Shqipëria dështon sërish në marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Ambasadori i BE-së në Tiranë, Etore Sekui, tha se Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet e kërkuara nga BE-ja. Në një deklaratë për mediat, Sekui sqaroi procedurën që ndjek Komisioni Europian, për dhënien e statusit, një objektiv që Shqipëria nuk e arrin për të disatën herë.
“Në tetor, Fyle tha se komisioni u rekomandon shteteve anëtare dhënien e statusit Shqipërisë, por pasi të kenë plotësuar disa kushte. Kjo kishte të bënte me ligjin për Gjykatën e Lartë, rregulloren e Parlamentit e të tjera kushte të përmendura më parë. Por është kërkuar vullnet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Komisioneri Fyle tha qartë se do të përgatiste një raport tjetër me të plotësuar këto tri kushte. Që do të thotë që kur të plotësohen këto kushte, do të përgatitet një raport që do të informojë vendet anëtare për plotësimin e tyre. Në këtë moment vendet anëtare do të marrin vendimin në bazë të rekomandimeve të komisionit. Shqipëria ende nuk i ka përmbushur këto kushte dhe kjo do të thotë që edhe Komisioni Europian nuk ka hartuar një raport të tillë. Sapo Shqipëria të përmbushë këto kushte, Komisioni Europian do t’i lajmërojë shtete anëtare në mbledhjen e radhës. Sot në takimin e ministrave të Jashtëm do të diskutohen disa çështje për Ballkanin dhe Shqipërinë. Dhe në fund, do të ketë edhe një paragraf edhe për Shqipërinë. Cilat do të jenë përfundimet, besoj se do të shpërndahen pasdite”, tha Sekui.
Ndërsa në lidhje me interesimin e gazetarëve për një koment të tijin për nismën e shtetësisë të ndërmarrë nga Berisha, ambasadori i BE-së u shpreh:
“Unë nuk bëj komente për komente. Shqipëria ka qenë një aset i rëndësishëm për mirëkuptimin dhe stabilitetin në rajon. Besoj se do të vazhdojë të jetë kështu edhe në të ardhmen”.