Gjithmonë të kam dashur,
si dy sytë e ballit,
s’e gjithnjë do frymë,
jeta e të gjallit!
Lodhur e sfilitur,
nëpër rrugëtime,
ti ke qenë dhe drita,
edhe fryma ime!
Kur rron me dikë,
dyzet vite plot,
jetën pa atë,
nuk e kupton dot!
S’them se kemi qenë,
oaz qetësie,
po deti kthjellohet,
mbrapa çdo stuhie!
Deti i jetës sonë,
me kohë është qetuar,
dhe ne jemi bërë,
notarë të sprovuar!
Edhe mund të thyhet,
nga pesha balanca,
asgjë s’do të zgjaste,
mos qe toleranca!
Unë jam burrë i mirë,
kollaj s’bëj zullume,
dhe pse jetën kurrë,
s’e pata llokume!
Por e dua jetën,
dhe pse s’e kam vaj,
se po ika unë,
çdo bësh ti pastaj!
Unë fjalët e ëmbla,
i kam me kursim,
po s’njoh njeri tjetër,
me kaq përkushtim!
Shumë rrallë kam parë,
një të tillë burrë,
dhe në mes të Ferrit,
s’u dorzua kurrë!
S’u dorzua kurrë,
tani dhe më herët,
më shumë se për veten,
jeton për të tjerët!
5 Dhjetor 2014
Shqipëria natyrale!
Që nga Shkupi tek Ulqini,
nga Preveza në Prishtinë,
i bashkoni dhe do kini,
një hartë për Shqipërinë!
S’na kanë sosur-s’na kanë tretur,
copa-copa na kanë ndarë,
Shqipëria që ka mbetur,
rrethohet veç me shqiptarë!
Në pesë shtete gjelbëron,
lis i bukur i Vatanit,
gjuha shqipe tingëllon,
sot në gjysmën e Ballkanit!
Pesë shtete radhë-radhë,
Shqipëri me moshë guri,
veç nga gjuha mbeti gjallë,
emri-kombi dhe flamuri!
Njëqind vite kanë shkuar,
që kur u bënë tradhëtitë,
po koha na ka dënuar,
të bashkohemi një ditë!
Kanë vulën shqiptare,
dete -fusha edhe male,
s’kemi faj në është e madhe,
Shqipëria Natyrale!

Shume vargje te bukura , ja vlen qe ju largove politikes , megjithese ma merr mendja kesaj radhe nuk do te kete shume komente , sepse te gjithe jane te etur per te lexuar reth pis politikes ,
Urime, shkrim i bukur e lexim i kendshem
Faleminderit, i nderuar poet i dashur!
Krijimtaria juaj është frymëzuese, tërheqëse, reale, shëruese dhe përmban në brendinë e saj atdhetarizëm, dashuri, edukim, vërtetësi dhe shlodhje.
Urime për shëndetin tuaj të mirë, jetëgjatësi dhe të mirë në familjen tuaj!
Fratar, Mallakastër