Luan Shahollari
Ky është titulli i monografisë të profesor Hasan Banja (1926-2006) që ka gjetur dritën e botimit nga EMAL më 2017. Analiza prej 620 faqesh vjen si sintezë e veprimtarisë të autorit në institucionet shtetërore,studimore-ekonomike dhe organizatat jo-fitimprurëse. Ajo ndjek rjedhën kronologjike sipas etapave të caktuara historike, të sistemeve të ndryshme politike nga shpallja e Pavarësisë e deri në fund të shekullit XX. Monografia përmban literaturë nga autorë të njohur, por edhe të pablikuar më parë etj. Këtu citohen edhe studjues si B.Jelavich, M.Heller, M.Lavigne, F.Fejtö, etj, që kanë analizuar sistemin politik dhe ekonomik të ish BS, Europës Lindore e Qendrore dhe Kinës. Monografia është e ndarë në 3 pjesë me 12 krerë.
- Pjesa e parë (28 nëntor 1912- 29 nëntor 1944) përfshin katër krerë. Dy krerët e parë (1912-1924) përmbajnë sfidat për mbijetesë e rritje të shtetit të ri shqiptar.Ndonëse në kushte tepër të vështira, dhe me një mandat të kufizuar, qeveria e Vlorës konfiskoi 56 mijë ha tokë, pronë e Portës së Lartë, riparoi rrugë, ura, shkolla, mori disa masa për mbledhjen e taksave etj. Më 4 tetor 1913 kryetari i qeverisë I.Qemali nënshkroi marrëveshjen me përfaqësuesit e një grupimi bankash austriake dhe italiane për krijimin me koncesion të Bankës Kombëtare të Shqipërisë. Por koha e saj mbaroi shpejt.
Qeverisja gjashtë mujore e Princ Vidit nuk la shenjë në zhvillimin ekonomik. Intrigat dhe trazirat politike në vend, mungesa e mbështetjes nga jashtë, dhe fillimi i Luftës I Botërore, e detyruan që më 3 shtator 1914 të largohej nga Shqipëria. Lufta I (1914-1918) e rëndoi sëtepërmi gjendjen.Pushtimi prej ushtrive austriake, italiane e franceze dhe shteteve fqinje i shkaktoi vendit dëme të mëdha njerëzore, materiale dhe financiare. U kryen disa punë botore, por këto kishin karakter ushtarak.
Më 21 janar 1920 u mblodh Kongresi i Lushnjës i cili hodhi bazat e parlamentarizmit shqiptar. Më 11 shkurt anëtarët e Qeverisë, Këshillit të Lartë dhe të Senatit u vendosën në Tiranë, që u bë de facto kryeqytet. Më 17 dhjetor 1920 Shqipëria, me ndihmën e Anglisë pranohet anëtare e Lidhjes së Kombeve që ishte krijuar në janar të atij viti.
Në raportin paraqitur Lidhjes së Kombeve në shtator 1922, profesori i ekonomisë Albert Kalmes, (dërguar në Shqipëri në korrik 1922) vinte në dukje se vendi zotëronte pasuritë e nevojshme të tokës dhe nëntokës për t’u bërë një vend i përparuar. Por këto pasuri “të fjetura” duhet të shfrytëzoheshin. Për një kohë të gjatë dhe në të ardhmen –shkruante ai-shteti shqiptar duhet të luajë rolin e nxitësit dhe nismëtarit (A.Calmes…Sept.1922, f.29).
Në qershor 1923, Lidhja e Kombeve caktoi z.Jan Hunger këshilltar financiar pranë qeverisë shqiptare me një kontratë pesë-vjeçare. Ky e filloi analizën nga buxheti dhe, për shkak se zbuloi shkelje e korrupsion e mbajtën vetëm një vit!
Vitet 1921-1924 u karakterizua nga mungesa e stabilitetit politik (12 qeveri), si dhe nga grindjet midis dy grupimeve kundërshtare që kulmuan me Revolucionin e Qershorit.
- Më gjerësisht trajtohen çështjet ekonomike në kreun III, që përfshin periudhën e qeverisjes të Zogut, si president (1925- 1928) dhe si Mbret (1929-1939).
