Diaspora shqiptare/ Zëri larg dhe afër i Shime Deshpalit

DITA Online

 

Prof. Nasho Jorgaqi

1

Për shumëkënd Shime Deshpali është ndoshta një emër fare i panjohur, siç ishte dhe për mua tridhjetë e ca vjet të shkuar, para se të shkelja në Arbnesh, i vetmi ngulim shqiptar në brigjet e Dalmacisë. Nuk kishim as disa orë që kishim arritur me dy kolegë nga Tirana, kur në hotelin tonë erdhi dhe na takoi një burrë që nuk e njihnim. Duke na zgjatur dorën përzemërsisht, dëgjuam të na thoshte me një zë të thekshëm: “Jam Shimja i Palit të deshëve”. Këto i shqiptoi me të folmen e shqipes së Arbneshit, që tingëllonte për herë të parë në veshët tanë”. Fort kandemi (gëzohemi) që u takuem. Flas në gjuhën e katundit tem e kjo kallxon se s’kena hup. Kem qendrua!”

Pas këtyre fjalëve u ulëm në një tavolinë të barit të hotelit, por, para se të fillonim bisedën, ai na dha dorën rishtazi dhe na u drejtua “Mirëseundeshme”, si të na kujtonte një rit malësor. Në pamje të parë ai dukej një burrë plak, shtatmesatar, i thatë e krejt i thinjur, po i gjallë e plot temperament, trupdrejtë e me ca sy që i shkreptinin pas syzeve të bardha. Na tha se sapo kishte marrë vesh që kishim ardhur, nuk kish dashur të vononte për të na takuar, por druante se mos ishim të lodhur nga rruga e gjatë. Ndërkaq ne e qetësuam plakun me fjalët tona të përzemërta, sado që ndjeheshim pak si të hallakatur, nga që akoma s’po dinim se ç’ishte ky njeri, i cili po na nderonte e emociononte me mikpritjen e tij aq bujare. Por shpejt, nga biseda, do të merrnim vesh se Shime Deshpali kishte qenë mësues i muzikës në shkollën e Arbneshit e, ç’është më e rëndësishme, poet e prozator, muzikant e kompozitor. Dhe për të na e bërë të besueshme se kush ishte, na tregoi se para pak kohësh kish marrë një ftesë zyrtare nga Shqipëria për të shkuar në Festivalin folklorik të Gjirokastrës. “Shumë ju falemnderes nga zemra, – tha pastaj. – Fort më ka gazmue ajo grishje vllaznore prej dheut tem”. Më pas shtoi se “mosha e thyeme dhe lojnat e shëndetit më kanë pengue kët andërr me e ba zhgjandërr.”

Pasi bëmë dhe ne prezantimin tonë e i treguam qëllimin e ardhjes, biseda u zgjerua dhe sikur u bë më e lirshme. Natyrisht, interesimi ynë i parë do të ishte për Arbneshin dhe plaku zu të na flasë me zërin e tij të thekshëm e të qartë. “Arbnëshi mbahet gjallë falë Zotit, po, gjithsesi, motet bajnë të vetën … Kadalë – kadalë po bir (humbet). Shumkushi le t’na quejë si të dojë, por unë di se kush jam … A di qysh? Jeta jonë ka qenë gjithnji jetime … Të huej midis të huejve dhe prapë gjindja arbneshe nuk asht dhanë e s’po don me u lëshue. Ka mbet puntuer e i vyeshëm. Ma e mira e të tanë të mirave asht se arbneshit ia kanda fort me punue si t’part’ e vet. Ai asht ma i vyeshmi puntuer i Dalmacisë. Mandej arbneshi ç’ka ka, ta thotë në sy. Kur ka ba be n’mustak, kjo ka kenë ma e forta kontratë!”

Shimja fliste e tregonte gjithë patos, por herë pas here në ato që thonte ndjehej një pezëm i thellë. Ishte tepër i shqetësuar, madje i tronditur që Arbneshi gjendej “në ditët të sodit në parambramjet e veta.” Dhe zinte e arsyetonte: “Marre asht me e thanë, por si ka ardhë puna, Arbneshin e mbajnë pleqtë. Pleqtë janë prushi i tij, por dhe ata po ikin nji nga nji. E në nji rend me ta vjen dhe Shimja, që po kuvendon me ju …”

Ky ishte takimi i parë me Shimen, por dhe kontakti i parë me Arbneshin. Më pas ne do të miqësoheshim me plakun, veçanërisht unë, që u ndjeva s’di pse më i afërt me të. Ndaj, pa u vonuar, do të merrja vesh hollësi të tjera se kush ishte ai dhe çfarë përfaqësonte emri i tij. Do ta ndjeja veten me fat që do të takohesha me të, sepse kush tjetër më mirë e më bukur se sa Shimja do ta mishëronte Arbneshin. Sepse Shimja dhe Arbneshi identifikoheshin me njëri-tjetrin! Ai kish lindur aty, aty kish mësuar e kish kryer shkollën normale e pastaj prapë po aty kish punuar mësues për dekada të tëra, pa iu ndarë vendlindjes. Një vendlindje me një histori dhe një jetë krejt të veçantë, që e kish bërë të veçantë dhe vetë Shimja. Madje për Arbneshin ai qe bërë mësues e akoma më shumë, këngëtar i saj, poet, tregimtar e kompozitor, që shkruante me gjuhën e katundit dhe këndonte me zërin e tij. Kështu, kish botuar librin “Tregimet arbnore”, përmbledhjet poetike “Agimet dhe parambramjet e Arbneshit” dhe “E vërteta”. Shimja ishte bashkëfshatar dhe bashkëkohës me dy autorë të tjerë arbneshas, siç qenë dramaturgu Josip Rela dhe tregimtari Budomir Peroviqi, që botonte me pseudonimin Miroa i Kikices. I pari ishte ndarë prej kohësh nga jeta, po kish lënë emër të nderuar me dramat e tij, të cilat qenë inskenuar me sukses në Prishtinë, ndërsa i dyti, Budomiri, me të cilin u njohëm e u miqësuam, do të shkruante tregime satirike me subjekte të guximshme dhe me një humor karakteristik, që të kujtonte humorin e Arbneshit. Të tre këta shkrimtarë të talentuar i bënin nder katundit të tyre dhe bashkëfshatarët me të drejtë mburreshin me ta. Po nuk gaboj kur them se më popullori e më i afërti mes tyre ishte Shimja. Ndofta kjo kish ardhur sa nga karakteri i tij burrëror dhe natyra gazmore, aq dhe nga fakti se ai ishte edhe kompozitor e dirigjent i talentuar, krijues i shumë këngëve të njohura e, mbi të gjitha, autor i muzikës së operas “Vana”. Natyrisht këto të dhëna e të tjera do t’i merrja vesh, kur ne do të ishim njohur e miqësuar me të, sidomos unë, si njeri i letrave.

