Sapo del në Qafën e Kiçokut, si në pëllëmbë të dorës të shfaqet Dëshnica, një nga krahinat më të bukura e më të begata, më të populluara e më të ashpra të Përmetit. Së largu, ajo i ngjan një anijeje gjigande, që vozitet në një det të rrethuar me male, i cili herë merr ngjyrë të hirtë e herë të kaltë, herë të blertë e herë të artë. Në të djathtë të Kiçokut hedh shtat Trebeshina e lartë dhe hijerëndë, e cila me kryet në qiell, duke tundur kokën e mbuluar me “qeleshen e bardhë“ e tepër të akullt, duket sikur tregon e s’gopet së treguar, jo vetëm për bëmat e hallet e njerëzve të këtyre anëve, por edhe për stanet që mban mbi shpinë, për të cilët poeti i mjerimit, Lame Kodra, në ato vite të vështira, këndonte gjithë krenari: ”Unë e dua Shqipërinë/Për një stanë e në Trebeshinë”. Ndërsa në të majtë të kësaj krahine shtrihet vargu i gjatë i kodrave dhe maleve, si Tënda e Qypit, dëshmitar i gjallë i luftës trup më trup të luftëtarve të lirisë me pushtuesit, Dërrasa e Kajcës, ku kali i Abas Aliut, që fluturonte nga maja e lartësive të Tomorrit la mbi të gjurmët e tij, si simbol i dashurisë së Zotit për njerëzit. Dhe në fund vargmali Taroninë –Qarrishtë, që u bënë strehë dhe aleatë të përhershëm të dëshnicarëve në luftë kundër pushtuesëve. Poshtë këmbëve të Trebeshinës shtrihet Lugina e Dëshnicës, që zgjatet nga Ballabani deri në Grykën e Këlcyrës. Ajo përshkohet mespërmes nga Lumi i Dëshnicës (Zalli), vrullin e të cilit e bëjnë zap vetëm valët e tërbuara të Vjosës, të cilat shpesh bëhen shkak për përmbytjen e qytezës së Këlcyrës.
Lufta dhe flijimi, ëndrra dhe trishtimi, shpresa dhe zhgënjimi e kanë shoqëruar tërë jetën deshnicarin sa trim aq dhe bujar, sa punëtor aq dhe luftëtar, që s’kurseu asgjë për vendin dhe lirinë, për zhvillimin dhe demokracinë. Njëqind vjet luftëra dhe flijime, fitore dhe dështime, vrenjtësira dhe kthjellime, zvarritje dhe vrullime, ngritje dhe rrëzime, ndërtime dhe shkatërrime, e penguan dhe e dëmtuan Dëshnincën dhe dëshnicarin, por nuk e gjunjëzuan, e gjakosën, por nuk e tunduan, e ndrydhën, por kurrë s’e mposhtën e frenuan. U përlesh me pushtuesit turq dhe italianë, grekë e gjermanë dhe triumfoi mbi ta. S’ka ngjarje të rëndësishme të luftës së popullit shqiptar për liri dhe pavarsi, si shpallja e Pavarsisë, Lufta e Vlorës, Kongresi i Lushnjes …, ku të mos ketë edhe mendjen e sakrificën sublime të dëshinciarëve.
Iljaz Topojani-thotë ushtaraku Adriatik Sherollari-bashkë me disa shokë të tjerë erdhi që nga Amerika për të ndihmuar zhvillimin e punimeve të Kongresit të Lushnjes. koha, kur Presidenti i Amerikës Uillson vuloste njohjen e Pavarsisë së plotë të Shqipërisë në botë, duke ngritur zërin për ndalimin e coptimit të mëtejshëm të saj. Sakrifica dhe gjaku i luftëtarëve të tillë, ndrin në altrain e lirisë. Dëshmitarë për këtë janë fushat dhe malet, heronjë dhe luftëtarët që ranë në fushën e nderit për të mos vdekur kurrë. Ata janë të shumtë, ne po përmendim disa prej tyre: Nexhip e Kamber Bënja, Ahmet Alia, Abaz Xhani, Myrteza Panariti, Rrapo Lamllari, Xhevdet Dëshnica, Mete Sherollari, Zaim Bubësi….Pranë tyre radhiten edhe luftëtarë internacionalistë si Musa Fratëri, i cili ra heroikisht në brigjet e lumit Ebro. Ata ranë për të mos vdekur kurrë.
