Krahas tryezës së mbajtur nga Partia Socialiste për dhunën në familje, edhe LSI-ja ka zhvilluar në të njëjtën kohë një tryezë me të njëjtën temë. Gjatë diskutimeve në tryezën me temë “Për një shoqëri aktive” , kreu i LSI-së, Ilir Meta, tha se për parandalimin e këtij fenomeni duhen bërë disa ndërhyrje në Kodin Penal dhe atë të Familjes. Meta shtoi se duhet rishikuar edhe qëndrimi ndaj lojërave të fatit, varësia ndaj të cilave gjeneron dhunë dhe varfëri në familje.
“U tha me të drejtë që një pjesë e dhunës në familje vjen nga varfëria apo nga divorci, por është edhe një problem tjetër dhe kjo është hapja e kazinove dhe lojërave të fatit. Kjo është një epidemi masive e cila bën që shumë persona të humbasin të ardhurat e tyre dhe një pjesë e këtyre shqetësimeve është nga këto përplasje në familje. Ky është një fenomen që duhet të menaxhohet duke u kufizuar. Viti 2013 është shpallur si viti i luftës kundër dhunës në familje. Duhet të bëhet më shumë në drejtim të sensibilizimit në instancat më të larta dhe në hartimin e një pakete ligjore. Gjithashtu jam dakord për reformimin e kodit të familjes dhe kodit penal. Këto do të rrisin mundësitë për të parandaluar një dhunë në rritje në familje”, tha Meta.
Leave a comment