Qeveritë e kësaj periudhe kanë përdorur politikën ekonomike liberale të “dyerve të hapura” në marrëdhëniet tregtare me jashtë dhe koncesionin si mjet kryesor për tërheqjen e kapitalit të huaj në vend. Shoqëri nga shtete fituese të Luftës I Botërore, prej vitit 1921 i kishin paraqitur qeverisë shqiptare kërkesa për të marrë me koncesion zona të caktuara për kërkimin dhe shfrytëzimin e naftës. Qeveria e Zogut i kishte miratuar disa prej tyre në vitin 1923, por ratifikimi kishte mbetur pezull. Kontratat e koncesioneve për shoqëritë angleze, italiane, franceze, amerikane, filluan të miratohen në gjysmën e dytë të vitit 1925.
Një nga aktet e para ishte edhe koncesioni i Bankës Kombëtare. Më 15 mars 1925, A. Zogu, dekretoi marrëveshjen e nënshkruar më parë nga M. Libohova, ministër i Financave dhe zyrtari i lartë M. Alberti, përfaqësues i grupit financiar, i rekomanduar nga qeveria e Musolinit. Kapitali i bankës përbëhej prej 51 për qind të aksioneve për palën italiane.
Në prill 1925 u krijua shoqëria SVEA (Societa per lo Sviluppo Economico d’Albania – Shoqëria për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë) me qendër në Romë, pjesë e të njëjtit grup aksioner që themeloi BKSh. Qeverisja e Zogut përfitoi ndihma e kredi të mëdha nga qeveria italiane. Nga mesi i viteve 1930 interesi dhe borxhi i qeverisë shqiptare ndaj qeverisë italiane arriti në 75 milionë franga ari, gati 3 herë më shumë se buxheti vjetor i shtetit.
Me gjithë këto hua, Shqipëria mbeti një vend i prapambetur, me përzierje të mbeturinave feudale dhe fillesave të kapitalizmit ku bujqësia zinte rreth 90 për qind të prodhimit industrial dhe bujqësor së bashku dhe industria përfaqësohej nga teknologji të vjetëruara. Niveli i jetesës mbeti i ulët dhe mbi 80 për qind e popullsisë analfabete.
Prof. Banja e shpjegon këtë prapambetje në radhë të parë rolin e dobët të shtetit në ekonomi dhe me mungesën e një politikë mbrojtëse të përkohshme për kapitalin vendës.
Kreditë e programit të SVEA-s ndikuan pak në zhvillimin ekonomik të vendit, pasi nuk u përdorën në veprimtari prodhuese por në infrastrukturë, si: 79 për qind për rrugët, urat dhe për ndërtesa publike, 15 për qind për Portin e Durrësit, 6 për qind për studime etj.
Monopolizimi i koncesioneve nga ana e kapitalit financiar dhe industrial italian ishte gjithashtu një pengesë e madhe për ndryshime efektive në ekonomi.
Rezultatet e reformës agrare që ndërmorri Zogu në vitin 1935 ishin fare minimale: ajo preku vetëm 8.110 ha tokë, të cilat iu dhanë 1.888 familjeve të muhaxhirëve kosovarë. Pas vitit 1935 “reforma agrare” erdhi duke u shuar.
Në këtë prapambetje ka ndikuar edhe kriza ekonomike botërore e viteve 1929-1933, e cila preku më thellë dhe më gjatë ekonominë shqiptare.
- Pjesa e dytë përbëhet nga 6 krerë të cilët trajtojnë vitet e pas çlirimit deri në fund të vitit 1980. Kjo, dhe dekada deri në fund të vitit 1990, njihet si periudha e “socializmit real”, sistemi politik me ekonomi të planifikuar dhe të centralizuar.Prof. Banja paraqet një këndvështrim realist të zhvillimeve ekonomike që kanë ndodhur në vend gjatë periudhës së sistemit socialist duke përdorur metodën e pohimit dhe të mohimit.
Për të kuptuar thelbin e ngjarjeve politike dhe ekonomike të kësaj periudhe, autori ka analizuar edhe modelin sovjetik të ekonomisë socialiste, pasi ky ka shërbyer si udhërrëfyes edhe për vendet e tjera. Udhëheqjet komuniste, në disa prej këtyre vendeve e përshtatën këtë model në mënyrë krijuese, në përputhje me kushtet e tyre konkrete, kurse në disa të tjera (në mënyrë tipike në vendin tonë) në mënyrë më të ngurtë. Siç dihet, udhëheqja e PPSh zbatoi modelin sovjetik të periudhës staliniane.
