Dhe s’kemi ç’të bëjmë akoma
Dhe s’kemi ç’të themi më tepër
Aty ku kish fllad e aroma
Të shpon sot gjembi i vjetër.
Të ndezur s’e mbajtëm dot zjarrin
Të gjallë s’e mbajtëm dot flakën
E pimë të gjithë nektarin
Dhe para kohe u plakëm.
Asgjë nuk kërkoj sot prej teje
Dhe ti nuk ke ç’të kërkosh
Tani s’ka më dridhje rrufeje
Se kupa ka mbetur krejt bosh.
Dhe s’kemi ç’të bëjmë akoma
Asnjë sekondë dot s’e shtyjmë
Aty ku kish fllad e aroma
Sot gjembat të shpojnë e të grijnë.
6.11.2000
Pa titull
Ne jemi pranë e pranë
Porsi dy sytë
Ti Toka je-planet
Unë-satelit.
Një mrekulli si ty
S’ka lindur nëna
Rreth teje rrotullohem
Porsi hëna.
Rreth teje rrotullohem
Nëpër mjegull
Njëlloj si Toka-Hënën
Më mban pezull.
2.10.2000
Për ca ish miq…
Ç’më dolët kaq të pështirë
Injorantë e të pabesë
Tani që ju njoha mirë
Krejt i lumtur do vdes.
27.12.2000
Në mes jush…
Në mes jush unë jam i huaj
S’i përkas batakut tuaj
Në llum trupin s’mund ta zhgrryej
Se jam zog, që rroj në qiej.
28.12.2000
Po luftës nuk i trembem…
Tani nga pabesia
As vuaj, as çmendem;
Unë jam njeri i paqes
Po luftës nuk i trembem.
Unë të afroj buqetën
Ti më vërtit çomangen
Unë jam njeri i paqes
Po luftës nuk i shmangem.
Unë ndez qiri për jetën
Që koha s’mund t’i fiki
Se jam njeri i paqes
Po luftës nuk i iki.
Unë thur ëndrra magjie
Po ti magjitë i shemb:
Unë jam njeri i paqes
Po lufta nuk më tremb.
Ti zhytesh në mes llumit
Unë Zotin shkoj takoj
Se jam njeri i paqes
Po luftën e fitoj!…
2001

Je mjeshter
Duke bre qe me Zotin po pregatitesh te takohesh,
nga kjo mos u merzit fare s’ke pse ligeshtohesh,
vetem se nje gje fort mire nuk na e shkoqit ti sot,
per Perendine e ke llafin a per Enverin tend Zot?