Tashmë dhuna në shkolla nuk përbën më lajm. Nëse vazhdojmë më këtë ritëm, as vrasjet në shkolla nuk do të përbëjnë më lajm. Me to do të bashkëjetojmë pa e kuptuar dhe ka të ngjarë të pendohemi për këtë bashkëjetesë kur të jetë tepër vonë.
Demokratizimi i dhunës
Ç’ka ndodhur dhe ç’po ndodh në fakt me shkollën? Janë bërë nxënësit më të dhunshëm? Besoj se jo. Ata janë më shumë pasoja e një shoqërie te dhunshme, jo shkaku. Është bërë mjedisi social më dhunëndjellës? Mjedisin nuk e krijojnë vetëm fëmijët dhe shkolla, por shoqëria dhe institucionet e saj. Janë prindët më të shkujdesur? Po prindër jemi të gjithë dhe duhet t’i njohim arsyet e shkujdesjes sonë. Shoqëria është bërë më e varfër? Shifrat tregojnë se ne jemi të varfër, por jo më të varfër se 15-20 vjet më parë, në fillimet e tranzicionit. Arsyeja qëndron tek konstantimi se shoqëria në teresi është bërë më pak solidare e gjithnje e më shumë e dhunshme. Një sindrom tipik për vendet në zhvillim, që kane vuajtur nga tranzicionet bizare. Ajo çka ndodh në Shqipëri është se dhuna po kalon nga ekranet te adoleshentët. Duke u mbështetur në dukurinë e ashtuquajtur universalizim i shkopit. Një version i demokratizimit të dhunës, të cilin Fareed Zakaria e quan karakteristikë të tmerrshme të botës së sotme. Por në Shqipëri demokratizimi i dhunës ka ecur më shpejt sesa demokratizimi i institucioneve. Kjo qështë çështja.
Universalizimi i “shkopit”
Ish diktatori Sovietik, Jozef Stalin mbante një shkop të vogël në tryezën e tij të punës. Këtë kuriozitet ma ka rrëfyer kolegu im Sergei Hrushov, djali i Nikita Hrushovit, ish Sekretar i Parë i Bashkimit Sovjetik. Sergei, me të cilin ndanim interesa të përbashkëta studimore si Senior Fellows në Universitetin Brown, ishte larguar nga Moska herët për tu ushtruar në rolin e një shkencëtari politik në SHBA. Mund të interpretohet në shumë mënyra kjo pandehmë e tij mbi diktatorin. Por një interpretim është në çdo rast realist: shkopi në tryezë simbolizonte dhunën shtetërore. Ky simbol është rrënjosur në kujtesën kolektive të të gjithë popujve që kanë jetuar nën diktatura. “Shkopi” nuk është, megjithatë, një simbol dhe parim komunist. “Shkopi” është, në fakt, më i vjetër se Stalini. Ky symbol nuk është i panjohur as për ne, shqiptarët. Ndonëse me disa forma specifike dhe trajtat fizike, të, për shëmbull, shkopinjve të gomës, ne jemi njohur relativisht vonë. Ata u shfaqën në duart e policëve kur filluan plasaritjet e regjimit diktatorial. Gjatë manifestimeve të dhjetorit shkopinjtë e gomës ndrisnin ftohtë, si një diell dimëror, mbi fytyrat e qytetarëve. Ata qëndronin si një kërcënim për ta. Por me kalimin e kohës, “shkopi” u demokratizua. Tani “shkop” nuk ka më vetëm polici. “Shkop” ka në dorë mësuesi. “Shkop” ka në në dorë zyrtari. “Shkop” ka në dorë mjeku. “Shkop” kanë në dorë edhe nxënësi, qytetari e pacienti. Gjithkush ka në dorë “shkopin” e vet. Tashmë të gjithë adoleshentët ndodhen në trysninë e “shkopit”. Internet-kafetë janë në çdo orë të ditës plot e përplot. Mjaft prej frekuentuesve të tyre nuk lundrojnë në internet për të zbuluar të fshehtat e shkencës, as për të postuar detyrat shkollore. Shumica ushtrohen nëpër lojra të dhunshme, ku përzihen shkopinj, armë, vrasje, kurthe, intriga dhe pabesira inteligjente. “Shkop” kanë edhe ekranet.
Ekranet, si lyrical gangster
Ekranet shqiptare sillen në mjaft raste në mënyra që nuk u shërbejne aspak modeleve të komunikimit civil. Përkundrazi, shpesh provokojnë dhunë, si në substancë, ashtu edhe në stil. Prandaj media, sidomos televizioni për shkak të ndjekshmërise së tij masive, duhet të ndjejë një përgjegjësi më të thellë se të gjitha agjensitë e tjera të shoqërisë në sajdisjen e kulturës së dhunës. I referohem atyre llogoreve televizive, ku debatuesit i hakërrehen njeri-tjetrit me zhargon të dhunshëm, si në filmat e Tarantinos. Kjo është shumë e rrezikshme për një shoqëri. Sepse, në këtë mënyrë, kultura e dhunës zbret nga ekranet ne jetën reale. Viktimat e kësaj loje, adoleshentët, imitojnë në rutinën e tyre të përditshme parimet e agresivitetit që dëgjojnë mbrëmjeve nëpër TV. E gjithë kjo shndërrohet në një lojë, në një teatër shoqëror, i cili jo rastësisht shpie në ngjarje tragjike. Sot, në moshën e adoleshencës, kjo ndodh për arsye dhe në mënyrë emocionale. Nesër, kur adoleshentët do të jenë të rritur, do të ndodhë për arsye dhe në mënyrë (i)racionale. Dhuna e adoleshëntëve të sotëm pritet të bëhet dhuna e të rriturve të nesërm. Pastaj mund të shndërrohet natyrshëm në dhunë të institucioneve, të shtetit. Prandaj, moderator dhe njerëz të ekranit, mjaft pozuat si “lyrical gangster”. Inspiroini të rinjtë ndryshe, nëpërmjet kulturës dhe tolerancës.
Karikatura shoqëruese nga Medi Belortaja