2

Hoteli ynë kish qëlluar në kufi, mes qytetit të Zarës dhe Arbneshit. Nga dritarja e madhe e dhomës, po akoma më mirë nga ballkoni, hapej panorama e katundit, që vetëm emrin kish të tillë, pasi në fakt nga larg, dukej si zgjatim i qytetit. Do të ishte Shimja ai që, të nesërmen, prej këndej, do të më fliste e tregonte për katundin e tij, që shtrihej përgjatë ultësirës së bregut të Adriatikut. Diku djathtas, mes ranishtës, binte në sy një ngrehinë e rrumbullakët me kupolë, për të cilën Shimja më tha se ishte Fontana ose Kroji i mbretit, që tani nuk kishte ujë, por që kish mbetur si një objekt urban nga koha e Renesancës. Fontana, sipas plakut, kish hyrë në historinë e Arbneshit, sepse të parët banorë të tij kishin zbritur tamam aty, dy shekuj e ca të shkuara. Me këtë rast, ai do të më rrëfente për zanafillën e këtij ngulimi, që nisi në dhjetëvjeçarët e parë të shek. XVIII. Arbneshët këtu nuk kishin arritur të gjithë njëherësh, por në tre valë brenda 7-8 vjetëve (1726, 1729, 1733). Ata kishin zbarkuar në bregun e shkretë përtej Zarës, të shpërngulur prej brigjeve të Liqenit të Shkodrës nga krahina e Krajës. Vinin nga katundet Ljarë, Shestan, Brisk, Debrec etj. dhe qenë kryesisht katolikë. Si të tillë, i kish marrë në mbrojtje kleri. Për këtë ata i qenë mirënjohës arqipeshkvit të Zarës, Vincenzo Zmajeviçit, i cili i kish mbështetur dhe kish organizuar eksodin e tyre sa shpëtimtar, aq edhe të dhimbshëm. Ai ishte mik e njohës i hershëm i shqiptarëve, pasi kish qenë kryearqipeshkv i Tivarit, madje, i ngarkuar me detyrë nga Vatikani, kish ndërmarrë dhe disa udhëtime pune nëpër Shqipërinë e Veriut. Nga ana tjetër, ai njihej si organizator i Kuvendit të Arbërit, një ngjarje e rëndësishme në historinë e përpjekjeve liridashëse të shqiptarëve në mesjetën e vonë. Por, me sa duket, siç do të thoshte Shimja, nuk qenë vetëm motive fetare, që i morën në mbrojtje shqiptarët e Krajës asokohe. Vërtet ata nuk donin të konvertoheshin në myslimanë, por kjo qe vetëm një arsye. Arsyet e tjera, bile më të rëndësishme, që i shtynë të largoheshin masivisht nga vendlindja, qenë politike dhe ekonomike. Dalmacia në këtë kohë ishte nën zotërimin e Republikës së Venedikut, e cila kish Zarën për kryeqendër të saj. Rrethinat e këtij qyteti asokohe qenë shkatërruar e braktisur nga luftërat, epidemitë dhe varfëria. Interesat e Republikës kërkonin popullimin e këtyre viseve të shkretuara dhe për këtë do të punonin priftërinjtë e Zmajeviçit dhe agjentët e Venedikut, të cilët organizuan eksodin e shqiptarëve në këto anë. Ata u vendosën fillimisht në fshatin e braktisur të Zemnikut, nën muret rrethuese të Zarës dhe më pas, të gjithë së bashku, krijuan katundin e tyre, që u njoh me tri emra. Ata vetë do ta quanin Arbnesh, venecianët Borgo Ericio, kurse vendasit Arbanas. Kështu hyri në historinë e brigjeve dalmate e vetmja koloni shqiptare, e cila arriti të mbijetojë deri në kohën tonë, duke ruajtur me krenari rrënjët e identitetit të vet.

Shimja, para se të na shoqëronte për në Arbnesh, na çoi te Fontana. Dhe më kujtohet se, tek i vinte përqark ngrehinës së moçme, zuri të na rrëfente, jo pa emocion, duke treguar me dorë lëvizjen e të ardhurve nga deti në tokën ku ne shkelnim.

– Ja, këtu kanë zbrit ma s’pari të parët tanë. Zbritën gjindja me robt e vet, të lodhun e të laskaruem, të unët e t’panjeri, por kurrsesi të panjoftun nga gjaku e fisi. Sepse shqiptarët në Dalmaci kishin shkel shumë e shumë ma herët. S’di me ju thanë hollsina, se janë punë historianësh. Ata e dijnë mirë e shumë gjana i kanë ftillue, veç due me ju thanë për një dokument tepër të vyeshëm, që ka gjet e zbulue Jireçeku, një historian çek. Ai s’bashku me Shuflajn, kroat, hartuen ma vonë historinë e mesjetës shqiptare. E pra, ai ka nxjerrë në dritë të diellit nga Arkivi i Raguzës dëshminë ma të lashtë që njihet deri në ditë të sodit për lashtësinë e gjuhës shqipe. Asht një akt, ku janë shkrue latinisht më 14 të korrikut, vjeti 1285 fjalët: “Audivi unam vocem clamantem in monte in lingue albanesca”, që arbnisht don me thanë: “Ndiva nji za tue thirrun në mal në gjuhën shqipe”. Ma bukur s’ka ku shkon. Jireçeku s’ka ditë me na thanë se cili asht ky mal e ku ndodhet. Por mendja ma thotë se ky vend veç në malet e Dalmacies s’ka ku me kenë. Pra, shqyptarët e kësaj ane janë fort të moçëm. Na t’Arbneshit jena tepër të vonë. Madje studimet kanë qit n’dritë sa e sa gjurma të tjera shqiptare tue fillue nga shek. XIII e deri sa kena ardhë na. Vetëm n’lami të artit kanë krijue ma se dyzetë mjeshtra arbnorë, që u ka mbet emri në histori të Dalmacies. Kanë kenë skulptorë e arkitektë, piktorë e gdhendës, veprat e të cilëve admirohen dhe në ditë të sodit. Po përmendi vetëm disa, si Miro Tivarasi, Jovan Grabova, po dhe Radovani e Vladimiri, e mbi të gjithë të tjerët Andrea Lleshi prej Durrësit. Dora e tij asht në pallate, kupola kishash, skulptura e bazorelieve, që i gjen në Zarë, Split, Trogir e gjetkë. Po s’janë vetëm artistat që kanë lanë gjurmë në Dalmacie, po dhe njerëz të tjerë të dijshëm, ikun pas vdekjes së Skënderbegut, si shkrimtari humanist Marin Beçikemi, apo sekretari i Skanderbegut Pal Gazulli, poeti Mikel Maruli, matematikani Gjon Gazuli etj. Me kët due me thanë se shqiptarët kësaj ane, kanë sjellë e kanë ba kulturë e art, punë të holla të mendjes e të shpirtit të njeriut. Por, me thanë të drejtën, t’part’ e Arbneshit që erdhën, nuk ishin si këta. Kanë kenë veç katundarë, bujqë e blegtorë, pra, dijshin me punue tokën e me rrit bagëti. Mendoni se, kur kanë ardhë këtu, dhenat ishin djerrë ose të lanuna për ibret të zotit dhe ata iu vunë punës deri sa i ngjallën, tue mbjellë deri dhe kultura të panjohuna, si misri. U njoftën dhe si muratorë duarartë. Ma të parën ndërtesë që ngritën në katund, ka kenë kisha. Dojshin patjetër kishën e tyre dhe për këtë i ndihmoje fort Zmajeviçi, tue lyp fonde prej Venecies. Asht për me u çudite, që edhe pse vijshin prej ujnave të liqenit të Shkodrës dhe ishin vendos afër detit, nuk u morën me peshkatari e aq ma shumë me detari. Veç ngulun pas tokës kanë kenë. Prej vendit të të parëve bartën me vedi gjuhën, zakonet dhe kujtimin se rranjët i kishin larg prej këndej. Kanë kenë këto visare që i kanë mbajt të bashkuem e nuk kanë mujt me u tut. Edhe sot e kësaj dite ruhen emnat e fiseve që thirren në katund, por që janë të regjistruem dhe në dokumente të Arkivit të Zarës. Janë çertifikatat e kryefamiljarëve të parë të Arbneshit, si Luca, Prendi, Mazi, Stani, Shestani, Toma, Gjuri, Gjeçi, Nika madje dhe Deshpali. Ka mbet dhe nji kujtim tjetër i bukur: gjindja e Arbneshit drejtohej nga Kapidani ose, si i thirrshin ata, “Shkopi i katundit”. Pra, kishin një organizim të vetin dhe kjo i bani me mbijetue. Por mbijetesa ka kenë tepër e vështirë, sepse, ndryshe nga arbneshët e Italisë, që jetojnë në bashkësi të mëdha e përkarshi kishin Shqipninë, na këndej ishim kuk, nji koloni e vogël dhe larg dheut të të parëve.”

Këto do të qenë të dhënat historike që do të dëgjoja nga Shimja e që unë do t’i hidhja në bllokun tim, teksa para syve tanë shtrihej panorama e Arbneshit. Vetëm pas këtij rrëfimi mund të them se kishte filluar njohja me këtë ngulim shqiptar, për të cilin kishim ardhur. Deri tashti vetëm kishim dëgjuar, por akoma nuk kishim shkelur në viset e tij.

 

3

Takimin e parë me Arbneshin përsëri do të na e organizonte Shimja. Megjithëse i shtyrë në moshë dhe jo pa probleme shëndeti, ai do të tregohej i gatshëm dhe i papërtuar. Ardhjen tonë, madje, do ta përjetonte, siç thoshte vetë, si një festë që e kish përtërirë dhe ç’nuk do të bënte për të na u gjendur për çdo gjë. Kështu edhe atë mëngjes, kur erdhi të na merrte dhe u nisëm për në Arbnesh më këmbë. Ishte afër, aq sa shpejt u gjendëm në rrugën kryesore që përshkonte katundin, për t’u futur pastaj nëpër rrugica ku fshihej Arbneshi i vërtetë. Mbresa e parë ishte përshtypja sikur ndodheshim në një fshat shqiptar. Pamja që na u shfaq, qe një përzierje e peizazhit të fshatrave të Bregut, ndonëse në një rrafsh fushor me disa tipare të viseve të Nënshkodrës. Ne kalonim nën vështrimin e banorëve kureshtarë, ndërsa Shimja shkëmbente përshëndetje herë pas here me një të folme të përzemërt. Shtëpitë në të dy anët e rrugicave ishin të moçme, vinin gjatoshe, ndërtuar me gurë të nxirë nga koha, me dritare që shihnin nga rruga, rrethuar me kopshte. “Vreni, – tha Shimja, – këto janë shpijat tona plaka, që i kanë ngrit tatat e tatës së tatve. Nën kulmet e tyne asht rujt fisi jonë, gjuha e zakonet, pra, asht fytyra e moçme e katundit, historia e prekshme e Arbneshit.”

Ndalemi dhe Shimja na prezanton kalimthi me bashkëfshatarë të tij të rastit, të cilët, të befasuar e të emocionuar, vetëm sa na japin dorën ose thonë ndonjë fjalë gati nën zë. Në vend të tyre flet maestroja, siç i thërrisnin ata gjithë respekt Shimes.

Pasi baritëm nëpër rrugica, dëgjuam Shimen të na thotë: “Tash kena me shkue me u ngroh në prush të Arbneshit” dhe na drejtoi në një lokal buzë rruge. Sapo hymë, kuptuam se gjendeshim në një kafe pensionistësh. Qenë të gjithë të moshuar, vërsnikë me Shimen. Ata ngriheshin me radhë në këmbë dhe na zgjatnin duart, ndërsa sytë u shkëlqenin. Ishte një takim jo i zakonshëm, tepër i rrallë për ta, ky ballafaqim kaq i afërt me vëllezërit e largët që vetëm në ëndërr mund ta kishin ndeshur. Ndaj qenë të mallëngjyer e të hutuar aq sa dhe burrëria e ndonjërit prej tyre nuk e ndihmonte t’i përmbajë lotët. Thithnin cigaret në heshtje, ose kolliteshin, duke na vështruar herë ngultazi e herë të ndrojtur apo duke pëshpëritur me njëri-tjetrin. Prisnin të flisnim ne të parët. Donin të na dëgjonin ne që vinim nga Shqipëria. Dyshonin a do të kuptoheshim, a do ta merrnim vesh të folmen e njëri-tjetrit! Sepse s’kishin moshë për t’u turpëruar përpara vëllezërve që i takonin për herë të parë. Kur, më në fund, u dëgjua zëri i Shimes: “Çilni gojën, he burra. Sot kena të kremte në Arbnesh. Mos u drueni. Nji gjak e nji gjuhë kena!” Mjaftoi kjo thirrje dhe burrat zunë të flasin: “Mirëseundeshme!”, “Mirëseupaçim!”, “Na kande fort qi keni ardh në katundin tonë!” Ishte thyer heshtja. Pastaj morëm fjalën ne të ardhurit dhe gjindja rreth nesh sikur u çlirua. Kishte ndodhur mrekullia: ishim kuptuar! Dhe kjo shkëndijë komunikimi kish mundur kohën, harresën, ndarjen, largësinë. “Koha, vllazën, punon kontra Arbneshit. Na po bajmë ratë (luftë) me qindrue, s’pakut të mos bjerim gjakun e fisit,” foli një nga pleqtë duke thithur cigaren që i dridhej në mes gishtave. U dëgjuan pastaj zëra të tjerë, ndërsa unë vëreja Shimen që i gëzohej atmosferës që u krijua dhe fjalëve që thoshin sivëllezërit e tij: “S’ka ma fort se malli për katundin e të parëve.” “Na kena gjak arbën dhe kjo na mban gjallë.” “Arbneshi po na biret para syve e gja n’dorë nuk po kemi me e ndalë.” Biseda ridhte trishtueshëm dhe nga sytë e Shimes kuptova se atij nuk i vinte mirë, por dëgjonte me vëmendje kur flisnim ne të ardhurit. “Ju e flisni gjuhën të drilë (dlirë), – thotë një burrë me mustaqe, – kurse na e flasim të idhët e gjithsesi e njëjta gjuhë asht, gjuha e nanës.” Të tjerët miratojnë me kokë dhe fjalë të prera. Më duket sikur jam në një kuvend malësorësh. Ndihet burrëria e tyre nga mënyra si reagojnë dhe heshtja e rëndë që përftohet. U ka mbetur diçka nga hiret e malësorëve të dikurshëm, duke filluar nga portretet e tyre e deri të tingulli karakteristik i gjuhës. Dalëngadalë biseda do të zgjerohej e do të bëhej më e lirshme, kur do të ngrinim gotat me pije të ndryshme dhe do të përshëndesnim njëri-tjetrin. Ishte ky një takim i përmallshëm, që e bënte të vështirë ndarjen, por Shimja lëvizjet tona i kish të programuara. Ne do të vijonim më tej njohjen me Arbneshin.

 

4

Një natë Shimja na çoi për vizitë në një familje të katundit. Kësaj here po e shihnim Arbneshin nga brenda. Nuk mund të them se kishte ndonjë gjë karakteristike të dukshme në atë shtëpi, nga ato të vjetrat, me përjashtim të një vatre me curran dhe të disa qëndismave varur në mure. Në dhomën e madhe ku hymë, mbushur plot e përplot, vumë re se, më shumë se burra, kishte gra, kryesisht të moshuara. Dhe kjo kishte një kuptim. Shimja e dinte se vetëm kjo moshë mund ta prezantonte Arbneshin e vërtetë. Gjindja u ngrit në këmbë dhe ne u dhamë dorën të gjithëve me radhë, duke shkëmbyer përshëndetje secili në mënyrën e vet. Ato më plakat na rroknin në qafë dhe nuk dinin si ta shprehnin gëzimin e takimit. Asnjëra prej tyre nuk mbante veshje karakteristike të katundit. Një kostum i vjetër i Arbneshit të dikurshëm ruhej në muzeun etnografik të Zarës. Identiteti mund të vrehej i vizatuar në një farë mënyre në fytyrat e atyre grave që na rrethonin. Edhe kësaj here fillimi i takimit do të ishte i vështirë, po do të qe rishtazi Shimja, që nxiti një nga plakat të fliste. “Zakonet tona janë e biren, – tha ajo. – Na bajmë si gjithë jeta tjetër (bota tjetër). Nuk e kena në dorë. Në dorë kena frymën tonë, po jo frymën e Arbneshit.” U dëgjuan pëshpëritje dhe pastaj zëri i një gruaje tjetër: “Arbneshi sot po kanton (këndon) kangët e veta të mbrame. Ç’ka me ba!” “Asht e vështirë, – ia priti Shimja. – Burrat s’po dinë me kërcye vallet si t’parët e tyne. Po kështu deri diku gratë. E ç’asht ma keq, janë birun kangët që kena pas sjellë me vedi. Ka mbet ndonji tek tuk. Ndonji ninull si kjo që thotë: “Aj, mini, mini, miu tem / Flej, flej, zogu jem / Unë të ruej ty / Si zemrën, si sytë.” Asht dhe nji kangë dasme, ndoshta e vetme, që këndohet dhe e përhapun midis arbneshve. Dhe Shimja, mbasi u kollit, ia mori me zë të lartë: “Këndon zogu, këndon mullinja / Ndërmjet lulesh, trandafilash / Djali i ri çili sytë / Mos merr varzë për pajë / Paja vjen, paja shkon / Erxha (njeru i keq) vjen e kurrë nuk shkon.”

Në mes grave të moshuara dallohej një vajzë shtathedhur, fytyrëkuqëreme e flokzezë, që iu afrua Shimes dhe e përqafoi sapo ai mbaroi këngën. Kjo ishte Ana, këngëtarja e njohur e Arbneshit, që na u drejtua ne të ardhurve: “Tanë arbneshët këtu kantasin. Ua ndin fort shpirti muzikën. Ma i pari i muzikës së Arbneshit asht axha Shime. Ai komponon kangë të bukura në frymën e katundit, ndryshe nga ato përjashta katundit. Fort na kande kangët e Shqipnisë, që i ndijmë nga radio Tirana, por s’kena partet (partiturat) e tyre. Kena të madhe dëshirë me i pas. Unë e para do t’i këndoja me shpirt.”

Shimja u ngrit në këmbë dhe iu drejtua njërës prej plakave, që mezi shquhej mes shoqeve të saja. Ishte një grua trupvogël dhe e gjitha e thinjur. “Motër Marie, – iu lut plaku, – këta vllaznit e ardhun nga larg, duen me të digjue dhe ty. Banjua qejfin.” Gruaja mbuloi sytë me dorë dhe u përpoq të ngrihej në këmbë. U dëgjuan pëshpëritje e përplasje duarsh dhe pastaj zëri i saj i zvargur që shqiptonte fjalët e këngës: “Atje lart në fushë të malit / Ku po kalben djemt’ e ri / E të ritë, të rit’ e Skënderbeut / Nana i kjahet shoqnisë së saj / Për biq (bijtë) që ka bir në ratë (luftë) / Nana thotë mos m’i dëgjoni fjalt’ e hallkut / Ata flasin keq për ne.”

Dhoma u mbush me duartrokitje dhe ca thirrje e pasthirrma që nuk i shquaje dot, ndërsa Shimes i qeshnin sytë. Gjindja tani sikur merrte frymë lirisht dhe atmosfera u gjallërua. Në këtë çast, një zë tjetër filloi të recitonte disa vargje me një shqiptim të admirueshëm: “Zogu i verës tue këndue / Ndër livadhe, fush’ e arë / Gjithënjë vjen tue na diftue / Se na jena gjithë shqiptarë / Kur liqeni, lumi e proni / Kur përpiqen ujnat mbarë / Ne na thojnë se do ta doni / Shoqi thotë se jam shqiptar.”

Kur ajo e sosi vjershën, entuziazmi arriti kulmin. Ato ishin thënë me një shqipe aq të qartë e të bukur, sa të pranishmet nuk dinin si ta përgëzonin. Na kish pushtuar të gjithëve mallëngjimi dhe këtë e dalloja dhe në sytë e disa grave përballë meje. Shimja priti sa u kthye qetësia dhe na u drejtua ne të ardhurve: “Kjo asht kangë e mësueme dhe e këndueme nga djelmt dhe varzat e gjeneratës seme që në vakt t’Austries. Sepse në vjet të parë të shekullit të ri, n’Arbnesh erdhën priftnat franceskanë, të tanë shqiptarë. Në krye ia mbriti Gjergj Koleci e mandej Pashk Bardhi e Shtjefën Gjeçovi. Ata arritën me e fut shqipen si gjuhë t’obligueme në shkollën fillore të katundit e mandej në shkollën normale kroate për nxansit shqiptarë dhe fakultative për ata kroatë. Kështu mësuen me e shkrue gjuhën e nanës, kënduen kangë shqipe, dëgjuen historinë e t’parëve të fisit e do gjana për tokën e Shqipnisë. Kjo farë që hodhën këta fretën, mbiu në zemrat tona e mbahet gjallë deri në ditë të sodit. Ajo na bani me u ndi ma fort shqiptarë. Por, për fatin tonë të keq, kjo pranverë nuk zgjati shumë. Në mbarim të Luftës së Parë Botërore, kur u rrëxue dhe perandoria e Austries, mbaruen dhe mësimet e shqipes këtu në Arbnesh. Ma tej s’u kujtue kush, ose ma mirë, erdhën kohna të vështira. Arbneshi flet e knon ashtu siç i vjen edhe në gëzime, edhe n’vaje të jetës. Dhe jeta punon kontra nesh dhe na gjithë këta burra s’po dimë me i dalë zot gjuhës s’nanës. Gjithça, kadalëkadalë, po prishet e çartet mu para syve tanë.”

Pas këtyre fjalëve, që plaku fisnik i tha me një trishtim të dukshëm, ra një heshtje e rëndë. Askush nuk guxonte ta thyente dhe vetëm kur dy vajza hynë dhe na gostitën me gota vere dhe fruta, situata sikur u lehtësua. Trokitëm gotat me njëri tjetrin duke përsëritur fjalën “gëzuar”, një shprehje që ata, me sa duket, nuk e përdornin. Do të thoshin: Shëndetje” ose “Mirëseupaçmi”. Dhe pas kësaj dhomën e mbushi një këngë me fjalë arbnisht e kompozuar nga Shimja dhe e kënduar nga Ana. Është vështirë ta sjell në këto radhë gjithë ç’ndjenim ne të ardhurit nga larg dhe njerëzit e gjakut tonë, që gjetëm në Arbnesh.

 

5

Një pasdite Shimja më ftoi të shkonim sëbashku në Arbnesh sepse, siç më tha veças, “due me t’kallxue diça.” Unë nuk e pyeta më tej dhe u nisëm nëpër rrugën që të çonte në katund. Ai nuk ecte me hapin e moshës dhe gjatë gjithë kohës fliste e tregonte me një gjallëri që më prekte. Bile më tha: “Çka dreqin po ndodh me mue që këto ditë jam ba kaq llafazan?!” Kurse unë ia prita: “Mos e thuaj këtë fjalë, maestro, sepse, po të mos ishe zotrote, nuk di se ç’do të bënim ne për ta njohur Arbneshin!”

Kur arritëm në katund, u ndalëm te një shesh ku ngrihej një lis i moçëm, trung-gjerë e i gjatë, që lëshonte hije të dendur atë ditë vere. Plaku më ftoi të uleshim këmbëkryq në barin e sheshit, i ndali fjalët dhe u bë i menduar. Ndoshta është lodhur, thashë me vete dhe zura të vështroja përqark. Por nuk kaloi shumë dhe Shimja mori të flasë ose më mirë të tregojë. “A e din pse të kam mundue deri këtu?” Unë ngrita supet e buzëqesha, kurse ai vazhdoi: “Due me t’kallxue se kur Shimja asht ndi për herë të parë shqiptar! A di qysh dhe e di se kur? Nuk kam qenë ma shumë se gjashtë vjeç, kur tata i tatës m’ka marrë për dore e m’ka sjell shi ktu, te ky çinar, njashtu si kam ba unë me ty sot. M’ka ledhatue kryet e m’ka pyet: “A mundesh me u ngjit atje nalt n’majë t’çinarit?” Si nuk mundem, – i jam gjegj krenisht. – Njitash.” E kur unë i kam thanë kësisoj, ai vrik ka nxjerrë prej parzmit nji rub të madhe në bojë të kuqe e të zezë. E m’ka pyet prapë: “A e din çka asht kjo? Jo, – i jam gjegj. Ky asht bajraku i fisit tonë, që i kallxon të tjerëve se na jena shqyptarë, pra, as shkje e as lti, se kena gjuhën tonë e me këtë gjuhë merrna vesh mes vedit. Kshtu m’tha e mandej m’ka pyet: “A mundesh kët bajrak me e lidh atje nalt n’majë të majës së çinarit?” Dhe sa i kam thanë unë po, ai m’ka lshue bajrakun n’dorë. Unë e kam fut n’gji deri sa ai m’ka urdhnue me u nis. E unë nuk kam prit ma gjatë, kam fugue dhe si shqarth kam fillue me iu ngjit çinarit. Ngjitesha tanë gazmend, nga një degë në tjetrën, herë tue vrejt nalt e herë teposhtë prej nga m’kqyrte tata i tatës. Atë ditë frynte pak erë dhe degët e holla luejshin, por unë s’doja me ia dit. Veç kur kam arrit tue u kacavjerr n’majë të majës së çinarit, kam ndi zanin e tatës së tatës që m’thirrte: “Ndalu njaty.” Dhe unë njaty jam ndalë. E prapë kam ndi zanin: “Tash lidhe bajrakun te kryet e çinarit!” Unë s’po dojsha me i besue veshve. A mujsha me e lidhë se? Po nuk e bana vedin, se m’vinte marre, veç kam qendrue tue u mbajt fort kambë e duer përmbas degëve. E kam mundue vedin si kurrë ndonjiherë dhe jam përpjek me e lidh njenin cep të bajrakut për nji degë të majës. Tata i tatës, që m’kqyrte pa m’i nda sytë, kur e vrejti që unë e lidha, m’pyet: “A po e kqyr si valvitet?” “Po,” i gjegjem, pa marrë vesh kurgja. E ai m’pyet përsëdyti: “Nga po valvitet, nga juga apo nga veri?” Po unë s’kuptoja kurrgja se ç’asht juga e ç’asht veri. Atëherna ai e ktheu pyetjen ndryshe: “Valvitet nga toka apo nga deti?” “Nga deti,” i gjegjem vrap. “Ty t’lumt! – dëgjoj zanin e tatës së tatës. – Zbrit tash, po me kujdes.” E unë nisa me zbrit dhe zbrita ma shpejt sesa isha ngjit. Tata i tatës më ka prit me krahët hap e m’ka përqaf e m’ka thanë: “Tash m’thuej dhe nji herë prej kah valvitej bajraku?” “Veç nga deti,” i gjegjem gjith shend. E ai m’thot me nji za të fort, që dhe tash m’buçet n’vesh: “Kah ajo anë që valvitet bajraku kuqezi asht Arbnia, paradheu i jonë. E ket që po të thotë tata në ditë të sodit, s’lypet kurrë me e harrue.” Mandej më fshiu djersët me facoletë e m’ka marrë prej dorë e jena kthye n’shpi. Prej asaj dite Shimja i Palit të Deshëve asht ndi shqiptar deri n’kto vjet të mbrame të jetës së tij.”

Pas këtij rrëfimi, që më ka mbetur në kujtesë deri në hollësi, ashtu ulur këmbëkryq në barin që gjelbëronte nën lisin e vjetër, u hap biseda për lëvizjen kombëtare në historinë e Arbneshit. Kush tjetër veç Shimes, një nga intelektualët e paktë të brezit të vjetër të katundit, mund të ma tregonte. Ai do të fliste dhe unë do të mbaja ndonjë shënim në bllokun tim.

– Historia jonë në këto anë nuk ka qenë e lehtë. S’ka qenë e lehtë me e mbajt shqyptarinë n’dhe t’huej. E prapë ne i kena dalë për zot, me gjuhën tonë, me doket e zakonet, me kujtimet e të parëve, me mendimin se jena ndryshe nga të tjerët, nga vendasit. Vendasit, nga ana tjetër këtej pari, kanë pas ratë (luftë) politike midis vedit, të ndamë në partina e për ma tepër ka pas ratë midis partinave kroate e atyne italofile. Por ne jena tregue të kujdesshëm, tue pa ma shumë punët e interesat tona. Por kjo s’do me thanë se nuk kena anue nga partinat kroate. Tek e mbramja, këta kanë qenë e janë t’zot e shtëpisë dhe burri burrit nuk i kthen shpinën.

Ç’asht e vërteta, tue qenë larg Shqipnisë e të izoluem, ma afër na kanë çue rrugët te arbreshët e Italisë. Në këto lidhje kombëtare, ma s’pari rol ka luejt gazeta e Anselmo Lorekios “La nazione albanese”, që dilte në Romë e Kalabri dhe vinte edhe ktu n’Arbnesh. Dhe e lexojshin burrat e katundit, ata të mençmit e të dijshmit, që kurrë nuk i kanë mungue katundit tonë. Dhe qenë disa prej tyre që në shembullin e “La nazione albanese”, filluan me përgatit gazetën e tyre, që e pagëzuen “Zani i shqiptarit” në vjet 1897. Ma vonë, kur erdhën prej Shqypnie fretnit franceskanë Pashkë Bardhi e Shtjefën Gjeçovi, shqiptaria u zgjue ma fort tue përfshi brezin e ri, dhe kjo ishte gja e madhe. Tash jo vetëm flitnim, po dhe shkruejshim shqip. Kjo ka qenë dhe koha kur u lidhëm dhe me Shqipninë, morëm vesh se ç’bahej atje. Dhe atje shqiptarët kishin ngrit krye kundër turqve. Unë isha djalë që kuptojshe, kur dëgjuem për kryengritjet e vjetëve 1909-1912. Mbaj mend që u mblodhën ndihma e u ban mitingje, madje u përgatitën për me dërgue vullnetarë, që t’luftojshin si vllaznit e tyre për Shqipni. Ne atëherna ishim nën hyqmin e Austro-Hungarisë dhe shteti ishte i rreptë. Prandaj, kur ne filluam me lëviz, policia mori masa, i ndaloi e i përndoq patriotët. Edhe disa prej fisit tem. Por na s’u tutme. Bash në shtator të vjetit 1912 u ba te kisha jonë nji manifestim i papamë ndojherë. U mblodh gjithë katundi me portretin e Skënderbegut në ballë dhe folën fjalë të guximshme, tue shpallë e miratue dhe dy rezoluta solidariteti me vllaznit në Shqipni dhe me kërkesa për të njoftë lirinë e shqiptarëve drejtue Fuqive të Mëdha. Mandej, kur asht shpall Pavarësia në Vlonë, këtu në katundin tonë asht krijue “Komiteti Kombëtar i Shqiptarëve të Arbneshit”, i cili i ka dërgue telegram urimi, plot miradie, Kryeministrit të Shqipnisë, Ismail Qemali. Ishte nji gazmend i madh. E mbaj mend fort mirë se gjithçka e kam pa me sy dhe e kam ndi me zemër, që e kishim arrit këtë ditë të bardhë.