Politika kryesore ekonomike në vitet 1945-1946 ka qenë ajo e shtetëzimit të firmave private të vendit e të huaja. Një ngjarje kyçe përbën mbledhja e Plenumit V të KQ të PKSh në shkurt 1946, vendimet e të cilit përcaktuan kalimin në rrugën socialiste të zhvillimit.
Autori ndalet veçanërisht në analizën e zhvillimit të industrisë, si dega udhëheqëse e ekonomisë socialiste e cila shënoi disa arritje, pasi futi në qarkullim ekonomik pasuritë natyrore të vendit, sidomos rezervat ujore dhe minerare. Gjatë kësaj periudhe u krijuan degë e sektorë prodhimi me cikël të mbyllur, si industria elektrike, metalurgjia e zezë e me ngjyra, industria e lehtë dhe ushqimore etj., me lëndën e parë të vendit. Industria mbështeti rritjen e prodhimit bujqësor me plehra kimike e bazë tjetër materiale; hapi vende të reja pune; rriti volumin dhe përmirësoi strukturën e eksport-importit; zuri peshën më të madhe në krijimin e prodhimit shoqëror dhe të së ardhurës kombëtare; etj.
Por efektiviteti i kësaj politike nuk ishte i plotë për shkak të zhvillimit të industrisë së rëndë bazuar në kritere politike dhe tej mundësive financiare; për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme me investime të industrisë së lehtë dhe ushqimore; të ngritjes së komplekseve të mëdha industriale, me një nivel përqendrimi të lartë në vijë vertikale; të nënvleftësimit të kategorive vlerore për llogaritjen dhe matjen e efektivitetit ekonomik me kritere shkencore; të mangësive në shpërndarjen territoriale të industrisë, duke e përqëndruar atë në qytete dhe në zona të veçanta; të politikave akumuluese në shpërndarjen përfundimtare të së ardhurës kombëtare me ndikim të drejtpërdrejtë në nivelin e jetesës së njerëzve etj.
4.Transformime të thella u bënë në zhvillimin e bujqësisë, si dega bazë e ekonomisë socialiste. Reforma Agrare (gusht 1945 – nëntor 1946) përmbysi raportet feudale të pronësisë së tokës dhe hapi rrugën e kolektivizimit, i cili, me përjashtim të zonave malore, përfundoi në vitin 1959, me ngritjen e kooperativave bujqësore në 85 për qind të tokës arë të familjeve fshatare. Pas kësaj u shpall ndërtimi i bazës ekonomike të socializmit në fshat, dhe në shkallë vendi në tërësi. Krahas kolektivizimit, vijoi edhe procesi i bashkimit të kooperativave, si dhe i organizimit të disa kooperativave të tipit të lartë, të cilat krijuan kushte për rritjen e prodhimeve bujqësore mbi baza intensive, për zgjerimin e mekanizimit, të aftësisë ujitëse, përdorimin më efektiv të plehrave kimike etj. Në vitin 1976 u plotësuan për herë të parë nevojat e popullit dhe të ekonomisë me drithra buke. Bujqësia u bë mbështetëse e industrisë së lehtë dhe ushqimore dhe e sigurimit të valutës përmes rritjes së eksporteve të produkteve bujqësore dhe blegtorale.
Por shtrirja e kolektivizimit edhe në zonat malore dhe hapja e tokave të reja në këto zona doli jo efektive. Tufëzat dhe arëzat që u ngritën pranë brigadave të kooperativave, të NB-ve, të ndërmarrjeve të grumbullimit e të tregtisë në mesin e viteve 1980 nuk e zgjidhën problemin e furnizimit të popullsisë me produkte bujqësore dhe blegtorale. Industria kimike në vitet 1980 nuk mundi të mbështeste kërkesat e larta të intensifikimit të bujqësisë. Baza mekanike, mjaft e amortizuar, nuk mund t’i kryente proceset e punës në kohën e duhur. Politika zyrtare e trajtoi oborrin kooperativist si një dukuri kalimtare, që do të vinte duke u kufizuar deri në zhdukjen e tij. Kjo politikë ndikoi në rënien e prodhimit për treg dhe për furnizimin e familjeve në qytet dhe në fshat.
- Ndihmat dhe kreditë nga BS dhe vendet e kampit socialist të ELQ kanë qenë mjaft efektive në kthimin e vendit nga agrar i prapambetur në agrar-industrial në vitin 1960. Kështu, që me kredinë e parë të korrikut 1947, me ndërtimin e Kombinatit të Tekstileve në Tiranë, të fabrikës së sheqerit në Maliq, të hidrocentralit të Lanabregasit dhe të mbështetjes së bujqësisë me traktorë e pjesë mekanike në fillim të viteve 1950, u hodhën baza për ngritjen e industrisë së lehtë e ushqimore me lëndën e parë në vend, duke shtuar sipërfaqet me pambuk dhe panxharsheqeri. Po kështu, nisi ngritja e sistemit hidroenergjetik, i cili do të merrte një zhvillim progresiv në të ardhmen e afërt si dhe u mbështet zhvillimi i bujqësisë si dega bazë e furnizimit të popullsisë dhe industrisë me artikujt e nevojshëm. Ndihma dhe kreditë nga BS dhe ELQ, për dy pesëvjeçarët 1951-1960, llogaritej në 1/3 e investimeve gjithsej.
Ndihmat dhe kreditë nga RP e Kinës patën rëndësi të veçantë pasi mbështetën përfundimin e objekteve të nisura nga BS, si dhe ndërtimin e bazës materialo-teknike të socializmit, që gjithsesi mbeti një objektiv i parealizuar. Volumi i kredive kineze për Shqipërinë ka qenë 3.3 herë më i madh se ai i BS dhe vendeve të ELQ.Ato ishin pa interes, ose me interes shumë të ulët, dhe të shtrira në një periudhë më të gjatë kohe. Këto kredi mbështetën ritmet e rritjes ekonomike, të prodhimit industrial dhe të eksport-importit, në veçanti, të cilat rezultuan mjaft të larta në këtë periudhë.
Rreth 50 për qind e investimeve u përqendrua në vepra të mëdha industriale në degë e sektorë prodhues të vendit si: energjetika, industria e rëndë dhe minerare,e metalurgjisë së zezë e me ngjyra, industria mekanike, e materialeve të ndërtimit, kimike, e superfosfatit dhe nitratit të amonit, në transportin hekurudhor, detar etj. Investimet për shfrytëzimin e burimeve hidrike, pjesa më e madhe e të cilave përfunduan me ndihmën e kredive kineze, rezultuan me efektivitet të lartë.Nga 1964 deri më 1975, mëse gjysma e tregtisë zhvillohej me RP të Kinës.
- 6. Pjesa e tretë trajton rënien e ekonomisë socialiste dhe kalimin në ekonominë e tregut. P Banja thekson se , shkollat ekonomike e mbështesin pasurimin e kombeve në radhë të parë në punën dhe pasuritë e çdo vendi. Por kjo nuk do të thotë të mos shfrytëzohen përparësitë e marrëdhënieve me interes të ndërsjellë midis vendeve. Mbështetja vetëm në forcat e veta, jo vetëm u absolutizua teorikisht, por u bë edhe pjesë e procesit të planifikimit. Për rrjedhojë, prodhimi shoqëror më 1990 ndaj vitit 1985 u rrit vetëm 2.7 për qind, kurse të ardhurat kombëtare ranë 0.6 për qind.
Në kreun e fundit autori trajton çështje të kalimit të vendit tonë në vitet 1990 në ekonominë e tregut duke u ndalur sidomos në kritikën e modelit të reformave të tipit “shock-therapy”. Si rrjedhojë e mangësive të fillimit, efekti i reformave ekonomike të tranzicionit ishte i pjesshëm dhe nuk solli ngritjen e institucioneve të qëndrueshme publike. Nga ana tjetër, u krijuan pasoja negative zinxhir, si: rritje masive e papunësisë, rënie e nivelit të pagave e pensioneve, rritje e inflacionit dhe e deficitit buxhetor, zgjerim i skemave piramidale mashtruese dhe, më në fund, kriza komplekse e gjysmës së parë të vitit 1997.
Në përfundim, mund të shprehemi që monografia e prof. H. Banjës përbën një burim informacioni shtesë për analiza të thelluara nga studiues e studentë të shkencave ekonomike,sociale e politike dhe për të gjithë lexuesit e tjerë të interesuar për ecurinë e ekonomisë shqiptare në shekullin XX.