Dosja sekrete e gjyqit të Kadri Hazbiut
Seanca e 23 gushtit 1981: Dëshmitë e Ziçishtit, në sinkron me akuzën, ‘fundosin’ Kadri Hazbiu dhe të arrestuartit e tjerë për veprimtari armiqësore
(Vijon nga numri i kaluar)
Seanca gjyqësore e 23 gushtit e vitit 1983 ndaj Kadri Hazbiut, shënon një përplasje të ashpër të dy të akuzuarve si ‘pjesëtarë të grupit armiqësor’, përkatësisht Mihallaq Ziçishtit dhe Feçor Shehut. Në deponimet e tij në gjyq, ashtu si dhe në dëshmitë e dhëna gjatë hetimit, ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme Mihallaq Ziçishti, jo vetëm ka pranuar pjesëmarrjen dhe aktivitetin në ‘grupin armiqësor’, por me fakte, ka ‘fundosur’ Kadri Hazbiun dhe anëtarët e tjerë të grupit. “Në vitin 1950, Mehmet Shehu, që ishte kryetar i grupit tonë të vënë në shërbim të agjenturave të huaja, së bashku me Kadri Hazbiun, bënë një udhëtim pothuaj sekret në Moskë. Atje, ata morën porosi e detyra nga KGB për punën tonë në vazhdim, lidhur me goditjen e vijës së Partisë së Punës dhe rrëzimin e Udhëheqjes. Pas ardhjes së tyre nga Moska, puna e grupit u intensifikua”- deponoi mes të tjerave në këtë seancë Ziçishti….
Feçor Shehu:- Për dijeni, Panajot plaku, nuk kishte as mirë mëngjes, as mirëmbrëma me mua….
Kryetari:- Mirë, nuk është puna…..
Feçori:- Kështu i rrumbullakos të tërë ky. Tashti, kam këtë pyetje, lidhur gjithnjë me këtë të Panajot Plakut. Ka mundësi ky të na shpjegojë se kë muaj dhe itinerarin që ndoqëm për të vajtur në Pentarë me makinë, edhe ky kujtues i shkëlqyer si udhëhoqi makinën….?
Kryetari:- Mirë, të kujtohet gjë lidhur me këtë?
Mihallaqi:- Më duket ka qenë pas pranverës së vitit 1962, domethënë, ka qenë një kohë që shkonin makina atje….
Feçori:- Nuk na e shpjegon dot itinerarin?
Mihallaqi:- Itinerarin tashti, unë isha me ndodhjen e tërmetit atje dhe nuk di të shpjegoj itinerarin…
Feçori:- Rrugën nga shkuam?
Mihallaqi:- Nga shkuam, nga rruga…!!!
Feçori:- Cilën rrugë?
Mihallaqi:- Kishte rrugë që të nxirrte në kufi…
Feçori:- Unë i lutem gjykatës të verifikoj nëse ka pasur rrugë në drejtim të Dajçit, Çamërishtit për në Pentarë në vitin 1962 apo jo…..
Kryetari:- Me çfarë shkohej në postë në Pentarë?
Feçori:- Në Pentarë shkohej me kafshë. Makina shkonte vetëm në verë dhe shkonte fushës. As ky, as unë nuk e dinim atë rrugë…
Kryetari:- Tjetër pyetje?
Feçori:- Mirë, unë nuk mora përgjigje…
Mihallaqi:- Të thashë në ç’kohë është bërë. Makina vinte atje dhe kemi qenë të dy dhe rrugën e dije ti.
Kryetari:- Më tutje, pyetje tjetër?
Feçori:- Mihallaq Ziçishti tha se Feçor Shehu është rekrutuar nga sovjetikët dhe nga jugosllavët. Nuk na e shpjegon një çikë se si u rekrutova nga jugosllavët, si u rekrutova nga perëndia, nga kush u rekrutova, ka dijeni ky….!!!
Mihallaqi:- Unë e thashë që më ka thënë Mehmet Shehu që Feçor Shehu është vënë në shërbim të agjenturës jugosllave dhe sovjetike. Për atë të sovjetikëve, është vënë në shkollë. Nga agjentura jugosllave, ta shpjegojë vetë ai si është vënë në shërbim…
Kryetari:- Konkretisht, nuk e di?
Feçori:- S’e di! Po përse atëherë ka deponuar në fillim që ky ka ardhur në Peshkopi, gjoja, e më ka marrë mua në lidhje, se unë atje jam rekrutuar nga dopiorolët, Nga Njazi Agolli e Beshir Laçi… Pse ka evoluar në këtë muhabet….
Mihallaqi:– Mos ngatërro Beshir Laçin edhe Njazi Agollin, nuk kam thënë për këta, por kam thënë që në vitin 1949, kur ndodhi kjo në Peshkopi, e kam marrë vesh nga Mehmet Shehu për vënien e Feçor Shehut në shërbim të jugosllavëve, në kohën kur Mehmet Shehu ishte ministër……….
Feçori:- Ja ka thënë Mehmet Shehu, të ngjallim Mehmet Shehun……………….
Kryetari:– Po tashti çfarë të bëjmë………….
Mihallaqi:– Mehmet Shehun nuk mund ta ngjallim, por jeni juve gjallë………….
Feçori:– Ky thotë që nëpërmjet agjentëve ndërlidhës është organizuar arratisja e 20 vetëve në Kllopçisht dhe në ballafaqim ka thënë që ky dopiorol ishte Njazi Agolli dhe Beshir Laçi……….
Mihallaqi:– Ishte Demir Leka, jo Beshir Laçi…………
Feçori:– Edhe Demir Leka……..
Mihallaqi:– Demir Leka, nuk kam zënë në gojë Beshir Laçi……
Feçori:– Njazi Agolli ka qenë anëtar i Byrosë së Partisë së rrethit, si është e mundur të jetë bashkëpunëtor i sigurimit, një. E dyta, prandaj thashë të pyetet Jonuz Mersini, por Jonuz Mersini mund të mos ketë qënë fare në zbulim, pra, atëherë drejtori i zbulimit. Ka qenë në vitin 1950 kur ka qënë nënkryetar dege ai Njazi Agolli, bashkëpunëtor!!
Mihallaqi:– Edhe unë kam qenë zëvendësministër i Punëve të Brendshme, megjithatë isha agjent në shërbim të zbulimeve të huaja…….
Feçori:– E kam për dopiorol, në qoftë se i ke harruar dhe këto terma, është tjetër gjë pastaj……..
Mihallaqi:– Prit një minutë prit, edhe ti megjithëse ke pasur funksion…………
Feçori:– Janë rekrutuar dhe nga sigurimi shqiptar dhe nga sigurimi jugosllav………
Mihallaqi:– Nuk e kam thënë ashtu unë…..
Feçori:– Dopjorol……
Mihallaqi:– Bash për këtë dopjorol që kam thënë, këta njerëz. Domethënë, Demir Leka edhe ky Njazi Agolli, këta megjithëse, ishin çfarë ishin, ishin agjentë në shërbim të zbulimit jugosllav. Ishin ku ishin këta, në ç’poste ishin… Po dhe ti atëherë ishe shef……
Feçori:– Unë kam qënë me nder atje, por çështja është e dopjorolit….
Mihallaqi:– Arratisja e Kllopçishtit është bërë nga agjentët dopjorol, domethënë që ishin në shërbim të sigurimit, por njëkohësisht…….
Feçori:– Ky në ballafaqim me mua ka thënë që këtë ne e analizuam formalisht në Byronë e Partisë të rrethit dhe esencialisht, me përmbajtje të lartë, e kemi analizuar fshehurazi me Mehmet Shehun, Kadri Hazbiun, Feçor Shehun. Atëherë, domethënë, ky duhet të dijë kush janë këta bashkëpunëtorë dopjorol, deri sa e kemi analizuar hollësisht. Kush janë ata?…..
Mihallaqi:– Tha ai, se cilët ishin këta bashkëpunëtorë konkretisht? Mua nuk më kujtohet se është kohë e gjatë, por vajta në byro thashë, për analizën e çështjes dhe për ta mbuluar çështjen, i dërguar bash nga Mehmet Shehu për këtë punë dhe për të mbrojtur Feçorin. E kemi analizuar edhe në ministri me Kadri Hazbiun dhe Mehmet Shehun dhe e kemi nxjerr të larë……
Feçori:– Të shikohet në arkiva, në se Njazi Agolli në vitin 1950 ka qënë bashkëpunëtor i sigurimit apo jo….
Kryetari:– Mirë, më tutje, ke pyetje tjetër?
Feçori:– Si e shpjegon Mihallaqi që unë në vitin 1951, në kohën që ishte Stalini, në shkollë jam rekrutuar nga sovjetikët. Nga e di ky, si jam rekrutuar. Dhe e dyta, ky thotë që për këtë është rekrutuar me dijeninë e Kadri Hazbiut dhe të Mehmet Shehut. Tani unë pyes këtë: Bashkëpunëtorët që kanë qenë rekrutuar në atë kohë, edhe më vonë në Bashkimin Sovjetik ndodhen në listë emërore në evidencën operative të ministrisë. Si shpjegohet që emri i Feçor Shehut nuk është dhe s’ka qënë atje…….
