgjë për të thënë.

Anthim Konomi (Dëshmitar. Lindur në Tepelenë në vitin 1911, inxhinier): -Në 9 tetor të vitit 1947 jam marrë për herë të dytë në pyetje prej Kapiten Paskalit dhe në momentin që po më shpinte në birucë më tha se në organizatën tekniko-intelektuale, në të cilën akuzohesha se bëja pjesë unë, bënin pjesë edhe Spiro Koleka e Sejfulla Malëshova. Këto kanë qenë provokacione që më bëheshin në mënyrë të vazhdueshme që unë të deklaroja për udhëheqësit. Më 21 tetor të po këtij viti, më është kërkuar nga Kapiten Paskali një deklaratë në të cilën të thosha se në organizatën tekniko-intelektuale bënin pjesë Sejfullai e Spiro Koleka dhe se Spiro Koleka shkonte tek inxhinier Xega për punë të organizatës. Dhe unë këto i vërtetova(nënshkrova) nën presion dhe tortura të shumta. Vonë, pas dënimit tim me vdekje, më 21 korrik 1948, më është kërkuar përsëri një deklaratë për teknikët e Ministrisë së Botores dhe unë kam treguar 9 inxhinierë. Dhe unë, pasi u pendova për ato që kisha deklaruar me të rreme, i shkrova një letër të dytë Koçit në të cilën i thosha se ato janë thënë nën presion dhe tortura, prandaj nuk ishin të vërteta. Për këtë ka ardhur vetë Koçi Xoxe, i shoqëruar prej Nesti Kerenxhit dhe duke më treguar dy letrat më pyesnin se cila është e vërtetë. Dhe unë u thosha se e vërteta, është ajo e dyta. Koçi Xoxe tha se ne duam të na thuash të vërtetën dhe se për ty kemi dokumente që mund të të varim, po thuaj të vërtetën se cilët janë të tjerët. Qëllimi i Koçit ishte që të implikoja personalitete të udhëheqjes. Në pyetjet që më drejtonin oficerët e Sigurimit, jam provokuar për gjeneralë dhe pas dënimit tim me vdekje  më thanë dhe për Dali Ndreun. Dhe më vonë, duke lexuar listën e gjeneralëve, pse këta unë nuk i mbaja mend, bënin me shenjë që të thosha për gjeneral Spiro Moisiun. Jam pyetur kështu deri më 22 tetor të vitit 1948.

Prokurori: -Vazhdoni e përgjigjuni dhe për pyetjet e tjera…

Anthim Konomi: -Letrat e mia i ka marrë të dyja Koçi Xoxe, sepse kur erdhi ai në burg tek unë, më tregoi se i kishte me vete, në dorë. Më kanë pyetur dhe për Lefter Konomin. Kurse inxhinierët e tjerë si Stazimiri, Gjadri, Filipeu, Noçka, Fico e të tjerë që nuk i mbaj mend, i shënova vetë kot. Unë formova përshtypjen se kërkoheshin informata për personalitete si Spiro Koleka dhe gjeneralë të ushtrisë.

Prokurori: -I pandehur Koçi Xoxe, çfarë keni për takimin me këtë në burg?

Koçi Xoxe: -Nuk e kam takuar këtë në burg.

Anthim Konomi: -Çuditem përse thotë kështu Koçi Xoxe. Koçin e njoh mirë dhe është po ky Koçi këtu që erdhi e më takoi në burg.

Prokurori: -Partikularitetet në këtë rast, shokë gjyqtarë, e fakti se i pandehuri Koçi Xoxe nuk shkon tek i burgosuri pas letrës së parë, por pikërisht kur merr të dytën, në të cilën i burgosuri mohonte ato që kishte thënë më parë, dhe këtë i pandehuri e bën me qëllim pasi do që të qëndrojnë deklaratat false dhe të mbledhë informata të tjera kompromentuese…

Prokurori: -Të na thotë i pandehuri Vango Mitrojorgji se a ka dhënë urdhër për të ekzekutuar të dënuarit Anthim Konomi dhe Andrea Xega?

Vango Mitrojorgji: -Këta ishin të dënuar me vdekje dhe Strati më tha se nuk kemi se çfarë të nxjerrim gjë tjetër më, prandaj më tha që të ekzekutohen.

(Vijon nesër)

NESËR DO TË LEXONI:

-Dëshmia e Andre Xegës: Si më torturonin në burg me urdhër të Koçi Xoxes për të pohuar e dhënë dëshmi kundër udhëheqësve Medar Shtylla, Spiro Koleka, Gaqo Tashko, Mehmet Shehu, Ramadan Çitaku, Dali Ndreu, Liri Gega.

-Dëshminë e Ihsan Qershnikut: Si më detyruan oficerët e Sigurimit në qeli të dëshmoja se “Mehmet Shehu është anëtar i grupit armiqësor të organizatës tekniko-intelektuale”.

-Debatet në mbyllje të seancës së datës 16.05.1949 mes Prokurorit dhe të pandehurit Koçi Xoxe që mohon provat dhe akuzat e dëshmitarëve kundër tij.

 

Share This Article
3 Comments
  • Mora pushken ,dola malit ,
    Te luftoja per atdhe !
    ku tadija une i gjori ?!
    Se armiku ishim ne !!!!
    Veterani

  • Akoma me keto gjera di te merreni? Nuk ngjallen ata qe kane vdekur te vrare nga shoket e “idelait”. Por e rendesishme eshte sot te mos vrasim njeri tjetrin per “ideal” si ata te paret.

  • Te gjitha jan te thurura nga Enver Hoxha,qe kerkonte te mos kish konkurent tjeter pervecse Trape si Mehmet Shehu,qe ky luftoj te behej minister i brendshem,postin qe mbante Koci xoxe!
    Bedri Spahiu,Prokurori gjithashtu ra viktime e Enver Hoxhes,si njeriu qe dinte gjithcka per te akuzuarin qe beheshe fjale!
    Nexhmija i di te gjitha,se ajo ish dashnore e Popovicit,dhe programimin e Serbise ndaj Xoxes kur ky i fundit ishte internacionalist ku pelqente me shum Liberalizmin komunist te Titos se sa konservatorizmin nacionalist Serb!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *