Në datën 28 Shkurt 2015 në sallën e teatrit të Gjirokastrës u zhvillua një aktivitet emocionues në përkujtim të largimit nga jeta, një vit më parë, të birit të denjë të Lunxhërisë dhe Gjirokastrës, gjinekologut Dhimitër Koço Çuçi. Organizatorët ishin kujdesur dhe realizuan me profesionalizëm të lartë homazhin për Dhimitër Çuçin. Dokumentari i përgatitur, “Midis dy jetëve”, kuarteti i harqeve të Radiotelevizionit Shqiptar, kënga–vaj e grupit folklorik të Lunxhërisë, recitimet e vargjeve të Ilir Llurit, Kleanth Çuçit (vëllai i vogël i Mitros që shkruan poezi, i ardhur nga Athina) etj… si dhe fjala emocionuese e dinjitoze e koleges së tij, Migena Kuro në emër të kolektivit të maternitetit, evokuan me emocion vlerat poliedrike të intelektualit dinjitoz, profesionistit dhe njeriut të mirë, doktor Mitro Çuçit (kështu e thërrisnin shkurt). Heshtja sublime e sallës së mbushur plot e përplot dhe duartrokitjet e fundit në nderim të figurës së tij më ngjallën edhe një herë dhimbjen për atë se ç’kishte humbur familja, Lunxhëria, Gjirokastra dhe jugu i Shqipërisë.
Një emision i posaçëm u realizua në një nga studiot e Radio-Televizionit publik në Gjirokastër, ku të ftuarit Kosta Goga, Vasil Bakuli, Ilia Kuro e Spiro Xhavara shpalosën me respekt e mall vetitë më të mira të këtij personaliteti të shquar të mjekësisë gjirokastrite e më gjerë.
Lindi në Dhoksat të krahinës së Lunxhërisë më 19 maj 1952. Ishte fëmija i katërt ndër 6 fëmijët e Koço dhe Marina Çuçit. Ishte një djalë me trup atleti, i gjatë e i bukur në trup e në shpirt. Shkollën fillore dhe 7-vjeçare i bëri në fshatin e lindjes. Në vitin 1966-67 nisi shkollën ushtarake “Skënderbej” në Tiranë. Në vitin e tretë të shkollës, skënderbegasit të vogël, ju ndërpre përdhunisht karriera ushtarake që e kishte filluar me shumë dëshirë nga një aksident që i ndodhi autobusit Gjirokastër–Tiranë në Janar 1969,në Virua. Mitroja ishte njeri nga pasagjerët që u dëmtua rëndë në kokë dhe luftoi me vdekjen për ditë të tëra por fiziku i tij i fuqishëm, kujdesi i jashtëzakonshëm i mjekëve dhe i ekipit të kirurgëve drejtuar nga i nderuari Xhelal Kurti, ardhur nga Tirana, natyrisht edhe fati, bëri që ta kalonte situatën. Pa hezitim mund ta quajmë një lindje të dytë për të. Ky ishte shkaku që shteti i asaj kohe, me seriozitetin që e karakterizonte, ia shmangu vështirësitë e karrierës ushtarake duke i krijuar mundësinë të diplomohej në fakultetin e mjekësisë gjatë viteve 1970-1976.
Për Mitron, nisi një jetë tjetër. Fati deshi që Gjirokastrës dhe jugut të Shqipërisë t’i dhuronte një nga mjekët më të talentuar, më të përgjegjshëm e më të përkushtuar që la gjurmë të pashlyeshme në shërbimin obstetrik-gjinekologjik të spitalit të Gjirokastrës për 35 vjet me radhë.
Pas diplomimit punoi fillimisht si mjek i përgjithshëm fillimisht në Përmet dhe pastaj në Gjirokastër (1976-1978). Në vitet 1978-1981 bëri specializimin për obstetrike–gjinekologji në Tiranë. Në vitin 1981 nisi punën në maternitetin e Gjirokastrës. Që nga viti 1988 e deri në 7 Mars 2014, për 26 vjet me radhë kreu me devotshmëri detyrën e shefit të shërbimit gjinekologjik në maternitetin e spitalit rajonal të Gjirokastrës.
Dhimitër Çuçi si intelektual me vlera të shumëfishta
Personalitet me tipare shkencëtari në profesionin e tij e quajtën kolegët Kosta Goga, Kostandin Hido, Igli Kokalari, Migena Kuro, Figali Kobuzi, Eleni Nano etj… Fjalë zemre thanë për të pjesëtarët e kolektivit të maternitetit, mjekët dhe mamitë me të cilët punoi gjatë. Doktor Mitrua si shef shërbimi, konsolidoi dhe ngriti në nivel më të lartë arritjet e kolektivit dhe paraardhësit të tij Dr.Filip Koti, gjithashtu një lunxhiot me veti të spikatura nga Këllezi i Lunxhërisë. Disiplina e tij e hekurt si prej ushtaraku, profesionalizmi i lartë, korrektësia në marrëdhënie me pacientët, eprorët e vartësit, ndjenja e lartë e përgjegjësisë për jetën e nënës dhe të fëmijës, ndjeshmëria njerëzore -tipar karakteristik thelbësor i tij, ndjenja e sakrificës deri në vetëmohim për t’ju lehtësuar gjendjen pacienteve që prisnin të bëheshin nëna, sollën si rezultat që në maternitetin e Gjirokastrës të mos kishte asnjë vdekje gjatë lindjes në gjithë periudhën 26-vjeçare kur doktor Mitroja punoi e drejtoi këtë shërbim.
Ai shquhej për thjeshtësinë e tij në marrëdhënie me të gjithë; vartësve nuk ua kurseu kurrë ndihmën duke ju dhënë gjithë eksperiencën e tij, ashtu sikurse ishte i drejtpërdrejtë në evidencimin e problemeve qe duheshin shtruar e zgjidhur. Drejtori Armand Mamani na tha, veç vlerësimeve të tjera, se me doktor Mitron mund të mirëkuptoheshe pa problem nëse hapësirat e mirëkuptimit ishin të përcaktuara qartë dhe mbi baza profesionale, ligjore edhe humane.
Do të mbetet në mendjen e gjirokastritëve kujtesa fenomenale e doktor Çuçit. Ai mbante mend lindjet e fëmijëve me datë, me orë, si ishte koha, me diell apo me shi, si kishte shkuar lindja etj…etj… Shokët tregojnë raste kur duke ecur në rrugë takonte rastësisht dikë, tashmë të rritur dhe i tregonte kur e si kishte ardhur në jetë… Kjo kujtesë e ndihmonte për të përvetësuar shpejt të rejat shkencore për t’i aplikuar ato në shërbimin ndaj pacientëve. E ndihmonte për të realizuar një planifikim real në ndjekjen në vazhdimësi, në bashkëpunim me kolegët dhe me korrektesë maksimale, të gjitha rastet problematike me pritshmëri të lartë rrezikshmërie në lindje…
Ndjenja e përgjegjësisë dhe e sakrificës ishte e shprehur qartë në personalitetin e tij. Tregojnë me dhjetra raste kur ai ngrysej e gdhihej me net të tëra në spital për të qenë në gatishmëri për raste emergjente. Net të tëra fjeti në pavijon ekipi i gatshëm me doktor Mitron në krye gjatë ditëve të vështira të Marsit të 1997-ës kur plumbat qorrë fluturonin pa adresë dhe rrezikonin këdo. Tregojnë si në përrallë për një rast kur doktor Mitroja, në pozitë të vështirë për shkak të mungesës së gjakut në sallë dhe në kushtet e rrezikimit ekstrem të jetës së gruas që pati hemorragji gjatë lindjes, me urgjencë dha gjakun e tij që për fat përputhej me grupin e gjakut të pacientes. A nuk të lind vetiu ndjenja e respektit dhe adhurim për këtë mjek – njeri që mbi gjithçka vlerësonte jetën e foshnjës dhe të nënës?
Ishte i guximshëm dhe vendimmarrës në momente të vështira. Një kolege dëshmitare okulare na tregoi me emocion rastin e suksesshëm të një operacioni të vështirë që realizoi doktor Mitroja në kushtet e fshatit, në Sopik të Pogonit për t’i shpëtuar jetën një nëne e cila rrezikohej për shkak të çarjes së placentës. M’u kujtua filmi i kinostudios “Shqipëria e Re” për një doktor që operoi djalin e Kryetarit të Këshillit me diagnozën “Ileus“ dhe mendova me vete: ”Ky hero i punës ka ekzistuar realisht në hapësirat shqiptare dhe shembulli i gjallë ishte doktor Mitroja”. Ç’duhet bërë më tepër sesa të presësh për 35 vjet pa ndërprerje me mijëra fëmijë në duart e tua, të shpëtosh me dhjetra jetë të rrezikuara pa asnjë rast vdekje që të quhesh “Hero”? Ai ishte një hero njerëzor i vërtetë që për fat të keq ne i vlerësojmë vetëm pasi i humbasim. E megjithatë duhet vlerësuar vendimi i Bashkisë së qytetit që e shpalli “Qytetar nderi i Gjirokastrës” dhe i komunës “Lunxhëria” që e shpalli “Nderi i Lunxhërisë”, pas vdekjes. Këto vlerësime tregojnë reagimin pozitiv të institucioneve përkatëse ndaj ndjeshmërisë së lartë të opinionit publik për ata që i shërbejnë me devotshmëri. Marrëdhëniet midis doktor Çuçit dhe Maternitetit morën karakter simbiotik. Në Gjirokastër kur përmendej Materniteti nënkuptohej doktor Çuçi dhe anasjelltas.
Doktor Mitro Çuçi ishte një aktivist i shquar shoqëror. Ai merrte pjesë dhe ndihmonte pa asnjë interes edhe financiarisht shoqatën atdhetare –kulturore “Lunxhëria” dhe gazetën e saj “Lunxhëria” në të cilën militoi që nga themelimi. E preokuponin shumë dhe e mërzisnin pa masë padrejtësitë që shihte herë pas here në mbarëvajtjen e shoqatës.
Mitro Çuçi ishte edhe një prind e bashkëshort shembullor. Preokupimi i tij konstant ishte për mirërritjen e mbarëvajtjen e jetës se dy vajzave të tij, Eneidës dhe Dorinës. Ju kushtonte kujdes të vazhdueshëm njerëzve të tij të afërt por ishte i kudondodhur për këdo që kishte nevojë ose kërkonte ndihmën e tij. Doktor Mitroja ishte edhe një mësimdhënës i talentuar. Ai jepte leksione si pedagog i jashtëm në kurset e infermierisë dhe iu transmetonte brezave të rinj eksperiencën e tij të çmuar.
I veçantë ishte pasioni i tij për këngën polifonike dhe vallet popullore të jugut. Ashtu si dikur në rini shpaloste talentin dhe forcën e tij djaloshare në ekipin e volejbollit “Studenti” edhe në vazhdimësi, pallati i sportit në Gjirokastër, palestrat, ushtrimet fizike, ecjet në natyrë dhe kënga e vallja …ah ! …vallja e bukur popullore ishin pjesë integrale e dashurive të tij. Kur niste gërneta ai humbiste në botën e tij dhe “harronte” hallet, dertet dhe brengat që për fat të keq jeta nuk ja kurseu… ”harronte“ lodhjen e ditës dhe fluturonte në krahët e valles e cila ndjehej shumë e vlerësuar nën këmbët e tij.
Pikërisht në një datë të shënuar, në 7 Mars 2014, gjatë festimit të ditës së mësuesit dhe të gruas, në prani të ekipit të maternitetit, gruas së tij, infermierëve dhe kolegëve, ai kërceu vallen e fundit… dhe iku nga kjo jetë në mes të valles. Trupi i tij lastar u rrëzua ngadalë, kurmi i lodhur u shtri si për t’u shlodhur përkohësisht, por shpirti i tij fluturoi në qiellin e vrenjtur të Marsit në prag të pranverës që po afronte. Na la të gjithëve ne familjarëve, miqve, shokëve, kolegëve, popullit që i shërbeu për 35 vjet me devotshmërinë e shërbëtorit të ndërgjegjshëm, një brengë të madhe e të pangushëlluar. …Dhe s’mund të ndodhte ndryshe …Iku në valle që ta kujtojmë përjetësisht në këngë e valle.

EH, I NDERUAR lLAMBI! e VERTETA ESHTE SE INDIVIDE TE TILLE JANE HERONJ DHE NDERI I SHOQERISE POR TASH 25 VJET KETA JANE ZEVENDESUAR ME HAJNAT, MASHTRUESIT, SPIUNET DHE BYTHEJASHTET. KY ESHTE MORALI I SHOQERISE SE SOTME. rESPEKT PER MJEKUN POR DHE PER AUTORIN E SHKRIMIT.
i paharrueshem qofte. dr.Mitro i ka uruar mireseardhjen ne jete gjysmes se gjirokastres te sotme dhe jo vetem.