“Tuk Jakova dinte gjithçka për veprimtarinë armiqësore të Kadriut. Gjatë kohës që Tuku ishte në qeli, e kishin kërcënuar që të mos hapte gojë. Ditën që do të dilte, e helmuan me injeksion, Vdiq në tualet”
(Vijon nga numri i kaluar)
Në 25 gusht të vitit 1983, në seancën e 17-të të gjyqit kundër Kadri Hazbiut, radha e dëshmisë për ‘Veprimtarinë armiqësore nëpërmjet spiunazhit në funksion të agjenturave të huaja’, është për Dhora Lekën. Në dëshminë e saj, Dhora Leka, e dënuar në vitin 1957 me 7 vite burg për ‘Veprimtari agjenturore në shërbim të UDB-së’, akuzon Kadri Hazbiun për eliminimin e Tuk Jakovës. “Kadri Hazbiu, nëpërmjet njerëzve të tij, e eliminoi me injeksion Tuk Jakovën, ditën që ai do të dilte nga spitali i burgut. Eliminimin e Tukut e bënë pasi ai dinte gjithçka për veprimtarinë armiqësore të grupit të vënë në shërbim të agjenturave të huaja”- denoncoi Leka në këtë seancë…
Seanca e 17-të.
Kryetari(Aranit Çela):- Dhora Leka, mbiemri….
Dhora Leka:- Leka. Emri i babait, Andrea, Emri i nënës, Anastasi, datëlindja 1922, e përjashtuar nga Partia…
Kryetari:- Je dënuar ndonjëherë?
Dhora:- Po, jam dënuar në vitin 1957 për veprimtari agjenturore në bashkëpunim me Svetozar Kokiçin, sekretar i parë i ambasadës jugosllave në Tiranë….
Kryetari:– Të kemi thirrur këtu si dëshmitare lidhur me çështjen që po gjykojmë, lidhur me të pandehurit Mihallaq Ziçishti, Ali Çeno, Xhavit Ismailaga, Llambi Peçini, Gani Kodra, Feçor Shehu dhe Kadri Hazbiu. I njeh këta?
Dhora:- Po, një pjesë i njoh, një pjesë nuk i njoh. Njoh Kadri Hazbiun, Feçor Shehun, Llambi Ziçishtin… Nuk njoh(po e kam dëgjuar) Llambi Peçinin. Nuk njoh Xhavit Ismailagën, Gani Kodrën e Ali Çenon…
Kryetari:– Me këta që njeh, ke lidhje fisnore, gjinie apo ndonjë marrëveshje? Ndonjë konflikt ke pasur?
Dhora:- Jo, jo.
Kryetari:– Gjykata të ka thirrur këtu si dëshmitar për të dëshmuar për fakte që ti i di lidhur me çështjen që po gjykohet tani. Kërkohet që të thuash të vërtetën. Çdo e rreme dënohet në bazë të nenit 202 të Kodit Penal. E ke të qartë ti këtë?
Dhora:- E kam.
Kryetari:– Pra, të kemi thirrur konkretisht për dy probleme: E para, të kemi thirrur lidhur me një bisedë që ke zhvilluar ti me Kadri Hazbinë e Llambi Ziçishtin … Siç thua ti, rreth një bisede që ke bërë pastaj me Svetozar Kokiçin. E dyta, nëse ke zhvilluar ndonjë…, dhe nëse të është thënë, siç pretendon ti, domethënë të është dhënë ndonjë porosi pasi kanë ikur këta, që janë ndarë nga hetuesia.
Dhora Leka:- Po kam. Për atë bisedën që unë kam pasur me Svetozar Kokiçin, unë, hollësisht e kam thënë gjatë procesit hetimor. Kam pasur shumë probleme. Por për atë problem për të cilin bisedova unë, ishte ajo që Zvetozari më pyeti se si i shihte Tuk Jakova masat që kishte marrë Partia ndaj tij. Unë i thashë që Tuku ishte plotësisht i bindur që masat që ishin marrë ndaj tij, ishin rezultat i një lufte të gjatë që kishte bërë Mehmet Shehu për pushtet. Kurse Svetoja ma preu shkurt që s’është Mehmet Shehu ai që ka spostuar dhe ka marrë masa ndaj Tuk Jakovës, por Sekretari i Parë i Partisë, Enver Hoxha. Unë këtë ua kam thënë atyre 27 vjet më përpara.
Kryetari:– Tjetër të tha gjë Svetozari ty, të ka thënë gjë për Kadri Hazbinë? E ke thënë në hetuesi, unë atje e kam lexuar. Është e vërtetë kjo? Si të ka thënë?
Dhora leka:- Po. Po, ishte pikërisht kështu. Ka qenë një pritje në ambasadën jugosllave, më mori për të kërcyer….
Kryetari:– Në ç’kohë ka qenë kjo?
Dhora:- Mund të ketë qenë mars-prill i vitit 1956, para Konferencës së Tiranës. Se unë jam njohur në fakt me të në dhjetor të vitit 1955, dhe deri në maj të vitit 1956, i kam këputur lidhjet. Gjatë kërcimit, ai më ka thënë se çfarë opinioni kisha unë për Kadri Hazbiun. Unë i thashë si e njihja unë, se ai(Kadriu) është i rreptë. Ai më tha mua: Jo, Kadriu është njeri i mirë, inteligjent! Unë, kur më tha kështu, u pengova pak se mendova se më kishte thënë një herë kur ai kishte qenë këshilltar në Ministrinë e Brendshme, përpara vitit 1948, po kështu për Kadrinë… Dhe për njëherësh më shkoi mendja se kushedi, Svetkoja bënte punë dhe me këtë(Kadrinë) dhe mos më bënte ndonjë denoncim. Ai e pa këtë, pra qëndrimin tim, dhe më tha: Jo, bëra shaka unë! Unë gjatë hetuesisë që kam pasur, se në fillim Kadriu me Mihallaqin më kanë marrë në pyetje, u kam thënë për këtë bisedë që bëri ai. Dhe ai, Kadriu më tha: Le ta provonte një herë! Kështu ka qenë kjo bisedë…
Kryetari:– Po, të la ty ndonjë porosi pasi u larguan këta nga ty, lidhur me këto që u ke thënë?
Dhora:- Unë kam thënë shumë gjëra atje. Por më është dhënë porosia që, dhe sidomos me porosi të veçantë kur ka mbaruar procesi hetimor, më është thënë pra që me asnjë njeri dhe në asnjë rrethanë, të mos thosha çfarë kam biseduar. Këtë ma kanë thënë personalisht ata vetë, por në veçanti më kanë dërguar dhe Nevzat Haznedarin…
Kryetari:- Po këta, të kanë bërë porosi vetë personalisht ty, pa s’di unë kush e çfarë të ka bërë Nevzati?
Dhora:- Nevzati më ka bërë në emër të këtyre….
Kryetari:– Po këta vetë kur kanë qenë, të kanë bërë këtë porosi?
Dhora:- Po më kanë bërë.
Kryetari:– Mirë, keni ndonjë pyetje? S’keni. Ke ndonjë gjë ti Mihallaq Ziçishti, ti Xhavit Ismailaga, ti Ali Çeno, ti Llambi Peçini, ti Feçor Shehu, ti Gani Kodra? Kadri Hazbiu, ke gjë lidhur me këtë?
Kadri Hazbiu:- Ato që kam pasur, i kam thënë.
Dhora Leka:- Jo, unë kam një gjë tjetër për të thënë. Dua të pyetet Kadri Hazbiu me ç’urdhër e ka helmuar Tuk jakovën. Nesër mbushen 24 vjet plot, më 26 gusht të vitit 1959, Tuk Jakova është helmuar?
Kryetari:– Di ndonjë gjë për këtë Kadri Hazbiu? Tuk Jakova është helmuar?
Kadriu:- Jo unë nuk di. Ajo,(Dhora Leka), nëse ka prova, le t’i verë në dispozicion të gjykatës.
Kryetari:- Nga e more vesh ti këtë?
Dhora Leka:- Unë këtë lajm!? Ai, Kadriu, të mos harrojë që Tuku në spitalin e burgut, atje në pavionin e burgut, nuk ka qenë vetëm, edhe kur qe gjallë, edhe kur qe i vdekur. Si sot 24 vjet më parë, Tukut i ishin bërë dokumentet për të dalë nga spitali. Unë, pavarësisht nga fajet që ka bërë Tuku, ka dhënë llogari aty e ka marr dënimin e merituar, por kokën s’mund ta merrte ai, ja merrte Partia. Si sot, 25 gusht ka qenë, ai ishte në gjendje të mirë dhe iu bënë dokumentet për të dalë nga spitali. Më 26 në mëngjes, Tukut i është bërë një gjilpërë dhe është gjetur pa ndjenja në nevojtore. Është përmendur vetëm në darkë. Personi që ka qenë brenda me të në fund kur ai është përmendur e ka pyetur mos kishte ndonjë porosi. Ai vetëm tha që të më rriten fëmijët si dua unë! Dhe ka vdekur. Dhe e kanë marrë dhe e kanë varrosur…
Kryetari:– Kush ta tha këtë?
Dhora:- Këtë ja ka thënë personi që ka qenë në dhomë, Gjovalin Lukës, e para. Burim tjetër është Filip Jakova. Filipi i ka vajtur në zyrë. I ka hapur portën një oficer dhe i ka vënë shpatullat portës dhe i ka thë: Ju jeni Filip Jakova? –Po- i tha Filipi. – Në besën tënde, atë që po të them, më kushton jetën. Po unë nuk mund të hesht. I është bërë një gjilpërë në mëngjes dhe e kanë helmuar. S’mund të hesht – i ka thënë ai. Unë(Dhora) e kam të qartë këtë, pasi për këtë është njoftuar, i është thënë dhe shokut Enver në shtëpinë e Partisë, pra për vdekjen e Tukut. Tani do të thoni ju se ku e mora vesh unë dhe këtë. I kanë thënë Enverit në shtëpinë e Partisë, ku midis të tjerëve ka qenë Maqo Çomo. Maqo Çomo qe internuar, izoluar në Zvërnec, ku ka qenë dhe Filipi. Maqo i ka thënë se kur i kanë thënë shokut Enver për mbarimin e Tukut, ai ka thënë tekstualisht:’Më vjen keq, shumë keq që mbaroi kështu. Do na akuzojnë se e kemi helmuar!’.
Kryetari:- Kush ta tha këtë?
Dhora:- Mua ma ka thënë Maqo, ja ka thënë Filipi. Dhe mua Filipi m’i ka thënë këto një natë përpara se të vdiste. Më tha: Dhora, unë kam një amanet dhe ja ku po ta ashtu, po ta besoj ty…
Kryetari:- Mund të largohesh. Sol, mbiemrin si e ke?
Sol Sylaj:- Sylaj. Emri i babait Sokol, i nënës Xhemile, datëlindja 1916, nuk jam anëtar i partisë, jam dënuar me 10 vjet burg në vitin 1952….
Kryetari:- Të kemi thirrur të na thuash këtu lidhur me dëshmitë që ke bërë në hetuesi, lidhur me informatat që ke dhënë, bisedat që ke bërë me Sheh Ganjollën dhe Diviçin…. Dhe e dyta, të na thuash çfarë porosie të ka dhënë Zvetua ty, a të fala për Kadriun e këta që janë këtu…?
Sol Sylaj:- Në atë kohë Bajram Hoxha ishte takuar me bandën jugosllave dhe më thotë kështu e kështu… Kështu unë shkova dhe i thashë kryetarit të degës se kështu kanë dalë dhe kërkojnë takim filan datë në shtëpi me ata diversantët. Kryetari i degës më tha që ‘unë po njoftoj Ministrinë e Brendshme, Kadri Hazbiun’… Bëhet kjo… Unë shkoj i takoj ata pasi u morëm vesh me Kadri Hazbiun, e u thashë që morëm urdhër me shkrim nga Kadri Hazbiu e se takimi do bëhet atje në Jugosllavi. Në atë kohë, atëherë kështu u bë. Më dërguan mua bashkë me Bajram Hoxhën, shkuam atje, u pamë me ata të UDB-së.
Kryetari:- Ku shkuat, në ç’vend?
Sol Sylaj:- Në Patok e në Gjakovë.
Kryetari:- Me cilët u takuat?
Sol Sylaj:- Me Tedomelloviçin, me She Ganjollën dhe Can Malajn, që është diversant. Në këtë kohë, Shehi më së pari më tha mua ‘më tradhtuan ata shokët e ministrisë, kryesisht Kadri Hazbiu, domethënë ata më zbuluan, më çuan në dorë të UDB-së’…
Kryetari:- She Ganjolla të tha. Po pse e çuan, çfarë bënë këta, Kadri Hazbiu, e këta që thua ti?
Sol Sylaj:- Në këtë kohë unë dola dhe desha të bëja takim me këta, erdha në Tiranë dy herë…
Prokurori(Rrapi Mino):- Para se të ktheheshe, përveç She Ganjollës, kë takove tjetër?
Sol Sylaj:- Takova Tedomelloviçin.
Kryetari:- Tedomelloviçi të tha gjë?
Sol Sylaj:- Në rastin e parë jo. Në rastin e dytë më porositi personalisht e më tha: Këto bisedat tona, kur të shkosh atje, mos ua thuaj shokëve të degës. Kur të shkosh në Tiranë t’i thuash vetë Kadri Hazbiut që të bën të fala Tedomelloviçi. Në Tiranë unë nuk munda ta takoj radhën e parë. Të dytën, ja thashë Kopi Nikos që kishte ngarkuar Kadriu… Pra, dhe kështu, unë erdha dy raste në Tiranë. Po kur shkova në ministri, nuk më takonte Kadriu, s’donte të më takonte. Hajt, shkova dhe një herë e i thashë Kopi Nikos që dua ta takoj. Por se takoja dot… Tani, nuk më durohej mua me i mbajt këto gjëra në bark. Dhe mendova një herë që t’ia them këtij, Nikos e ky të shkojë t’ia thotë Kadriut. Se mbase, thashë, ka pas ndonjë shërbim ai ashtu e nuk është…. Thashë një herë t’ia them kryetarit të degës, por e pashë se s’bëhej…. E kuptova vetë, kështu nga truri im, se këtu ka hile të madhe, domethënë ka shumë hile… Tani, erdhi në Tiranë ky Kopi. Më thotë mua: U kthyem. Po ti mos ja thuaj ato gjërat as njeriu në Shqipëri, përveç Kadri Hazbiut. Pas këtyre sorollatjeve, unë erdha përsëri në Tiranë e më thanë se kështu si vajti kjo punë, ti jepja edhe cilit do oficeri që të dërgojnë në takim ata(Kadriu). Kështu bëra. Erdha në Tiranë, u solla nja dy ditë vërdallë, më çuan në një shtëpi. Aty, në këtë shtëpi(bazë e Sigurimit) erdhi një oficer dhe më takoi e më tha: Këtu më ka dërguar Kadri Hazbiu për të marrë në pyetje, domethënë, për ato të UDB-së. Dhe në atë kohë më arrestuan, kurse unë ja kisha treguar porositë Kopi Nikos hollësisht…
Kryetari:- Kur ke biseduar ti pas kësaj çështje?
Sol Sylaj:- Kam biseduar kur e hoqa frikën.
Prokurori:- Kur të kanë gjykuar, e the problemin e këtij ti, Kadriut?
Sol Sylaj:- Jo nuk e kam thënë se më zhduknin këta. Se më kishin dhënë porosi kryetari i degës e Kopi Nikua, të gjithë më kishin thënë se ‘po the ndonjë gjë, ne do të zhdukim’.
Kryetari:- Ke ndonjë pyetje ti Xhavit Ismailaga, s’ke! Mihallaq Ziçishti, ke? Nuk ke. Ke ti Llambi Peçini? Jo, nuk ke. Gani Kodra ka pyetje? Jo, nuk ke. Feçori ka pyetje? Jo, nuk ka. I pandehur Kadri Hazbiu…?
Kadri Hazbiu:- As e njoh, as që kam pyetje.
Sol Sylaj:- Më njeh mirë që në vitin 1949, kur kam zbuluar atë grupin….
Kryetari:- Mirë. Mund të largohesh.
(Vijon nesër)
Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi
SOM 1
“Unë kam thënë shumë gjëra atje në hetuesi. Unë Dhora Leka e di se çfarë kam kaluar. Por më është dhënë porosia që, dhe sidomos me porosi të veçantë kur ka mbaruar procesi hetimor, më është thënë pra, që me asnjë njeri dhe në asnjë rrethanë, të mos thosha çfarë kam biseduar me Svetozarin e të tjerë. Këtë ma kanë thënë personalisht ata vetë, Kadri Hazbiu e Mihallaqi, por në veçanti më kanë dërguar dhe Nevzat Haznedarin disa herë… E nëse unë do të flisja për këtë, ata, siç më kishin paralajmëruar disa herë, do të më asgjësonin”
SOM 2
“Unë Dhora Leka e kam të qartë këtë, si e helmoi me injeksion Kadriu Tuk Jakovën. Për këtë është njoftuar, i është thënë dhe shokut Enver në shtëpinë e Partisë, pra për vdekjen e Tukut. Tani do të thoni ju se ku e mora vesh unë dhe këtë. I kanë thënë Enverit në shtëpinë e Partisë, ku midis të tjerëve ka qenë Maqo Çomo. Maqo Çomo qe internuar, izoluar në Zvërnec, ku ka qenë dhe Filipi. Maqo i ka thënë se kur i kanë thënë shokut Enver për mbarimin e Tukut, ai ka thënë tekstualisht:’Më vjen keq, shumë keq që mbaroi kështu. Do na akuzojnë se e kemi helmuar!’. Kështu është”
NESËR DO TË LEXONI:
-Dëshmia e Telat Agollit: Takimi im me Feçor Shehun, propozimi për të punuar për Sigurimin e Shtetit dhe nisja ime e shpejtë në Jugosllavi.
-Si më arrestuan në qershor të vitit 1976 gjatë një turneu në Sarandë, më lidhën këmbë e duar dhe më akuzuan për veprimtari armiqësore.
-Telat Agolli: Ja pse Kadri Hazbiu është njeri i fëlliqur dhe armik i Partisë dhe i popullit.
historia e shtetit shqiptare, eshte e mbushur me vrasje te tipit mafioz ne kto 100 vjet, lufte vellavrasese, percarje e popullit kundervenje e njemij pislleqe kjo tregon mesemiri vitytet tona primitive , ku bota na trgon me gisht edhe sot me 2013, nuk na ka borxh fqinjet ja kemi vetes
Hstoria njerezore e vendeve te civilizuara eshte edhe me e tmershme se e shqipetareve ,por ne BOTA perendimore na trajton deri me sot sikur ne ishim krijusit ideologe te marksizmit e leeninizmit nga njera ane dhe te fashizmit e nazizmit nga ana tjeter dhe te dyja keto me te pa te drejte .se fatin e popujve te vegjel e kane patur gjithmone superfuqite e dy sistemeve te fundit dhe na ka futur ne nje qorrsokakk ne si popull te percare sot me shume kurre ne historine tone dhe pa qene aspak fajtore ndaj asnje shteti dhe populli tjeter ,gje qe coje ne shuarjen tone sic ka ndodhur edhe me popuj mete medhenj se ne.
E berisha me ka ardhur keq ses mori me shume vota edi rama