DETAJE/ Atentati mafioz në Vlorë, shoqërohen 20 persona. Si i shpëtoi vajza e biznesmenit plumbave

DITA Online

Detaje të reja kanë dalë nga ekzekutimi i djeshëm në Vlorë, ku mbetën të vrarë drejtori i OSHEE, Roland Saliu, si dhe pronari i një televizioni lokal, Erven Hyseni.

Kur kanë kaluar pak orë nga atentati, ende nuk ka një autor.

Policia e Vlorës ka shoqëruar në Komisariat rreth 20 persona në lidhje me vrasjen që tronditi qytetin ditën e djeshme. Mësohet se dje janë marrë në pyetje edhe dëshmitarë nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë që policia ka sekuestruar edhe kamerat e sigurisë për të hedhur dritë mbi lëvizjet e autorëve dhe identifikimin e tyre.

Ende nuk ka zyrtarisht një pistë të qartë se ku janë përqendruar hetimet. Burime nga policia bëjnë të ditur se autorët pas krimit kanë kaluar nga rruga Muze për të dalë më tej drejt qytetit dhe më pas kanë dalë në autostradë ku aty kanë djegur edhe automjetin.

Gjatë atentatit u rrezikuan edhe persona të tjerë që ndodheshin në vendngjarje, mes të cilëve edhe vajza e mitur e Hysenit, e cila pak çaste para breshërisë kishte qenë në ambientet e jashtme, siç duket edhe nga biçikleta e mbetur ne vendngjarje…

HETIMET

Vrasja e dyfishtë ka alarmuar policinë e Vlorës, e cila ka “blinduar” qytetin, duke ngritur postblloqe të shumta në të gjitha rrugët e tij. Pavarësisht hetimeve, nuk është bërë i mundur identifikimi dhe vënia në pranga e autorëve të krimit. Burime pranë grupit hetimor pohuan se po hetohet në disa pista për zbardhjen e ngjarjes. Paraprakisht, dyshohet se shënjestër e atentatit ka qenë biznesmeni Erven Hyseni, i afërm i Akil Rakipit, njërit prej viktimave të masakrës së Çoles, që ndodhi në prill të vitit 2015. Një nga pistat që po hetohet është edhe e shkuara e 40-vjeçarit, veçanërisht gjatë kohës që jetonte jashtë Shqipërisë, por po hetohet edhe pozicioni i tij si drejtues televizioni. Por, nuk përjashtohet mundësia që atentati të ketë ndodhur për shkak të detyrës së Roland Saliut, i cili mbante postin e drejtorit të OSHEE-së që prej dy vitesh. Policia dhe prokuroria e Vlorës po hetojnë intensivisht për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

KUNATI I BIZNESMENIT

Pas plagosjes në atentat, Erven Hyseni u dërgua në spital nga kunati i tij, i cili punonte operator në televizion që Hyseni drejtonte, por nuk mundi të mbijetonte. Pas kthimit nga spitali, kunati i biznesmenit akuzoi policinë për paaftësi dhe se nuk ka ndërhyrë në kohë. “Tjetri qëlloi për një kohë të gjatë këtu dhe askush nuk bëri lëvizje”,- i është drejtuar ai policisë.

NGJARJA

Mbrëmë rreth orës 19:30, persona të panjohur kanë qëlluar me kallashnikov nga një makinë në lëvizje në drejtim të lokalit “Bar Vlora”. Në momentin që atentatorët kanë mbërritur me automjetin e tyre tek “Sheshi i Flamurit”, pronari i televizionit lokal “Vlora Channel”, Erven Hyseni dhe kreu i OSHEE-së, Roland Saliu kanë qenë në të njëjtin ambient duke pirë kafe. Mësohet se Saliu, sapo ishte kthyer nga një takim elektoral dhe si duket kishte vendosur të konsumonte një kafe buzë detit. Pas krimit, ekzekutorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Ata e kanë braktisur dhe djegur automjetin e tyre në fshatin Panaja të Vlorës dhe më pas janë larguar në drejtim të paditur./GSH

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *