Diabeti klasifikohet si një ndër sëmundjet më problematike të shekullit, pasi shtimi i vrullshëm i numrit të pacientëve po shoqërohet edhe me rritje të frikshme të komplikacioneve të rënda shëndetësore që shkakton kjo sëmundje.
Duke iu referuar rasteve të paraqitura në spitale, mjekët vënë në dukje se kjo sëmundje nuk po prek më të rriturit sikundër ndodhte vite më parë. Pjesë e të prekurve nga diabeti masivisht së fundmi po shfaqen edhe fëmijët, ku nuk janë të pakta rastet kur transmetimi i sëmundjes kalon nga nëna gjatë shtatzënisë.
Por pavarësisht këtij fenomeni shqetësues në rritje cilësohet si problem më vete ndërgjegjësimi ende në nivele shumë të ulëta që pacientët manifestojnë në lidhje me masat parandaluese që duhen marrë kundrejt kësaj sëmundje.
E ndihmuar nga fshehtësia e simptomave fatkeqësisht pjesa dërrmuese e pacientëve e zbulojnë praninë e diabetit në stadet e rënduara, kur sëmundja ka avancuar aq shumë, duke vështirësuar edhe kurimin efikas të saj. Në një intervistë për gazetën “Dita”, mjekia endokrinologe, Luftime Bruka, detajon shkaqet që çojnë në shfaqjen e diabetit, si dhe këshillat që duhet të ndiqen për të mënjanuar pasojat fatale ndaj të cilave ekspozohet organizmi. Natyrisht një ndër këshillat më të mira për parandalimin e pasojave negative të diabetit është ushtrimi i aktiviteteve të ndryshme fizike, si dhe mbajtja e një diete të ekuilibruar ushqimore të pasur me vitamina dhe kripëra minerale.
Çfarë është dhe si shfaqet sëmundja e diabetit?
Diabeti ose siç njihet ndryshe sëmundja e sheqerit në gjak vjen si shkak i pamundësisë së insulinës, (hormon ky i prodhuar nga pankreasi) që të mbajë në nivele normale shifrat e sheqerit në gjak. Konkretisht pankreasi arrin të prodhojë insulinë në sasi të pamjaftueshme, çka pengon futjen e lirshme të sheqerit në brendësi të qelizave apo indeve të ndryshme.
Ky ngërç bën që e gjithë sasia e sheqerit të grumbullohet si tepricë në gjak duke çuar edhe në shfaqjen e simptomave të diabetit. Flitet për disa lloje diabetesh, të cilët në literaturën mjekësore ndahen në katër kategori të ndryshme. Detajimi i këtyre kategorive bëhet sipas shkaqeve që çojnë në shfaqjen e diabetit.
Sipas këtyre përcaktimeve, në grupin e parë përfshihet diabeti që njihet ndryshe si diabeti i të rinjve, i cili kap 10 deri 15 për qind të diabetikëve. Mjekimi i këtij lloji diabeti mund të bëhet vetëm nëpërmjet insulinës. Kategoria e dytë, e cila përfshin rreth 80 për qind të pacientëve shfaqet kryesisht pas moshës 35 vjeçare.
Ka dhe diabet tek gratë shtatzëna, që sot është shndërruar në një problem madhor, pasi po ndikon dukshëm negativisht në jetën e fëmijëve të vegjël që sillen në jetë, të cilët janë të destinuar të vuajnë kronikisht nga kjo sëmundje. Ndërsa grupi i fundit përfshin rastet në të cilat diabeti shfaqet në kushtet e sëmundjeve të tjera, të cilat ndikojnë në prishjen e balancave të sheqerit në gjak.
Cilat janë simptomat më të shpeshta që paralajmërojnë shfaqjen e kësaj sëmundje ?
Format e shfaqjes së diabetit ndryshojnë në varësi të veçorive individuale të organizmit të pacientëve. Në përgjithësi sëmundja zbulohet në stade të rënduara dhe shkak për këtë gjë fatkeqësisht bëhet mungesa e simptomave të dukshme që në stadet e para të pranisë së diabetit.
Megjithatë, listohen ndër shenjat paralajmëruese më të zakonshme rasti i shtimit të shpejtë të peshës. Etja e tepruar po ashtu është një tjetër shenjë karakteristike që çon në shfaqjen e shenjave paralajmëruese të pranisë së diabetit. Kështu një pacient që vuan nga diabeti, përballet vazhdimisht me etje të theksuar. Më tej mund të themi se sëmundja shoqërohet me shtim të sasisë së urinës, shenja të tjera dalluese janë debulesa trupore që ndjejnë pacientët, e cila shpeshherë i bën ata të ndihen të lodhur.
Edhe pagjumësia është një tjetër shkak që ndikon në shfaqjen e diabetit. Nga ana tjetër edhe infeksionet e ndryshme mund të bëhen nxitës të shfaqjes së diabetit, kjo për shkak të çrregullimeve të balancave hormonale.
Pak më lart thatë se diabeti së fundmi po kërcënon edhe gratë shtatzëna. Si ndikon kjo gjë në shëndetin e nënës dhe fëmijës që do të sjellë në jetë?
Ky është një tjetër problem që manifeston sëmundja e diabetit. Është e nevojshme që për femrat gjatë kohës që janë shtatzëna të kontrollohet vazhdimisht matja e nivelit të sheqerit në gjak. Përditshmëria na ka treguar se janë të shumta edhe rastet kur prania e diabetit zbulohet pas lindjes së bebit. Kjo gjë shton rrezikun e transmetimit të sëmundjes edhe tek foshnja. Ndaj dhe duhet bërë kujdes në kontrollimin e parametrave të nivelit të sheqerit në gjak në kohën e duhur. Diabeti dhe shtatëzania janë dy probleme madhore, të cilat nëse nuk marrin kujdesin e duhur në kohën e përshtatshme, mund të bëhen shkak për shpërthimin e komplikacioneve të rënda tek fetusi, si dhe tek foshnja e porsalindur. Një diabet i paekuilibruar dëmton rëndë fetusin si rrjedhojë e deformimeve të shumta.
Konkretisht si shfaqen këto deformime?
Nëse nuk tregohet kujdesi i duhur, komplikacionet me të cilat përballet fetusi janë të shumta. Në këto raste nënat e reja duhet të mbajnë parasysh se diabeti është përgjegjës edhe për vdekjen e fëmijëve të porsalindur. Keqformimet e fetusit nga diabeti përfshijnë defektet e lindura të trurit, të veshkave dhe të zemrës. Po ashtu, abortet e shpeshta që ndodhin tek gratë që janë të prekura nga kjo sëmundje, ndodhin si pasojë e mosekuilibrimit të diabetit dhe mbajtjes në shifra të larta të sheqerit në gjak, çka pengon furnizimin e qelizave me lëndët e nevojshme që kalojnë përmes gjakut.
Sot bëhet një punë shumë e madhe që të mos ndodhin këto dukuri, duke shtuar përpjekjet për mbajtjen në parametra normalë dhe të kontrolluar të glicemisë, veçanërisht gjatë pjesës së parë të shtatzënisë. Një nënë diabetike para se të mbetet shtatzënë duhet të kontrollojë diabetin, i cili duhet të raportohet brenda shifrave normale në mënyrë që fëmija të mos lindë me probleme.
Në përgjithësi gratë diabetike lindin fëmijë me peshë të madhe trupore nga 4-4.5 kg, si dhe mbi këtë shifër. Nëpërmjet placentës ndër të tjera kalojnë tek fetuesi edhe sasia e lartë e glukozës, çka bën që pankreasi i foshnjës të prodhojë insulinën në sasi të paekuilibruar. Kjo çon në mënyrë të paevitueshme me prodhimin e çrregulluar të insulinës nga qelizat Beta.
Shtimi i këtyre lëndëve nxit proceset anabolike, proces ky që ndikon në rritjen e shpejtë të peshës trupore të fëmijës që në barkun e nënës. Menjëherë pas lindjes fëmija mund të pësojë hypoglicemi sepse pankreasi i tij mund të prodhojë insulinën edhe disa orë pas lindjes së tij.
Pse ndodh kjo gjë, si dhe çfarë trajtimi duhet ndjekur për të mënjanuar në kohë pasojat e rënda që shfaqen qoftë në shëndetin e fëmijës, ashtu edhe tek nëna?
Diabetikët e mjekuar keq gjatë barrës lindin fëmijë të parakohshëm dhe prematurë. Hypoglicemitë në përgjithësi ndodhin gjatë gjysmës së parë të shtatzënive, e cila shpjegohet me mosmarrjen e ushqimit në sasinë e duhur, me të vjellat e shpeshta nga barra, si dhe nga ndjeshmëria e madhe e insulinës. Rëndësi të madhe ka edhe shpërndarja e ushqimit, si dhe dozimi i kujdesshëm i insulinës.
Një tjetër fenomen i konstatuar së fundmi është edhe egoizmi që shfaqin shumë nëna të reja të cilat përballë dëshirës për të mbajtur linjat trupore, neglizhojnë marrjen e sasive të duhura të ushqimet. Pasoja këto që manifestohen edhe në shëndetin e foshnjës. Gratë diabetike mund të manifestojnë komplikacion edhe sa i takon tensionit arterial, i cili duhet të jetë në vlerat 130/80.
Kujdes maksimal duhet të kenë edhe gratë që kanë nefropati diabetike, e cila mund të bëhet shkak për lindje të parakohshme, madje edhe nëpërmjet ndërhyrjeve kirurgjikale. Veprimi i parë që duhet të bëjë një nënë diabetike, është konsulta e thelluar me mjekun specialist për të përcaktuar të gjithë parametrat që duhet të mbajë me kujdes gjatë gjithë ecurisë së shtatzënisë.
