ZGJEDHJET SHBA: Sa amerikanë po votojnë krahasuar me 2016, sa po ndikon COVID në pjesëmarrje dhe në numërim, kur pritet të shpallet zyrtarisht fituesi

redaktor

Me përfundimin e një fushate të lodhshme dhe e ashpër presidenciale me dhjetëra miliona votues u janë drejtuar qendrave të votimit në të gjithë vendin për të vendosur nëse për katër vitet e ardhshme do të mbajnë në detyrë Presidentin republikan Donald Trump apo do të zgjedhin rivalin e tij demokrat ish-Nënpresidentin Joe Biden.

Qendrat e votimit janë hapur në pjesën më të madhe të Shteteve të Bashkuara. Në atë që historikisht është qendra e parë e votimit që hapet pas mesnate në ShBA, zoti Biden rezulton se ka fituar të pesë votat në qytetin e vogël Dixville Notch, në Nju Hepshër, ndërsa zotit Trump ka fituar 16 me 5 në qytetin tjetër Millsfield po të Nju Hepshërit.

Mes pandemisë së pakontrolluar të koronavirusit, më shumë se 100 milionë amerikanë kanë hedhur votat në procesin e hershëm zgjedhor ose më shumë se dy të tretat e gjithë votave (rreth 139 milionë) të hedhura në zgjedhjet 2016.

Zgjedhjet presidenciale vijnë pas një fushate të ashpër e luftarake. Dy kandidatët për president Trump e Biden kanë hedhur në drejtim të njëri-tjetrit provokime nxitëse duke akuzuar rivalin si të papërshtatshëm për të udhëhequr vendin dhe se do ta çonte atë drejt shkatërrimit.

Gjatë fundjavës, tensionet u rritën ndërsa mijëra mbështetës të fushatës se zotit Trump u mblodhën dhe demonstruan në mënyrë agresive në të gjithë vendin.

Në një nga rastet, një karvan automjetesh që mbanin flamuj me emrin e zotit Trump, detyroi një autobus të fushatës së zotit Biden gati të dilte nga autostrada në Teksas. Po kështu pati bllokim të trafikut në autostradën e Nju Xhersit.

Zyrtarët amerikanë shprehin besim tek siguria e zgjedhjeve

Sekretari në detyrë i Departamentit të Sigurisë Kombëtare Chad Wolf tha disa orë pas hapjes së qendrave të votimit se “nuk kemi të dhëna që ndonjë vend i huaj të ketë patur sukses në manipulimin ose ndryshimin e votave që janë hedhur”.

“Infrastruktura zgjedhore është e fortë”, tha zoti Wolf, duke shtuar se “gjithsesi ne jemi në gadishmëri të lartë”.

Zyrtarët amerikanë kishin thënë ditët e fundit se ishin në dijeni të të paktën dy përpjekjeve për të hyrë në sistemet zgjedhore gjatë javëve të fundit, një nga Irani dhe një nga Rusia.

Kush e shpall fituesin e zgjedhjeve?

Shumë besojnë se fituesi i zgjedhjeve në ShBA përcaktohet kur shtypi shpall emrin dhe kur kandidati tjetër shpall humbjen. Por realiteti është ndryshe.

Shpallja zyrtare e fituesit është një proces disa mujor që nuk përfundon deri në janar.

Ditën e votimit, zgjidhen anëtarët e Kolegjit Elektoral, në dhjetor ata takohen dhe votojnë për presidentin dhe në janar, Kongresi certifikon rezultatin. Kjo ësht një formulë kompromisi e themeluesve të republikës, të cilët në atë kohë, nuk kishin besim tek votuesit për të zgjedhur një president të përshtatshëm.

Covid-19 komplikon procesin e numërimit

Këtë vit numërimi i fletë-votimeve do të kërkojë kohë për shkak të pandemisë dhe numrit të madh të votave të dërguara me postë.

Pasi të përfundojë numërimi në të 50 shtetet, çdo guvernator harton listën e “elektorëve” (anëtarëve të Kolegjit Elektoral për shtetin e vet). Kopja e listës i dërgohet drejtorit të Arkivave Kombëtare. Anëtarët e Kolegjit Elektoral të çdo shteti, mblidhen në kryeqytetin e shtetit të tyre, për të votuar për presidentin.

Kjo ndodh në dhjetor, të hënën, menjëherë pas të mërkurës së dytë të muajit. Këtë vit data është 14 dhjetor.

n.s. / dita

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *