Gjatë tre ditëve të fundit policia në qarkun e Korçës ka paraqitur pranë gjykatave dhjetë kërkesa për urdhër mbrojtjeje për persona të dhunuar brenda familjes. Statistikat e policisë bëjnë të ditur se gjatë 7 mujorit janë evidentuar 150 raste të dhunës në familje, ndërkohë që në 7 mujorin e parë të vitit të kaluar kemi pasur 98 të tilla. Për këtë uniformat blu kanë arrestuar 38 persona si dhunues fizikë e psikologjikë të familjarëve të tyre.
“Është rritur ndërgjegjësimi i grave për të mos e pranuar dhunën e për ta denoncuar atë. Nga vlerësimi që ne u kemi bërë këtyre zonjave ka rezultuar se dhuna e ushtruar nuk ka ekzistuar sot, por ajo ka ekzistuar për një periudhë më të gjatë kohe, një dhunë shumëvjecare e cila sot nuk po pranohet. Në 106 raste strukturat e policisë kanë plotësuar kërkesat paditë për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes në gjykata. Gjykata ka miratuar 60 prej tyre”- thotë shefi i sektorit të luftës kundër dhunës, Arben Vako.
Në shumicën e rasteve janë bashkëshortet, vajzat dhe nënat që bien pre e dhunës në familje por nuk kanë munguar dhe rastet kur burrat janë dhunar nga bashkëshortet e tyre. Në raste ekstreme policia e Korçës ka ndërhyrë në moment dhe në tre raste ka shmangur edhe tragjeditë brenda familjes.