Mihallaqi:– E shpjegova edhe gjatë deponimeve të mija. Në vitin 1950, në mos gabohem ka vajtur Kadri Hazbiu dhe Mehmet Shehu gjysmë ilegal në Bashkimin Sovjetik. Aty kanë biseduar për ngritjen e agjenturës, kanë biseduar dhe për ardhjen e sovjetikëve. Në kundërshtim me vijën e Partisë dhe udhëzimet e udhëheqjes, ata u lejuan që të ngrenë agjenturë. Gjithashtu ngritën agjenturë edhe në radhët e studentëve tanë të Sigurimit, një nga këta është edhe Feçor Shehu. Nga e kam mësuar? E kam mësuar nga Mehmet Sheu dhe Kadri Hazbiu. Më vonë, pastaj ma ka thënë dhe vetë Feçor Shehu…
Feçori:– Feçor Shehu s’të ka thënë asgjë…
Mihallaqi:– Epo tashti, ç’të them unë…
Feçori:– Të mbahet shënim, ju lutem kryetar, drejtësisë, Partisë, kjo listë ekziston në Ministrinë e Brendshme, në se është Feçor Shehu i shkruar atje apo jo. Edhe në qoftë se nuk është, si është e mundur të bëhet përjashtim për Feçor Shehun, vetëm për Feçor Shehun!!!
Mihallaqi:– Vetëm për Feçor Shehun, se Feçor Shehu ishte një anëtar i organizatës dhe ishte vënë dhe në shërbim të jugosllavëve…
Feçori:- Kam një pyetje tjetër. Në qoftë se unë paskam qenë kaq i rëndësishëm në këtë organizatë, si është e mundur që unë nuk përfitova ndonjë gjë për një çerek shekulli, 20 vjet kam bredhur me karrike e fëmijët rreth më rreth…
Kryetari:– More, çfarë nuk përfitove ti, ç’punë ka ai, ç’do të thuash…
Feçori:– Se ky ishte në udhëheqje të ministrisë, si është e mundur që unë 20 vjet kam qenë në të gjitha rrethet e Shqipërisë edhe s’kam bërë ndonjë gjë të tepërt, kam bërë punën e partisë e nuk kam qenë si Mihallaqi e të tjerë afër kësaj elite. Si e shpjegon Mihallaqi…
Mihallaqi:– Kjo është e shpjegueshme, ti ke pasur poste të rëndësishme, grada të mëdha, je dërguar në rrethe të rëndësishme, në rrethe buzë kufirit si në Korçë, Dibër, Shkodër. Çfarë kërkoje? Unë nuk di çfarë kërkoje ti të përfitoje, ti të përfitoje tjetër, çfarë deshe tjetër!!??
Kryetari:– Po, s’ke ç’i jep përgjigje, nuk është pyetje për përgjigje. Pyetje tjetër…
Feçor:– Mua më bëri thirrje Mihallaq Ziçishti që të flas. Unë i bëj thirrje Mihallaqi Ziçishtit të largohet nga rruga e provokacioneve dhe shpifjeve në drejtim të Feçor Shehut…
Kryetari:- I pandehur Feçor Shehu, bëri atë thirrje, ti tashti çfarë kërkon, që këta të pandehur t’i largosh nga rruga…
Feçori:– Meqë më bëri thirrje..
Kryetari:- Lëri ato, ulu…
Mihallaqi:– E përsëris edhe njëherë, edhe nëpërmjet trupit gjykues, i bëj thirrje prapë që të vijë në rrugë, të mos mbajë qëndrim armiqsor, por të deponojë….(Vijon nesër)
Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi
SOM 1
“Në vitin 1950, ka vajtur Kadri Hazbiu dhe Mehmet Shehu gjysmë ilegalë në Bashkimin Sovjetik. Aty kanë biseduar për ngritjen e agjenturës, kanë biseduar dhe për ardhjen e sovjetikëve. Në kundërshtim me vijën e Partisë dhe udhëzimet e udhëheqjes, ata nisën të ngrenë agjenturë. Gjithashtu ngritën agjenturë edhe në radhët e studentëve tanë të Sigurimit. Një nga këta është edhe Feçor Shehu. Në vazhdim, grupi i komanduar nga agjencitë e huaja, zuri vende kuçe në Parti dhe strukturat e larta të shtetit”
SOM 2
“Feçor Shehu kundërshton: Si e shpjegon Mihallaqi që unë në vitin 1951, në kohën që ishte Stalini, në shkollë jam rekrutuar nga sovjetikët. Nga e di ky, si jam rekrutuar. Dhe e dyta, ky thotë që për këtë është rekrutuar me dijeninë e e Kadri Hazbiut dhe të Mehmet Shehut. Tani unë pyes këtë: Bashkëpunëtorët që kanë qenë rekrutuar në atë kohë, edhe më vonë në Bashkimin Sovjetik ndodhen në listë emërore në evidencën operative të ministrisë. Si shpjegohet që emri i Feçor Shehut nuk është dhe s’ka qenë atje”
SOM 3
“Akuzat e shumta të paraqitura nga materiali i prokurorit dhe atyre të konfirmuara gjatë gjykimit nga të akuzuarit e tjerë, kryesisht ish-zëvendësministri Ziçishti u është kundërvënë: Janë të gjitha të pavërteta, të siguruar nga dëshmitarë nën kërcënim apo të montuara. Unë nuk jam dakord, i kundërshtoj prerë dhe konfirmoj se unë nuk kam ushtruar aktivitet kriminal në dëm të Partisë së Punës dhe të vendit”
NESËR DO TË LEXONI:
-Debatet mes Kadri Hazbiut dhe Mihallaq Ziçishtit. Kadriu mohon akuzat dhe denoncon Ziçishtin për shpifje.
-Dëshminë e Kadriu për bashkëpunimin me Mehmet Shehun, mohimin e pjesëmarrjes në arratisjen e Panajot Plakut e funksionarëve të tjerë të lartë.
-Deponime të të akuzuarve për rolin e KGB-së dhe këshilltarëve rus në rekrutimin e bashkëpunëtorëve të tyre në sferat më të larta të politikës, shtetit e shoqërisë shqiptare.
GJYQI NDAJ KADRI HAZBIUT E BASHKËPUNËTORËVE TË TIJ
Gjyqi ndaj Kadri Hazbiut dhe bashkëpunëtorëve të tij, të vënë në pranga dhe të akuzuar për veprimtari armiqësore kundër Partisë së Punës së Shqipërisë e Pushtetit popullor, nisi më 22 gusht të vitit 1993. Të akuzuar për ‘Veprimtari armiqësore në bashkëpunim’ ishin Kadri Hazbiu, Fegor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Xhavit Ismailaga, Ali Çeno, Gani Kodra dhe Llambi Peçini. Gjykimi i tyre nisi rreth një vit pas arrestimit. Që në fillim të gjykimit ata u akuzuan për vënie në shërbim të agjenturave të huaja, për pjesërrje në organizatë kundër revolucionare, për përgatitje për vepra terroriste, për sabotim dhe agjitacion e propaganda kundër pushtetit. Gjykimi i kësaj çështjeje bëhet nga trupi gjykues i përbërë nga Aranit Çela, kryetar i Gjykatës së Lartë, me anëtarë, Muharrem Murgacaj, ndihmës gjyqtar i Gjykatës së Lartë, Selim File, ndihmës gjyqtar i Gjykatës së Lartë, Luftëtar Jaho, ndihmës gjyqtar i Gjykatës së Lartë, Ferdi Haxhiu, ndihmës gjyqtar i Gjykatës së Lartë dhe me sekretare Ahishe Shima dhe me Majlida Billo.
Në gjykimin e kësaj çështje merr pjesë dhe mbronte akuzën, Prokurori i Përgjithshëm Rrapi Mino. Në materialin e akuzës, Kadri Hazbiu e bashkëpunëtorët e tij, (të arrestuar), akuzohen si pjesëtar të një organizate të vënë në shërbim të agjenturave të huaja që kishte për qëllim rrëzimin e sistemit komunist. Kjo organizatë që kishte ‘pushtuar’ Ministrinë e Punëve të Brendshme e kishte rrjetin e saj të bashkëpunëtorëve-agjentë në qendër e në bazë, në institucionet kryesore të shtetit, drejtohej nga Mehmet Shehu. Që në nisje të këtij procesi gjyqësor, ashtu si dhe në hetuesi, Mihallaq Ziçishti, ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, ka pranuar veprimtarinë e tij, bashkëpunimin me anëtarët e grupit, ‘të gjithë agjentë të zbulimeve të huaja’, duke deponuar fakte konkrete të veprimtarisë së tyre në dëm të vijës së Partisë së Punës e shtetit shqiptar. Ndërsa Feçor Shehu, ka kundërshtuar akuzën zyrtare, duke pohuar se nuk ka qenë pjesë e asnjë grupi armiqësor dhe se nuk ka zhvilluar aktivitet kundër interesave të vendit.