Ish-raportuesi i Këshillit të Europës Dick Marty ka reguar menjëherë pas deklaratave të Prokurorit Clint Williamson, gjatë ditës së djeshme, në lidhje me dyshimet për krime lufte të kryera apo urdhëruara nga figurat udhëheqëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një intervistë për radion zvicerane SRF, Marty e ka cilësuar deklaratën si të një rëndësie të jashtëzakonshme, por nga ana tjetër ka pohuar se nuk e ka vënë në fokus tregtinë me organe, porse ka folur për raste të pakta.
“Jo shumë kanë pritur rezultate kaq pozitive. Ambasadori Williamson flet për krime kundër njerëzimit. Ai e di se ç’domethënie kanë këto fjalë. Kjo që ka ndodhur sot është e një rëndësie të jashtëzakonshme. Dëshmitarët nuk kanë besim në drejtësinë kosovare dhe as në gjyqësinë ndërkombëtare. Unë kurrë nuk e kam vënë në fokus tregtinë me organe.. Kam folur për pak raste”- ka thënë Marty, ndërkohë që ka theksuar se qytetarët e Kosovës meritojnë që të kenë udhëheqës me duar të pastra.
Sipas ish- raportuesit të Këshillit të Europës, cituar nga “Gazeta Ekspres” e cila ka botuar intervistën, deri më sot ndërlidhja mes politikës dhe krimit të organizuar ka qenë aq e madhe, saqë nuk ka qenë e mundshme të ndërtohet një administratë normale. Marty ka akuzuar njëkohësisht edhe bashkësinë ndërkombëtare, pasi sipas tij ajo ka një përgjegjësi të madhe, përsa i përket kësaj çështjeje./A.V
