Dibër/ Arrestohen 3 persona, tregtonin naftë e mallra kontrabandë nga Maqedonia e Veriut

Amelda Amelda

Tre persona janë vënë në pranga në njësinë administrative, Dibër, sepse tregtonin naftë dhe mallra kontrabandë duke shmangur detyrimet doganore. Mësohet nga njoftimi i policisë se janë arrestuar Adil Cibaku, administrator i një kompanie transporti publik, Izet Merdini, menaxher dhe Artur Lami, shofer.

Sipas Policisë, këta persona kishin  instaluar dy serbatorë  për naftë  në një autobus të kompanisë dhe në mënyrë të vazhdueshme merrnin naftë në Dibër të Madhe dhe më pas e depozitonin në një  depozitë nafte në afërsi të kompanisë së tyre.

Po ashtu  dyshohet se ata,nëpërmjet autobusëve të udhëtarëve, kryenin kontrabandë me mallra për të cilat paguhet akcizë dhe evazion fiskal duke shmangur detyrimet doganore të hidrokarbureve nga pika e kalimit kufitar Bllatë ku më pas u furnizonin mjetet e transportit.

Si rezultat i veprimeve hetimore si dhe gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e magazinës së këtij subjekti u gjet një depozitë e mbushur me rreth 800 litra lëndë djegëse, e dyshuar se është grumbulluar nga veprimtaria kriminale e kontrabandës së kryer nga personat e mësipërm.

Gjithashtu gjatë kontrollit të ambienteve të subjektit janë sekuestruar 10 Aparate transmetimi sinjali televiziv(Android Tv), 13 Router interneti, kuti medikamentesh, artikuj të ndryshme kancelarie, pa dokumentacionin shoqërues, si dhe automjeti në të cilin ishin të instaluar dy serbatorë të mbushura me naftë gjithsej 145 litra.

Materialet proceduriale i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, për  veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Kontrabanda me mallra të tjera”,  “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”.

a.m/dita

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *