Kryepolici takohet me drejtuesit vendorë, kërkon sensibilizim dhe rritje të forcës goditëse për ndalimin e kultivimit të hashashit. Udhëzimi: “Do hartohet plan-veprimi me të gjithë faktorët. Nuk flas për legalizimin e drogës, ne e konsiderojmë dukuri kriminale”.
Deri tani nuk është bërë lufta e duhur ndaj dukurisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, veçanërisht në Lazarat. Kështu është shprehur dje në një vizitë surprizë që kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi, zhvilloi në Gjirokastër. Ndërsa pati edhe një takim me përfaqësuesit vendorë, drejtues të bashkive, komunave, këshilltarë dhe drejtues të shkollave. Tema e diskutimit ishte lufta kundër kultivimit të kanabisit. “Kultivimi i hashashit është problematikë jo vetëm në Shqipëri. Kultivimi i hashashit në Lazarat, problem edhe më i gjerë se kaq. Deri tani nuk është bërë lufta e duhur kundër kanabisit”, iu komunikoi vendorëve kryepolici Didi. Në takim merrnin pjesë të gjithë drejtuesit e policisë vendore dhe drejtues shkollash, ndërsa përkon me sezonin e mbjelljes së bimës narkotike. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë u përqendrua edhe në fushatën sensibilizuese dhe parandaluese për kultivimin e kanabisit. Drejtuesit vendorë e kanë njohur me problematikat e zonave që janë edhe më të përfolurat për kultivimin e bimëve narkotike në vend. “Do hartojmë një plan-veprimi të gjerë me të gjithë faktorët për të luftuar këtë fenomen”, tha kryepolici. Didi ka kërkuar shtimin e kontrolleve dhe të punës operative për të goditur rastet e trafikimit të bimëve narkotike që kanë si origjinë zonën e Gjirokastrës, si edhe grumbullimin e informacioneve për vendet e kultivimit të kanabisit. Ndërsa vlerësoi forcën goditëse të trafikut, ai pati kritika për forcën parandaluese të kultivimit, sidomos në Lazarat. Por ende nuk ka një strategji konkrete se si të zhduket kjo dukuri kriminale që prej vitesh është kthyer në problem edhe ndërkombëtar. Kryepolici mohoi të kishte kërkuar ndihmën e policive të huaja për të hyrë në Lazarat dhe tha se ky problem mund të zgjidhet nga vetë shteti shqiptar, por dhe me asistencë të vazhdueshme nga partnerët ndërkombëtarë. Ndërsa për legalizimin e hashashit, propozim i kreut të Dhomës Amerikane të Tregtisë, Didi nuk dha komente, duke thënë se, “ne jemi organ ligjzbatues dhe si të tillë e konsiderojmë drogën si një dukuri kriminale dhe e trajtojmë si të tillë”. Muajt e parë të vitit 2014 kanë regjistruar rekorde në sasitë e sekuestruara të kanabisit të destinuar për t’u shitur në tregun e përdoruesve në vend apo për t’u trafikuar jashtë vendit, por sipas kryepolicit krahas goditjes së fenomenit duhet më shumë punë në parandalimin e kultivimit të bimës narkotike
