Dielli pranveror, problemet që shfaqen në lëkurë

anazapta

Për fat të keq ne nuk mund ta frenojmë plakjen e lëkurës ndër vite dhe të qëndrojmë të rinj përgjithnjë. Me kalimin e viteve qelizat e lëkurës tonë humbasin hidratimin dhe prodhohet me pak kolagen në dermë çka çon në një lëkurë më pak të lëmuar, pa jetë dhe me njolla. Fibrat e elastinës janë më të pakta dhe lëkura humbet trashësinë e saj si rezultat i humbjes së shtresave të nënlëkurës prej veprimit të faktorëve të ndryshëm. Këto ndryshime të kombinuara shkaktojnë një lëkurë të lëshuar dhe më shumë rrudha.

Në një intervistë për gazetën “Dita”, mjekja dermatologe Monika Fida tregon se muajt e pranverës janë edhe më problematikët sa i takon komplikacioneve që shfaqen në lëkurë. Kjo pasi rrezet e diellit gjatë pranverës klasifikohen si dëmtuesit kryesorë të lëkurës, duke ndikuar direkt në shfaqjen e njollave apo dhe rrudhjes që bëhet gjithnjë e më dukshme me kalimin e viteve. Për të parandaluar këto problematika, si dhe për t’iu gëzuar një lëkure sa më të pastër e pa njolla këshillohet ndjekja e kujdesit të veçantë gjatë muajve mars-prill dhe maj.

 

Tashmë kemi hyrë në një stinë e cila na ekspozon ndaj rrezatimeve të forta të diellit. Sa të dëmshme janë këto rreze, çfarë faktorësh të tjerë duhet të kemi kujdes që t’u shpëtojmë njollave të lëkurës apo komplikacioneve të tjera që favorizojnë rrudhat? 

Janë të shumtë faktorët që ndikojnë në dëmtimin e lëkurës. Por ndonëse të pashmangshëm, nëse tregohet kujdes ndaj tyre gjatë stadeve më të hershme, dëmet që lënë në lëkurë janë edhe më të pakta. Konkretisht faktorët kryesorë që ndikojnë në plakjen e lëkurës janë ekspozimi në rrezet ultraviolet, dieta e keqe ushqimore, mungesa e ushtrimeve dhe aktivitetit fizik, pirja e duhanit, si dhe stresi. Nëse sigurohet mbrojtja e duhur ndaj këtyre shkaktarëve, atëherë edhe dëmet e lëkurës do të jenë më minimale. Duhet të kuptojmë që rrudhja apo humbja e butësisë, lëmueshmërisë së lëkurës nuk mbetet në të njëjtat nivele me kalimin e viteve. Kjo pavarësisht kujdesit maksimal që mund të tregojmë për mbrojtjen e saj.

 

Kur shfaqen shenjat e para të dëmeve në lëkurë?

Shenjat e para të plakjes së lëkurës fillojnë të duken në fund moshës 20-vjeçare dhe thellohen në dekadat që vijnë më pas. Deri pak kohë më parë, pjesa më e madhe e trajtimeve kundër plakjes konsistonin në përdorimin e locioneve dhe kremrave ose të kirurgjisë kozmetike për të përmirësuar paraqitjen e rrudhave fillestare ose të rrudhave të thella.

Zhvillimet e kohëve të fundit në teknologjitë me lazer ofrojnë një metodë të provuar dhe shumë efikase në trajtimin e lëkurës dhe rrudhave. Por këto metoda nuk duhen përdorur kurrsesi pa marrë më parë aprovimin e mjekut dermatolog, pasi të bëra në mënyrë të gabuar, mbartin dhe efekte të rënda shëndetësore.

Duhet të vëmë në dukje se alarmi i diellit pranveror bie veçanërisht për llojet e lëkurës që janë me probleme apo me njolla, të cilat dielli i këtij sezoni i përkeqëson edhe më shumë. Ndaj në çdo rast këto tipe lëkurash, por edhe gjithë të tjerët nuk duhet të neglizhojnë përdorimin me urgjencë të kremrave me filtra mbrojtës (spf) sa më të lartë, sipas rekomandimeve dhe përshkrimeve të lëshuara nga mjeku specialist. Në të kundërt dëmet në lëkurë do jenë të mëdha, duke qenë se do të jetë shumë vonë për të eliminuar njollat kafe, karakteristike të muajit mars dhe prill.

Është shumë e rëndësishme që të mbrohemi në këtë sezon nga rrezet e dëmshme të diellit sesa në periudhën e plazhit. Çdo vit, aq më tepër me kalimin e kohës, pjesa dërrmuese e femrave shqiptare përballen me stresin për shkak të njollave që shkaktohen nga rrezet e dëmshme të diellit gjatë muajve të pranverës (për të cilat nuk është treguar kujdesi i duhur).

 

Theksuam pak më lart se ekspozimi në diell në mënyrë të shkujdesur është armiku numër një i lëkurës. Konkretisht si ndikon?

Dëmet që dielli lë në lëkurë mund të jenë edhe të pariparueshme nëse nuk merren masat e duhura në kohë. Konkretisht qëndrimi nën rrezet e forta diellore gjatë kësaj periudhe bëhet shkak për shfaqjen e një sërë problemesh të lëkurës, të cilat mund të marrin përmasa shqetësuese nëse nuk trajtohen në kohën e duhur. Veçanërisht tek ato tipe lëkurash që janë edhe më të ndjeshme.

Një ndër problemet më shpeshta që përhapet në lëkurë gjatë kësaj periudhe është shfaqja e njollave kafe që mbeten të pariparueshme për gjithë periudhën e vitit. Prandaj, gjatë këtyre muajve duhet filluar detyrimisht aplikimi i kremrave me filtra mbrojtës të cilët duhet të kenë faktorë mbrojtës më të lartë se sa 20.

Depërtimi i rrezeve të diellit nëpërmjet pakësimit të shtresës së ozonit, qëndrimi i zgjatur në diell, si dhe stresi janë disa nga faktorët që ndikojnë në shtimin e njollave ngjyrë kafe, ndërkohë që favorizojnë edhe shtimin e rrudhave dhe për pasojë të plakjes më të shpejtë.

Faktorë që ndikojnë në shfaqjen e njollave dhe përkeqësimit të tyre në raste të caktuara janë edhe disbalancat hormonale, shtatzënia, medikamente të ndryshme, si: kontraceptivët oral ose antibiotikë, si dhe faktori gjenetik. Megjithatë, nuk mbeten mbrapa si faktorë negativë edhe ushqimi jo i mirë, ndotja e ambientit, pakujdesitë dhe mostrajtimi i lëkurës së fytyrës në mënyrë të vazhdueshme.

 

Çfarë duhet të kemi parasysh kur i referohemi përdorimit të kremrave mbrojtës?

Një ndër këshillat bazë që duhet të ndjekim të gjithë ka të bëjë me përdorimin e kujdesshëm të kremrave mbrojtës. Në varësi të llojit të lëkurës rekomandohet edhe kremi që duhet përdorur për të shmangur dëmet e lëna nga dielli. Në këto kushte përdorimi i kremrave të ndryshëm është mirë që të nisë vetëm pasi të jetë marrë këshilla e mjekut specialist dermatolog.

Kjo pasi vetëm në këto raste mund të përdoren kremrat e duhur, në përshtatje me tipin e lëkurës dhe që japin efektin e duhur në mbrojtjen e saj. Përdorimi i kremrave me filtra mbrojtës këshillohet që të bëhet çdo dy apo tre orë për ata që qëndrojnë për shumë gjatë nën efektin e rrezeve të diellit.

Gjithashtu, është e rëndësishme që lyerja të bëhet 20 minuta para ekspozimit në diell. Gjatë kësaj periudhe mund të përdoren dhe pudra kompakte me faktor të lartë mbrojtës si “spf 50”. Ndërsa pas çdo larjeje apo djersitje është e nevojshme që të aplikohet sërish përdorimi i kremrave mbrojtës që të shmangen efektet negative.

Përdorimi i filtrave mbrojtës mund të mos jetë i efektshëm në rastet kur pas lyerjes me kremin mbrojtës përdoren dhe kremra të tjerë pudër. Në këtë rast, efekti mbrojtës ndaj rrezeve të diellit është në nivele të ulëta nëse “spf” e pudrës ose fondatinës është e ulur. Për vajzat që nuk mund të rrinë larg pudrës, është e këshillueshme që të përdoret pudra që ka “spf” të lartë mbrojtëse.

 

Si ndikon dieta ushqimore në shfaqjen e njollave apo plakjes së shpejtë të lëkurës?

Qëndrimi për një kohë të gjatë nën rrezet e dëmshme të diellit padyshim që ndikon në atë çka ndryshon tërësisht pamjen e lëkurës, duke e paraqitur atë shumë më të plakur. Ekspozimi në diell padyshim cilësohet si shkaktari i parë i dëmtimeve të mëdha në lëkurë duke favorizuar dëmtim të enëve të gjakut të lëkurës, trashje të lëkurës, njolla të erreta në lëkure, e deri në forma të rënda siç mund të jetë edhe kanceri i lëkurës.

E rëndësishme dhe domosdoshmëri është mbrojtja e lëkurës nëpërmjet aplikimit të kremrave mbrojtës me faktor mbrojtës ndaj diellit (SPF). Krahas këtyre këshillave shumë e rëndësishme është edhe dieta ushqimore që ne duhet të ndjekim.

Ndaj një nga format më të mira për t’i siguruar lëkurës mbrojtjen e duhur është edhe mbajtja e një diete të balancuar ushqimore. Konsumi i ushqimeve të shëndetshme ndihmon në largimin e toksinave nga trupi, ndërkohë që i japin lëkurës elementet e nevojshme për ta mbajtur të freskët dhe të lëmuar duke parandaluar plakjen e parakohshme.

Kështu, është shumë e rëndësishme që të mos neglizhohet konsumimi i  perimeve, veçanërisht atyre jeshile, karrotave, frutave e zarzavateve, teksa karbohidratet duhen eliminuar sa më shumë që të jetë e mundur.

Konsumi i perimeve dhe frutave të gjelbra siguron një element shumë të rëndësishëm për trupin, klorofilin. Ky i fundit ndihmon në largimin e toksinave  të dëmshme nga trupi, bashkë me to edhe të elementeve të tjera të dëmshme, siç janë kimikatet apo metalet e rënda. Perimet janë më të mira kur hahen në kushte natyrale dhe sa më pak të gatuara.

Ndaj konsumi i qepëve, karrotave, sallatës, lakrave jeshile, lulelakrës, rrepave, agrumeve ndihmojnë në zgjatjen e rinisë së lëkurës. Lëkura është pikërisht ajo pjesë e trupit që pasqyron dhe vuan më shumë nga dehidrimi (mungesa e ujit në organizëm).

Për një lëkurë të shëndetshme rekomandohet të pihet minimalisht 2 litra ujë në ditë, çka do të realizojë jo vetëm hidratimin e lëkurës, por dhe eliminimin e lëndëve e substancave toksike të organizmit. Gjithashtu edhe stresi emocional është një faktor i rëndësishëm në gjendjen e lëkurës tuaj. Në shumë raste ne mund ta ndihmojmë lëkurën tonë nëse kujdesemi për mirëmenaxhimin e rrudhave të emocioneve. Këto të fundit do të vërehen më pak nëse tentojmë të ndërgjegjësohemi dhe të punojmë me gjendjen tonë emocionale, duke i kushtuar rëndësi pushimit apo mbajtjes larg të tensioneve dhe streseve që na dhuron përditshmëria.

 

Kur duhet të fillojë mbrojtja nga dielli

Realisht kjo mbrojtje duhet të fillojë që në moshat e vogla. Kështu edhe tek fëmijët e vegjël, madje dhe ata 6 muajsh, sapo të bien në kontakt me rrezet e diellit duhet të jenë të mbrojtur me kremrat përkatës. Mbrojtja e lëkurës dhe veçanërisht e pjesës së fytyrës apo qafës e dekoltesë duhet të vijojë vazhdimisht gjatë gjithë jetës. Mbrojtja maksimale duhet të jetë sidomos në periudhat e plazhit, ku faktorët riskues janë gjithnjë e më shumë të pranishëm për të kapur këto dëmtime. Mendohet që rreth 80 për qind të rrezatimit të dëmshëm njeriu e merr deri  në moshën 18 vjeç, çka tregon se mosmbrojtja e duhur deri në këtë prag moshe mund të bëhet shkak për probleme të tjera të shumta që do të shfaqen me kalimin e viteve. Nga ky fakt ne kuptojmë dhe rëndësinë e madhe që duhet të kushtohet karshi mbrojtjes nga rrezet e dëmshme të diellit.

 

Stresi e pagjumësia ndikojnë më shumë te femrat

Tek femrat është vënë re që nga stresi apo nga gjumi i pakët shfaq probleme të lëkurës të cilat vihen re në mëngjes, kur lëkura nuk është në atë bardhësinë që duhet të ketë, por pak më e errët dhe deri diku me ndonjë njollë. Mendohet që prodhohen hormone të tilla në tru, të cilat arrijnë të ndikojnë në nxirjen e lëkurës. Japin një çehre më të errët dhe kjo bëhet shkak që duke dalë në kontakt me diellin të errësohet edhe më shumë, ndaj duhen përdorur kremrat të paktën çdo dy orë. Ndërsa për rastet e tjera kur qëndrojmë në ambiente të mbyllura, kremin mbrojtës mund ta përdorim vetëm në rastet kur vemi në punë, si dhe në momentet kur dalim. Edhe gjatë lëvizjes me makinë duhet përdorur kremi mbrojtës.

 

Përdorimi i duhur i kremrave mbrojtës

Ka shumë rëndësi edhe kohëzgjatja edhe mënyra e përdorimit të këtyre kremrave. Shpeshherë themi dhe se kam marrë krem me filtër mbrojtës 50, e kam përdorur dhe nuk kam pasur rezultat. Nëse nuk e përdorim këtë mbrojtës në vazhdimësi të paktën çdo dy orë për ata që janë në kontakt të vazhdueshëm me diellin, nuk mund të themi se kemi siguruar mbrojtjen maksimale të lëkurës. Duhet pasur parasysh që tek femrat në shfaqjen e njollave ndikon edhe cikli hormonal i përmuajshëm dhe gjendjet e stresit që kalon.

 

Trajtimet dhe ndërhyrjet në fytyrë

Me kalimin e kohës dhe plakjen lëkura bëhet më e hollë dhe më pak elastike si rezultat i ndryshimeve të fıbrave të kolagenit dhe të elastines, ku indi lidhës bëhet më i dobët duke dobësuar kështu dhe tonusin e lëkurës. Këto ndryshime çojnë në krijimin e rrudhave të lëkurës, si dhe në shfaqjen e lëkurave më të lëshuara e më pak elastike, të cilat flasin për simptoma të tjera të një lëkure të plakur.

 

Fakte rreth rigjenerimit të lëkurës së fytyrës nëpërmjet ndërhyrjeve

Dermatologët dhe kirurgët plastikë kanë njohuritë dhe trajnimet e nevojshme bashkë me eksperiencën për të përdorur një sërë procedurash mjekësore për të trajtuar gjendjet e ndryshme të lëkurës. Si ekspertë në plakjen e lëkurës janë pikërisht këta mjekë që mund të japin këshillat dhe të ofrojnë trajtimet e duhura për një lëkurë të shëndetshme dhe të re.

Rigjenerimi i lëkurës mund realizojë proceset që kanë të bëjnë me:

•Pakësim të rrudhave

•Trajtim të njollave të diellit

•Tonifikim të lëkurës

•Përmirësim të tonusit të lëkurës, konsistencës dhe ngjyrës

•Eliminim ose pakësim të enëve të gjakut të dëmtuara

 

Rreziqet e rigjenerimit të lëkurës së fytyrës

Tërë procedurat mjekësore që ndiqen për trajtimin e lëkurës kanë rrezik bashkëshoqërues nëse nuk  zhvillohen në format e duhura. Në përgjithësi sa më invazive (e thellë) të jetë procedura, aq më i lartë është rreziku shoqërues për ndonjë efekt të padëshiruar. Pacienti që u nënshtrohet procedurave të rigjenerimit facial mund të pësojë disa efekte anësore të përkohshme siç janë skuqje e lehtë, enjtje, të krojtura, parehati.  Shenjat e skuqjes së vazhdueshme ose dhe ndryshimet permanente në pigment mund të vërehen rrallë në procedurat më invazive (të thella). Ndërkohë që bërja e këtyre procedurave jo në mënyrën e duhur mund të shoqërohet me probleme të rënda.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *