Zaim Korsi, kandidati i pavarur për kreun e bashkisë së Dibrës rrëfen për Dita projektet e tij për një qeverisje tjetër dhe mundësi të tjera për dibranët.
Ai mendon se dy partitë kreysore e kanë kthyer bashkinë e Dibrës gjatë këtyre viteve në një seksion të ngushtë partiak e pa vizion për të ardhmen e zonës.
I ardhur nga bota akademike dhe e sipërmarrjeve të suksesshme private, ai shpalos një projekt kurajoz për Dibrën, duke u shprehur se ka ardhur koha që të marrë fund mashtrimi 25 vjeçar i oborreve të politikës dhe dibranët t’i kthehen punës dhe projekteve konkrete për të përmirësuar jetën e tyre.
-Zoti Korsi, ju lutemi, diçka për veten tuaj?
-Kam lindur në Grezhdan, Maqellarë, Dibër, më 19 shkurt 1956. Kur isha dy vjeç, për shkak të një aksidenti që më ndryshoi jetën, m’u dëmtuan këmbët dhe që atëhere eci me paterica. Vitet e para të jetës sime nuk kanë qenë të lehta; në katër vitet e para të shkollës, ka qenë im atë ai që më ka shoqëruar çdo ditë në shkollën e fshatit. Më pas do të shkoja për dy vite për kurim në spital, për t’u rikthyer sërish në moshën 12 vjeç për të vazhduar 8-vjeçaren. Në vitin 1977, pak ditë pasi isha martuar nisa studimet në Universitetin Bujqësor të Kamzës për Ekonomi Biznes. Isha edhe student edhe bashkëshort. Në vitin 1981 përfundova studimet dhe u bëra baba me një djalë, të cilin vite më vonë do ta ndiqnin dhe dy motra.
Pas diplomimit kam punuar për dy vite si llogaritar i parë në kooperativë e më pas, u transferova në të njëjtin pozicion në qytetin e Laçit, ku kam qëndruar deri në vitin 1991, kohë kur ra edhe sistemi. Pas kësaj fillon punë në një ndërmarrje ushtrie si ekonomist dhe më pas për tre vite, nga ‘ 93-’98, pranë Entit të Banesave në qytetin e Laçit, sërish në pozicionin e ekonomistit.
Asgjë s’ka qenë e lehtë, por falë kurajos, ia kam dalë mbanë çdo pune. Unë e di se çfarë do të thotë të vuash dhe të luftosh për të triumfuar mbi dhimbjen, mbi pamundësinë, prandaj dua që këtë përvojë ta ndaj me të tjerët, që të bëjmë më të mirën për Dibrën, vendlindjen tonë të përbashkët.
-Pse vendosët të kandidoni si i pavarur për kreun e bashkisë së Dibrës?
-Dibra është një trevë historike mbresëlënëse, me një histori qëndrese të pashembullt që datohet që nga epoka e Skënderbeut. Ajo ka një terren të mrekullueshëm, me pasuri të shumta nëntokësore e mbitokësore, me ujëra, pyje, kullota, pemtore, ujëra kurative të rralla në Europë, me një klimë të shëndetshme dhe njerëz punëtorë, bujarë e fisnikë. Dibra ka resurse të rralla turistike si në Lurë, Kala e Dodës, në rrashnaltën e Korabit, brigjeve të Drinit e gjetkë, ku mund të krijoheshin kushte të favorshme për zgjimin e turizmit malor, aq të preferuar nga shqiptarët e veçanërisht nga të huajt. Gjithë këto resurse, për shkak të politikës dritëshkurtër dhe infantile të dy forcave kryesore partiake, gjatë këtij tranzicioni jo vetëm nuk janë vënë në efiçensë, por janë shkatërruar. Të jesh i varfër në një terren të tillë, është më shumë se absurditet, më shumë se papërgjegjshmëri. Prandaj vendosa të kandidoj si i pavarur. Mjaft me modelet e një bashkie dhe komunash bunker dhe reparteve politike të partisë që ka fituar zgjedhjet.
-A mendoni se të kandidosh si i pavarur në një vend si Shqipëria për një njësi vendore është si të shkosh i sigurtë drejt një humbjeje të paralajmëruar?
-Aspak, përkundrazi, mendoj se humbja është e paralajmëruar për ata që tash 25 vjet nuk kanë bërë asgjë në Dibër, përveçse iu kanë bërë fresk liderëve politikë. Dibra jeton mes bukurive përrallore e mundësive të panumërta, por mjerisht dibranët jetojnë në varfëri, pa tregje për të shitur prodhimet e tyre, pa infrastrukturë, pa ujë të pijshëm, pa pastrim, pa ujitje, pa kanalizim, shumica e banorëve të papunë e me toka të pa punuara.
Prandaj tani më tepër se kurrë duhet një dorë e ngrohtë njerëzore që të bëjë më të mirën e mundshme për dibranët, jo një dorë partiake që para se të mendojë për qytetarët, mendon për kryetarin e partisë. Unë u premtoj dibranëve që do të luftoj për një jetë më të mirë për ta, duke u përfshirë në projekte e sfida konkrtete, siç kam luftuar për veten time, për familjen time, për fëmijët e mi.
-Cilat mendoni se janë epërsitë tuaja në garë?
-Unë nuk vij në këtë garë si pjesë e detashmenteve të çngjyrosur të politikës dypartiake, por si i pavarur, pra do të punoj për qytetarët dhe jo për oborret politike. Vij nga bota akademike dhe biznesi, kam qenë i suksesshëm në punën time dhe këtë përvojë dua ta ndaj me një komunitet më të gjërë njerëzish, që janë banorët e vendlindjes sime. Unë hyj në këtë garë për të dhënë e jo për të marrë, kërkoj dhe kam besim që arritjet e mia si njeri, si biznesmen, si administrator e menaxher t’i bëj pjesë e një grupi të gjërë shoqëror, të një bashkësie të gjërë njerëzish. E përsëris hyj në këtë garë jo për të mbushur xhepat, siç bëjnë shumica e kandidatëve. Dhe ky është avantazhi që do të më japë fitoren, pasi njerëzit janë kthjelluar dhe duan një motiv real e bindës, para se të hedhin votën më 21 qershor.
Në vitin 2009 kam ideuar dhe financuar vendosjen e shtatores së Skënderbeut në qytetin e Peshkopisë, në vendin e tij të lindjes, në mes të dibranëve, të cilëve iu përket dhe ata do ta kenë përjetësisht aty, në një nga sheshet më të bukura të qytetit. Në vitin 2011, kam mbështetur financiarisht vizitën e trashëgimtarit me të njëjtin emër të Heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, në vendin e tij të origjinës, në fshatin Sinë, në bashkëpunim me Ministrinë tonë të Jashtme.
Gjithashtu kam ndihmuar financairisht në realizmin e disa dokumentarëve për figurën e Gjergj Kastriotit, kam sponsorizuar libra e botime akademike, historike, kulturologjike e shkencore, që hedhin dritë mbi aspekte të panjohura ose të keq interpretuara të historisë sonë kombëtare. Në vitin 2001 me shpenzimet e mia kam ndërtuar minarenë e xhamisë së fshatit Grezhdan, fshatit tim të lindjes, si dhuratë për banorët e këtij fshati. Nga ana tjetër, pasioni im janë dijet, vij nga bota akademike dhe jam pjesëmarrës në 15 konferenca me artikuj shkencorë në vendet e zhvilluara evropiane, për drejtimin dhe menaxhimin e ekonomisë. Nuk kam menduar kurrë vetëm për veten time e për familjen time, as vetëm për rrethin e ngushtë; dua të lë një gjurmë në kujtesën e njerëzve dhe veçanërisht të bashkëqytetarëve të mi.
-Çfarë premtoni të bëni konkretisht për Dibrën dhe dibranët?
Së pari, nëse fitoj, do të çbunkerizoj bashkinë, do ta bëjë një derë të hapur për qytetarët, një vend ku të rrihen mendime e të marrin udhë projekte shndërruese për Dibrën e dibranët. Do të jem orar e pa orar, në dispozicion të hallexhinjve. Do të zgjidhim urgjentisht çështjen e furnizmit me ujë të pijshëm të fshatrave të Maqellarës, qytetit të Peshkopisë dhe çdo fshati të Dibrës, pasi është mëkat të jetosh mes ujit të bollshëm e të mos kesh ujë për të pirë, për të vaditur, për të vënë në punë sipërmarrjet private etj. Do të bëjmë një pastrim rrënjësor e të gjithëkohëshëm të qytetit dhe të fshatrave, duke kryer grumbullimin, transportimin dhe djegien e mbeturinave, për të kthyer atë traditë të dibranëve që është pastërtia dhe rregulli qytetar.
Do të promovojmë, në bashkëpunim me qeverinë dhe investitorët vendas e të huaj, turizmin historik e piktoresk të krahinës, si një burim i mirë për rritjen e të ardhurave ekonomike të banorëve të trevës. Stimulimi dhe ndihma ligjore për krijimin e shtimin e vreshtave, blloqeve frutore, të tufave të bagëtive të imëta dhe të trasha në të gjithë krahinën, nxitja dhe ndihma për ngritjen e punishteve të përpunimit të prodhimeve bujqësore, blektorale e frutore, mundësia e eksportimit të tyre me etiketën “made in Dibra”, do të jenë prioritete të punës sime dhe të stafit. Do të studiojmë dhe vëmë në efiçensë mundësinë e afrimit të investitorëve të huaj, me projekte konkrete, që mund të sillnin një bum ekonomik në Dibër. Në këtë kuadër, do të shtonim pikat e kontaktit e të bashkëpunimit të Dibrës me bashki homologe për të ndihmuar zhvillimin e Dibrës. Projekte konkrete do të ndërmarrim për përmirësimin e shkollave, spitaleve e qendrave shëndetësore, për sportin, kulturën dhe integrimin e gjithëanshëm të shoqërisë dibrane, si një shoqëri që sjell vlera të veçanta historike, kulturore, turistike dhe vlera të rralla njerëzore si bujaria, fisnikëria, shpirti i dijes, punës dhe progresit të gjithëanshëm.
-Cili është mesazhi juaj për dibranët ditën e 21 qershorit?
-Thjesht, votoni nr.5, votoni për veten tuaj. Votoni për ta çbunkerizuar bashkinë dhe për të qenë ju të gjithë, të majtë, të djathtë e të paparti, të zhgënjyer e të braktisur nga politika, pjesë e projektit shndërrues për Dibrën tonë të dashur. Mos lejoni që t’iu mashtrojnë përsëri. Unë jam njëri prej jush, e kam krijuar gjithçka me mund e me vështirësi dhe dua që të luftojmë së bashku për një Dibër të pasur e të begatë, siç e ka njohur koha dhe historia.
