1. Si Diogjeni
Do të dal në mes të ditës,
porsi Diogjen’ i hershëm,
do dal me qiri në dorë,
të gjej një njeri të ndershëm!
2. Të ligut-ose qymyrit!
O qymyr s’të bëj dot mik,
s’kam lindur për vetëmohim,
kur je i ndezur më djeg,
kur je i shuar më nxin!
3. Se më shajnë!
Se më shajnë aq më bën,
aq më bën e s’më prish punë,
se kur më kafshon një qën,
nuk mund ta kafshoj dhe unë!
4. Era e hudhrës!
A e dini ju-o njerëz,
një fjalë plot ëmbëlsirë,
erë e hudhrës e mbyt keq,
dhe parfumin më të mirë!
5. Pa titull
Të shikoj e bëj çudi,
pisllëku si s’të zë frymën,
më vjen keq të të pështy,
jo për ty-po për pështymën!
6. Ti s’meriton…
Nuk ka në Botë një manastir,
ku ti të shkosh e të rrëfehesh,
ti je i gjithi shkretëtirë,
nuk meriton as të urrehesh!
7. Të mirit
E hodhën në kosh të plehut,
t’i merrnin nderin të mirit,
po ai kosh i shëmtuar,
mori vlerën e floririt!
8. Pa titull
Në shtigjet e jetës kudo që të shkosh,
nëse do të paktën shpirtin ta shpëtosh,
dhe në mos besofsh Krisht e Perëndi,
gjej gjëkund një kishë dhe ndiz një qiri!
9. Fale prostitutën!
Fale prostitutën-zemrën e lënduar,
paqe edhe shpresë jepi ti asaj,
po mos e fal mbretin-mbretin e penduar,
që shkoi në thikë mijëra të pafaj!
10. Mos!
Para fukarait,
mos ha mish të pjekur,
atij që do paqe,
mos ja kthe me hekur!

Njera me kuptim plot se tjetra . Ju faleminderit