Didi: Me Lazaratin kthyem besimin e humbur te ndërkombëtarët

anazapta

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit vizitoi dje Gjirokastrën në ditët e fundit të operacionit antidrogë në Lazarat, i cili ka nisur prej mesit të muajit qershor dhe ku janë sekuestruar 65 tonë marijuanë, 134 mijë bimë kanabisi, 5 laboratorë droge, mijëra armë dhe municione, si dhe arrestuar 49 persona. “Operacioni në Lazarat tregoi se ka seriozitet dhe vendosmëri nga ana e Policisë së Shtetit”, tha Artan Didi në fjalën e tij. Kryepolici mbërriti në orët e para të ditës, inspektoi nga afër detajet e operacionit, përshëndeti një e nga një të gjithë efektivët prezent që gjenden aktualisht në aksion dhe më tej mbajti një fjalim inkurajues para tyre.

“Falenderoj efektivët e RENEA-s, FNSH-s dhe të gjithë të tjerët. Efektivët treguan profesionalizëm dhe humanizëm. Mbi të gjitha fituam edhe besimin e ndërkombëtarëve dhe të komunitetit, që e kishim humbur”, tha Didi në fjalën e tij. Ai vlerësoi përfundimin e operacionit me sukses, me rezultate konkrete në goditjen e grupit kriminal, fenomenit të kultivimit dhe çarmatosjes së popullsisë. “Të gjithë së bashku i dhatë një fytyrë të re policisë. Fituat besimin edhe te ndërkombëtarët. Ky operacion tregoi më së miri se ka mobilizim dhe vendosmëri”, shtoi më tej kreu i Policisë së Shtetit. Duke u ndalur tek operacioni në Lazarat, Didi theksoj se rezultatet janë të prekshme për të gjithë.
“Vlerësim për gjithë kontributin në këtë operacion tejet të vështirë, për kurajën dhe guximin, por mbi të gjitha për gjakftohtësinë dhe dashamirësinë që treguan ndaj komunitetit të thjeshtë të Lazaratit. Edhe pse ju u sulmuat me të gjitha llojet e armëve, ju treguat profesionalizëm, duke bërë më të mirën, dhe vetë faktet e tregojnë këtë”, tha kryepolici para vartësve të tij.

Më tej shtoi se do të vijojë operacionin në Lazarat, për të garantuar rendin dhe qetësinë për banorët e këtij fshati, si dhe më pas për të aplikuar të gjitha metodat e policimit në komunitet, si në çdo territor të vendit. “Ky operacion tregoi më së miri se kur ka mobilizim, ku ka seriozitet dhe vendosmëri, policia funksionon si një skuadër dhe rezultatet janë të prekshme për të gjithë”, mbylli fjalën e tij Didi.

 

Ambasadori i SHBA

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu përcolli një falenderim të veçantë mbrëmjen e së mërkurës për Policinë e Shtetit dhe kryepolicin Didi, për rezultatet e operacionit në Lazarat, duke treguar profesionalizëm dhe sukses në ndërhyrjen e tyre në fshat, pa shkaktuar dëme në njerëz.
Të pranishmit në takim, edhe banorë nga fshati Lazarat dhe biznesmenë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, ishte i shoqëruar nga drejtori i Policisë së Qarkut Gjirokastër, Haki Çako gjatë takimit të falënderimit me efektivët e policisë që morën e vazhdojnë të marrin pjesë në operacion në Lazarat. Në këtë takim ishin të pranishëm prefektja Zamira Rami, përfaqësues të komunitetit të biznesit, përfaqësues të institucioneve, si dhe përfaqësues të komunitetit të Lazaratit. Didi vlerësoi qetësinë qytetarë të banorëve, që ndihmuan së tepërmi policinë në aksionin e ndërmarrë, përjashtuar disa individë të evidentuar, një pjesë e të cilëve të ndaluar dhe të tjerët e shpallur në kërkim. Ai ka falënderuar prefekten, biznesmenët, drejtuesit e institucioneve dhe përfaqësuesit e komunitetit të Lazaratit, për gjithë kontributin e tyre, mbështetjen që dhanë për forcat e policisë gjatë gjithë ditëve të zhvillimit të operacionit.

 

Gjendet i groposur te lapidari arsenali me armë, kapet i kërkuari për 1,2 ton drogë

Edhe dje ka vijuar operacioni i kontrolleve në të gjithë territorin e Lazaratit, megjithëse me ritme më të ulëta nga ditët e tjera për shkak se kanë mbetur fare pak ambiente për inspektim. Policia bëri sekuestrimin e një arsenali tjetër armësh që ishin groposur në fshat, në afërsi të një lapidari. Konkretisht u gjetën 2 mitralozë të lehtë, 5 armë zjarri automatike “Kallashnikov”, 3 armë zjarri pushkë, 30 granata ofensive, 3 kuti me ndezës të unifikuar granatash, 4720 fishekë, 4 krehra fishekësh, 30 metra fitil zjarrpërcjellës. Gjithashtu, në vijim të operacionit, në Lazarat u kap dhe u ndalua një tjetër person në kërkim. Vladimir Brahimi, 60 vjeç, u prangos sepse gjatë kontrollit të ushtruar në datë 27 qershor në banesën së tij, i janë gjetur e sekuestruar 1233 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa, 650 fishekë, 1 mbushëse granatahedhësi dhe 20 kapsolla detonatore. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjirokastër, për veprën penale “prodhim dhe shitje e narkotikëve”, dhe “prodhim e mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake”. Gjithsej dje u kontrolluan 9 banesa në fshat.

 

Operacioni, 65 tonë drogë dhe 134 mijë bimë kanabisi të djegura

Në total Policia e Shtetit ka arritur të sekuestrojë dhe djegë me zjarr në Lazarat mbi 65 tonë drogë, 134 mijë rrënjë kanabisi të mbjella, 5 kg heroinë, 54 kg drogë çokollatë, 25 kg vaj hashashi, 5 laboratorë të lëndëve narkotike dhe pajisje të sofistikuara, rreth 5 kg farë hashashi. Gjithashtu janë arrestuar 49 persona të dyshuar dhe të tjerë janë shpallur në kërkim si pjesëtarë të grupit të zjarrit. Janë kontrolluar rreth 900 banesa në komunë dhe është gjetur arsenal i madh armatimi me mbi 400 armë, mbi 200 mijë fishekë, mbi 1 mijë kallëpe tritoli, snajpera, jelek antiplumb, maska, uniforma, predha antitank dhe materiale të tjera.
Sekuestrimet në total:
65 tonë drogë
134 mijë bimë kanabisi
5 kg heroinë
53,7 kg drogë çokollatë
4,4 kg farë kanabis sativa
16,8 litër vaj hashashi.
5 laboratorë droge
423 armë zjarri
27 pistoleta
2 snajper
49 armë të djegura
237029 fishekë
1170 kallëpe tritoli
763 granata
361 predha
19 mina kundër këmbësorisë
3954 kapsolla detonatore
11 mjete me armë e kanabis
17 automjete të tjera
4 mjete të djegur
37 targa automjetesh
1 aparat kërkues floriri
5kasaforta, 1 metalkërkues
Dokumente identitetesh
uniforma policie dhe maska
5 kamera vëzhgimi, 5 dylbi
26,4 mln lekë të vjetra
3 radio transmetuese

 

Share This Article
1 Comment
  • Nje falenderim te forte per STRESIN qe para pak kohe deshmoi me foto vendet me hashash…….edhe atyre qe me kamera amatore filmonin per gallate vendet e prodhimit dhe paketimit te Mallit…….listen e plote per policine.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *