“Dialog për Mitrush Kutelin”

Ornela

Moikom Zeqo

Ajo që më intereson nuk është gjithmonë ajo që ka të bëjë me mua”. Pol Valeri

 Një ese në formë dialogu, për shkrimtarin dhe intelektualin e madh shqiptar Mitrush Kuteli, është e parapëlqyer.

Ndihmon shtjellimin e mendimeve, bën më të lirshme dhe komunikuese rezymetë e mendimeve.

 Pra, afron mundësinë e një bisedë, e cila konstruktohet, sipas një logjike dhe jo krejt rastësisht.

A: Viti 1992 është i shumëfishtë.

Si vit politik ai ka domethënie historike.

Njëkohësisht ai është vit jubilar për disa njerëz të kulturës shqiptare.

Fjala vjen ky është viti i 25-vjetorit të vdekjes së Mitrush Kutelit.

Më duket, se poeti francez Pol Valeria ka thënë se; përvjetorët e poetëve janë seanca spiritizmi, një veprimtari mediumesh.

Në to shpirti i të vdekurve në fakt nuk trukëzohet.

Ai vjen ndërmjet kujtesës, duke qenë element substancial i saj.

Ky shpirt komunikon me të gjallët, qoftë për të verifikuar testamentin e tij, qoftë për të parë atë, që nuk ishte e mundur të shihet në të gjallë.

Kjo është një e vërtetë, që i përket artistëve të vërtetë.

Vdekatarët e rëndomtë, po të perifrazonim Homerin, nuk mund të luajnë rolin e pasvdekjes.

Vdekatarët e pazakontë mund ta luajnë.

 

B: Më duket interesante kjo mënyrë të arsyetuari.

Jam dakord, që ju sillni në ndihmë mendimin e Pol Valerisë, i cili ka qenë dhe ai vetë një medium.

Roli i pasvdekjes përcaktohet nga skenari i artit.

Po vetë arti përcaktohet nga vdekatarët.

Siç shihet, është një formë intelektuale e pavdekësisë, e pangjashme me ringjalljen mistike, ende të pavërtetuar, gjithmonë hipotetike, të shenjtorëve.

25-vjetori i vdekjes së Kutelit është një formë e ringjalljes së tij të mirëfilltë, intelektuale…

 

A: Në ditët e sotme, ku gjithçka identifikohet me politikë flitet shumë për dimensionin politik të Kutelit.

B: Kjo është e vërtetë dhe njëkohësisht e pashmangshme.

Në sistemin e diktaturës, që kapërcyem, Kuteli përjetoi martirizimin e vet.

Kjo është biografia e tij vetjake, tepër e dhimbshme, prekëse dhe paradoksale.

Patjetër, që duhet folur për këtë dimension.

Por, përtej shpjegimeve politike, ne na intereson para së gjithash shpjegimi i brendshëm i artit të tij. Po ju paralajmëroj, se kjo është një gjë tepër e vështirë.

 

A: Jam dakord dhe e përshëndes paralajmërimin tuaj.

Jam në një mendje me ju.

Të flasësh për Kutelin sot nuk është aq e lehtë.

Të flasësh për krijimtarinë e tij kërkohet një kulturë e caktuar, që sot nuk e kanë studiuesit, që janë marrë, ose gjoja po merren me të. Ata bëjnë vlerësime superlative.

Ata bëjnë në fakt hartime, që nuk janë dije e mirëfilltë dhe serioze. Për të folur konkretisht duhet të kesh një përgatitje paraprake. Shumë nga kritikët tanë, që deri dje hyjnizonin diktaturën sot janë vetëshpallur disidentë të skajshëm.

Ata bëjnë një lojë politike, duke harruar, se arti është diçka tjetër. Është njësoj, si të shpjegosh formulat algjebrike të George Bulit, por pa ditur ende aritmetikën e thjeshtë.

E ç’dinë ata nga Kuteli?

Kanë lexuar librat, që nuk i kanë kuptuar.

Bëjnë komente, sipas stilit të një narracioni të mërzitshëm, shkollaresk.

 

B: Ke të drejtë.

Por kjo nuk duhet fetishizuar.

Ka ende intelektualë në Shqipëri, që mund të bëjnë diçka serioze. Janë të paktë dhe gati si minoritet.

Po ama janë, dhe do të jenë përherë.

Mediokrit pretendojnë për show.

Kanë delirin e publicitetit.

Janë fatkëqij, sepse nuk kanë shpresë.

Kanë të ardhmen kundër, madje, kanë kundër vetë autorin, të cilin pretendojnë se e lavdërojnë.

Mediokrit nuk dinë të lavdërojnë.

Ata dinë vetëm të përdhosin.

 

A: Kuteli është një dukuri intelektuale e veçantë në kulturën tonë.

Do të doja të përkufizoja, ose më saktë të tentoja një dimensionim të tij në disa plane.

Ai duhet studiuar, së pari si shkrimtar i mirëfilltë shqiptar.

Roli i tij në prozën shqiptare lidhet me një fazë zhvillimi tepër interesante.

Ne si popull, kemi pasur shumë vonesa historike.

Një nga vonesat e këtij lloji është edhe ai i kultivimit të prozës së mirëfilltë letrare, e cila në vitet ‘30-të dhe ‘40-të, pati një trinom: Koliqin, Migjenin dhe Kutelin.

Të tre, të pangjashëm me njëri-tjetrin, por në një kohë dhe hapësirë të përbashkët zhvillimi, arritën të krijojnë prozën artistike shqiptare, në një nivel bashkëkohor evropian.

Së dyti, Kuteli duhet studiuar si shkrimtar i mirëfilltë ballkanik. Shkrimtarët ballkanikë janë vërtetë evropianë, por te ata kodi i sintezave dhe kundërshtive midis Lindjes dhe Perëndimit ka krijuar një pasaportë autentike.

Si shkrimtar ballkanik Kuteli shpjegon disa lidhje të kulturës shqiptare me kulturat fqinje.

Është me interes të shikohen raportet e artit të Kutelit me rrymën e ashtuquajtur arti ruralist rumun.

Në Rumani, jo vetëm në letërsi, por edhe në pikturë – kujtoni për shembull Grigoreskun dhe mos harroni njëkohësisht dhe Vangjush Mion tonë, peizazhi baritor krijoi një idealitet të qëllimshëm, përballë qytetërimit urban, që gjendej në një kaos të vërtetë.

Kjo gjë, hapi mundësi për t’u lidhur me prozën popullore, që folklori të mbijetonte tek arti i kultivuar, me dinjitetin e forcës demiurge.

Kjo gjë është kaq e pranishme te Mitrush Kuteli dhe krijon një nostalgji të ndritur, njerëzore, të përjetshme.

 

B: Në një tregim të Kutelit flitet për një të gjallë, që shkon mysafir në botën e të vdekurve.

Një fshatar shqiptar, pa pretenduar atributet e Odiseut, ose dhe të Orfeut, pa ditur gjë për Danten dhe aksionin e tij të habitshëm, bën njëkohësisht të njëjtën gjë.

Ai zbulon i mahnitur, se koha në përrallë dhe koha e pasvdekjes ka ligje të ndryshme nga koha e ditës dhe jetës së të gjallëve.

Këtë gjë do ta referonte sipas një formule matematikore një gjeni i pakrahasueshëm i shekullit XX, Albert Ajnshtajni.

Ai tregoi sistemin e referimit, që përcakton relativitetin e kohës, por edhe të hapësirës.

Folklori i lashtë i popujve zbulimin e Ajnshtajnit e kishte ditur, që më përpara. Kuteli, si shkrimtar është i racës së përrallëtarëve të vjetër

. Prandaj në tregimin e vet, ai flet për kohë tjetër, që nuk korrespondon me kohën e të gjallëve, për të krijuar kështu mitin e tij artistik të kohës.

Kuteli synon drejt një kohe eterne, e cila gjallon në prozën e tij. Ai e ka kuptuar këtë sekret kaq të thjeshtë, por dhe kaq të ndërlikuar të artit.

 

A: Kuteli është marrë me përpunimin e përrallave, me kthimin në prozë të Eposit të Veriut.

Ai ka botuar libra si folklorist i shquar.

Ka zbërthyer baladat, ka shkruar ese të nivelit të lartë.

Në tematikën e krijimtarisë së tij zë vend edhe epoka ilire.

Në një roman të tij të pambaruar, ai përpiqet të rikonstruktojë kohën e humbur, siç do të shprehej Marsel Prusti.

Të habit fakti, që ai ishte në dijeni të rezultateve më të fundit të ilirologjisë.

Kështu, krahina, ku shtjellohen ngjarjet e romanit quhet Bardhona. Është një shqipërim etimologjik, që bazohet në ekuacionin albanët – të bardhët, bardhinjët ose parthinët.

Këtë ekuacion të bërë, që nga fundi i shekullit të kaluar jo nga dijetarët por nga poetët, etimologjia moderne e pranon pa ndonjë skepticizëm të madh.

Kuteli tenton të vazhdojë një nismë të Ndre Mjedës.

Mjeda në disa poema të tij krijon një kohë mitike të ilirëve.

Për fat të keq kjo nismë e jashtëzakonshme e Mjedës nuk është vlerësuar ende nga kritika jonë.

Një shpjegim i saj në të ardhmen do të ishte një aksesor i pazëvendësueshëm edhe për vetë Kutelin.

Por, ngul këmbë, që kjo nuk mund të bëhet nga të quajturit kritikë të sotëm, që nuk i kanë posibilitetet për një studim serioz.

 

B: Kuteli duhet studiuar edhe në një plan tjetër.

Ai i takon sagës së shkrimtarëve shqiptarë bilingue.

I pari shkrimtar i madh bilingue i kulturës sonë është padyshim Pjetër Bogdani.

Në qoftë se shqiptarët, me të drejtë, analizojnë dhe meditojnë për tekstin shqip të kryeveprës bogdiane, italianët mund të bënin të njëjtin proces analize për tekstin homolog në gjuhën italishte.

Më pas, si shkrimtar të tipit bilingue do të shkëlqente Naimi, Samiu, Vaso Pashë Shkodrani, patjetër Fan Noli, Martin Camaj etj.

Ne mendojmë, se Kuteli është një nga më të shquarit krijues të tipit bilingue, duke pasur parasysh se ai ka një krijimtari të tërë të botuar në gjuhën rumune.

Pas Kutelit në Shqipëri, saga e shkrimtarëve dhe intelektualëve të tillë me sa duket është mbyllur.

Ndoshta hapja me botën do të krijojë një sagë të re.

 

A: Rëndësi të veçantë për Kutelin ka materia gjuhësore.

Askush si ai, nuk ka punuar në prozë me një përkushtim të tillë, për ta universalizuar gjuhën shqipe, jo vetëm si leksik, por sidomos në stilemat e saj dhe lokucionet aq të pasura.

Në të ndihet pushteti i madh i shqipes jugore, ç’ka e shton origjinalitetin e Kutelit.

Familja e Kutelit është me origjinë nga Parga dhe jo rastësisht ai ka admirim për shumë forma gjuhësore të Jugut, jo vetëm në aspektin e mendimit mitologjik, por edhe të racionalitetit dhe të sintezave të shkurtra, që kanë baladat dhe këngët sintezë të Jugut.

Por, kjo nuk do të thotë aspak, se Kuteli nuk është një shkrimtar mbarëkombëtar.

 

B: A thua është një rastësi, që në një qytet pranë liqenit të lindin dy shkrimtarë të mëdhenj: Lasgushi dhe Kuteli?

Ata janë si ato qeniet mitologjike, biqefale.

Dihet, që biqefalizmi është simbol i forcës së dyfishtë në mitologji.

 

A: Kjo nuk është një rastësi.

Ky qytet qendër e stërmotshme e enkelejve është vatra e sagës mitologjike të Kadmit dhe birit të tij Ilirit.

Për fat të keq nuk kemi një studim gjenerik të kësaj sage. Lasgushi dhe Kuteli i kanë rrënjët shumë të thella.

Në kohërat moderne ata përfaqësojnë një vijimësi të ndritur dhe një lidhje të hallkave të këputura të kohërave.

 

B: Kuteli ka qenë një ekonomist, mendimi i tij ekonomik është gjithashtu trashëgimi e kombit.

Ai ka punuar pranë thesarit të shtetit shqiptar, duke qenë përherë i ndershëm dhe i varfër.

Sipas mitologjisë, grifonët ishin ruajtësit e floririt, Kuteli ka qenë një grifon i bankës shqiptare.

Por, ai më shumë se sa grifon i floririt, ka qenë grifon i bankës gjenetike të kulturës dhe gjuhës shqipe.

Ky është nderi i tij më i madh.

Për këtë ai do të meritojë respektin e brezave.

 

A: Ky përvjetor i tij në demokraci nuk është i zakonshëm.

Nëse ai vërtet, po të ringjallej trupërisht do të na gjykonte neve dhe do të ballafaqohej me gjykimet tona.

Një gjë e tillë është e pamundur, por ne mund të bëjmë diçka të përafërt në pikëpamje konceptuale, sot dhe në të ardhmen.

 

B: Ai padyshim duhet botuar i plotë, duhet ndërkombëtarizuar me botime në gjuhë të huaj.

Pa këtë kusht do të jetë e vështirë studimi krahasimtar, që bëhet nga dija bashkëkohore.

Ky studim do të arrinte dimensionin e tij të vërtetë, kaq të domosdoshëm.

 

A: Në këtë dialog, sidoqoftë, ne përvijuam diçka.

Së paku ekspozuam një mënyrë, se si duhet konceptuar vepra e Kutelit.

Parashtrimi dhe metoda janë thelbet e studimit.

Ato nuk janë parafrabrikate, as skema të gatshme.

Na ndihmojnë për të bërë sa më pak larg mistifikimeve të kota, por edhe larg thjeshtëzimeve të vulgarizuara.

Të mos harrojmë, se Kuteli në prozën e tij krijoi një shkollë.

Në stilin e shkrimtarëve të tillë si Shuteriqi, Sotir Androni, Nasi Lera, Dhimitër Xhuvani, Anastas Kondo, Teodor Laço etj., ndihet forca depërtuese dhe modeli paraprak kutelian.

Kjo, nuk mohon origjinalitetin e tyre, por shpjegon shumë gjëra.

Shkolla e Kutelit në historinë e prozës shqipe meriton të kihet parasysh dhe të argumentohet, për të kuptuar përmasat e tjera të krijuesve të letërsisë sonë.

Së fundi, më lejoni të përdor një metaforë të Kutelit.

Në vitin 1944 ai dhe tri shokë të tij shkrimtarë botuan një organ të quajtur “Revista letrare”. Kuteli e mbiquajti veten dhe shokët “gomarë të Vezuvit”. Koha ishte si Vezuvi në shpërthime llavash.

Ata të katër mbartnin në shpatet plot vreshta të Vezuvit të artit vilet e rrushit për Dionisët e rinj të shpirtit të popullit.

Le të shpresojmë edhe sot, për “gomarë të Vezuvit”, që me anë të artit të qetësojmë e fisnikërojnë shpirtrat e trazuara të shqiptarëve, për të mirë e hir të kombit tonë martir. (Tiranë, 5 maj 1992)

 

Share This Article
2 Comments
  • Me teper ne Demosin e Athines therrisnin harbutet dhe proletaret.Pindari,poeti me i vjeter i Greqise se lashte (Homeri ishte rapsod)shkruan:Me kujtohen baballaret e tyre qe vertiteshin rreth mureve te Athines,te veshur me lekura kafshesh,sepse nuk i pranonin ne qytet.
    Po c`dreqin keni me Kutelin?
    Ne burg e groposet ne kenete te Maliqit,Nuk u ngopet me Mirushin?Po lereni ta kujtoje nje Nelson Cabej,nje SOJ I MIRE,FISNIK NGA GJIROKASTRA.
    Po pak keni ju per te kujtuar?Ja,kujtoni xha Shefqetin e Ballit Kombetar,kujtoni Fatmir Gjaten e Kenetes Maliqit,kujtoni Driteroin,Koco Biqikun,Razi Brahimin,ca Lezhjane,ca tropojane,nje bataljon me Bucpapa,ate flutra acken nga golloberda,ate vorpsen qe po mahnit kryeministrine,Francen,Italine dhe tregun e perbashket evropian.Po pak keni ju per te kujtuar?

  • U eshte dashur te levdojne te tjera gjojna dhe te tjere emra, mahere, Demo vellai…!

    Tashme, qe zoterit por edhe oborrtaret e saj kohe po ikin, kane ngene te merren me ata qe mbeten te Njeriut dhe te Natyres!

    Gjene mire, kjo do mbetet edhe amaneti, i më-në-fundmi opinion i tyre…

    Nuk e ke vene re ti, ka dy shekuj Nasho Jorgaqi qe shkruan per Imzot Nolin dhe vetem se fundi po nxjerre ca gjojna qe i ka ditur ne gjallje te Nolit, por Interrnuesi i Madh i Lames se Vogel nuk ia lejonte…!

    Njeriu nuk vdes dot, pa i thene ato qe ka bere…

    Moikomi e mbyll mire: “Le të qetësojmë e fisnikërojnë shpirtrat e trazuara…”!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *