Zv/ministri i Ekonomisë Sokol Dervishaj, që kryeson grupin negociator të privatizimit, tha negociatat për shitjen e Albpetrol dështuan të mbyllen brenda afatit ligjor
Ashtu sic ishte paralajmëruar ka dështuar privatizimi i Albpetrolit. Ministria e Ekonomisë, pas më shumë se dy muaj nga mbyllja e tenderit për dhënien me koncesion te “Albpetrol”, ka bërë publike disa detaje për këtë proces. Zv/ministri Sokol Dervishaj, në një dalje për mediat ka njoftuar se, ende nuk është firmosur kontrata me kompaninë fituese “Vetro Energy” për shkak të mospagimit të fondit prej 20% të vlerës së ofertuar. Por, ndërkohë bisedimet me këtë konsorcium po vijojnë. Dervishaj, nuk ka dhënë detaje se si do të procedohet më tej me privatizimin e një prej sektorëve kyç të ekonomisë shqiptare.
Por, ministria e Ekonomisë ka kërkuar shlyerjen e garancisë prej 10% të vlerës së ofertuar. Ndërmarrja shtetërore e nxjerrjes së naftës, “Albpetrol” ka në pronësi rreth 5 mijë puse në të gjithë vendin si edhe dy licenca për prodhim energjie dhe kërkim burimesh të reja në tokë dhe det. Privatizimi i kësaj ndërmarrje, që aktualisht operon me pajisje të teknologjisë së vjetër, do të ishte një faktor rigjenerues i ekonomisë së vendit.
Zv/ministri i Ekonomisë Sokol Dervishaj, që kryeson grupin negociator të privatizimit, tha negociatat për shitjen e Albpetrol dështuan të mbyllen brenda afatit ligjor, pasi Vetro Energy nuk derdhi garancinë tjetër, atë të kontratës, e cila është sa 20 për qind e çmimit ose 170 milionë euro. Dervishaj hodhi poshte zërat se njëri nga shkaqet e dështimit ishte mos hipotekimi i puseve nga Qeveria, duke deklaruar se privatizimi nuk parashikonte shitjen e puseve, por dhënien në përdorim të tyre për një periudhë 25-vjeçare. Megjithatë zoti Dervishaj tha se tenderi nuk mund të quhet ende i dështuar, pasi ky është një vendim që nuk e merr grupi negociator, por do të merret nga Qeveria gjatë ditëve në vijim. Sipas tij, edhe pse është shkelur afati ligjor nëse kompania do të paguajë gjatë këtyre ditëve shumën 170 milionë euro, negociatat mund të rihapen. Vetro Energy ofroi 850 milionë euro për blerjen e Albpetrol dhe Qeveria thotë se kjo ofertë është e mbuluar sipas ligjit me garancinë përkatëse prej 10 për qind ose 85 milionë euro, e cila është verifikuar nga konsulenti ‘Patton Bogs’.