Tash fati i Shqipnisë sikur kish marrë për mbarë, sepse nji vit ma vonë asht mbledh në Trieste një kongres kombëtar, ku kanë shkue dhe delegatë nga Arbneshi, me në krye Pal Gjergjin, i cili ka mbajt dhe nji fjalim të flaktë para gjithë atdhetarëve ardhë nga tanë viset e Shqipnisë, Kosovës dhe të diasporës. Aty ata janë njoftë me sho-shoqin dhe delegatët tanë kanë ftue disa prej tyre me vizitue Arbneshin. Njeni nga ata, që ka ardhë aherna, ka qenë, siç m’kanë thanë, prifti patriot Fan Noli, por i nderuem fort si shkrimtar, muzikant e s’di çfarë tjetër. E kanë prit si jo ma mirë. Ka fjet në shtëpinë e Kërsto Musapit dhe ato ditë asht ba nji mbledhje e katundit, ku ka fol ai vetë, me nji elokuencë e zjarr atdhetar, që i ka lanë të gjithë pa mend. Tue qenë i shpërngulun e i molisun prej mallit dhe ai si na, i ka ba thirrje që të lidhen me Shqipninë e të mos e kursejnë dheun e të parëve. Dhe paria e Arbneshit i ka dëgjue fjalët e tij, sepse nuk ka vonue dhe asht nis nji delegacion për në Shqipni me Pal Gjergjin në ballë. Edhe pse rrethanat e vjetit 1913 s’kanë qenë aspak të mira, ata kanë arrit me shkue n’Shqipni. Kanë vizitue Durrësin e Shkodrën dhe në kthim ka ndodhë ajo që veç n’andërr e kishin kërkue. Janë ndalë në katundet prej ka kanë ardhë, buzë liqenit të Shkodrës, dhe janë përfal me mallëngjim të madh. U bahej se ishin në andërr, por qenë në zhgjandër pas gati dy shekujsh largim.

Mandej ka plas rata e parë botnore dhe punët kanë marrë për keq. Arbneshi, si tanë bota, asht gjend midis zjarrit. E tash po t’them e mos ban çudi, se kjo ratë e ka çue Shimen në Shqipni. Më kanë vesh ushtar bashkë me arbneshë të tjerë e kam shkue me luftue për perandorin e Austries. Kam qenë djaloç atëherna, por i fort dhe me fat, se u gjinda në Shqipni pas rrugash të gjata e të vështira. Sipas hartës, mbaj mend se tabori jonë asht vendosë midis Tiranës e Krujës, në nji fushë të bukur nga vrehej kështjella e Skanderbegut.

Kur jam kthye nga rata e Austria ishte mundun, Arbneshi e Zara kaluen në duar të ltijve e dy vjet ma vonë nën ato të kroatëve. E kjo na ka sjellë plot telashe e situata të ngatrrueme, që tash nuk po due me i kujtue. E, gjithsesi, Arbneshi ka mbet këtu ku asht sot e gjithë ditën. Gjallë e shëndoshë, po i robtuem e i laskarum, tue u bjerun për nga gjuha e zakonet edhe pse i mbajtun pas rranjve t’veta…”

 

6

Biseda për Arbneshin me Shimen do të vazhdonte dhe në ditët që pasuan. Kështu, një ditë tjetër, ai më ftoi në shtëpinë e tij. Nga ajo vizitë më ka mbetur pamja që më doli para syve sapo hyra brenda. Një mjedis artistik jo vetëm nga pianoja e madhe, por dhe nga objekte zbukuruese, tablotë e portretet e varura, momente nga koncertet e tij dhe të fëmijëve muzikantë. E pastaj një torbë malësore e qëndisur me ngjyra kuq e zi në mes ca objekte etnografike. Plaku s’dinte si të më nderonte, duke më folur e treguar për fisin e tij e sidomos për fëmijët, tanimë të rritur dhe të famshëm në botën muzikore kroate (Pali dirigjent, Valteri violinçelist, ndërsa Maja pianiste). Më foli dhe për figura të tjera të Arbneshit, që kishin bërë emër në historinë dhe kulturën kroate të kohës. “Jena racë e fortë, të mençëm e t’patutun në çdo gja,” tha Shimja kur u ulëm përballë njëri tjetrit në kolltukët e lëkurtë të sallonit. Aty, vetëm për vetëm, në qetësinë e asaj dite verore, plaku mbeti për një çast, aq sa unë nuk po kuptoja, kur ai më tha: “Fol, fol zotnjote, se unë boll kam fol. Due me ndigjue papushim prej teje shqipen e sodit, bash këtu bri pianos. Se, kur flisni ju prej andej, ku asht gurra e gjuhës sonë amnore, unë e ndij si me ndi muzikë. Ma shumë se veshi, ma ndin zemra.”

Dhe unë zura të flas sa për Shqipërinë e sa për Arbneshin, me emocione malli, me një ndjesi të thekshme të fjalës, që s’më kish ndodhur ndonjëherë. Ai rrinte e më dëgjonte me kokën lart e trupin drejt, i menduar e i mallëngjyer sikur të dëgjonte muzikë. S’mbaj mend sa fola e çfarë fola, por erdhi një çast që i sosa fjalët dhe heshta. U bë një pauzë, apo një intermexo, siç tha ai kur dëgjoj zërin e Shimes të thotë: “Bukur mirë. Thue se kanë këndue bylbylat. T’kisha mundësi që tingullin e saj ta regjistroja me nota. Gjuha amnore ban mrekullina, ta dijsh. Pa dashtun, ajo zgjoi tek unë kohët e fjetuna. Po, me thanë të drejtën, arbnishtja jonë, sado e sakatueme, tingllon ma fort epike. Ajo e juaja asht pak ma e butë, e kultivueme, e pra ma e fisme. S’do mend, e jona ka mbet gjuhë katundi. Sepse koha po përbi (kalon) e ajo po biret, asht e përzishme me fjalë të hallkut. Në kohët e reja fjalët tona nuk janë të mjaftueshme e na detyrohena me i marrë hua nga të tjerët rreth e qark, nga shkjehet e ltijtë. Çka me ba, ju jeni larg fort. Di që jena gegë, e folmja jonë asht variant i gegnishtes, pra, gjuhë burrnore. Kena ruejt infinitivin, siç i thonë gjuhtarët, kurse diftongun e kena të hallakatun, ma shumë me ua e ma pak me ue. Mandej dhe disa fjalë i flasim ndryshe, i kena ndrrue tingujt. Thona sika për thika, gushton për kushton. Kurse disa lokucione tonat i kena tjetësoj: thona me u rrugatë për me u tall, zgurrlloi sytë për zgurdulloi sytë, thona mirënata për mirëmbrama, thona këtu ka pak jetë për këtu ka pak njerëz, fijon për gabon, ose m’u zbrap për me u zgërdhesh e plot të tjera. Kjo asht gjuha jonë, e sado e vorfën, prapë them e bukur. Gjuhë që i flet shpirtit dhe unë i pari e ndi fort. Kështu, në shpi flasim arbnisht, kurse jashtë saj shkjenisht, po nji shkjenishte që vendasit e dallojnë dhe qeshen nga pak.. Çka me ba. Kena mbet gjithsesi të huej në vend të huej. Të vjetrit thoshin jabanxhi. Gjithë hallin tash e kena te të rinjtë, ata s’kanë dëshirin si tatat e nanat e tyne. E kjo m’trishton fort. I frigem kohës që ka ardhë e ajo që po vjen. Nuk di ç’ka me thanë, larg qoftë për atë çka mund me ndodhë. Di me thanë veçse kujtimi që po lamë, asht i ndershëm, i dlirë si dielli …”

Më tej fjala doli te letërsia. Deshi të dijë për letërsinë që shkruhej në Shqipëri, për të cilën ai s’kishte fare njohuri. Dinte kryesisht për atë që zhvillohej në Kosovë. Prej andej merrte libra, gazeta e revista kulturore. Atje qenë botuar dhe librat e tij me vjersha e tregime. “Pa Kosovën, – më tha, – s’do t’më kish njoft kush. I faleminderes fort Kosovës. Janë sjellë vllaznisht, jo vetëm me mue, po dhe me Josipin (Relën) edhe me Budomirin (Peroviqin). Nuk më kanë lanë me hup përkëndejna. Se veç ne të tre jena që shkruejmë arbnisht nga katundi. Ka të tjerë, që shkruejnë shkjenisht si Agostin Stipçeviçi, që ka qit romanin “Ura mbi ledinë”, për të cilin kanë fol mirë kritikët letrarë në Zagreb. I kanë ba lavde jo vetëm se e ka shkrue mjeshtërisht, por edhe sepse ka shkrue për Arbneshin, për një botë ndryshe nga ajo e shkjeve, midis të cilëve rrnojmë.”

Në një moment pauze Shimja u ngrit, iu afrua një rafti dhe solli në tryezë disa libra. Ishin veprat e tij të botuara në kohë të ndryshme, të cilat i shikoja për herë të parë. “Unë gjithçka kam shkrue e shkruej, ia përkushtoj katundit tem. Pra, shkruej për këtë krah të shkëputun të trungut stërgjyshor. Ki durim me m’ndigjue do vargje.” Dhe nis e reciton me një zë të fortë burrëror: “O katund me arbnesh të ndershëm, guximtarë, krenarë, shikim flakë / O katund i jem / Sa të due / me tregue s’kam fjalë.” Dhe si hesht, thotë: “Dhe katundin nuk e mendoj dot të shkëputun nga paradheu, nga Shqipnia, të cilën e përfytyroj veç si një vend trimash, të besës, me shikim si të shqipes, po dhe si njerëz të punës e të gazmendit.” E ndjeva se e kishin pushtuar emocionet e poetit dhe erdhi një çast e u ngrit në këmbë dhe zë e recitoi rishtazi: “Ma shumë se dyqindë vjet janë / se rrembi jonë / u këput prej trungut të paradheut / por ne s’u kemi harrue / as nuk ju harrojmë / Paradheun dhe juve? Po ju thomi.” ose “Mos më thuaj se je arbnesh / në mos balla (balli) me nderje nuk rezaton / në mos syni guximshëm nuk vekton… / në se gjuhën e jonë / pas dore e lëshon.”

Poezia e Shimes, nga sa do të lexoja më pas, është e mbushur plot emocione e evokime për dheun e origjinës, për Ilirinë e lashtë, për këta zotër të deteve e maleve, për famëmadhen Teuta, mbretëreshën e Adriatikut. Ai shpreh bindjen se kombi i tij ka vendin e vet në histori dhe s’don me ia dijt për kukuvajkat shoveniste, siç i cilëson, që gjithnjë e kanë lakmuar. Simboli zotërues për të është shqipja, zogu i lirë, që s’njeh e s’pranon skllavëri.

Por Shimja, sikundër del nga vjershat, është dhe një poet i përkushtuar i dashurisë. Dashuria është pika e tij e dobët, “thesari që kam brenda shpirtit”, burimi nga lindin vargjet e kangët. Aq i joshur e i përkushtuar ndaj bukurisë së gruas ishte Shimja, sa një ditë të diele, kur kishim lënë takim dhe ai u vonua, sapo erdhi, më kërkoi ndjesë ndërsa i merrej fryma. Si u ul dhe mori veten, më tha me një nënqeshje djallëzore: “Prita sa duel kisha që të shifsha njatë … Asht si gonxhe trandafili, nga varzat e katundit, që, kur e shof, m’dridhet shtati e m’luen mendja e kresë … Veç me e pa dhe ke me m’dhanë të drejtë …” Unë gati nuk po u besoja veshëve. Shimja, që kish kaluar të tetëdhjetat, kish rënë në dashuri dhe për këtë më fliste hapur e krejt pa të keq. Kësaj gjendjeje shpirtërore i këndonte dhe në vargjet e tij të mbushura plot e përplot me dufe ngazëllimi, po dhe nota trishtimi e dhimbjeje: “Kur takohena dor’ e dor / tue u shtrengue / dhe humbim njani në tjetrin / me dashni të flaktë / gjaku më vlon … vetëm ti je / e jetesës teme pasuni / dhe deri në vdekje kam me nderue / me të pastër dashuni / e deri të shuhet në sy tem / e mbramja dritë / buza jeme emnin jot / e ka me pëshpërit.”

 

7

Po afrohej koha e largimit tonë nga Arbneshi dhe Shimja i kish shpeshtuar takimet me mua. Mbrëmjen e ditës së parafundit kishim nxjerrë karriget në ballkonin e dhomës sime të hotelit dhe po rrinim e po bisedonim. Ndihej pezmi i fshehtë i ndarjes që na priste. Ai kthente gotën me konjak “Skënderbeu” dhe më shumë heshtte sesa fliste. Dëgjova të thotë: “Kjo pije, që keni sjellë prej Shqipnie e që kena pi tanë këto ditë, m’bahet si eliksir malli, që nuk ka të shueme.” Pastaj, si ktheu gotën, më tha me një zë të ulët, gati sikur fliste me vete: “Tash due me t’thanë nji dëshirë teme të mçefët. A din çka? Ma s’pari due me të pyet. Afër Tiranës gjendet nji katund me emrin Vor. Atje kam ndejt do ditë kur kam qenë ushtar. Sot, a asht në kambë ai katund?” “Po,” iu përgjigja pa e kuptuar se ku donte të dilte me këtë pyetje. Po më tej ai vazhdoi: “Kur të vdes Shimja, atje due me më vorrue. Ai e ka bash emrin vorr e mendja m’thotë se s’ka vend tjetër ma t’përshtatshëm për zemrat e djeguna të shqiptarëve në kurbet, që, kur vdesin larg, vdekja t’i mbledhë e t’i vorrojë bash n’at vend qi flet vet aq përmallshëm.”

M’u duk një dëshirë e çuditshme dhe po aq e papritur. Dëshirë e një poeti, po më shumë e një mërgimtari të përjetshëm, shpirti i të cilit ishte gatuar me kujtime të lashta e me mall dhe akoma më tepër me gjuhën e nënës, që në ditët e sprasme që i kishin mbetur mbahej, fort pas rrënjëve nga kishin ardhur të parët e tij.

Mbaj mend që i thashë: “O Shime i dashur, ti rrofsh edhe njëqind vjet, po Vora, atje ku e ke lënë është, s’të luan nga vëndi” dhe i hodha dorën në qafë.

Ishim të dy të prekur sa asnjëherë tjetër. Ndehej mes nesh dhimbja, një dhimbje e lehtë, si një mall i vagëlluar, që vinte s’di nga ku atë çast, kur po binte mbrëmja dhe hijet e saj po errësonin dalëngadalë pamjen përtej Arbneshit.

Gjithë sa po kujtoj tani, ndodhte një ditë vere të vitit 1979. Dy vjet më vonë, në shkurt të vitit 1981, më erdhi lajmi se zemra e Shimes kish pushuar. Më shkoi menjëherë mendja te fjalët e tij testament. Mendova për Vorën që e kisha afër, por dhe për Arbneshin që ndodhej larg, ku prehej tani trupi i ronitur i Shimes. Në Kosovë ato ditë kishin filluar demonstrata tronditëse të studentëve të Prishtinës. Thashë me vete: kjo ngjarje është ndoshta ngushëllimi më i mirë për humbjen e poetit të Arbneshit. Dhe u ula e shkrova një artikull nderimi në kujtim të tij, që e botova në shtypin letrar.

 

Share This Article
8 Comments
    • o demo demoni !

      Ne fakt ju ish spiunet (fansat) e UDB si puna juaj jeni me te gjalle se arbneshet e Zares dhe se herojt e sigurimit…kete nuk e them une por e ke pranuar vete..ja kqyre:


      Marksi kishte të drejtë…
      June 17, 2016 09:02 gazeta dita

      demo

      Sa per sistemin ekonomik te Titos shpetimtarit te shqiptareve,une kam punuar ne 1984 me ndermarrjen kroate “Rade Koncar” ne instalimin e paisjeve te tensionit te larte ne Shqiperi…..ect..
      .
      o demo demoni !
      kur behet fjale per keto artikuj me shume densitet atdhetar ku do vecoja kete paragraf:

      “Asht një akt, ku janë shkrue latinisht
      më 14 të korrikut, vjeti 1285 fjalët:
      “Audivi unam vocem clamantem in monte in lingue albanesca”,
      që arbnisht don me thanë
      : “Ndiva nji za tue thirrun në mal në gjuhën shqipe”.

      .
      eshte mire te heshtesh per edukate…se ndryshe quhesh monster antishqiptar “me kollare”

  • Deshpali gjaku i arbèrit qè se treti dheu por e treti malli. Me kètè shkrim pèr arbèreshèt mè ngjan sikur u ktheva pas me makinèn e kohès. Duket sikur u futa nè thellsinè e shekujve dhe nxorra prej andej atè mallin e dashurinè e pafund pèr tokèn arbnore. Ta rruajmè amanetin e tè parève, t’ja kalojmè brezave vetitè dhe vyrtitet e arbèrit. Duajeni Atdhenè si Shqiponja folenè !

  • O gazuli,,ti nuk e ke hallin nese jam une agjent i Titos,a i UDB,qe mban shenime,,ti e ke hallin se si paskam shpetuar une syrit tuaj vigjilent,qe paskam punuar me kroatet e Rade Concar.Ja po ta sqaroj dhe kete enigme se te paska mbetur si fixim dhe mbaje shenim,ma kujto copy paste.Ne maje te shtylles 50 m mbi toke,qe te montonte girlandat prej porcelani dhe kavot e percjellesat nuk hipte llumi proletariatit,se llumi proletariatit ishte per komande.
    Tito dhe UDB nuk kishin agjjente me celesa fiso e me celesa poligon e me celesat e kashtes,por kishin vete enver hoxhen,qe nje fershellime t`i leshonte Tito,si i therret gjahtari zagarit currs,ja sillte gjahun tek kembet.Lere cfare llapte me lloqe kongresesh,enveri titos i ka qendruar pronto si TUTORIT TE PARE.Te gjithe kosovaret qe arratiseshin nga Jugosllavia perfundonin ne burgjet e enver hoxhes.Te gjithe kosovaret qe dergoheshin me mision ne Jugosllavi,lajmerohesh UDB-ja.Legatat shqiptare neper bote ishin cerdhe informacioniu per UDB.Po pse kot shkruante Xhipja Idajet Beqirit qe Sali Berisha ne Paris eshte kontaktuar nga dy agjente te UDB.Po pse kot u be drejtues shteti Sali Barisha?Ku ju ndahet shpirti prej serbise ju!!!Arma e sigurimit te shtetit u themelua nga shoku Dushan ne 1943 dhe qe atehere te gjithe drejtuesit e shtetit shqiptar emerohen ne Beograd.

    • demon

      ne gop te semes shkofte enveri dhe dreqi me te birin..por historia eshte histori…dhe kam pershtypjen se nje komentues me nje urrejtje diabolike dhe per gjoja shqiperine tende,,,me shume me ngjan me akardemikun kapllan resuli burovic qe u konvertua ne malazez..shqipfoles dhe eshte cmenduria me e madhe qe kam lexuar ne jeten time…kisha degjuar per kapllan resulin si nje njeri te persekutuar ne burgjet e komunizmit ..por tani dhe per kete po dyshoj ne eshte ashtu e vertete sic kam degjuar….nuk duhet abuzuar me ate qe cdo njeri qe ka qene ne burgjet e komunizmit ka qene nje hero i heshtur dhe idealist….po me krijohet bindja qe ai do kete qene nje agjent jugosllav dhe pushteti komunist ka pasur informacione te mjaftueshme dhe e ka denuar….me e keqja eshte qe ai s’ka qene agjent per te sigurar ca te ardhura por ka qene me bindje dhe me zemer nga ata spiuna qe spiunojne per inat jo per perfitim…….them kjo duhet te shpjegoje kete shkrim….mund te jete dhe nje opsion tjeter qe resul kapllani ka shkare nga trute dhe …ne seshte shume e domosdoshme te merremi me ato cka thene ai ne kete interviste….me te duhet te merren mjeket specialiste.

  • Te paska hyre thelle e te paska percelluar me duket,por te vertetat qe them une te percellojne,se nuk ishit mesuar ju.Ato qe keni bere do t`i vuani.

    • ta nguli

      demon

      na ke thene qe ke botuar 13 libra po aq sa dhe kapllan burovici….mund te na thuash nga kush ke frike sot ne kohen e demo kracise…

      demo dhe nje here po te them nuk e ka rruajtur nuk e rruaj dhe nuk do ta rruaj per enverin qe ti ke 25 vjet qe po i ha kockat si kanibal….dhe mire te befte…po pse ke frike te dalesh me emer orgjinal dhe ke ngelur si ZGJEBS interneti ?

      Nje person qe pretendon qe ka bere 13 libra apo dokumentare dhe katandiset ne zvarranik os eke qene spiun i enverit ose nje vizite te mjeku psikiater e ke jo vetem te nevojeshme por dhe te domosdoshme…

      Thuaj nje fjale o zavalli demo per arbereshet e Zares…..qe te mendojme se ke pak gjak shqiptari…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *