Aleanca Kuq e Zi zhvilloi paraditen e sotme një tubim në qytetin e Peshkopisë. Kreu i AK, Kreshnik Spahiu, së bashku me qytetarë dibranë kanë marshuar në rrugët kryesore të qytetit duke çelur marshimin drejt Tiranës për një “7 prill pa Berishën”. Ndërsa në kuadër të inaugurimit të mashtrimeve, një formë proteste që AK zhvillon prej disa javësh, është prerë shiriti për Rrugën e Arbrit, një tjetër premtim i pambajtur nga qeveria “Berisha”.
“Rruga e Arbrit u pengua nga shtetasi Sali Berisha për favor të interesave të Athinës dhe Beogradit. Sali Berisha e ka braktisur Dibrën duke e lënë atë në mjerim dhe skamje, të izoluar dhe fundosur në krizë sociale dhe ekonomike. Duhet t’u themi mjaft më ndasive politike që shtetasi Sali Berisha ka mbjellë në themelet e shoqërisë shqiptare sepse nuk ka Dibër të madhe dhe Dibër të vogël, por ka vetëm Dibër kuqezi”, deklaruan drejtuesit e AK.