Dhjetë epigrame të zgjedhura dhe vargje të tjera

redaktor

Si Diogjeni

Do të dal në mes të ditës,
porsi Diogjeni i hershëm,
do dal me qiri në dorë,
të gjej një njeri të ndershëm!

Të ligut ose qymyrit

O qymyr s’të bëj dot mik,
s’kam lindur për vetëmohim,
kur je i ndezur-më djeg,
kur je i shuar-më nxin!

Era e hudhrës

A e dini ju-o njerëz,
një fjalë plot ëmbëlsirë:
“Erë e hudhrës e mbyt keq,
dhe parfumin më të mirë!”

Të mirit

E hodhën në kosh të plehut,
t’i merrnin nderin të mirit,
por ai kosh i shëmtuar,
mori vlerën e floririt!

Pa titull

Burrat shpikën zjarrin,
për të djegur furrat,
Zoti-gjinjtë e grave,
për të djegur burrat!

Pa titull

Këtë fjalë të artë-jete të vështirë,
s’e ka thënë aspak një gojë memece:
“Më mirë rro në shpellë me një egërsirë,
se sa në pallat me një grindavece!”

Pa titull

S’di sa kohë kaluam,
në krahë fantazirash,
një copë herë jetuam,
tek kjo Botë çudirash!

Vetëm një copë herë,
dhe asgjë më shumë,
gjithnjë vijnë të tjerë,
ndaj s’shteron ky lumë!

Pikëllimi!

Me sy e me fjalë,
mos e vrit të varfërin,
pikëllim’ i tij,
helmon edhe gjarpërin!

Mos

Atij që ka etje,
mos i kujto verën,
në dimrin e thellë,
mos kujto pranverën.

Para fukarait,
mos ha mish të pjekur,
atij që do paqe,
mos ja kthe me hekur!

Nga Bibla

Kur fëmija yt-që bën dritë si nur,
të kërkon ushqim-o njeri i varfër,
ti në vend të bukës nuk i jep një gur,
dhe në vend të mishit nuk i jep një gjarpër!

Epitaf për vete

Të gjitha kurrë s’mund të thuhen,
në pllakë të varrit për njerinë,
ndaj unë kam lënë që të më shkruhen:
“Jetoi dhe vdiq për Dashurinë!”

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *