Mënyra më e mirë për të mbrojtur dhëmbët nga prishja është larja e tyre çdo ditë pas vakteve kryesore të ushqimit ose të paktën 2 herë në ditë, në mëngjes dhe në darkë më furçë dhe pastë dhëmbësh. Gjithashtu nuk duhet neglizhuar ndërrimi i shpeshtë i furçës, kujdesi në përzgjedhjen e ushqimeve që vendosim çdo ditë në tavolinën tonë të ngrënies, si dhe ndjekja e rregullt e vizitave tek stomatologu. Fitimi i shprehive të duhura që në vegjëli klasifikohet si dhurata më e mirë që mund t’i bëjmë vetes, pasi vetëm në këtë formë mund të kyrsejmë shtrëngimet e qëndrimit me gojë mbyllur sa herë duhet të buzëqeshim, si pasojë e problemeve me dhëmbët. Ndjekja e këtyre këshillave ndihmon në largimin e sëmundjeve, problemeve me mishin e dhëmbëve, hapësirës së gojës në përgjithësi. Specialistja në fushën e ortodontisë Erilda Xholi, tregon se është shumë e rëndësishme që të fitojmë sjelljet e duhura, si dhe të bëhet zakon mirëmbajtja e shëndetit të gojës. Kujdes ky, që duhet të ketë zanafillën që në moshën e fëmijërisë. Vetëm nëse i ndihmojmë ata që të kenë kujdes dhe t’i bëjmë të ndërgjegjshëm sa më herët rreth rëndësisë së madhe që ka mirëmbajtja e higjienës orale, atëherë do të shmangim një sërë problemesh të mëdha. Nëse ndjekim disa rregulla të thjeshta, që janë të listuara në vijim të shkrimit, e që kanë të bëjnë me kujdesin në të ushqyer, kontrollin tek mjeku, larjen e duhur, do të mund t’i themi mjaft buzëqeshjes me buzë të mbyllura.
Kujdes me ushqimet që vendosen në tavolinën e ngrënies
Kequshqyerja renditet si një ndër shkaktarët më të shpeshtë që ndikon në prishjen e dhëmbëve. Nëse fitojmë sjelljet e një ushqyerje të shëndetshme, atëherë do mund t’u gëzohemi edhe dhëmbëve të shëndetshëm dhe të bardhë që të gjithë i duam. Këto sjellje dhe ky kujdes në përzgjedhjen e ushqimeve duhet të fillojë që në moshë të vogël. Sipas mjekëve, kujdes duhet të tregojmë me frutat e ëmbla, prodhimet e sheqerosura, ëmbëlsirat dhe ushqimet acide. Dihet që këto janë të gjitha të shijshme dhe shumë të pëlqyera, por nëse teprohet me to, e sidomos me neglizhimin në larjen e dhëmbëve, pas konsumit, problemet i kemi vërtet të mëdha. Tregoni kujdes me pijet e ndryshme, sidomos nëse janë të gazuara, pasi sheqeri dhe veprimi i dioksidit të karbonit që ato përmbajnë, i dëmtojnë dhëmbët duke shkatërruar mbrojtjen ndaj tyre. Ndaj duhet t’i jepni më shumë rëndësi ndjekjes së një praktike të tillë që konfirmon një ushqim të shëndetshëm, duke nisur me mëngjesin, shtimin e higjienës orale, pakësimin dhe reduktimin e ushqimeve të sheqerosura, ushqimeve të thata dhe karbohidrateve. Këto të fundit fare mirë mund të zëvendësohen me frutat perimet, zarzavatet, dhe qumështin. Në këtë mënyrë do t’i dhuroni vetes jo vetëm dhëmbë të shëndetshëm, por edhe të bukur. Ndaj bëni kujdes reduktoni ëmbëlsirat pasi janë përgjegjëse për dëmtimin, zverdhjen e dhëmbëve dhe probleme të tjera shëndetësore.
E ngrëna natën, shton rrezikun për prishjen e dhëmbëve
Mund të keni uri, por nëse zgjoheni gjatë natës frenojeni atë. Bëjeni këtë për hir të dhëmbëve tuaj. Kjo pasi ngrënia sërish disa orë pasi keni mbaruar darkën, dhe pasi keni larë dhëmbët e rrit rrezikun e shfaqjes së problemeve të dhëmbit, e për pasojë prishjen e tyre. Në shumë studime të kryera, është treguar se pështyma, e cila ka tendencë të thahet gjatë natës, e ngjit ushqimin te dhëmbët, duke i dëmtuar ata. Ndaj ekspertët këshillojnë që përveç mos ngrënies gjatë natës, nuk është mirë të konsumohet edhe deri në një orë para gjumit, dhe të konsumohet vetëm ujë dhe jo lëngje
Larja e kujdesshme e dhëmbëve
Gjatë natës, sasia e pështymës ulet, duke lënë dhëmbët tuaj më pak të mbrojtur nga acidet bakteriale. Për këtë arsye larja e dhëmbëve me furçë dhe përdorimi i fillit dentar në mbrëmje është shumë e rëndësishme. Larja e dhëmbëve duhet të zgjasë 2−3 minuta, 2 herë në ditë. Përdorni një furçë me qime të buta dhe përdorni të paktën një herë në ditë fillin dentar. Përdorni shpëlarës goje të fluorizuar përpara periudhës së gjumit. Pas kësaj procedure, përdorni shpëlarës goje të fluorizuar (pyeteni dentistin tuaj). Nuk rekomandohet të ushqeheni pas kësaj procedure.
Zgjateni larjen e dhëmbëve
Larja e kujdesshme e dhembëve është një tjetër këshillë që nuk duhet neglizhuar. Sipas stomatologëve ne duhet të bëjmë pjesë të sjelljeve tona të përditshme larjen të paktën dy herë gjatë ditës të dhëmbëve. Specialistët rekomandojnë përdorimin e furçës dhe të pastës së dhëmbëve, për të paktën tre minuta gjatë çdo larjeje. Në vend të kësaj, sipas statistikave, koha mesatare që ne përdorim për të larë dhëmbët është jo më shumë se 46 sekonda. E pra, kjo është shumë pak, për të siguruar mbrojtjen e duhur kundër kariesit.
Kujdes mos u besoni furçave të forta
Stomatologët konfirmojnë se pas përdorimit, një furçë dhëmbësh të ndërrohet mesatarisht çdo 3 muaj. Shpëlarja e gojës me ujë pas vakteve ka pak efekt mbi acidet bakteriale, megjithëse mund të ndihmojë në eliminimin e mbeturinave ushqimore. Fërkimi i vazhdueshëm i dhëmbëve me furça të forta, mund të shkaktojë probleme afatgjata tek dhëmbët, pasi i dobëson ato nga mbrojtja e tyre natyrore.
Mos pini duhan, dhe mos e teproni me kafen?
Duket e vështirë për t’u arritur, por në të vërtet sjell përfitime maksimale në kujdesin për dhëmbët, duke i mbajtur të shëndetshëm e të bukur pa veshjen e verdhë bezdisëse. Gjithashtu duhet të mundoheni që të reduktoni edhe teprimet me kafen gjatë ditës. Shumë njerëz kanë dëshirë që të konsumojnë disa kafe gjatë ditës, por nuk e dinë që kafja është një armik për dhëmbët. Por, kjo nuk do të thotë që ne të heqim dorë dhe të mos pimë kafen, thjeshtë të mos e teprojmë me të.
Kontrollet tek stomatologu
Për të mbajtur larg problemet të cilave iu referuam në fillim duhet të dimë që vizita e parë, e cila më pas duhet të jetë periodike duhet të kryhet çdo 6 muaj dhe duhet të fillojnë që në moshën 6 muajshe, kohë në të cilën nis dhe dalja e dhëmbëve të parë. Kjo rutinë nuk duhet ndërprerë më pas. Profilakisa ose e thënë ndryshe parandalimi është forma më e mirë dhe më e rëndësishme në parandalimin e këtyre problemeve, që kanë të bëjnë me prishjen e dhëmbëve, si dhe më ndalimin e procesit karioz. Përdorimi sa më i paktë i sheqernave, higjiena maksimale kontrollet e vazhdueshme tek një mjek specialist janë edhe format më të mira që na mbajnë larg problemeve të tilla.
Uauuu bukur