Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në kryeqytet ku dy motra binjake dhe i dashuri i njërës prej tyre janë bërë protagonistë të një sherri dhe konflikti që ka sjellë për pasojë plagosjen e këtij të fundit.
Burime të Policisë së Tiranës bëjnë me dije për BalkanWeb K.Kuleli 30 vjeç për shkak të xhelozisë dhe mosmarrëveshjeve të krijuara sëfundmi me të dashurën e tij S.Buzuko 22-vjeçare, mesnatën e së shtunës ka shkuar në shtëpinë e të dashurës së tij dhe ka shpërthyer me forcë derën kryesore dhe më pas ka goditur me grushta 22-vjeçaren e cila ndodhej në shtratin e saj.
Duke parë sulmin e vazhdueshme fizik ndaj motrës dhe për t’iu gjendur në ndihmë asaj, binjakja A.Buzuko ka marrë thikën e bukës që ndodhej në tavolinën e ngrënies dhe e ka goditur 30 vjeçarin në shpinë. Pas mjekimit në spitalin ushtarak, K.Kuleli ndodhet jashtë rrezikut për jetën ndërsa policia ka proceduar penalisht në gjendje të lirë të dy palët. 30-vjecarin nga Dibra për dhunim banese dhe plagosje ndërsa motrën binjake të së lënduarës për akuzën e plagosjes së lehtë me dashje.