Dështon ceremonia e përurimit të Rrugës së Kombit në segmentin Qafë-Morinë – Prishtinë. Shkak për këtë qenë protestat për lirimin e Fatmir Limajt në Gjurgjicë. Përurimi pritej të bëhej në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë dhe në të do të merrnin pjesë kryeminsitri shqiptar, Sali Berisha dhe ai kosovar, Hashim Thaçi.
Por protestuesit deklaruan se nuk mund të kishte një festë kombëtare pa lirimin e Fatmir Limajt dhe anëtarëve të UÇK-së. ata zunë prodiumin ku pritej që të mbanin fjalimet dy kryeministrat, ndërsa këta të fundit mësohet se janë kthyer nga rruga për këtë shkak.
Fatmir Limaj dhe tre ish-pjesëtarë të UÇK-së, Naser Krasniqi, Nexhmi Krasniqi dhe Naser Shala akuzohen për krime lufte në fshatin Kleçkë. Për ta të dielën u vendos masa e sigurisë “arrest me burg” nga një gjykatës i EULEX-it në Gjykatën Supreme.
Jahjaga ndihet e keqardhur
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga shpreh keqardhjen për anulimin e përurimit të shumëpritur të Udhës së Kombit si pasojë e protestës së një grupi qytetarësh në fshatin Gjurgjicë.
“Përurimi i Udhës së Kombit “Ibrahim Rugova”, veprës të përbashkët madhore, është përmbushje e një ëndrre dhe synimi. Autostrada është realizim i vizionit tonë për lidhje me korridoret evropiane që rrëzon përfundimisht barrierat mes nesh. Shprehim keqardhjen tonë që një vepër kaq madhore u pamundësua sot të përurohet’, thuhet në reagimin e Presidencës.
Presidentja e Kosovës i fton qytetarët të shfaqin maturinë që na ka karakterizuar si shoqëri përballë sfidave shumë të rënda në të kaluarën prej të cilës dolëm fitimtarë dhe t’ju besojmë institucioneve të Republikës së Kosovës në zbatimin e përgjegjësive të tyre.
Ditën e diel, Fatmir Limajt, që gjatë luftës njihej me nofkën “Komandant Çeliku”, dhe tre ish-pjestarëve të UÇK-së, Naser Krasniqi, Nexhmi Krasniqi dhe Naser Shala, iu caktua masa e paraburgimit prej një muaji nga një gjykatës i EULEX-it në Gjykatën Supreme, që mori parasysh kërkesën e prokurorit të EULEX-it, Maurizio Salustro.
Ndërsa ditën e hënë avokatët mbrojtës të katërshes së akuzuar për krime lufte dorëzuan në Gjykatën Supreme të Kosovës apelin kundër masës së paraburgimit ndaj klientëve të tyre.
Pala mbrojtëse kërkoi anulimin e vendimit që organi i lartë gjyqësor dha më herët për ish-luftëtarët e UÇK-së, të cilët akuzohen për krime lufte në fshatin Kleçkë, prej nga merr dhe emrin çështja e ngritur ndaj tyre.
Avokati Mahmut Halimi, i cili përfaqëson të akuzuarin Nexhmi Krasniqi, konfirmoi për mediat kosovare dorëzimin e kërkesës. “Kemi dorëzuar ankesën dhe kemi arsyetuar se gjykata ka vendosur në tërësi pa i shqyrtuar shkaqet objektive e subjektive për secilin të akuzuar veç e veç”, tha Halimi.