“DIA”, drejtuesi çek i kompanisë CEZ bashkëpunoi me Ismailajn për vjedhjen e parave

Saimir Lleshi

Në dosjen hetimore të Prokurorisë për hetimin ndaj Kastriot Ismailaj, e cila tashmë është depozituar në gjykatë, tregohet midis të tjerash edhe mënyra se si ai kishte kryer marrëveshje me drejtuesin e kompanisë CEZ për të përfituar paratë.

Kompania DIA ishte regjistruar në vitin 2010 në British Virgin Islandë nga një shtetase shqiptare.

Ajo kishte emëruar si përfaqësues ligjor Ismailajn për Shqipërinë. Në regjistrin tregtar shqiptar, kjo kompani është regjistruar me aktivitet“Investime financiare, mbledhje detyrimesh, konsulta në fusha të ndryshme, në burimet natyrore, energjetike, infrastrukturën energjetike, transport ndërkombëtar në rrugë ajrore, rrugore, detare, hekurudhore, shit-blerje aksionesh, tregtimi, import-eksport i përgjithshëm i mallrave dhe shërbimeve”.

Me datën 01.09.2010 subjektet “Debt International Advisory” Ltd – Dega Shqipëri dhe “Operatori i Sistemit të Shpërndarjes” Sh.A. kanë lidhur një marrëveshje për shërbimin e mbledhjes së borxhit. Objekti i marrëveshjes ka qenë, ndër të tjera, detyrimi i të porositurit të mbledhë prej debitorëve të porositësit, me mbështetjen dhe shpërblimin e porositësit të gjitha borxhet dhe kamatat që kanë kaluar afatin prej 90 ditësh, duke përdorur mjete juridike të përshtatshme.

Kjo marrëveshje është firmosur nga i pandehuri Kastriot Ismailaj, me cilësinë e përfaqësuesit të shoqërisë “Debt International Advisory” Ltd – Dega Tiranë dhe shtetasi Josef Hejsek, aktualisht person në hetimin, me detyrë Kryetar i Bordit Drejtues të “Operatori i Sistemit të Shpërndarjes” Sh.A. Marrëveshja e parë nuk u miratua nga bordi drejtues i shoqërisë ”CEZ Shpërndarja” dhe për këtë arsye, më datë 01.02.2011, midis këtyre palëve është nënshkruar një marrëveshje e dytë me të njëjtin objekt dhe për një afat dy vjeçar. Kjo marrëveshje është zgjidhur në muajin Tetor të vitit 2011.

Nga tërërësia e të dhënave të administruara gjatë hetimit të këtij procedimi penal arrihet në konkluzionin se qëllimi i shtetasit Kastriot Ismailaj nuk ka qenë mbledhja e borxhit të shoqërisë dhe as kryerja e ndonjë pune reale, por vjedhja e parave të shoqërisë “CEZ Shpërndarja”.

Për realizimin e qëllimit të tij kriminal, i pandehuri Kastriot Ismailaj ka pasur si bashkëpunëtor personin nën hetim Josef Hejsek, me detyrë Kryetar i Bordit Drejtues të kësaj shoqërie.

I pandehuri Kastriot Ismailaj, duke përdorur të dhëna të rreme dhe dokumente fiktive në bashkëpunim me shtetasin Josef Hejsek, ka përfituar në mënyrë të kundraligjshme shumën 512 004 420 lekë, duke i shkaktuar pasoja të rënda për shoqërinë “CEZ Shpërndarja”, si rrjedhojë edhe për shtetin shqiptar, i cili ka zotëruar 26% të aksioneve të kësaj shoqërie.

Paratë e përfituara nëpërmjet mashtrimit (vjedhjes), i pandehuri Kastriot Ismailaj nuk i ka përdorur me qëllim realizmin e kontratës, por i ka riinvestuar, i ka transferuar jashtë vendit apo i ka përdorur për qëllime personale.

Në këtë mënyrë ky shtetas ka kryer veprën penale të “Mashtrimit me pasoja të rënda, të kryer në bashkëpunim” si dhe veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale”. /Dita/

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *