Aleanca Kuqezi ka denoncuar sot dhunën e ushtruar mbi disa të rinj shqiptarë nga policia e Malit të Zi. Sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë në AK, Lisen Bashkurti, u shpreh se katër nxënës nga Ulqini janë keqtrajtuar nga policia e shtetit fqinj, gjatë festimeve të 28 Nëntorit.
“Më 28 Nëntor, kur të gjithë shqiptarët kudo që janë festonin 100-vjetorin e pavarësisë, komisariati i policisë së Ulqinit në Mal të Zi ka keqtrajtuar të rinjtë shqiptarë: Egzon Çela, Elmedin Velia, Armend Dushku dhe Albion Duraku, nxënës të shkollës “Bashkim-Vëllazërim” të qytetit shqiptar. Shkak i keqtrajtimit të ushtruar mbi të rinjtë në komisariatin e Ulqinit është bërë fakti se ata kanë mbajtur flamurin shqiptar, janë veshur kuq e zi dhe kanë kënduar këngën “Xhamadani vija-vija”, tha Bashkurti.
Ai theksoi se ky veprimi i policisë malazeze përbën shkelje flagrante të Kartës Europian të të Drejtave të Njeriut dhe Konventës Europiane për të Drejtat e Komuniteteve Pakicë, të dyja konventa të ratifikuara nga Mali i Zi.
Bashkurti i kërkoi qeverisë shqiptare, presidentit dhe Ministrisë së Jashtme të heqin dorë nga retorikat false dhe deklaratat për marketing politik dhe të ndërmarrin veprime institucionale në mbrojtje të shqiptarëve kudo që ndodhen në përputhje me nenin 8 të kushtetutës së Shqipërisë.