Rol të veçantë në këtë rast luan përcaktimi i një diete të shëndetshme ushqimore, e cila është e domosdoshme dhe duhet të përfshijë ushqime të cilat pakësojnë problemet me përthithjen e sheqerit nga qelizat dhe indet e tjera të organizmit. Ndërsa shumë diabetikë të tjerë në bazë edhe të përshkrimeve të bëra nga mjeku specialist duhet t’i shtojnë mjekimit edhe insulinën. Mjekimi me insulinë sipas përcaktimeve të bëra nga mjeku duhet të vazhdojë përgjatë gjithë barrës, si dhe ditëve të para të lindjes. Më pas në varësi të rrethanave veprohet me ndërprerjen ose jo të marrjes së insulinës.
Kategoritë e riskuara
Prekja nga diabeti po rrezikon të gjitha grupmoshat. Megjithatë më shqetësuese kjo sëmundje shfaqet tek personat që vuajnë nga obeziteti. Personat me masë të madhe trupore në krahasim me gjatësinë, preken më shumë nga komplikacionet e rënduara të diabetit. Njëkohësisht të riskuar nga kjo sëmundje janë edhe ato kategori që kanë pasur më parë familjarë të tyre që kanë vuajtur nga diabeti. Diabeti shfaqet dhe tek nënat të cilat kanë lindur fëmijë me më shumë se katër kilogramë. Gjithashtu, diabeti prek edhe pacientët që vuajnë nga sëmundjet e zemrës, hipertensionit, si dhe ata persona që kanë nivele të larta yndyre në gjak. Moskryerja e aktiviteteve fizike, si dhe kequshqyerja të mbështetura edhe nga jeta sedentare janë të tjera shkaqe që po rëndojnë më tej bilancin e përhapjes së diabetit.
Fakte që nuk duhen neglizhuar kurrsesi:
Diabeti është një sëmundje që nëse nuk zbulohet dhe nëse nuk mjekohet në kohë dhe në mënyrë të rregullt, shkakton ndërlikime serioze, si: sëmundje kardiovaskulare, verbim, sëmundje të veshkave, infeksione urinare, si dhe problemeve me këmbët.
Përveç çrregullimit të sheqernave, diabeti çon në çrregullimin e yndyrave, kripërave, vitaminave apo lëndëve të tjera ushqyese, çrregullime të cilat çojnë në shfaqjen e ndërlikimeve kronike që zgjasin gjithë jetës. Kur ulja apo ngritja e sheqerit në gjak është e menjëhershëm, pacienti bie në gjendje kome ose në gjumë të thellë.
Diabeti prek arteriet e zemrës, nga ku mund të shfaqen edhe infarkte, të cilat janë sëmundje tepër të rrezikshme, si dhe kur dëmtohen arteriet e këmbës, shfaqet gangrena e këmbës etj. Tek të sëmurët diabetikë rreziku për sëmundje kardiovaskulare është 2-4 herë më i lartë sesa tek njerëzit jodiabetikë ose amputimet e këmbës janë 10 herë më të shpeshta se tek njerëzit jodiabetikë. Kjo sëmundje e rrit koston e jetës së pacientit me 2-2,5 herë.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, diabeti shkakton çdo vit 5 për qind të vdekjeve globale dhe mendohet se vdekjet nga diabeti në 10 vitet e ardhshme do të rriten me 50 për qind.
Mjafton të nënvizohet fakti i publikuar së fundmi se në çdo 10 sekonda në botë shtohen dy njerëz të tjerë me diabet dhe se çdo 10 sekonda vdes një njeri nga shkaqe që lidhen me diabetin. Rreth 80 për qind e personave që vuajnë nga diabeti, jetojnë në vendet me të ardhura të pakta dhe të mesme dhe mendohet se vdekjet nga diabeti në 10 vitet e ardhshme në këto vende do të rritet me 80 për qind.
Në vendet e zhvilluara diabeti dhe numri më i madh i diabetikëve haset në moshën mbi 65 vjeç, ndërsa në vendet në zhvillim diabeti dhe numri më i madh i diabetikëve haset në moshat 45-64 vjeç. Vitet e fundit diabeti tip 2 po takohet më shpesh edhe në moshat 30-40 vjeç. Diabeti është një sëmundje me zhvillim të ngadaltë dhe shpesh të “heshtur” ndaj thelbësore është sensibilizimi, informimi i komunitetit për njohjen e diabetit.
Simptomat
Humbja dhe shtimi i shpejtë në peshë
Vështirësi në frymëmarrje
Etja e theksuar
Urinimi i shpeshtë dhe me probleme
Lodhje fizike dhe
Marrje mendsh
Mungesë përqendrimi
Luhatje tensioni
Cka ba me jek sheqeri cka duhet te ha buk dhkruja ne e-mail
Nuk kam qene diabetike..tani mu shfaq ne shatzani…kam filluar dhe insulin.Ju lutem nqs keni ndonji sugjerim ,me thoni cfar duhet te bej
Nuk kam qene diabetike..tani mu shfaq ne shatzani…kam filluar dhe insulin.Ju lutem nqs keni ndonji sugjerim ,me thoni cfar duhet te bej