Eksportet në muajin dhjetor të vitit të shkuar ranë plot me 7.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Instituti i Statistikave publikoi sot të dhënat për tregtinë me jashtë të vendit tonë gjatë muajit të shkuar, duke theksuar se eksportet kapën një vlerë prej 18 miliardë lekësh. Sipas INSTAT, eksportet u ulën me 8.5 krahasuar me muajin nëntor.
Hendeku midis eksporteve dhe importit është i madh. Kështu, në muajin dhjetor, importet kapën vlerën e 53 miliardë lekëve, duke u ulur gjithsesi me 2.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2014.
Importet ranë edhe krahasuar me muajin nëntor. Deficiti tregtar i këtij muaji është 35 mld lekë, duke u rritur me 0,9 % krahasuar me Dhjetor 2014 dhe 18,9 % në krahasim me Nëntor 2015.
Ndikim kryesor në uljen e eksportit janë lëndët djegëse përfshirë edhe energjinë elektrike, ku rënia ka qenë me -9,8 pikë përqindje. Rënie pati edhe në fushën e ndërtimit, pajisjen e makinerive, etj.
Ndikim pozitiv kanë pasur industritë fasone si dhe pijet dhe duhani. /Dita/
Raporti i plotë: këtu