Në përpjekjen e tij për të kritikuar kryetarin e Bashkisë së Tiranës, aktori Neritan Liçaj ka publikuar në rrjetet sociale një fotomontazh për të cilin thotë se është shkrepur në një nga rrugët e Tiranës.
Por, foton mjafton ta shikosh për pak sekonda për të kuptuar që jo vetëm nuk është shkrepur në Tiranë, por është edhe e modifikuar. Siç shihet, në cepin e djathtë të fotos që aktori e manipulon sikur të jetë në Tiranë, duket një godinë mbi të cilën gjendet një logo e kompanisë “Total”, një kompani franceze karburantesh e cila është shumë e përhapur në vendet e Afrikës, por jo në Shqipëri.
Një tjetër detaj që e nxjerr zbuluar mashtrimin e aktorit Neritan Liçaj ka të bëjë me shtyllën që gjendet në mesin e rrugës: tabelës STOP i dallohet hija, por çuditërisht shtylla në mes të rrugës, me përmasa shumë më të mëdha, nuk ka hije.
Kjo tregon se fotoja është e manipuluar. Fotomontazhin e sjellë nga vendet e Afrikës për publikun shqiptar nga aktori Liçaj, e ka hedhur poshtë si te pavërtetë edhe Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, i cili në një koment të tijin ne faqen e aktorit e cilëson si budallallëk. “Neri, kjo është një nga rastet e qarta që inati u zë sytë për të parë realitetin, dhe çdo lloj budallallëku keni fiksim ti’a faturoni Bashkisë.
Kjo foto NUK ESHTE në Tiranë. Mjafton të shohësh që lart ne cep ka një ndërtesë që ka sipër logon e karburantit francez “Total”, i cili nuk është fare prezent në Shqipëri, e në Tiranë jo e jo”, sqaron Mazniku në profilin e aktorit. Sulmi ndaj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës përmes fotove që nuk i përkasin qytetit, por që përdoren për ta kritikuar atë, janë raste të përsëritura.
Mjafton të kujtojmë rastin e postimit në FB të ish – Kryeministrit Berisha që publikoi një kënd lojërash me forma të turpshme, duke e shitur atë si një kënd lojrash te Liqeni Artificial.
Fotoja ishte një fotomontazh i turpshëm, çka më pas e detyroi Berishen ta fshinte për shkak të kritikave të shumta që mori për sajesën e bërë.

b.b/dita