Pa dyshim, Lufta Nacionalçlirimtare, me gjithë gabimet dhe drithijet e saj si, lufta e brendshme klanore dhe vrasjet e njerëzve të pafajshëm pa gjyq, është lufta më e drejtë dhe vendimtare për shporrjen e pushtuesëve nga trojet tona. Në këtë krahinë u krijuan disa çeta e batalione si “Dëshnica” me komandant Xhako Kajcën, ”Çome Mandi”,”Çlirimi”, etj., të cilët më 20 maj 1944, në Sukë, krijuan Brigadën e 12 Sulmuese. Pikërisht në këto e bisha naziste, që po jepte shpirt, u egërsua shumë. Prandaj në Operacionin e Qershorit organizuan interrnimin e shumë dëshnicarëve, për t’i nisur ata fatkeqë dret kampeve naziste në Greqi dhe Gjermani. Në këtë Luftë edhe dëshnicarët u vunë përballë dy alternativave, asaj partizane dhe asaj nacionaliste. Këto dy alternativa politike për luftën i bashkonte kombi e Atdheu, por i ndante pushteti i ardhshëm. Ndërsa partizanët, të ndihmuar dhe frymëzuar nga focat e aleancës së madhe, me gjithë gabimet e bëra, morën anën e luftës pa kompromis ndaj pushtuesëve, forcat nacionaliste të krahinës, herë kalonin në pasivitet e herë bashkëpunonin në mënyrë të fshehtë me pushtuesit. Kjo kundërshti interesash dhe alternativash do të bëhej shkak për ndarje të thella, të cilat arritën deri tek nxitja e vëllavrasjes dhe luftës civile.
Shpirti i trazuar i dëshnicarëve, i helmuar nga propaganda thellësisht e polarizuar, do të bënte që forcat kundërshtare do t’i shpallnin luftë të hapur njeritjetrit. Por dëshnicarët kurrë nuk ia kthyen pushkën njeri-tjetrit. Lufta e ftotë politike nuk u tjetërsua kurrë në vëllavrasje. Dëshnicarët s’kanë për të harruar lutëtarët e lirisë: Lumo Pavari e Xhako Kajca, Kasëm Trebeshina e Feti Bubësi, si dhe dhjetëra e dhjetra dëshmorë, që ranë për liri.
Shpresa dhe zhgënjime, Dëshnica në tri kohë: Monarki, Komunizëm, Postkomunizëm
Ashtu si e gjithë Shqipëria edhe Dëshnica, shaluar mbi trikohësinë e saj shekullore, ka vrulluar herë me këmbë të përgjakura e herë me duar të lidhura, herë me mendje të kthjellët e herë me shpirt të trazuar. Rruga e saj e gjatë ka qënë herë e mjergullt e herë ekzotike, herë e pakuptimtë e herë tepër e çuditshme. Frymëmarrja e dëshnicarit gjatë 100 vjetëve të fundit ka qënë e mbyllur brenda trekëndëshit metaforik “Monarki-Komunizëm-Postkomunizëm”. Secila nga këto brinjë të këtij trkëndëshi të çuditshëm, ka patur peshën dhe gjatësinë, forcën dhe shijen e vetë, herë të ëmbël e herë të hidhur. Por, që ato të vlerësohen drejt, me të mirat dhe të këqiat e tyre, kurrë s’duhen parë me lente bardhezi. Secila nga këto periudha është pjesë e historisë së zhvillimit të kombit tonë, me pjesët e errëta dhe të ndritura të saj.
1. Qeverisja mbretërore e A.Zogut është e vërtetë që bëri përpjekje për forcimin e ligjit për të qeverisur me dorë të fortë, por ajo i kaloi principet e një mbretërie parlamentare, sepse shpesh mbi ligjin ngriti dhunën dhe përçmimin, vrasjen dhe asgjësimin fizik të kundërshtarëve, patriotëve e luftëtarëve më të zëshëm të kohës, që luftonin për liri dhe demokraci të vërtetë. Kur një fshatar i kësaj zone guxoi të vrasë xhaxhanë e tij për t’i rrëmbyer pasurinë, ai uvar në mes të Gjirokastrës në sytë e mijëra njerëzve. Prej asaj dite nuk guxoi të kryejë askush krime të tilla të rënda e çnjerëzore. Bejlerët e Këlcyrës, që i patën ndërtuar sarajet e tyre në lartësitë e shpatit të malit të Trebeshinës, për të sunduar edhe fizikisht mbi banorët e fshatrave përreth, përveç vlerave patriotike, ata u shquan edhe për dhunën dhe egërsinë e tyre.Në kujtesën e dëshnicarëve, ata kanë mbetur si hije e rëndë, që me egërsinë e tyre të pashëmbëllt, i kanë zbehur shkëlqimin edhe diellit. Por dëshnicarët, nuk u gjunjëzuan kurrë, as përballë varfërisë, përballë hurit dhe litarit të tyre. Të moshuarit e këtyre anëve të tregojnë me krenari se, kur qehajai i Xhelal Beut e pështyu dhe e goditi me pëllëmbë dëshnicarin Qemal Tolari, ai ia “shpërbleu” me grykën e kobures, duke e lënë të vdekur pranë këmbëve të padronit të tij katil. Më vonë edhe padroni, Xhelal Beu do të pësonte fatin e mëkëmbsit të tij të egër dhe servil. Ndërsa shtypi botëror i kohës ato ditë do të shkruante, se pas ekzekutimit të këtyre egërsirave të pashëmbullta, populli i Dëshnicës filloi të merte frymë lirisht. Gjithashtu dëshnicarët s’kanë për të harruar kurrë katilin e atij regjimi, Gjon Fushën, i cili duke rendur nëpër Dëshnicë me kamzhik në dorë, i ngjante një egërsire të hazdisur. Prandaj, ai, me veprimet e tij çnjerëzore ngjalli urrejtjen dhe përbuzjen popullore të të gjithë njerëzve të këtyre anëve.
2. Çlirimi i plotë i vendit ngjalli shpresa të mëdha edhe për Dëshnicarët. Prandaj ata iu përveshën punës për të shëruar plagët e luftës dhe varfërisë, të analfabetizmit dhe e konomisë së rrënuar plotësisht. Për hir të së vërtetës, në ato vite u bënë dhe disa ndryshime. Për të vrarë analfabetizmin dhe vdekshmërinë tronditëse të njerëzve të këtyre anëve, u çelën shkolla e qëndra shëndetësore edhe në fshatrat më të thella. Për të gjallëruar veprimtarinë kulturore u ngritën vatra e qëndra kulturore. Ndërsa për ujitjen e tokave u ndërtuan kanale dhe rezervuar uijtëse. Por, kolektivizimi total dhe lufta e klasave, klonet kufitare dhe filozofia e mbylljes hermetike dhe e mbështejtjes në foract e veta, që e gjen shprehjen te postulati vdekjeprurës ”bar do të hamë dhe dorën nuk do t’ia shtrijmë askujt”, shkaktoi rrënimin e plotë të ekonomisë dhe fundin e pashmangshën të atij sistemi të ndërtuar mbi kolona prej rëre. Fshatrat e Dëshnicës, ashtu si gjithë fshatrat e vëndit, po tjetërsoheshin në ”qytete” të frikshëm, pa pronë e pa shtëpi, pa lopë e pa bagëti, pa ëndrra dhe pa liri. Mishi dhe qumështi jepeshin si me recetë. Sa më shumë shtohej varfëria, aq më tepër hidhte shtat në shpirt zemërimi.
3. Fillimi i viteve nëndëdhjetë, Dëshnicarin e gjeti në kufijtë e zhgënjimit e të shpresës, të ëndrrës për një jetë më të mirë dhe protestës. Nisi periudhë tepër e vështitë, ajo e trazicionit postkomunist. Të lodhur nga varfëria dhe zhgënjimi që i kishte ardhur fundi dhe të frymëzuar nga filozofia shkatërruese e “Terapisë së shokut”, brënda një kohe tepër të shkurtër njerëzit shkatëruan gjithçka që ndërtuan për 50 vjet me radhë, me duart e tyre. U rrëzuan shtylla telefoni dhe elektrike, u shkallmuan kanale ujitëse dhe çezma e tubacione të ujit të pijshëm, u prishën shkolla, qëndra shëndetësore dhe punishte e monumente kulturore. Marrëzia shaktërruese e njerëzve të dëshpëruar kishte arritur deri atje sa që kërkonin të shkatërronin edhe shkollat, vetëm sepse ato i paskësh ndëertuar Enveri! Në kujtesën e dëshnicarëve s’kanë për t’u fshirë kurrë turbullirat e vitit ‘97, vitit më të prapë të trazicionit. Lufta paradoksale solli shumë viktima e dëme edhe në Dëshnicë. Në këtë luftë të çuditshme pa armiq, vetëm në fshatin Zhepovë u vranë 5 djem të pafajshëm, aq sa u vranë gjatë gjithë periudhës së Luftës Nacionalçlirimtare. Në ato vite dëshpërimi kur tek njerëzit ishte tronditur thellë shpresa, dëshnicarët kërkonin rrugë të reja për ndryshime të mëdha. Prandaj, shaluar mbi ”zhgabonjën mishngrënëse” nisën të fluturonin, për t’u ngjitur nga bota e poshtme e” Ferrit”, drejt “Parajsës”. Shumë prej tyre morën rrugën e mërgimit, ndërsa të tjerë u larguan në të katër anët e vëndit. Fatkeqësisht, disa prej tyre, si Edlira Shkurta, Arjan Vrenozi, Hamit Cicollari, Dile Vrenozi e shumë të tjerë vdiqën në emigracion me ëndrrën e bukur për një jetë më të mirë e më të lirë.
Mirësevini në Dëshnicë!
Për mua Dëshnica, vendlidja ime, është një vënd i magjishëm që ruan e gjeneron përherë vlera të papërsëritshme, natyrore, shoqërore, patriotike dhe kulturore. Ajo është bërë simbol i mikprtijes dhe bujarisë, i punës dhe i mençurisë, i gjallërisë kulturore dhe i vrullit të rinisë, i ëmbëlsisë së rrushit dhe i forcës së rakisë. Mikpritja dhe bujaria e njerëzve të këryre anëve janë kthyer në virtyte të rralla. -Miqtë hanë bukën e vetë – thoshte plaku i mën’ur Çaçul Hoxha, ndaj ai shpesh u priste rrugën me shishe rakije në dorë edhe kalimtarëve më të zakonshëm të këtyre anëve, me fjalët e ngrohta: ”ejani ta kthejmë njëherë…”!
Largimi masiv i dëshnicarëve nga këto vënde të ashpra, por me bukuri të rrallë ka krijuar një tablo shumë të dhimbshme. Shëtit nëpër këto fshatra, dikur tepër të populluara, ndërsa sot pothuajse të braktisura e të harruar plotësisht, dhe për një çast të pushton dhimbja dhe trishtimi. Kudo sheh shtëpi të rrënuara dhe rrugë të mbuluara nga gjëmbat dhe ferrat, ara të mbetura djerrë dhe pemë të thara. Ndërsa lisat e hazsdisur, të mbetur fillikat, duket sikur të luten: ”Kemi ftohtë, prandaj na vishni me vellon e gjelbër të hardhive, ndryshe do të thahemi dhe ne”! E, megjithatë shkatërrimi vazhdon, tokat grryhen nga erozioni, pemët vazhdonjë të thahen, rrugët, çezmat, monumentet e kulturës vazhdojnë të shkatërrohen plotësisht. Puna e individit dhe shtetit ka vite që gati shumëzohet me zero.
Megjithatë në Dëshnicë jetohet, dhe mirë, madje. Tani që është asfaltuar rruga nga Këlcyra në Ballaban, udhëtimi është i lehtë dhe i këndshëm. Ndaj, mos përtoni: Hajdeni në Dëshnicë dhe do të ngeleni të mrekulluar nga gjithçka që do të gjeni aty! Tokat e Dëshincës kanë shijen e mushtit të rrushit dhe erën e këndshme të mollëve e qershive ngjyrë ari. Afshi i rakisë së fortë, që çurgon nga llullaja e llambikos, ndez odave zjarrin e bisedave të ngrohta dhe të këngëve të bukura vënçe. Provojeni këtë kënaqësi dhe ndjesi, do ta shlyeni kurrë nga kujesa!…
Dëshnica e mikpritjes së lartë…
Dëshnica përbëhet nga rreth 40 fshatra dhe qyteti i Këlcyrës, kryeqendra administrative, kulturore e tregëtare e kësaj zone. Në qendrën e saj ndodhet shkolla e mesme e përgjithshme “Sefulla Malëshova”, e cila për moshën 60-vjeçare dhe cilësinë e saj të lartë, dikur është quajtuar universiteti i Dëshnicës. Çdo fshat përveç anëve të përbashkëta, ka edhe veçoritë e karakteristikat e tij të papërsëritshme. Prandaj njerëzit e këtyre anëve për karakterizimin e veçorive të tyre individuale, u thërret me epitetet metaforike: Kajca e luftës dhe e shegëve të ëmbla, Topojani i prodhimeve të bollshme, Zhepova e rinisë dhe e veprimtarive kulturore të zjarrta, Pavari i rrushve të ëmbël si mjalti, Luara e rakisë së fortë dhe e mikpritjes së lartë…
…E zonja e vetvetes!
Edhe pse dëshnicari ka derdhur shumë gjak e djersë, vuajtjet dhe stërmundimet nuk i janë ndarë kurrë. Premtime të mëdha kanë marrë ata nga poplitikanët, pushtetarët dhe krerët e pseudoshoqatave të të gjitha kohërave, që flasin e mbajnë emrin tyre, por në vend të të mirave, kanë shijuar frytet e hidhura të varfërisë dhe gënjeshtrës, të hipokrizisë dhe harresës…
Prandaj mesazhi im, si krijues, si intelektual i këtyre anëve për dëshnicarët është: Mos u besoni dredhive lajkatare, por mendjes suaj të kthjelltë, duarëve tuaja të arta dhe zemrës bujare dëshnicare!…
mire o sejdo mire e ke shkruar.(ah te danosh ne ketoo vende sa bukur eshte) me mire shkruaj dhe mbathja vrapit.