Shtetet e Bashkuara dhe Koreja Jugore thonë se duket se Koreja Veriore ka dështuar në përpjekjen për lansimin e një rakete, me të cilën me gjasë shënohej edhe ditëlindja e themeluesit të këtij vendi, Kim Il-Sung.
Një zëdhënës i Pentagonit tha se Komanda Strategjike e Shteteve të Bashkuara e ka detektuar dhe gjurmuar atë që beson se është lansim i dështuar i raketës nga Pheniani.
Ky vlerësim është mbështetur edhe nga deklarata e Shtatmadhorisë së ushtrisë së Koresë Jugore, që thekson se Koreja Veriore “duke se është përpjekur për të pasur një provë raketore afër bregdetit të saj lindor sot herët në mëngjes, por duket se ka dështuar”.
Mediat e Koresë Jugore një ditë më herët kanë raportuar se Pheniani po përgatitej për një test raketor balistik me rreze të mesme verpimi, në kuadër të festimeve për ditëlindjen e themeluesit të Koresë Veriore.
Zëdhënësi i përmendur i Pentagonit tha se sistemet e Komandës Strategjike të Shteteve të Bashkuara e kanë detektuar lansimin sot në orën 5 të mëngjesit sipas kohës së Koresë Veriore.
Ky zëdhënës ka thënë se kjo raketë nuk paraqiste kërcënim për Amerikën Veriore.
Komanda Strategjike e Shteteve të Bashkuara i tha agjencisë Reuters se nuk ka detaje lidhur me tipin e raketës të përdorur në lansim.
“Ne me gjasë do ta lëmë vetë Korenë Veriore që ta karakterizojë”, tha një zëdhënës i Komandës Strategjike.
Agjencia Yonhap e Koresë Jugore ka raportuar se tipi do të mund të ishte raketë balistike Musudan me rreze të veprimit deri në 3 mijë kilometra. Kjo do të thotë se kjo raketë hynë në kategorinë e atyre me rreze të mesme veprimi.
Agjencia zyrtare e lajmeve e Kinës, Xinhua, raportoi se lansimi raketor, përkundër dështimit, ishte shembulli i fundit i kërcënimit nga ana e Phenianit.
