Diabeti po shndërrohet në një epidemi në kuptimin e vërtetë të fjalës. Më shumë se 4.6 milionë njerëz kanë humbur jetën për shkak të kësaj sëmundjeje gjatë vitit 2011. Ndërkohë, 336 milionë janë të prekur nga diabeti, të paktën 200 milionë të tjerë dyshohet se vuajnë por nuk e dinë ende se janë të prekur. Shifrat alarmante janë të destinuara të rriten për shkak të stilit të gabuar të jetës. Parashikohet që në vitin 2030, numri i të sëmurëve të arrijë në 552 milionë.
Diabeti i tipit 1, i përhapur tek të rinjtë
Ky tip i diabetit shkakton shkatërrimin gradual të qelizave pankreatike, të cilat prodhojnë insulinë. Sëmundja prek në vit 16 nga 100 mijë të rinj nën moshën 16 vjeç dhe është sëmundja më e përhapur kronike e moshës pediatrike. Mekanizmi që gjeneron sëmundjen dyshohet një reaksion anormal i sistemit imunitar.
Diabeti i tipit 2
Është forma më e shpeshtë dhe shfaqet zakonisht tek moshat 30-40 vjeç. Patologjia lidhet me pamundësinë e qelizave të organizmit (në mënyrë të veçantë të muskulit të mëlçisë) për t’iu përgjigjur stimujve të insulinës, duke e bërë të pamundur mbajtjen nën kontroll të vlerave të glicemisë.
Diabeti i tipit 2 përbën rreth 95 për qind të të prekurve, afërsisht 242 milionë persona në të gjithë botën. Është pikërisht ky lloj diabeti që po e rrit në mënyrë dramatike numrin e të prekurve. Shkaqet e prekjes nga ky lloj janë ende të panjohura, por janë identifikuar disa faktorë risku si: trashëgimia, mungesa e aktivitetit fizik, mbipesha dhe raca. Në mënyrë të veçantë, mbipesha është faktor risku në 90 për qind të rasteve.