Procesi i formimit të gurëve në tëmth fillon së pari me formimin e kristaleve. Më të rrezikuar për të formuar gurë të tëmthit janë të gjithë ata persona që kanë përmbajtje të lartë të kolesterolit në tëmth, e cila pengon zbrazjen e plotë të fshikëzës së tëmthit, si pasojë e grimcave të ngurtësuara në formë guri të krijuar nëpër të. Si faktorë të tjerë favorizues njihen : obeziteti, faktorët gjenetikë, gratë me shumë lindje, medikamentet si kontraceptivët, mënyra e ushqyerjes, gjinia (femrat kanë një risk 2 herë më shumë se burrat) etj. Shpesh gurët e tëmthit janë asimptomatikë, domethënë pacienti mund të mos ketë shqetësime. Simptomat shfaqen atëherë kur guri lëviz, duke mbyllur kështu rrugën e tëmthit dhe si pasojë, do të kemi një distendim të kanalit të tëmthit. Shenja më e shpeshtë është dhimbja biliare. Ajo fillon në mënyrë të menjëhershme, zakonisht pas një ngrënie të bollshme ose, me shumë yndyra përpara krizës. Dhimbja është shumë e fortë, fillon zakonisht natën dhe zgjat nga 15 minuta deri në 4 orë. Dhimbjet që zgjasin 1-2 minuta nuk janë dhimbje të gurit të tëmthit. Nëse dhimbja zgjat 8 orë, ndoshta dhe më shumë, duhen dyshuar ndërlikime si infeksioni. Lokalizimi i dhimbjes është në epigastër (vendi i stomakut), ndonjëherë vendoset në shpinë, në shpatullën e djathtë, prapa dërrasës së kraharorit dhe rrallë në anën e majtë. Gjatë krizës i sëmuri mbulohet me djersë, kërkon pozicion qetësimi dhe shpesh herë kanë të vjella. Ekzaminimi kryesor që duhet të bëjë pacienti është “eko abdominale”, e cila vërteton praninë e gurit në fshikëzën e tëmthit. Nëse gjendja paraqitet me komplikacione si temperaturë, zverdhje etj, kërkohen ekzaminime të tjera si gjaku komplet dhe provat e mëlçisë. Gurët asimptomatikë (kur mungon dhimbja) nuk kërkojnë trajtim me medikamente, por këshillohet një lloj kontrolli dietetikë ku duhen shmangur ngrëniet e bollshme, me shumë yndyrë. Gjithashtu përpara një rasti pa simptoma nuk kërkohet ndërhyrja kirurgjikale si domosdoshmëri. Ndërhyrja kirurgjikale konsiston në heqjen e tëmthit dhe kjo rekomandohet vetëm atëherë kur pacienti kalon të paktën 2 herë kriza të forta dhimbjeje. Trajtimi i krizës së gurit të tëmthit synon dominimin e dhimbjes nëpërmjet antispastikëve, antalgjikëve, dhe frenuesve të sintezës së prostaglandinave, dhe nëse shfaqet temperatura kërkohet antibioterapi ndaj mikrobeve, si dhe trajtimi hidroelektrolitik nëpërmjet solucioneve fiziologjike intravenoze. Një metodë tjetër trajtimi për gurët e tëmthit është dhe ai me preparate shkrirëse nga goja. Këto janë acide biliare të cilat shkrijnë disa gurë të tëmthit (sidomos gurët e formuar nga kolesteroli), por me kusht që, këta gurë të mos jenë të kalçifikuar, të mos jenë të mëdhenj dhe fshikëza e tëmthit të jetë sa me funksionale. Ndërkohë që në shumë vende po përdoren edhe metoda të tjera moderne për trajtimin e gurëve të tëmthit.
Pjeserisht I sakte informacioni I mesiperm. Pse nuk tregohen edhe metodat moderne te trajtimit, sij eshte ekstraktimi I gureve apo sten ne kanalin biliar, zgjerim te hyrjes se kanalit ne duoden me erpc?