Java e fundit e fazës së dytë ka dhuruar rezultate surprizë por edhe rokadë në renditje.
Në stadiumin Flamurtari, vlonjatët e mbyllin një vit të vështirë në mënyrën më të mirë të mundshme, pasi marrin 3 pikë ndaj kampionëve në fuqi, në një 90 minutësh të dominuar që nga fillimi. Skënderbeu u duk pa ide dhe i konsumuar nga fitorja e fundjavës së kaluar ndaj Partizanit, ku u ndje shumë mungesa e Sabien Lilaj dhe Hamdi Salihit.
Për kuqezinjtë kjo ishte fitorja e dytë radhazi në kampionat, ecuri që mungonte nga sezoni i shkuar, ku në muajin shkurt të këtij viti regjistronin dy fitore radhazi ndaj Apolonisë dhe Vllaznisë. Ndërkohë formacioni i Mirel Josës regjistroi humbjen e 3 sezonale, që gjithsesi nuk cënoi pozitat në krye të klasifikimit, për faktin se nga kjo ndalesë nuk përfitoi Partizani.
Në Qemal Stafa, të kuqtë e mbyllën në mënyrën më të keqe sezonin me humbjen 0-1 ndaj Teutës. Deri përpara disa ditësh 15 herë kampionët krenoheshin me rekordin e tyre të pathyeshmërisë, por në dy javët e fundit u mposhtën minimalisht me skuadrat që kanë pretendime këtë sezon.
Teuta jo vetëm që shkurtoi diferencën me kryesuesit por mori e vetme dhe vendin e 3 në klasifikim. Formacioni i Maganit u rikthye tek fitorja pas 3 humbjesh radhazi teksa për koecidencë suksesin e fundit e ka arritur me të njëjtin rezultat në Pukë në javën e 13.
Ngjitja një pozicion më lart e Teutës erdhi si një dhuratë edhe nga humbja e Kukësit që në Zeqir Ymeri u mposht minimalisht 0-1 nga Tirana. Nënkampionët kanë harruar shijen e fitores, pasi e mbyllin vitin me 2 barazime dhe një humbje. Për 24 herë kampionët kjo është një mbyllje e mirë e pjesës së parë të sezonit, duke parë oshilacionet e javëve të fundit.
Pas javësh të tëra në të njëjtin vend në klasifikim, tashmë bardheblutë bënë kapërcimin duke lënë pas Kukësin për tu renditur në vendin e 4 një pikë pas Teutës. Buzëqesh edhe Laçi në këtë javë të fundit që me një poker fundos Tërbunin dhe i rikthehet ambicieve në kampionat.
Kurbinasit rikthehen të marrin dy fitore radhazi që pas suksesit ndaj Vllaznisë në javën e 5, dhe tashmë shohin pranë zonën europiane, pasi diferenca me Teutën e vendit të tretë është 5 pikë. Debutuesit e Tërbunit e mbyllin në fund vitin 2015, duke qenë skuadra më e kërcënuar për të rënë nga kategoria.
Në Shkodër festat kanë rikthyer qetësinë, pasi Vllaznia përfitoi nga faktori fushë për të triumfuar 3-2 ndaj rivalit direkt për mbijetesë Bylisit.
Kuqeblutë me këtë 3 pikësh lanë në vendin e parafundit pikërisht ballshiotët, të cilët vijojnë të vuajnë në transfertat e kampionatit, duke qenë se fitorja mungon prej 33 javësh në superiore.
Kjo ishte fitorja e 3 radhazi në shtëpi për Vllazninë, një ecuri që mungonte prej javës së 31 të sezonit 2013-2014, një sukses që e nxori momentalisht skuadrën nga zona e rënies.
