Një plumb në kokë ka rezultuar fatal për drejtorin e OSHEE, Roland Saliu të mërkurën pasdite, i cili ndërroi jetë pas një atentati me armë në “Hotel Vlora”, tek Sheshi i Flamurit.
Grupi hetimor në vendngjarje si dhe dëshmi nga persona që kanë qenë prezent në ngjarje kanë dhënë detaje lidhur me vrasjen, raporton shqiptarja.com.
Vrasja e dyfishtë ka ndodhur në harkun kohor 2 minuta.
Roland Saliu dhe Mirvjen (Erven) Hyseni kanë qenë duke konsumuar një kafe bashkë në barin e ‘Hotel Vlora’.
I pranishëm ka qenë dhe një person i tretë që shoqëronte Saliun, që pasi e ka zbritur këtë të fundit nga makina ka shkuar të parkojë mjetin. Në atë moment, personi i tretë, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye hetimore, ka dëgjuar të shtëna me armë.
Kur është kthyer në më pak se 1 minutë ka parë të shtrirë e të përgjakur, Saliun dhe Hysenin.
I pari që është prekur nga plumbat ka qenë Roland Saliu, ku 1 plumb në kokë ka rezultuar fatal për jetën e tij.
Ndërsa mendohet se Mirvjen Hyseni ka marrë 5 plumba, dhe humbi jetën pak minuta më pas në spitalin rajonal të Vlorës.
Policia po heton në disa pista.
